| E enjte, 13.02.2025, 07:59 PM |
Prof. Blerim Latifi:
Ditëve
të fundit kam pa në rrjetet sociale kush e di sa fyerje të ndyra kundër
Drenicës. Shumë prej tyre me elemente të qarta fashiste e raciste. Disa herë më
janë kruar duart të ulem e të shkruaj kundër gojëve të ndyra që i shpërndanin
këto fyerje, por në fund hiqja dorë. Për dy arsye : argumentet racionale janë
të pafuqishme ndaj zjarrmisë së urrejtjes kolektive dhe nuk doja që gjuhës së
urrejtjes t’i përgjigjesha me të njëjtën gjuhë.
Sot
e pashë një ndyrësi tjetër. Dikush kish postu një listë votimesh, në të cilën
figuron se 118 qytetarë të Skenderajt kanë votuar për Listën Serbe. Postimi
shoqërohej me komentin “ja shikoni drenicasit qysh votojnë për Radojqiqin”.
Gomari, i helmuar nga urrejtja patologjike për një rajon, nuk e di se në
komunën e Skënderajt ekziston një fshat i banuar me serbë, Baja, të cilët
sigurisht që kanë votuar për partinë e tyre. Drenica dhe shqiptarët e saj i
kanë të mirat dhe të këqijat e tyre, ashtu siç i kanë të gjithë njerëzit e
kësaj bote, të të gjitha kombeve e kulturave. Por një gjë nuk mund ta gjesh në
mesin e tyre kurrë: dashuninë për Serbinë.
______________
Sekretari
amerikan i mbrojtjes u tha aleatëve në Bruksel se Ukraina nuk mund të pretendoj
në rikthimin e kufijve me Rusinë të para vitit 2014.
Kjo
deklaratë shpallë fillimin e fundit të doktrinës mbi paprekshmërinë e kufijve
mes shteteve.
Kështu
po rikthehet ligji i moçëm i historisë, ligji që thotë se kufijtë i përcakton
çizmja e ushtarit, pra forca.
Shqiptarët,
të cilët gjatë historisë janë sakatuar prej këtij ligji, tani ose do të
mbledhin mend dhe të veprojnë konform rregullave të reja të gjeopolitikës, ose
në mungesë të tyre të mbesin nën mëshirën e dallgëve të saj, me shpresë se
rastësia fatlume do na nxjerr në breg edhe një herë.
Duke
marrë parasysh mjerimin e mendimit politik që kemi, elitat politike dhe ato
kulturore për faqe të zezë, kam frikë se mundësia e dytë i ka gjasat kryesore
që të realizohet.
______________
Demokracitë
kthehen në fjalë boshe aty ku mediat kanë frikë të flasin kundër pushtetit dhe
opozita ndihet e pafuqishme përballë tij.
Fushata
elektorale, e filluar muaj më parë dhe që po mbyllet sonte, ka dëshmuar se
demokracia jonë është e konsoliduar dhe imune ndaj trendit autoritarist që prej
kohësh e ka përfshi rajonin, por edhe botën.
Ky
është një lajm fantastik nga vendi ynë.
Lajmi
tjetër është se fushata u zhvillua në parametra plotësisht demokratikë, pa
incidente e akte dhune.
Urojmë
që edhe dita e nëserme të jetë një ditë e qytetarisë shembullore!
Kështu
ne i dëshmojmë botës se e meritojmë shtetin që e kemi.
Për
fund: suksese gjithë atyre që në kët' fushatë dëshmuan se besojnë në politikën
si garë e ideve dhe jo në politikën si garë e përbaltjeve.
______________
Me
gjasë, përkundër dëshirave të partive, Sovrani vendosi për një qeveri të koalicioneve,
e jo për një qeveri njëpartiake. Procedurat kushtetuese e qartësojnë procesin
politik që e prodhon këtë qeveri. Kushtet themelore janë: koalicioni i numrave në parlament dhe
marrëveshja për ndarjen e pushtetit.
Por
jetëgjatësia e një qeverie të tillë varet edhe nga një tjetër gjë po aq
esenciale: marrëveshja për mënyrën e adresimit të problemeve të mëdha
ndërkombëtare të vendit, të cilat presin mbi tavolinën e kryeministrit.
Nëse
kjo marrëveshje nuk arrihet ose konsiderohet çështje e dorës së dytë, atëherë
çdo qeveri koalicioni është e dënuar të rrëzohet edhe nga era më e vogël e
krizave politike. Ashtu siç ka ndodhur disa herë në të shkuarën. Historia
përsëritet kryesisht tek ata që nuk marrin mësime prej saj.
______________
Përtej
të gjitha dinamikave dhe rezultateve të tjera, edhe kësaj radhe, në këto
zgjedhje, qytetarët e Kosovës e dëshmuan se nuk duan që feja të përzihet me
politikën. Ata duan një politikë sekulare dhe pikë. Bravo Kosovë!
______________
Rastësisht
duke shikuar lajmet ndërkombëtare me ra në sy një lajm nga Greqia: zona
vullkanike në ishullin e Santorinit qenka aktivizuar përsëri. Sot ky ishull
është një nga atraksionet më të njohura të Greqisë, por historia gjeologjike e
tij, e cila është shumë më pak e njohur, ka pasur një ndikim të jashtëzakonshëm
në imagjinatën e qytetërimit Perëndimor. Si shumë gjëra të tjera të kësaj
imagjinate, edhe kjo lidhet me Platonin. Historia na tregon se në Santorini, i
cili në antikitet quhej Thira, ekzistonte një qytetërim mjaft i zhvilluar, qytetërimi
Minoan. Një shpërthim enorm vullkanik, rreth 3600 vjet më parë, gjeneroi
procesin e rënies së këtij qytetërimi. Dëshmitë e kësaj katastrofe natyrore u
ruajtën në papiruset e Egjiptit të Lashtë dhe kur Platoni udhëtoi atje, u
njoftua me to, dhe mbi bazën e tyre shkroi tregimin e tij legjendar për
Atlantidën. Në këtë tregim flitet për një qytet përrallor, të cilin një ditë e
përbiu një kataklizmë e madhe. Këtu zë
fill imagjinata utopike e Perëndimit, ëndrra e tij për Qytetin Ideal, për
krijimin e një rendi të përkryer njerëzor, ëndërr e cila përmes shekujve ka
marrë forma të ndryshme, për të arritur deri tek utopitë e Iluminizmit modern.
Por
kjo është vetëm njëra anë e medaljes.
Tregimi
platonik për Atlantidën bartë brenda vetes edhe diçka tjetër: dimensionin
tragjik të ekzistencës njerëzore. Ky dimension ka të bëj me brishtësinë e kësaj
ekzistence përballë fuqive të natyrës, të cilat shfaqen papandehur për t’i bërë
pluhur e hi ëndrrat dhe përpjekjet tona.
3600 vjet pas katastrofës që i dha tatpjetën qytetërimit Minoan, nëntoka dhe nëndeti i Santorinit prapë kanë filluar të dridhen. Si për të na e kujtuar edhe njëherë këtë dimension tragjik, lufta humane ndaj të cilit ka krijuar dituritë, artet, fetë dhe vetë teknologjinë.