| E hene, 17.02.2025, 07:57 PM |
GËZUAR PAVARËSINË KOSOVË!
VATRA LONG ISLAND DHE SHKOLLA SHQIPE “GJERGJ
FISHTA” FESTOJNË PAVARËSINË E
REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Nga
Frank Shkreli
Përshëndetje dhe gëzuar 17-Vjetorin e
Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Të nderuar Dr Paulin Marku dhe Fabjola
Gjinaj (Marku) bashkthemeluesë të shkollës shqipe, “Gjergj Fishta” në Long
Island të Nju Jorkut ju falënderoj për ftesën për të marrë pjesë në organizimin
tuaj me rastin e Ditës së Pavarësisë të Republikës së Kosovës. Me pamundësi për
të marrë pjesë, e ndjeva detyrim moral që të pakën tu dërgoj një përshëndetje
vëllazërore me këtë rast. Njëherazi dua t’ ju uroj punë të mbarë dhe bekime për
veprën tuaj atdhetare e fisnike -- për hapjen, më heret, të Shkollës Shqipe
“Gjergj Fishta” në Long Island. Emër më madhështor nuk kini mund me gjetë për
shkollën. U lumtë! Urime dhe mirënjohje të gjithëve, ty Dr Marku,
bashkthemelueses dhe mësueses Fabjola Marku dhe bashkpuntorëve tuaj, për këtë
nismë patriotike në shërbim të komunitetit shqiptaro-amerikan në Long Island të
Nju Jorkut.
Siç tregon edhe ky organizim sot në
shënim të Ditës së Pavarësisës së Kosovës, duket se Dega Vatra Long Island me Shkollën
“Gergj Fishta” do jetë diçka më tepër se thjeshtë një shkollë për të mësuar
gjuhën shqipe brezave të fëmijve të lindur e të rritur në Amerikë. Është për tu vlerësuar dhe admiruar misioni që
me ndihmën e Degës së Vatrës në Long Island, i kini përcaktuar shkollës “Gjergj
Fishta”, misionin: “Që të shërbejë si njësi shpirtërore, edukative, patriotike,
kulturore e komunitare për bashkimin e shqiptarëve në Long Island.” Punë të
mbarë në këtë mision të shenjtë e patriotik!
Të nderuar pjesëmarrës, sot Republika e
Kosovës dhe mbarë Kombi shqiptar festojnë 17-vjetorin e shpalljes së
Pavarësisë. Në këtë ditë të shenjtë të 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës që pasqyron
dhe realizon një ëndërrë shekullore të vullnetit të lirë të Kombit shqiptar —
na kujtohen fjalët e At Gjergj Fishtës: “Ma mirë n’vorr me u kja për mallë / se
nën shkja me ndejë për t’gjallë.” Por në
veshët tonë sot tingëllojnë gjithashtu edhe fjalët e Naim Frashërit: “Bota që
kur është zënë — Shqipëria gjallë ka qenë.”
Të nderuar miq -- Në këtë ditë të shënuar për Kosovën dhe për mbarë Kombin
shqiptar — në 17-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës -- le të
kujtojmë dhe të përulemi me nderim e respekt para RILINDASVE TË VËRTETË TË
KOMBIT, duke filluar me Gjergj Kastriotin-Skenderbe në Lezhë, Abdyl Frashërin
në Prizren, bashkë me zbritjen në Vlorë të Ismail Qemalit, Luigj Gurakuqit,
Pandeli Cales, Isa Boletinit, e të tjerëve. Në veshët e çdo shqiptari të
vërtetë kudo, sot, veçanërisht, jehon edhe kushtrimi i Presidentit historik Ibrahim Rugovës dhe i Adem
Jasharit por edhe i Bajram Currit, Ded Gjon Lulit, Mihal Gramenos dhe i Çerçiz
Topullit dhe i heronjëve më të ri të Kombit që kanë dhenë jetën në luftën për
liri e pavarësi të Dardanisë së lashtë e Kosovës së re. Shqiptarët janë ndër të parët e
njerëzimit, me një histori të gjatë e cila është e shkruar me penë, por edhe më
shumë – ajo histori është shkruar me gjak – që ajo tokë shqiptare të mbetet
shqiptare.
Në këtë ditë të pavarësisë, urimet më
të përzemërta Kosovës edhe për zgjedhjet e fundit demokratike me shpresën për
një angazhim të vazhdueshëm për të çuar përpara paqën, drejtësinë dhe begatinë
për popullin e Kosovës si dhe tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, sepse,
ndërsa festojmë këtë përvjetor sot – duhet të jemi të vetdijtur se çdo gjë,
“Bacë nuk është Kry”. Shqiptarët duhet
të ndigjojnë edhe ushtimën e kushtrimit të At Gjergj Fishtës për realizimin e
shpresave të pa realizuara: kushtrimin për përjetësimin e ëndërrës shekullore
të shqiptarëve:
SHQIPNIA E LIRË
Po, por nesër, me ndihmë t’Zotit,
Do ta bajmë prap Shqipni t’lirë
Prej Prevezet m’Leqe t’Hotit,
Prej Tivari në Manastir,
Edhe Flamuri Shqipnisë
Si flakë mnijet e Perëndisë
Do t’valvitet në Kaçanik.
Bashkshortja e Heroit Kombëtar Agim
Ramadanit, Zonja Shukrije Ramadani, ka thenë se bashkshorti i saj çdo herë
që nisej për në front të luftës kundër forcave terroriste serbe merrte me vete
Lahutën e Malësisë të At Gjergj Fishtës, për frymëzim në luftën heroike të
Kombit shqiptar për çlirimin e Kosovës nga hordhitë serbe.
500-vjet Kosova priti! At Gjergj Fishta
duhet patjetër ta ketë vendin e vet, të merituar jo vetëm në Shqipëri por edhe
në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare!
Duke u falënderuar për durimin ju
përcjell edhe njëherë gjithë ju urimet e mia më të përzemërta Republikës së
Kosovës, të gjithë pjesëmarësve të mbledhur aty dhe shqiptarëve anë e mbanë
botës, këtë ditë të madhe për Kosovën
dhe mbarë Kombin shqiptar.
Përzemërsisht, Frank Shkreli
GËZUAR PAVARËSINË KOSOVË!
Dr Paulin Marku, Kryetar i Degës Vatra
Long Island dhe bashkthemelues i shkollës Gjergj Fishta
Fabjola Marku, bashkthemeluese e
Shkollës “Gjergj Fishta”, Long Island, Nju Jork