| E shtune, 15.02.2025, 07:56 PM |
600 heronj të heshtur amerikanë e ruajnë Kosovën
Ushtarët amerikanë të KFOR-it thuajse kurrë nuk
shihen duke bërë fanfara mburrje si kryeministri Kurti apo presidentja Osmani
me dylbi snajperësh apo me drona. Por, një personel prej 600 trupash, kryesisht
nga gardat kombëtare të Iowas dhe Georgias, janë dalazotësit kryesorë të
integritetit territorial të Republikës së Kosovës. Nga kampi ‘Nothing Hill’ në
Leposaviq e deri në ‘Bondsteel’, afër Ferizajit, prania e tyre është deterrenti
kryesor ndaj çdo agresioni potencial ndaj Kosovës. Por, kjo prani mund të mos
jetë e tillë përgjithmonë, ose së paku kështu vijnë oguret e frikshme. Në
Kosovë, prej pesë vitesh një parti politike, që e mbizotëron skenën, bën sherre
të vazhdueshme me administrata demokratësh e republikanësh.
Nga
Col Mehmeti
Evropa
nuk mund të hamendësojë se prania ushtarake amerikane në kontinent “do të
zgjasë përgjithmonë”.
Ky
paralajmërim ka ardhur nga Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, gjatë
një konference të mbajtur të premten në Varshavë të Polonisë.
I
pyetur nëse, si pjesë e bisedimeve me Rusinë për t’i dhënë fund luftës në
Ukrainë, Shtetet e Bashkuara do ta shqyrtojnë opsionin për pakësimin e pranisë
ushtarake në Evropën Lindore, apo edhe për të hequr praninë e përhershme nga
Polonia, Sekretari i Mbrojtjes është përgjigjur se vendi i tij është “i
përkushtuar për aleancën e NATO-s”.
Do të diskutohet prania
në Evropë
Sidoqoftë,
ai ka sugjeruar se prania e ardhshme ushtarake në Evropë do të diskutohet.
“Nivelet
e trupave amerikane në kontinent janë të rëndësishme. Ajo çfarë do të ndodhë
për pesë, dhjetë apo pesëmbëdhjetë vjet nga sot është pjesë e një diskutimi më
të gjerë që pasqyron nivelin e kërcënimit, qëndrimin e Amerikës, dhe nevojat
tona gjithandej botës”, ka thënë Hegseth.
“Kjo
është arsyeja pse mesazhi jonë është kaq i fortë për aleatët tanë evropianë:
tani është koha për të investuar. Sepse ju nuk mund të bëni hamendje se prania
amerikane do të zgjasë përgjithnjë”, ka thënë ai.
Nga Bondsteel në Nothing
Hill
Megjithëse
postura populiste e qeverisë Kurti nuk e përmend fare, prania ushtarake
amerikane është në të vërtetë garanca e parë dhe e fundit e sigurisë dhe
ekzistencës së Kosovës.
Të
stacionuar në kampin Bondsteel në afërsi të Ferizajt dhe në ‘Nothing Hill’ në
afërsi të Leposaviqit, prania e tyre është një deterrent i shumëfishtë për
çfarëdo rreziku ndaj integritetit territorial të Kosovës.
Kjo
nuk zbehet as prej faktit që numri i tashpërtashëm i ushtarëve amerikanë është
krejt modest në krahasim me sa ishte më parë.
Mbi
570 ushtarë të Shteteve të Bashkuara shërbejnë në radhët e KFOR-it, i cili
marrë së bashku ka gjithsejt 4500 trupa në Kosovë.
Një mision që filloi
prej mikut të shqiptarëve, Woodrow Wilson
Ky
personal është pjesë e Gardës Kombëtare të ushtrisë amerikane —e mbiemërzuar
shpesh edhe si ‘rezervë strategjike’, garda luan një rol të spikatur në
operacionet e brendshme dhe ato të përtejdetit të shtetit më të fuqishëm
ushtarak në botë.
Kësisoj,
Garda Kombëtare është një përbërëse integrale e forcave ushtarake amerikane, që
brenda vetes ka më shumë se 430 mijë ushtarë në gjendje për t’iu përgjigjur
krizave të brendshme apo konflikteve përtejdetit.
Kjo
gardë është unike në radhët e forcave amerikane në kuptimin që ajo kryen
funksione shtetërore dhe federale.
Pos
emergjencave në nivele shtetërore, madje edhe përdorimit të saj në rol
ligjzbatues, presidenti amerikan mund t’i përdorë ‘gardistët’ për të shërbyer
në misione jashtë vendit.
Edhe
organizimi i Gardës është unik në vetëvete; ajo përbëhet nga Garda Nacionale e
Ushtrisë dhe nga Garda Ajrore Nacionale.
Megjithëse
vendosja e gardave nga shtete të ndryshme mund të varet nga misione e
operacione të caktuara, toka e Kosovës i bën vend gardave të Iowas, Oklahomas,
Georgias dhe Louisianas.
Vitin
e kaluar, me rastin e një vizite në kampet amerikane në Kosovë, kreu i Byrosë
së Gardës Nacionale Tony Whitehead, kishte vënë në dukje se ushtarët amerikanë
janë “rezerva parësore e luftimit”.
“Garda
Nacionale i ka shërbyer komunitetit tonë që prej viteve 1900 kur presidenti
Woodrow Wilson vendosi që e vetmja mënyrë për ta ruajtur sigurinë në kufi ishte
të aktivizoheshin njësitë e Gardës Kombëtare prej Teksasit, Arizonës dhe
Meksikos së Re”, pati thënë Whitehead.
Nga ajri dhe toka në
mbrojtje të Kosovës
Vitin
e kaluar, në një shpalim madhështor të gatishmërisë së kontigjentit amerikan,
si pjesë e një operacioni të KFOR-it, erdhën anëtarë të Charlie Company,
Batalionit të Parë Sulmues të Helikopterëve si dhe Regjimentit të 244-të të
Aviacionit.
Pjesë
e operacionit ‘Joint Guardian’, i bërë nga Komanda Evropiane e Shteteve të
Bashkuara, ishte edhe një personel prej 100 ushtarësh nga Garda Kombëtare e
Idahos.
Këta
të fundit shërbejnë për transport ajror dhe kapacitete sulmuese ajrore me
helikopterë UH-60M Black Hawk.
Si
lidere të operacionit të madh të Aleancës ushtarake Veriatlantike (NATO), e
cila e bombardoi për dy muaj e gjysmë ushtrinë jugosllave të Millosheviqit,
Shtetet e Bashkuara kanë qenë hisedaret kryesore në misionin paqeruajtës të
KFOR-it në Kosovë.
Më
1999, plot 7 mijë trupa amerikane ishin vendosur në Kosovë. Ky numër u tkurr në
rreth 2500 në vitin 2004.
Tetë
vjet më vonë, përkatësisht më 2012, më Kosovë kishin ngelur 1447 ushtarë
amerikanë në kampet e Bondsteelit dhe Nothing Hillit.
Marrë
nga https://nacionale.com/politike/600-heronj-te-heshtur-amerikane-e-ruajne-kosoven?