Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Blerim Latifi: Liria dhe pavarësia e Kosovës janë ekzaktësisht produkte të Perëndimit të bashkuar

| E diele, 16.02.2025, 07:59 PM |


Prof. Blerim Latifi, ish-luftëtar i UÇK-së:

Njerëzit e padijshëm gjithmonë e përsërisin një gabim: ëndrrat i marrin për realitet dhe dëshirat për fakte. Kështu dëshirën për të qenë përjetësisht nën sigurinë gratis të Amerikës, e marrin për fakt të kryer dhe ja fusin gjumit. Shtetin e fituar pas një shekulli vuajtjesh, e shikojnë jo si mekanizëm sigurie, por si mundësi abuzive për lumturi private; ata që flasin për rreziqe kombëtare, i quajnë njerëz anakronikë dhe luftëtarët e djeshëm i duan ose gojëkyqur ose në burgje. Të jetuarit në komoditetin e iluzioneve, i bën dembelë dhe joseriozë. Dhe që të mos duken të tillë, ngrisin kulte liderësh, të cilëve u mveshin fuqinë për t'u dhënë zgjidhje të gjitha halleve e problemeve. Kështu e shkëpusin çdo marrëdhënie me realitetin, i cili një ditë kthehet për t'ua bërë pluhur e hi budallallëqet dhe iluzionet.

___________

Liria dhe pavarësia e Kosovës janë ekzaktësisht produkte të Perëndimit të bashkuar, ndërsa çdo ngecje e jona rezultat i dallimeve brenda tij rreth të ardhmes tonë.

Çka do të bëjmë tash kur po ndodhë çarja ma e madhe brenda Perëndimit që nga Lufta e Dytë Botërore?

Kjo asht pyetja kryesore dhe urgjente o popull i dalldisur pas Gjestit dhe numërimit të do votave të mjera.

___________

Përfytyrojeni një vend ku një popull krejtësisht i pambrojtur dhe i harruar nga bota, shtypet mizorisht nga një regjim i egër. Këtij regjimi nuk i mjafton dhuna institucionale. Ai lëshon mbi viktimat e tij paramilitarë të krisur, të cilët dhunojnë e vrasin për argëtim. Njëri prej tyre ishte Milic Krsta, vojvoda i Istogut. Një ditë një shqiptar i ri mposht frikën nga përbindëshi dhe e vret atë. Një akt ky që na kujton Shën Gjergjin mitik që vret kuçedrën e tmerrshme. Shën Gjergji ynë quhej Selman Kadria. 87 vjet më vonë ai kthehet në bronz në vendlindjen e tij.

E mira dhe e keqja luftojnë përjetësisht mbi faqe të kësaj bote. Prandaj çdo akt trimërie kundër të keqes e barbarisë, meriton të kujtohet. Si shembull guximi e shprese për kohët e frikës e dëshpërimit.

___________

Dekada më vonë dikush mund të pyes se çfarë bënin shqiptarët në ato ditë kur nënpresidenti amerikan, J.D.Vance, në Mynih, mbajti fjalimin pas të cilit Europa ndryshoi?

Dhe historianët do përgjigjen: shqiptarët e Kosovës në ato ditë mundoheshin t'i numëronin disa vota të mjera, ndërsa ata të Shqipnisë vrisnin mendjen rreth pyetjes se ku ka më shumë hajdutë, në partinë në pushtet apo në partitë opozitare?

___________

Nga dita kur bombat e para të NATO's ranë mbi bazat ushtarake serbe, në Kosovë ka qenë punë e lehtë të bësh politikë. Arsyeja: koordinatat kryesore të proceseve politike dhe të vendimmarrjes kanë qenë nën kujdestarinë amerikane. Madje, edhe kur kemi bërë gabime më të vogla, kujdestarët tanë kanë qenë aty për t'i kthyer gjërat në binarë.

Të bësh politikë në kushte të tilla kujdestarie nga një fuqi dashamirëse, është gati si punë argëtuese. Dhe, në fakt, kështu edhe e kemi trajtu politikën.

Tash, me Trumpin, kjo epokë ka marrë fund. Tash, nga argëtim me pushtetin, politika ka me u kthy në dhimbje të forta koke për ata që duhet të marrin vendime për kët' vend.

Kështu e ka kjo botë: gjithmonë vjen një ditë kur fasadat bijnë dhe merret vesh vlera reale e secilit dhe e çdo gjëje.