| E marte, 11.02.2025, 08:17 PM |
GLADIATORËT DHE QIRIRI I NIKOLIN KURTIT
Nga
Visar Zhiti
Lexoj
se është shuar Nikolin Kurti… dhimbshëm më shfaqet qiriri që më dhuroi, kur u
kthye nga Kosova në Tiranë, sikur shoh dritën e shpirtit të tij tani, por dhe
një si vrull gladiatori të tij, - do të thosha, për të bërë më të mirën dhe më
të lartën për kujtesën kombëtare, me art dhe shpirt.
Po,
po! Me Inxh. Nikolin Kurtin më lidhën dy punë:
-
Gladiatorët ilirë - dy skulptura të mëdha të skulptorit të mirënjohur Jani Paço
-
dhe Dom Shtjefen Kurti, në fakt qiriri i tij nga Kosova jonë, Dardania.
-
Po ka dhe një të tretë, do të thosha, përkushtimi qytetar i Nikolin, mirësia
dhe respekti që tregonte, zelli për t’i arritur ato që duheshin…
Ndoshta
me Inxh. Nikolin Kurtin jemi parë si fillim në meshë, në Katedralen e Shën
Palit në Tiranë, por e kujtoj kur vinte në Ministrinë e Kultures, me kostum të
zi, serioz dhe i përzemërt, më solli një dosje: “Gladiatorët ilirë”, ja, dhe
fotot, më tregoi se skulptori Jani Paço i realizoi, ndërkohë ishte zbuluar
amfiteatri antik i Durrësit, është amaneti i tij, duhej të vendoseshin diku
këto skulptura të mëdha, që shpërfilleshin, madje i kishin lënë mënjanë nën
pluhur në një magazinë, të shtrirë, të vrarë sërish nga moskuptimi ynë…
Unë
do të doja të ishin në qendër, te shkallët në hyrje të Muzeut Kombëtar në
kryeqytet, s’po zgjatem të tregoj, por as tani s’e kuptoj pse s’donin dhe cilët
pengonin, u lidha me Bashkinë e Durrësit, etj, etj, por sot falë përkushtimit
të Inxh. Nikolin Kurtit Gladiatorët Ilirë janë në një park ndanë detit në
Durrës.
Me
Inxh. Nikolin Kurtin ishim parë sërish në tubime të ndryshme e kuvende, në
mesha, shkëmbenim fjalë me shumë respekt, më bënte përshtypje serioziteti i tij
dhe pasioni, gjithmonë do të flisnin për Dom Shtjefën Kurtin.
Shoh
mesazhet e tij, më shkruante shpesh së fundmi për artikujt apo videot që kishte
për bëmat e Domit patriot, ç’dilte ndonjë gjë e re, etj. Më kishte shprehur
mirënjohjen prekëse dhe mua për ato pak fjalë modeste që kisha botuar për të
Lumin Dom Shtjefen Kurti.
Së
fundmi, kur isha në Tiranë, më tha se donte të takoheshim, do më jepte dy libra
dhe një qiri, sa të kthehej nga Kosova. Kam shkruar per atë takim: mallëngjyes
për mua, në rrugën e Atjonit, ku ai zbriti nga taksia sa për pak dhe do të ikte
po me atë taksi se qëllimi i tij ashtu si dhe dëshira e tij ishin të dhuronte
veprën “I lumi Dom Shtjefën Kurti - Jeta dhe pavdekësia” me autorë Dr. Nikollë
Loka dhe vetë Ing. Nikolin Kurti, botimi dy gjuhësh, edhe anglisht, “Blessed
Dom Shthefën Kurti - Life and Immortality” dhe shoqërohet me dokumentacion dhe
me një album fotografish me ngjyra, që flasin, - thashë, - që nga Domi e deri
te Papa.
Libri
tjetër, i përgatitur nga Dr. Nikollë Loka sërish, i një rëndësie tjetër të
veçantë dhe historike, “Memorandumi drejtuar Lidhjes së Kombeve nga klerikët
Shtjefën Kurti, Gjon Bisaku dhe Luigi Gashi”. Poshtë emrave të tyre ishte
shkruar: Dëshmirarë të popullit martir”. Kjo trini klerikësh në vitin 1930, në
janarin e ashpër të maleve, kaluan ilegalisht kufirin nga Jugosllavia për në
Shqipëri, nga Tirana shkuan në Romë duke u keqkuotuar se mos kishin ndërprerë
shërbimin në Kosovë, por jo, përkundrazi dhe nga Roma shkuan në Gjenevë. Në
zyrat e Lidhjes së Kombeve dorëzuan Promemorien ‘Për gjendjen e minoritetit
shqiptar në Jugosllavi’, si u shkekeshin të drejtat, shtypeshin, dëboheshin apo
vriteshin…
Dhe
ky akt madhor e bëmat më pas do t’i kushtonin jetën Dom Shtjefen Kurtit duke e
çuar burgjeve të Shqipërisë, në pushkatim, por dhe në udhën e lume të
shenjtërimit…
…Dom
Shtjefën Kurti ishte ai, ku rrëfehej Nënë Tereza dhe në oborrin mbretëror, ku
rrëfehej Mbretëresha Geraldinë, - kisha shkruar. Patjeter që e gjeta në librat
e dhuruar. Dhe është axha i z. Nikolin Kurti. Dhe ai vazhdonte porosinë e tyre,
me përdëllim…
Më
kishte sjellë dhe qiririn nga Kosova, me portretin ikonik te Dom Shtjefën
Kurtit…
Kur
të ndes këtë qiri, do të shoh sërish nga drita e shpirtit të martirit dhe e
gjithë martirëve tanë, - shkruajta atëhere dhe shtoj tani: në atë dritë u
përzje dhe drita e shpirtit të Nikolin Kurtit. Qoftë i parajsës! - mërmëris nga
larg.