| E merkure, 12.02.2025, 07:13 PM |
Saga e madhe Shqiptare ZËRAVE DHE ZHURMAVE të shkrimtarit Kristaq Turtullit
Nga Illo Foto
Nëse thellohemi sadopak në
humbëtirat e sotme të letërsisë shqiptare, atëherë padyshim që ndër zërat e
vetëm që akoma arrijnë të jehojnë në këtë botën tonë përkatëse të mishëruar në
tiparet njësore të librit të ngjizur e shkruar në gjuhën shqipe, është
kthjelltësisht oshtima e veprës letrare të shkrimtarit të dëshmuar në vijimësi,
përmes penës së tij burimore, Kristaq Turtullit.
SAGA e madhe Shqiptare e ZËRAVE
DHE ZHURMAVE e shkrimtarit Kristaq Turtulli përbën grykëderdhjen e radhës të
frymëzimit krijues të këtij shkrimtari, njeriut që ka arritur tërësisht në
mënyrë të vetvetishme të sendërtojë një skaj të tijin vetjak në xhunglën e
koklavitur të letrave shqipe, veçanërisht përgjatë tranzicionit të hutueshëm,
ku dergjet njëkohësisht letërsia dhe libri shqip, krahas vetë shoqërisë
shqiptare, mendësisë së pjesëtarëve të saj, qëndrimit të shqiptarit ndaj jetës,
dukurive të saj të llojllojshme, përditshmërisë, dashurisë, dritëhijeve të
shumta të shqiptarësisë dhe formës sesi gjithë këto gjëra mund të shndërrohen
në letërsi të mirëfilltë.
Kristaq Turtulli ia del mbanë me
sukses të plotë që ta përthithë thelbin e çdo rrezatimi të së shkuarës që ende
përcakton, shënjon e kushtëzon aktualitetin shqiptar, duke e pasqyruar në një
krijim letrar, një roman të përkufizueshëm, veç nëpërmjet një ushtrimi të
harlisur mendor, shpirtëror, shijehollë, pikërisht ashtu siç është jetësuar
frymëzimi i këtij shkrimtari në këtë libër, duke na ofruar një vepër që ta
pasuron shijen letrare duke ta lartësuar leximin dhe duke ta rikrijuar përmbi
themele krejt të përveçme botëkuptimin kundrejt letërsisë së ravijëzuar
brendapërbrenda konturave të gjuhës shqipe, kornizave dhe trajtave të saj
karakteristike.
Të lexosh në përgjithësi krijimet
e Kristaq Turtulli domethënë të ndeshesh përherë në ndjesi të këtilla, duke
zbuluar të tjera kënde e skuta të panjohura të shtjellimit në shqip të botës
letrare, duke u endur dhe depërtuar tutje në thellësitë e shpirtit krijues të
këtij shkrimtari të talentuar, që gjithnjë guxon aty ku pakkush, ose askush nuk
ka shkelur më parë.
E tëra falë një kureshtje
krijuese, një frymëzimi të papërmbajtshëm, të jetësuar përmes një përzgjedhje
të epërme të fjalorit shqip, personazheve të gjallë e të përshkruar me
përpikëri, sidomos në anën e tyre psikologjike, dhe një mjedisi shqiptar epoke
të shkuar, që në tymnajën bardhë e zi, ngërthen sakaq nuancat më të ndezura të
rrëfimit të mbrujtur në realizmin magjepsës që i mvishet si lëkurë e dytë
veprës së Kristaq Turtullit.
Në këtë Sagë të madhe Shqiptare
me qindra karaktere të gdhenduar mjeshtërisht, përvijohen mjeshtërisht ngjarje,
situata, zhvillime, nënkuptime, fragmente, grimca njerëzore, politike, ndikime,
ndërhyrje, qëndresa, shpirtshitje, kryeneçësi tipikisht shqiptare, tradhti,
vogëlsira e madhështi të rëndomta të shtetit tonë mbi njëshekullor e popullit
tonë fort më të lashtë se kaq, që vetëm mendja e autorit, përfytyrimi i tij,
aftësia e tij e rrallë sintetizuese, dhuntia e tij për t'i caktuar rolin e
duhur gjithkujt e gjithçkaje brenda një SAGE të parë dhe të rrallë Shqiptare,
çfarëdo nocioni të prekshëm, abstrakt, surrealist, real apo të metaforizuar,
arrijnë t'i bëjnë mirëfilli pjesë të kësaj Sage, duke gjetur çdo veçori vendin
e vet natyrshëm, porsi një gjëegjëzë letrare e përkryer, që sapo të lexohet me
ëndjen kureshtare të lexuesit, ka për t'i ofruar atij/asaj, një shpërblim të
paçmuar gjatë procesit frymëzues të leximit.
Kjo urë e gjatë shteruese, nëpër
shtrirjen e të cilës, përmbi lumin e rrjedhshëm të frymës krijuese të Kristaq
Turtullit, lexuesi ka për të përshkruar kohë pas kohe vitet e pushtimit fashist
gjer në agun e mugët të vendosjes së regjimit monist, falë mbështetjes
"dashamirëse" të shokëve jugosllavë, do të na shërbejë neve që do të
gëzojmë fatin e lëçitjes së kësaj SAGE të madhe Shqiptare të pamungueshëm në
raftet tona ballore të librarive shtëpiake, letërsinë shqiptare edhe në këtë
kontekst kaq zdritës për kërshërinë tonë letrare, që na dhurohet bujarisht nga
ky shkrimtar.
Shkrimtari Kristaq Turtulli,
përfaqësohet jo vetëm si romancier, por edhe si filozof, i një epoke, që ka
dashur të bëhet sunduese, por nuk ja arriti, sepse u projektua dhe u udhëhoq
gabimisht. Mendimi filozofik i autorit Turtulli, ngrihet mbi epokën, që
përshkruan. Turtulli është artist i fabulës dhe i fjalës
Saga e madhe Shqiptare ZËRAVE
ZHURMAVE e shkritmarit Kristaq Turtullit sigurisht nuk ndalen me kaq, ndaj kjo
Sagë lipset të lexohet kërshëri, duke pritur krijimimet e ardhshme.
ILLO FOTO,gazetar,
studjues,
New York USA