| E diele, 09.02.2025, 07:55 PM |
PËRSE SERBIA I SHUMFISHON SHIFRAT E VIKTIMAVE TË VETA?
Nga
Adil FETAHU
Në
historiografinë, në librat shkollore, në publicistikën dhe në opinionin e
Serbisë, çdo studjues i vëmendshëm dhe objektiv mund të vërejë kontraverza e
manipulime me faktet dhe shifrat e fryra për ngjarjet e caktuara. Një formë e
manipulimit është rritja e shumëfishtë e shifrave të viktimave serbe nga një
luftë apo nga një ngjarje e caktuar.
Shkas
për të argumentuar gënjeshtrat serbe në rritjen e shifrave, më dha një dokument
i Komandës vendore të ushtrisë gjermane për viktimat serbe në masakrën e
Kragujevcit (tetor 1941).
Njerëzit
e brezit tim e mbajnë mend se në librat shkollore, në historiografinë, në
publicistikën dhe në opinionin serb dhe tërë Jugosllvinë ka qenë e përhapur, në
mënyrë të pakontestueshme e dhëna se në Kragujevc ushtria gjermane ka vrarë
7000 nxënës e profesorë, si hakmarrje për vrasjen ose plagosjen e disa
ushtarëve gjermanë. Pothuajse të gjithë nxënësit e shkollave nga mbarë
Jugosllavia në ekskurzionet e tyre në Serbi e kishin të pamundur ta shmangnin
vizitën Përmendores së Shumaricës në Kragujevc dhe dëgjimin e ligjëratës
(gënjeshtrës) për vrasjen e 7000 nxënësve me profesorët e tyre. Po cila është e
vërteta për atë ngjarje?
Gjat
lëvizjeve të kolonës së ushtrisë gjermane në relacionin Kragujevc -Gornji
Milanovac, më 14, 15 e 16 shtator 1941, partizanët kishin vrarë 10 dhe plagosur
26 ushtarë gjermanë.
Për
t’u hakmarrë për ushtarët e vrarë, komandanti i Shtatbit të Përgjithshëm
gjerman, feldmareshali Wilhelm Kajtel, kishte dhënë e publikuar Urdhëresën
(nr.888, dt.16 shtator 1941), sipas së cilës do të zbatohej parimi: 100 të
pushkatuar për 1 ushtar të vrarë të Verhmahtit, ndërsa 50 të pushkatuar për 1
ushtar gjerman të plagosur. Dhe ushtria gjermane menjëherë kishte filluar zbatimin
e atij parimi nacist, duke mbledhur qytetarë të Kragujevcit e rrethinës, të
cilët i kishte ekzekutuar më 21 tetor.
Askush
nuk mund ta mohojë se në mesin e të ekzekutuarëve ka pasur edhe nxënës e
profesorë, por është gënjeshtër e kulluar se me atë rast ishin pushkatuar 7000
nxënës, me profesorët e tyre. Propaganda serbe kurrë nuk e ka dhënë numrin e
saktë të ushtarëve gjermanë të vrarë e të plagosur, sepse sipas parimit: 1 :
100, respektivisht 1 : 50, do të dihej numri i të pushkatuarve, veçse gjithmonë
e ka trumbetuar numrin e 7000 nxënësve të pushkatuar.
Por, nga dokumenti i Komandaturës vendore të ushtrisë gjermane (‘’Bekantmachung’’/Obznana; shq. komunikatë), të publikuar ditën pas pushkatimit të qytetarëve serbë, shihet qartë se me atë rast janë pushkatuar 2300 veta, e jo 7000 nxënës!
Edhe
vetëm një njeri i pafajshëm të
pushkatohej, është e dhembshme e për keqardhje i kujtdo dhe kudo qoftë, por ç’dobi ka nga gënjeshtra
e trefishimit të shifrës, përveçse
tregon se Serbia e ka gënjeshtrën specialitet dhe atribut nacional e shtetëror,
siç e pranon dhe e karakterizon Qosiqi.
Gënjeshtra
serbe, për ta paraqitur popullin serb si viktimë e popujve fqinje dhe e
konspiracionit botëror është e vjetër sa vet ai popull, sa kisha dhe shteti i
tyre. Kështu i kanë paraqitur gjithnjë, duke shumëfishuar viktimat ose
ekzoduset e tyre. Dhe shpeshherë
gënjeshtra është në kundërthënie me lavdërimin e tyre për trimërinë dhe
heroizmin e popullit serb, sikurse është gënjeshtra origjinale e Qosiqit, se
populli serb gjithnjë ‘’atë që ka fituar në luftë, e ka humbur në paqe’’, gjë
që nuk është e vërtetë. Sepse është e kundërta: Serbia në dy shekujt e fundit i
ka humbur 14 luftëra, ndërsa në paqe ka fituar territore. Poashtu, është
gënjeshtër konradiktore e ish-kryetarit të Serbisë, Nikoliqit, kur thoshte në
një manifestim për Ditën e Ushtrisë së Serbisë (prill,2014): ‘’Serbia kurrë
nuk ka bërë luftë pushtuese’’, ndërkaq pas dy-tri fjalive, lavdërohej se ‘Me
luftërat që ka zhvilluar, Serbia gjithnjë e ka zgjeruar territorin e shtetit’’!
Për
ta ilustruar ‘’trimërinë dhe heroizmin’’ e ushtrisë serbe në luftërat që ka
zhvilluar, mjafton të përmendim rastin e luftës me ushtrinë turke në Gjunis
(afër Aleksincit), në tetor 1876. Ushtrinë e përbashkët serbe dhe ruse në atë
luftë kundër ushtrisë turke e kishte komanduar gjenerali rus Mihal Çarnajev, me
ç’rast ushtria sllave pësoi debakël. Me atë rast, gjenerali rus i kishte
dërguar telegram carit (perandorit të Rusisë), me këtë përmbajtje: ‘’Të
gjithë rusët u vranë, të gjithë serbët – ikën’’, dhe kishte kërkuar
nga cari rus të kërkonte armëpushim, sepse ishte rrezik që ushtria turke ta
pushtonte tërë Pashallukun e Beogradit e ta shkatërronte ushtrinë serbe.
Telegram me të njëjtën përmbajtje gjenerali rus i kishte dërguar edhe knjazit
të Serbisë. Dhe cari rus i kishte bërë ultimatum Perandorisë turke të pranonte
armëpushimin, gjë që edhe kishte ndodhur.
Se
çfarë ‘’trimërie dhe heroizmi’’ ka treguar ushtria serbe në luftë, më së
miri mund të ilustrohet me faktin e ikjes së tërë ushtrisë serbe, në krye me
Shtabin e Përgjithshëm, për në Korfuz, në vitin 1915, gjë që nuk ka ndodhur
askund në botë që e tërë ushtria e një shteti të ikë nga vendi i vet! Kjo ka
ndodhur me ushtrinë serbe në Luftën e Parë Botërore, e cila duke ikur nëpër
Shqipëri ka bërë masakra e shkatërrime mbi popullsinë civile shqiptare, për të
cilat kanë dokumentuar Dimitrije Tucoviqi, Dushan Popoviqi, Leo Freundlich,
etj.
Edhe
për atë ikje, janë fryrë shifrat e viktimave serbe, kinse viktima të luftës,
duke përmendur shifrën prej 240.000 të vdekur ‘’nga lufta me shqiptarët, nga
të ftohtit, nga uria, nga sëmundjet’’ (‘’Albanska golgota’’).
Në një vend tjetër përmendet shifra prej 72000 vetë të humbur gjatë tërheqjes
nëpër Shqipëri dhe se në bregdetin shqiptar kanë arritë 150.000 ushtarë dhe
2350 oficerë. Në komunikatën e Komandës supreme gjermane të datës 29.XI.1915,
thuhej: ‘’Pasi që ushtria serbe nuk ekziston më, përveç do mbeturinave të
mjera, të cilët kanë ikur nëpër malet e egra të Shqipërisë e të Malit të Zi, ku
do të vdesin pa ushqime,- për këtë shkak i kemi ndërprerë operacionet e
mëtejshme dhe nuk do të dërgojmë më raporte nga lufta në Ballkan’’.
Ushtrinë
serbe të ikur nga vendi, e shpëtuan ushtria franceze dhe angleze, duke i transportuar
me anije nga bregdeti shqiptar deri në Korfuz (prill 1915), e pas një kohe pushimi
aty, i kishin transportuar e vendosur në
Selanik, prej nga, pas tri vjetëve, pas thyerjes së frontit të ushtrisë
austrohungareze, u kthyen në vendlindje, dhe u trajtuan si aleatë të fituesve
të Luftës së Parë Botërore, pa dhënë kurrfarë kontributi në luftë! Megjithatë,
gënjeshtrat për viktimat e luftës nuk kanë pushuar. Në raportin e ministrit të
ushtrisë serbe, gjenerali Bozhidar Terziq, që ia kishte dërguar kryetarit të
Qeverisë, Nikolla Pashiqit, thuhej se ‘’Gjatë tërheqjes, kanë vdekur, janë
vrarë ose janë zënë rob 243.887 vetë’’, shifër kjo që s’ka të bëjë asgjë me
të vërteten. Aq më keq, në gënjeshtrat e përhapura serbe, është folur e shkruar
se në Luftën e Parë Botërore Serbia ka pësuar 1.100.000 deri në 1.300.000
viktima, që paraqet 60% të popullsisë mashkullore, apo 1/4 e popullsisl së
gjithmbarshme të Serbisë së asaj kohe! Gënjeshtër astronomike!
Këtë
praktikë të gënjeshtrës dhe shumëfishimit të numrit të viktimave serbe e kanë
vazhduar edhe për viktimat e Luftës së Dytë Botërore, duke e ngritur numrin e
viktimave nga 1.700.000 deri 2.200.000!
Në
një studim për viktimat e Luftës së Dytë Botërore (1941-1945) të Jugosllavisë
së parë, të përgatitur enkas për Konferencën e Parisit për Reparacionet,
delegacioni i Jugosllavisë kishte kërkuar reparacione lufte për 1.700.000
viktima të luftës. Po në atë Konferencë, të gjitha 18 shtetet aleate fituese të
luftës, kishin paraqitur kërkesë për reparacione gjithsejt për 5 milionë
viktima, ndërsa vetëm Jugosllavia kishte paraqitur 1.700.000, gjë në shifra
relative rezultonte se vetëm viktimat e Jugosllavisë kapin shifrën 34% të të
gjitha viktimave të 18 shteteve aleate. Kërkesa
nuk u pranua, sepse shihej qartë se është shifër joreale. Tek më vonë, në vitet
e 70-ta, Tito ishte marrë vesh me kancelarin gjerman Vili Brant, që Gjermania
t’ia paguajë Jugosllavisë 1 miliard dollarë reparacione. Shumica e atyre
mjeteve ishin shpenzuar për ndërtimin e eletranës nukleare Kërshko, në
Slloveni.
Propaganda
serbe edhe sot e kësaj dite gënjen e trumbeton për 700.000 serbë gjoja viktima
në kampet e Jasenovcit e Nova Gradishkës. Bile diku e ngritin atë shifër deri
në 1 milion (Bullatoviq,1980), për të rënë në 83.000 (Bogolub Koçeviq, ‘Svjetlost’,
Sarajevë, 1990), kurse Miletiq me listë të emrave të viktimave arrinë deri te
numri 30.000 (‘Narodna knjiga, ’Bgd.1987).
Dhe
gënjeshtra e propagandës serbe, për qëllime politike, vazhdon edhe për viktimat gjatë luftërave të fundit
në ish-Jugosllavi dhe për vuajtjet dhe shpërnguljet e serbëve nga Kosova e
Kroacia, gjoja për shkak të presionit të pushtetit të këtyre shteteve kundër
popullit të pambrojtur serb!
Kështu,
gënjeshtra serbe ka krijuar mitin e viktimës së popullit serb, qoftë prej
popujve më të vegjël përreth, qoftë nga konspiracioni i shteteve perëndimore!
Gënjeshtra
është në interesin e shtetit serb, ka pohuar vet akademiku e shkrimtari Dobrica
Qosiq. Po, a është vërtetë ashtu dhe deri kur!?