| E marte, 11.02.2025, 07:59 PM |
Të nderuar lexues!
Para dy ditësh, saktësisht më, 08, 02, 2025, në
qytetin Istog të Dardanisë u organizua një tubim i madh, me pjesëtarë nga të
gjitha viset shqiptare, përfshi edhe pasardhës të familjeve të heronjve, për të
përkujtuar 80-vjetorin e rënies së luftëtarëve: Bajram Sali Gashi, Ramë Ali dhe
i biri Sali Rama. Me këtë rast u përurua edhe memoriali kushtuar të tre
heronjve, që ranë duke luftuar kundër ushtrisë Serbe, që po ripushtonte
Dardaninë, në prag të mbarimit të Luftës së II-të botërore.
Nga Durrësi u ndodhëm: familjarë pasardhës të heroit
Bajram Sali Gashit, si Drita Shala (e bija), Agim dhe Musa Kabashi, (nipat),
Bajram Shala, e të tjerë, mes tyre edhe unë, si redaktor i librit “Kosova
Andrra e jetës sime” shkruar nga bajram Halil gashi, ish drejtor i shkollës
“Besnik Hida”, në Shënavlash të Durrësit.
Në emër të të gjithë durrsakëve foli Drita Shala,
(Kabashi) e bija, tashmë në moshë të thyer.
Agimi shpërndau shumë libra për të interesuarit e
shumtë.
Në atë miting të madh edhe unë takova disa nga miqtë
e mi të hershëm; Enver Lipa, nga Kamernica (fshat afër Istogut), Maxun Osmanaj
(poet e shkrimtar nga Istogu), Gani Veselaj, ekonomist nga Peja. Miqve u
dhurova librat: “Vjeshta në Vargje”, botimi i im dhe “Në botën letrare të Kadri
Tarellit”, shkruar e botuar nga shkrimtarja e mirënjohur Vlonjate Vilhelme
Vrana Haxhiraj.
Gani veselaj nguli këmbë që të drekonim së bashku në
një lokal të bukur rrëzë malit, pranë burimit të Istogut.
Unë po paraqes fjalën time të përgatitur enkas për
këtë ngjarje të madhe, që e quaj të shenjtë.
Lexim të këndhshëm.......!
Kadri
Tarelli shkruan:
Erdha se më thirri Kosova....!
Tha
dikur, Bajram Sali Gashi
HERONJTË MERITOJNË PAVDEKËSI
Bajram
Sali Gashi, Ramë Alia dhe Sali Rama, në 80-vjetorin e rënies.
Përshëndetje
të gjithë të pranishmit që jemi mbledhur këtu, në këtë festë të madhe, nga të
gjithë trojet arbnore.
Jam
Kadri Tarelli, vij nga Durrësi, dhe flas edhe në emër të atyre durrsakëve që
nuk mundën të jenë të pranishëm këtu në këtë veprimtari të shënuar atdhetarie.
Ju
admiroj, që e shndërruat këtë ditë të 80-vjetorit të rënies, në një ditë të shenjtë, në kujtim dhe nderim për
heronjtë: Bajram Salihi (Kështu e thërrisnin dikur drejtorin Bajram Sali Gashi,
në Shënavlash të Durrësit, në vitet, 1938-1941), së bashku me trimat Ramë Alia
dhe i biri Sali Rama, nga familja e madhe atdhetare “Muzliaj”, këtu në fshatin
Uçë, pranë Istogut.
Ju
admiroj edhe për një arsye tjetër: Ju e shndërruat këtë truall Dardanie në vend
të shenjtë, sepse edhe heronjtë janë të shenjt. Besoj se jeni në një mendje me
mua kur them: Ka shenjtorë, që besojnë dhe i shërbejnë Zotit deri në vetëmohim.
Zotit që është lart në qiell. Por ka edhe shenjtorë që mbijnë nga dheu, rriten
mbi dhe, dhe i shërbejnë kombit e mëmëdheut, duke dhënë jetën, për të mbetur
simbol burrërie, bese, atdhetarie e shqiptarie, siç janë edhe tre heronjtë tanë.
Besoj
nuk jam gabim të shprehem: Heronjtë, Bajram Sali Gashi, Ramë Alia dhe i biri Sali
Rama, kanë dy monumente:
Së
pari: Kolegu drejtor, Bajram Halil Gashi, banor në Shënavlash të Durrësit, me
origjinë nga Uça, është autor i monografisë “Kosova Andrra e jetës sime”, kushtuar
tre heronjve, botuar pak kohë më parë dhe përuruar këtu në Istog. Libër për të
cilin ai punoi rreth 15 vjet, që unë e quaj një “Monument i ngritur në letra”, sepse
emrat e tyre janë skalitur në “Arkën e kujtesës”, që është libri, i cili sot është
në dorë të mijëra qytetarëve në mbarë trojet arbnore. Libër i vendosur në krye
të oxhakut në odën e burrave, diku më tej i hapur e lexuar në bibliotekat e
shkollave e të qyteteve. Besoj nuk është pak, por jo mjaftueshëm.......!
Them
kështu, sepse duhet të ngrihej edhe një tjetër monument madhështor, si ky që
kemi përballë. Monument me të cilin nderohen heronjtë, nderohet Istogu, por
krenohemi të gjithë ne që jemi mbledhur sot këtu, krenohet burrëria, trimëria,
atdhetaria dhe shqiptarizmi. Krenohet e ndriçohet mbarë Dardania e shqiptaria.
Jam
vizitor i kahershëm i këtij qyteti, dhe i dashuruar me Istogun e bukurisë,
burrërisë dhe trimërisë. Ndaj prej kohësh e kam pritur këtë ditë të shenjtë, të
shoh të ngritur një monument që i ka hije çdo luftëtari e dëshmori, që bie për
liri. Ndjej një krenari të ushqyer prej vitesh, si mijëra e mijëra shqiptarë në
të dy anët e gardhit që na ngriti historia.
Kështu,
gjej rast t’ju shpreh mirënjohje dhe falënderim, ideatorëve që realizuan një
ëndërr të çdo shqiptari, sepse vepra dhe gjaku i heronjve na mëson se: “Lirinë
nuk ta dhuron kush, ajo fitohet me gjak dhe mbrohet me jetë”.
Historia
jonë e përgjakur në shekuj, në luftë për liri, na thotë, se jeta dhe vepra e
heronjve është si prushi i fjetur nën hi, i cili kur zbulohet ndez zjarrin e
atdhetarizmit te të rinjtë që nuk durojnë robëri. Këtu e ka burimin dhe gjen ushqim,
edhe zjarri që u ndez 25 vjet më parë, kur shpërtheu lufta çlirimtare e UÇK-së,
e cila së bashku me ndihmën e faktorit ndërkombëtar, bëri të mundur çlirimin e
Dardanisë, e më pas të shpallë mëvetësinë, të cilën e gëzojmë sot.
Unë
i rrah shpesh udhët e Dardanisë, dhe më bëjnë përshtypje dy dukuri, që e vlejnë
t’i përmend:
E
para: Ju po vraponi shpejt, për të kapur kohën e humbur nga sundimi i gjatë. Ju
përgëzoj dhe ju uroj suksese!
Dhe
e dyta: Një kujdes i admirueshëm për ngritjen e monumenteve kushtuar heronjve
të rënë për liri. Ju admiroj. Nderimi për ta është vlerësim për gjakun e
derdhur, për jetën e vënë në themelet e lirisë të kombit e mëmëdheut!
Lavdi
përjetë dëshmorëve dhe heronjve: Bajram Sali Gashi, Ramë Alia dhe Sali Rama!
Më
lejoni të shtoj edhe dy vargje thurur në çast:
Ngre Istogu përmendore, për heronjtë në lavdi.
Dardani, diamant kurore, ngritur në pavdekësi.
Kadri
Tarelli
Istog,
më: 08. 02. 2025.