| E shtune, 15.02.2025, 07:56 PM |
Në Vjenë festohet 17-të
vjetori i Pavarësisë së Kosovës
Vjenë, 14 shkurt 2025: Lidhja e Shkrimtarëve dhe
Krijuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Aleksandër Moisiu’’ në bashkëpunim me Ambasadën
e Republikës së Kosovës në Austri organizoi një orë letrare festive me rastin e
shënimit të përvjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Në këtë
aktivitet kulturor morën pjesë edhe diplomate dhe diplomatë që denjësisht
përfaqësojnë Shqipërinë dhe Kosovën në këtë shtet mik.
Në
ambientet e Ambasadës së Kosovës në Vjenë të pranishmit fillimisht i
përshëndeti Anton Marku, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve
Shqiptarë në Austri ‘‘Aleksandër Moisiu’’, i cili ndër të tjera theksoi se
krijuesit shqiptarë në Austri i bashkëngjiten festimeve në nderim të ditës kur
Kosova përfundimisht u vendos në hartën e shteteve të pavarura dhe sovrane të
botës. Ata do të vazhdojnë që përmes shkrimeve të tyre të afirmojnë gjuhën dhe
identitetin kombëtar edhe në mërgatë. Më pas përshëndetën edhe nikoqiri i
takimit, Ambasadori në detyrë i Kosovës në Austri, Albinot Bimbashi, Eglantina
Gjermeni, Ambasadore e Shqipërisë në organizatat ndërkombëtare në Vjenë dhe
ambasadori i Shqipërisë në Vjenë, Fate Velaj, edhe vet shkrimtar, të cilët nënvizuan
të arriturat e Kosovës që nga shpallja e pavarësisë si dhe marrëdhëniet
vëllazërore mes dy shteteve tona në Ballkan dhe raporteve shumë miqësore me
Austrinë.
Aktiviteti
letrar ishte e ndarë në dy pjesë. Në pjesën e parë para publikut dolën autore
dhe autorë shqiptarë me banim në Austri. Kështu Violeta Allmuça lexoi poezitë
‘‘Të kam thënë’’, ‘‘Ikje’’ dhe ‘‘Danubi blu’’, për t’i lënë radhën poetit
veteran Zaim Toska, i cili recitoi poezitë ‘‘Refugjati’’ dhe ‘‘Largimi’’. Ai po
ashtu njoftoi per nje telegram ruime i cili i ka arrru Lidhjes së Shkrimtarëve
dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Aleksandër Moisiu’’ nga SHBA përkatësisht
nga Lobi Shqiptar – dega ne Chicago. Shkrimtarja Angjelina Marku lexoi një
fragment të shkurtër nga libri i saj për fëmijë ‘‘Albani nuk flet shqip’’ dhe
pas saj autorja Ardiana Salihu deklamoi poezitë “Nganjëherë”, “E bardha fletë
nate” dhe “Ba me u ba”. Ajo po ashtu prezantoi edhe revistën letrare “G&G’’
e cila tash e sa vite botohet në Shkodër dhe shpërndahet në të gjithë Evropën
dhe më gjerë.
Në
pjesën e dytë të mbrëmjes me lexime nga librat e tyre së pari u prezantua
Gjergj Kola me dramën ‘‘Marie Shllaku’’, vepër kjo e cila shkundë kujtesën tonë
historike për figura të njohura shkodrane që pas luftës së dytë botërore dhanë
jetën e tyre për lirinë e Kosovës. Gjatë prezantimit të librit të tij më të ri
‘‘Duke pritur ditën e tetë’’ autori Anton Marku nënvizoi rolin e poezisë si
mbretëreshë e letërsisë dhe lexoi disa poezi të përzgjedhura nga ky vëllim.
Befasi e veçantë ishte paraqitja spontane para dashamirëve të artit të
pranishëm në këtë mbrëmje e ambasadorit të Shqipërisë në Vjenë, Fate Velaj,
autor i pesë romaneve, i cili prezantoi shkurtimisht përmbajtjen e tyre si dhe
lexoi disa poezi të shkruara përgjatë udhëtimeve të tij nëpër shtete të
ndryshme të botës edhe si piktor dhe fotograf.
Kësaj
mbrëmje artistike të udhëhequr nga prezantuesja Kaltrina Durmishi i dhanë një
sharm edhe më kombëtar pikat muzikore të interpretuara me mjeshtri në violinë
nga pedagogia e muzikës Erseka Nekaj.
Publiku,
si dhe herëve të tjera përgjatë këtyre viteve, mbështeti me entuziazëm këtë
manifestim letrar, i cili shpalosi vlerat krijuese nga kultura shqiptare, e
cila vazhdon të jetë udhërrëfyes dhe për gjeneratat e reja të cilat po rriten larg atdheut.
Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Aleksandër Moisiu’’ është themeluar në vitin 2011. Ajo është adresë e parë e krijuesve shqiptarë në Austri dhe pikë referimi për sa i përket letërsisë shqipe në këtë shtet. Duke u imponuar me një qasje serioze dhe kualitet në organizimin e më shumë se 70 orëve letrare dhe promovimeve të librave, ajo ka komunikuar në mënyrë shumë të frytshme me institucionet në nivel kombëtar, si Ministritë e Kulturës, të Arsimit dhe Diasporës, me Ambasadat e Shqipërisë dhe Kosovës në Vjenë, me shoqatat dhe individët e ndryshëm, etj. Ajo po ashtu ka bashkëpunim shume domethënës edhe me organizatat austriake, sidomos me PEN Klubin e Austrisë dhe Lidhjen e Shkrimtarëve të Austrisë.
Tekstin
e përpiloi: Anton Marku