| E diele, 09.02.2025, 07:15 PM |
ÁT
ANTON HARAPI O.F.M.
NDERIM PËR
BINDJET E TË
TJERËVE
1944
At Anton HARAPI para gjyqit komunist:
“MOS HARRONI JU,
QË UNË JAM SHQIPTAR !”
“ÁT ANTON HARAPI O.F.M.
ASHT MENDJE DIALEKTIKE,
QI SHKRUEN KRYARTIKUJ ,
NDËR TË CILLTË DISA JANË KRYEVEPRA.
DIJA E THELL, ARSYETIMI I LIDHUN, ANALIZIMI I HOLL,
STILI I PESHUEM, DALLOJNË GJITHË SHKRIMET E TIJA.
MUND TË JETË I THATË, I FTOFTË,
POR
AI ASHT I DREJT’ E I PAFAJSHËM.”
Don Kolec PRENNUSHI
(Hylli i Dritës, 1936, fq. 583.Shkoder)
NDERIM PËR
BINDJET E TË TJERËVE
Më falni për
guximin: Due të përballoj çeshtjen ma delikate në jetën Shqiptare.
Kush e kishte
zanë besë?.. Antagonizmi fetar qiti kryet dhe mizorisht u fut edhe ndër
ateistët e ditës. Egërsitë e bame në Jug, midis djelmënisë shqiptare, vetëm pse
muhamedanë e kristianë, janë fakte që nuk lanë me luejtë, por janë prova të
tmerrshme për jetën tonë fetare, shoqnore e kombtare.
Përsa di unë
deri më sot, kjo çeshtje kurrë nuk kjé përballue kjartë e mirë, sa herë kjé kallë,
menjëherë edhe kjé mbulue si gaca nën hi. T’i mbetët hatri kujt të duejë, unë
due me e thanë mendimin tem haptas; marrë në shumicë, muhamedani shqiptar asht
fanatik, ortodoksi fanatik, katoliku fanatik, e këta jo për besim, se sa për
inat e për parti. Ndër çastët ma të vështirë të jetës sonë kombtare, njëmend se
shpëtuem format e bashkimit shoqnor e të qetësisë ndër elementa, porse në fund
të punës mbeti një tharm, një fond rryme e partie, sa me të trembë e
demoralizue.
Tue prekë me
dorë plagën, vjen pyetja: A do të mund të rrojnë në qetësi tre elementat fetarë
ndër né? Ateistët me të gjithë skeptikët, indiferentët, natyralistët,
aventurierët e oportunistët, thonë se jo: Né shqiptarët nuk mund të rrojmë të
qetë, as nuk mund të formojmë shtet, për pa i zhdukë të gjitha besimet, pse besimi
i shqiptarit asht shqiptarizma!
Këta shpresoj
t’i përballoj njëherë tjetër, këtyne tash po u thom vetëm se Shqipnia nuk asht vend
i pa Zot; e se shqiptarët as nuk janë, as nuk duhet të jenë të
patënzonë.
Fjalën këte
herë e kam me besimtarët e tre elementave.
Pa kontenstim
né jemi një komb, një shtet e një popull me një shpirt, me një gjuhë e me një
histori, e po të ishim edhe të një besimi, patëm me kenë edhe ma të bashkuem,
ma homogjen, dhe as nuk patëm me bjerrë mund e kohë për t’u kuptue ndër shumë
punë. Por fakti asht ky, se né jemi pra muslimanë, ortodoksë e katolikë, e si
të tillë duem të rrojmë në një harmoni vllaznore. Unë thom se për këte punë nuk
asht nevoja me shue besimet, pse po të duem, mund të rrojmë vllaznisht, sikurse
kemi shembullin ndër sa shtete të tjera të qytetnueme.
Pra, tezën
time e vé kësodore: Shqiptarët, po të jenë vërtetë të qytetnuem e nacionalistë
të sinqertë, besues edhe përnjëmend në një Zot të vërtetë, nuk ka se si të mos
rrojnë vllazënisht shoq me shoq; përkundrazi, derisa të mos kenë kulturën
njerzore në shpirt, ndërgjegjen kolektive kombtare, e derisa t’u mungojë
kultura fetare, ata kanë me kenë të damë e të përçamë, jo pse janë tri
besimesh, por pse nuk kanë bazat e jetës shoqnore, kombtare e fetare.
PENGIMI I MADH: FANATIZMI
Pengim i madh
për jetën shoqnore, pra, për qetësinë e vllaznimit tonë, asht fanatizmi, i cili
asht një turp për personin, turp për besimin të cilit i përket personi e turp
për jetën shqiptare. Besimi që mbahet për pasion, pra me fanatizëm, nuk asht
besim i arsyeshëm, as faktor i jetës; ai nuk nalton por poshtnon, e ma tepër
rrënon se sa trajton.
Besimi në një
Zot të vërtetë, Ati i të gjithë njerëzve, nuk do ta shtojë antagonizmin, por do
ta pakësojë; besimi do ta zbusë njeriun për ndjesi e jo ta egërsojë, do t’i
rregullojë prirjet e instiktit, ndër të cilat asht egoizmi, që don të
justifikohet me shkakun e besimit.
Këtu asht
nevoja ta dalloj njeriun fanatik nga njeriu me karakter: Të dy ngulin kambë për
një bindje të vetën, të dy tregojnë fuqinë e vullnesës deri në kulm, por me
këte ndryshim, se njeriu me karakter ngul kambë për një parim të arsyeshëm,
ndësa fanatiku don t’i rrijë asaj së vetës arsye e pa arsye: Njeriu me karakter
tregon një zotësi morale, ndërsa fanatiku dëshmon një dobësi personale, pse ai,
edhe po ta shohë të paarsyeshme atë të vetën, nuk asht i zoti ta mundë pasionin
dhe egoizmin; brutalisht mund të jetë i fortë, por njerëzisht asht i ligësht,
karakteri moral ka caqet e arsyes, fanatizmi nuk ka cak, ai të verbon, të shtyn
deri në vés e në egërsi. Fanatizmi asht antinjerëzor, prandej edhe antifetar e
antishoqnor.
Pra, për të
rrojtë vllaznisht nuk asht nevoja të hjekim besimin, por kusht i parë asht të
hjekim fanatizmin në besim.
Shqiptari
mund të zbutet tue marrë kulturën vërtet njerëzore, kulturën e shpirtit,
domethanë nuk mjafton të ketë sjelljen e mirë, paraqitjen e njerzishme, format
e përshtatshme, mënyrët e hijshme, e në shpirt të rrijë i egër, por duhet të
jetë edhe përnjëmend në veté, ashtu si mbahet e duket përjashta, atëherë ka me
u ba i zoti të rrojë në harmoni me vllaznit e vet shqiptarë të çdo kondicioni
shoqnor edhe të çdo besimi.
Ngjitas me
kulturën njerzore, shqiptari do të marrë kulturën fetare. Kaloi koha që
ta mbajmë besimin pse na e kanë lanë të parët, pse ashtu e kemi gjetë, pse
besojnë të tjerët, ase për një çdo tjetër arsye të jashtme sot duhet të dijmë
çka të besojmë dhe pse të besojmë lypet ta justifikojmë; nëmose para vetés,
besimin tonë. Por nuk mjafton kaq: Besimin nuk do ta mbajmë as për etiketë, as
për një gja vetëm teorike; besimi duhet të jetë faktor i jetës; parimet e
besimit duhet të përftojnë në bindje të plotë, ndjesi të gjalla, lëvizje,
shprehje, fjalë e punë, drejtue në një sistem jete. Kjo domethanë kulturë
fetare.
TË RROJMË SHOQNISHT
E VLLAZNISHT
Jo se
kërkohet prej shqiptarëve kristjanë e muslimanë të jenë të gjithë Shenjtën e
Peigamberë, por po deshëm të jemi komb e shtet, lypet me doemos të jemi në atë
shkallë kulture njerëzore e fetare, sa mjafton të rrojmë shoqnisht e
vllaznisht.
Pa kulturën
njerëzore, nuk jemi pjekun të rrojmë si njerëz e si shokë; pa kulturën fetare,
besimi nuk na formon për jetë, por ma tepër na pengon.
Kam pa
muslimanë dhe kristjanë që me vetmohim mbërrijnë deri në heroizëm për të mbajtë
ramazanin e kreshmët, por prejse nuk e kanë kulturën fetare, ata me atë vepër,
sado heroike, nuk shfaqin një madhni shpirtnore të cilën nuk e kanë, pse
qëndresa e tyne, të shumtën e herës, bazohet, thjesht, në një zakon, në një
traditë, në një moskuptim të jetës fetare që e zhvleftëson motivacionin edhe
veprën e tyne.
Një kusht
tjetër që rrjedh prej kulturës së shpirtit, asht nderimi për bindjet e të tjerëve.
Po t’ia bajmë dignozën shpirtit të shqiptarit në skajin ma të fundshëm, kemi
për të gjetë këte fenomen të çuditshëm: Kush nuk mendon si unë, thotë, ai asht
kundërshtari im. Ky paravendim antishoqnor shfaqet jo vetëm në lamën fetare,
politike e shoqnore, por edhe deri në lamën ditunore.
Më ka ra
rasti për vjetë e vjetë të marr pjesë ndër shoqni, mbledhje, nisma e shkoqitje çeshtjesh
ndër shqiptarë, edhe do të thom se, me pak ndryshime e me forma ku ma shumë e
ku ma pak egoiste, si ndër njerëz me shkollë, kam gjetë e prekë me dorë se
mjaft me tregue kush një mendim a parim të kundërt apo edhe të ndryshëm, për me
u shikue shtrembët e me u ba shenjë antagonizmi e luftimi.
Shkakun e
këtij fenomeni të paarsyeshëm prap e gjejmë në gabimin trashanik, pse shqiptari
edhe po të mbahet se ka kulturë, kujton se me ndjekë arsyen e një tjetri, asht
dobsi. Historia e djeshme e trysnia e sotshme na e vërtetojnë këte përbindësh
të individualizmit egoistik.
Për të rrojtë
vllaznisht nuk lypet të mendojmë të gjithë me një kokë, as nuk kërkohet të kemi
të njejtat parime ase të jemi të pagabueshëm, por medoemos duhet t’ua njohim të
tjerëve të drejtën e arsyetimit e të bindjes, por në atë mënyrë si kërkojmë që
të tjerët të respektojnë mendimet tona. Do ta dijmë se secili njeri, edhe pa
dashtë, mund të ndjekë një rrugë a një parim të gabuem, prandej, sikurse nuk
duem të na përbuzë kush né edhe po t’
jemi gabim, ashtu as né mos të përbuzim askënd. Themeli i shoqnimit, prandej,
edhe i harmonisë shoqnore midis shqiptarëve, qofshim edhe besimesh së ndryshme,
asht në mbajtjen e sinqertë të parimit: Mos i ban kujt, shka nuk don me ta ba
kush ty; banu të tjerëve si kërkon me ta ba ata ty. As në këte pikë besimet nuk
pengojnë, por e kanë detyrë të ndihmojnë.
SHKAQET E DASISË
Mbasi vumë
kushtet pa të cilat nuk ka si mbahet jeta shoqnore e fetare, vijmë ndër parime:
E parimisht secili besim ka dogmat e veta, por dogmat nuk ndrrojnë, prandej,
sikurse besimet janë të papërshkueshme me njeni-tjetrin për shkak të dogmave,
ashtu besimtarët, në themel të dogmave, nuk kanë si afrohen e puqen njeni me
tjetrin.
E ja se dasia
asht e detyrueshme, shqetësimi i domosdoshëm. Nuk ka si shkohet jeta
vllaznisht! Kështu arësyetojnë ata që besimet i kanë ferrë në sy!
Problemi
vërtetë asht i vështirë, por zhvillimin
e vet e gjen të plotë ndër tri parimet që janë: 1. Intoleranca dogmatike,
2. Toleranca shoqnore-qytetare, 3. Toleranca shoqnore-politike.
Nuk e kemi
shqip fjalën tolerancë, por i afrohet kuptimit me bartë, me durue,
si bie fjala na durojmë e bartim (kemi tolerancë) kur na fyejnë
fëmijtë, i dejuni, i marri, i gabuemi, por nuk barim, as nuk durojmë kurrsesi
(jemi intolerantë) kur ndokush me të mendueme na merr nderin.
Parimisht
lypet ta kemi e ta mbajmë intolerancën teorike-dogmatike, due me thanë që në
punë të besimit secili ta mbajë bindjen për atë dogmë që ndërgjegja ia urdhnon
për të drejtë, as mos të durojë t’i thotë tash zi e tash bardhë një parimi, të
cilin e ka për ideal të parë.
Intolerancë! Fjalë e fortë, fjalë që nuk baret as nuk
durohet, pse nuk ban as nuk duron as sa të zitë e thoit. Fjalë që me të parën
përshtypje tregon fanatizëm, mentalitet të ngushtë, regres, mosafrim me kurrnjë
mënyrë. Por edhe fjalë e sinqertë e arsyeshme, e drejtë: E vetmja fjalë e
mënyrë për me zhvillue problemin shoqnor-fetar.
Ja edhe
arsyeja e thanies sime: Një besimtar, i cili lavdohet se besimi i tij asht i
vërtetë, po nuk desh me mohue veten edhe besimin e vet kundrejt një çfardo
kredoje tjetër, do të përgjegjet me një “jo” kategorike të preme.
Indiferenti
fetar, prejse ai vetë nuk mban kurrnjë besim përnjimend, thotë se besimet janë
njënjë të vërtetë, si t’ ishin besimet etiketa e kostume të ndryshme, të cilat
vlejnë njënjë për të plotësue një nevojë të jetës. Po kjé si njëna dogëm
tjetra, edhe pse të kundërta, atëherë asht njënjë si e vërteta si e kundërta,
atëherë Zoti asht “hartuesi” i gabimit, i rrênës, dhe i përçamjes.
Duen me thanë
se kjo intolerancë dogmatike nuk baret, nuk durohet në një shtet, në një
popull, pse asht tepër refraktare, e ngushtë e fanatke.
Lëne, e për
njëherë ashtu po e zamë, edhe po i vemë për bazë të kundërtën, due me thanë tolerancën
dogmatike. Në këte themel, bie fjala, Krishti kjé a s’ kjé Zot, Muhamedi
kjé a s’ kjé Profeti i Zotit, në këte rast për mue do t’ ishte një për një; unë
bart e toleroj të thohet në daç kështu, në daç ashtu: Si Krishti e Muhameti të
kenë pasë punë me Zotin, si të kenë punë me djallin, si të kenë kenë hipokritë
e mashtrues, si të kenë kenë të ndershëm e të drejtë.
Kush nuk e
sheh këte dobësi mendore a morale? Njeriu, të cilit i vjen era njeri,
mosbindjen kurrë nuk e tregon për bindje dhe atë për çka asht i bindun se asht
gabim, kurrë nuk e pranon për të vërtetë. Kjo nuk asht vetëm një detyrë e
fetarit, por një detyrë e secilit njeri të ndershëm e të arsyeshëm.
Në emën të së
vërtetës, pra, e për hir të sinqeritetit: Luftë çdo gabimi, kudo që t’a
gjejmë, edhe ndër kërkime shkencore, edhe ndër interpretimet e dogmave.
Për këte
intranzigjencë ideale, shpirtnore, teorike jemi të paditun na besimtarët,
sidomos na katolikët, ndësa këte intolerancë e gjejmë edhe ndër njerzit e
ditunisë, të artit e politikës, për shka u përket parimeve të tyne. Këta, e
dijmë të gjithë, se as sa çon miza në krah nuk lëshojnë në sistemin e vet porsi
bazë.
Këte po e
thomi në lamën parimore e ideale, pse mandej tjetër gja asht praktika si për
shkencëtarë, e si për besimtarë.
NJË FORMË E
INTOLERANCËS: POLEMIKA
Në formën e
intolerancës asht polemika, e cila po kjé serioze, ditunore, e paanshme, e
bashme ndër sfera të nalta, vërtetë ndrit, nalton e trajton. Rrallë më ka ra me
pa ndër shqiptarë polemikë pa pasion. Me nivel kulture njerzore e fetare që
kemi, thom se polemika nuk asht për né. Edhe po patëm arsye e të drejtë në
çeshtje, kurrë nuk kemi arsye e të
drejtë të kapërcejmë caqet e njerëzisë, të shajmë shoqi-shoqin, të përdorim rrênën,
të falsifikojmë historinë, të shtijmë në punë motive të ulta, të
polemizojmë me pasion.
Tjetër mandej
asht toleranca shoqnore, qytetare, praktike. Nëpër këte parim, na dallojmë
kjartë se tjetër asht gabimi e tjetër gabuesi, tjetër asht përsoni e tjetër
asht vepra: Personin e falim, veprën e gabueme e dënojmë; këté e mënijmë; atë e
bartim, këté nuk e durojmë. Ky asht parim bazë që na shoqnon: Me kurrnjë
gabim as kompromis as shoqni, por me të gjithë atdhetarët edhe të jenë të
gabuem, afrim, dashni, vllaznim.
Natyra na
mëson këte parim: Ajo me gjithë ndryshime e kontraste, e patrandshme mban një harmoni të çuditshme; jeta njerzore
na imponon: Si, bie fjala, ndër né të marrunit me ndoré, besa, mikpritja, kjé
se shumë herë e mbrojmë si fajtorin si të pafajin.
Këte shoqni
që na mëson natyra, na imponon jeta; po njëkëte na urdhnon besimi, cilido të
jetë. Shpirti i shqiptarit, me gjithë besimet e ndryshme, e ndien fuqishëm se
një i njëjti Zot i vërtetë asht Zoti i muhamedanëve, Zoti i ortodoksëve e Zoti
i katolikëve. Në saje të një Zoti, Babë i mirë, i drejtë për të gjithë, na jemi
vllazën, pse jemi të gjithë bijtë e një Zoti që na ka falë. Pra, Zoti i të
gjithë néve, e na të gjithë të Zotit. Në themel të këtij imperativi na jemi një.
Ja, pra, se kurrgja nuk vllaznon ma fort se Zoti.
Zoti asht
visari i përbashkët i të gjithë Shqiptarëve pa ndryshim.
Në themel të
këtij parimi rrjedh toleranca fetare, e cila mbështetet në kuptimin e kjartë:
Muhamedani i biri i Zotit, kristjani i biri i Zotit, pra, vllazën; mbështetet
ndër ndjesi të sinqerta : Porsi vllai për vllain të ndjejmë njeni për
tjetrin; mbështetet në nderimin reciprok për bindjet fetare të shoqi-shoqit:
Për kurrnjë arsye nuk kemi të drejtë të përbuzim kënd; porsi me të drejtë
kërkojmë të na kuptojnë, ashtu kemi detyrë t’i kuptojmë të tjerët. Kjo
tolerancë fetare kështu e naltueme deri në fisniki, sa asht e bukur, aq asht e
vështirë. Kush e ushtron këte asht me të vërtetë i madh. Toleranca qytetare –
shoqnore e gjenë plotësimin e zbatimin e vet në tolerancën
shtetnore-politike. Statuti themeltar i njeh e i respekton njëpërnjë të
tria besimet në Shqipni; shteti njëmend asht afetar, d.m.th. asnjanës, por jo
antifetar, as ateist, as indiferent; shteti shqiptar e njeh Zotin, por nuk anon
për kurrnjë besim ma fort se për tjetrin; hartuesit e Statutit u shtynë deri në
ma të naltën shkallë të lirisë e të të drejtave të besimit: Ata pranuen tri
besimet në themel të barazimit të plotë; para shtetit e zyrtarëve të tij nuk ka
as ndryshim, as pengim ndër të drejta të kurrnjë elementi; të gjitha ligjët,
masat, vendimet dhe mënyrat zyrtare synojnë aty: Të forcohet e të sigurohet sa
ma mirë qetësia fetare në Shqipni. E tanë puna mbetët ndër zyrtarët, sa ata
punojnë apo jo me shpirtin e këtij parimi e me drejtësi.
Pra, për me
mbajtë qetësinë midis elementave fetarë: 1. Duhet të kemi për bazë të
vërtetën kundrejt parimeve. E vërteta nuk lot: Intoleranca
teorike-dogmatike; 2. Duhet të kemi dashninë e sinqertë midis
përsonave: Toleranca shoqnore-qytetare; 3. Duhet të mbahët drejtësia
me ndërgjegje ndër ligjë e ndër zyrtarë: Toleranca shtetnore-politike.
Arsyeja e
këtyne udhëzimeve asht kjo: Na duhet të rrojmë së bashku, jo si përdhuni, por
me vetëdashje; këte punë do të na e thotë mendja, do ta duejë vullnesa, do ta
ndjejë shpirti; mendjes do t’i flasë e vërteta, vullnesën do ta vendosë e
drejta, ndjesitë do t’i shtyjë dashunia. Toleranca qytetare asht një virtyt,
për ushtrimin e të cilit krejt njeriu, ndër të gjitha fuqitë kryesore do të
jetë i prekun e i tërhjekun. E tanë puna asht këtu: Me dijtë me kenë të zotët
ta bartim shqiptarin, jo si të huej, por si vlla.
Kështu, pra,
nuk janë besimet ato që e shqetësojnë jetë vllaznore në Shqipni, por gabimet,
pasionet e padrejtësia e besimtarëve shqiptarë janë ato që krijojnë çeshtjen
fetare në vendin tonë.
PENGESA QË DUHEN
KAPËRCYE
E mjaft me
teori. Kush don, ja ka marrë vesh me kaq, ja nuk ka me marrë vesh kurrë. Tash
të vijmë tek praktika. E praktika asht kjo: Me muhamedanët nuk bahet,
ortodoksët janë grekomanë, katolikët janë italofilë. Kështu që nuk mbetet
kush shqiptar, as nuk mbetet kund shpresë për Shqipni; kështu nuk bajnë për
Shqipni as Ismail Qemali as Bajram Curri pse janë muhamedanë, as Gërmenji as
Negovani pse janë ortodoksë, as Gurakuqi as Ded Gjo’Luli, pse janë katolikë;
kështu kemi ardhë ndër përfundime qesharake e do të vemi ndër konsekuenca
rrënimtare!
Për të rrojtë
vllaznisht na shqiptarët do t’i mbajmë, thamë, disa kushte, do t’i
vendojmë disa parime, por edhe do t’i hjekim disa pengesa.
1.Pengesa e
parë, për shërimin e kësaj plage të kobshme që e shqetëson jetën ndër
shqiptarët, asht gabimi i madh i disa udhëheqësve të cilët duen ta mbulojnë
edhe ta mohojnë plagën, e cila, mjerisht, ekziston dhe do të shkojë në
gangrenë po nuk u shërue me dorën e një kirurgu të aftë e të ndërgjegjshëm. Çka
asht gabim e kalbësinë, fanatizëm e pus, ves e dobësi, lè të qitet në shesh, lè
të thohet kjartë, pa ia shikue hatrin askujt.
Pse ta
mohojmë? Një pjesë e mirë, muhamedanë a kristjanë, ortodoksë e katolikë nuk
shikohen me sy të mirë; një antagonizëm shoqnor qendron në mes tyne; ata nuk
kanë mbërrijtë endè t’i rregullojnë relatat fetare, shoqnore e civile që do të
kenë.
Duhet ta
pohojmë botnisht, se për mungesë kulture jemi këtu. Ky do të jetë hapi i parë i
përmirësimit: Ta njohim e ta ndiejmë sa duhet këte plagë shqiptare.
2.Me e shikue
hollë, aty ku duket se ndeshen muhamedanë e kristjanë, nuk hyjnë në lojë
parimet dogmatike; ato populli nuk i din, as nuk i merr aq në kujdes; sigurisht
as për hatër të Krishtit, as për hatër të Muhamedit sot nuk ban kush parti as
nuk ngre ngatërresa.
Shkaku i parë
do të kërkohet ndër faktorë historikë, ndër tradicione mënie midis elementave;
na trashiguem ekzaltime, përbuzje, paragjykime e zemërime kundrejt
shoqi-shoqit; me këta lindim, me këta rritemi, me këta edhe vdesim. Vetëm koha
e kultura mund të na çrranjosë. Do të kalojë edhe ndonjë brezni që muhamedani
ta harrojë tradicionin e të parëve, ta zhdukë krejt idenë “kaurr”, ashtu
për një predispozicion të bamë petk, si kristjani i sotëm edhe i nesërmi kenë e
pa kenë për çdo punë që nuk i bie për shtat, ka me kujtue e me u ankue: Po më
bahet e padrejtë pse jam ortodoks, pse jam katolik. Me atë masë që të marrim
kulturën e shpirtit e të hjekim shkaqet e pretekstet, po me atë masë kanë me u
dyndë edhe këto rê të helmueme.
FAKTORI PSIKOLOGJIK
1.Edhe faktori
psikologjik ka të bajë shumë me këte dasi shpirtënsh. Shqiptari si tip asht
madhështor. Ai ndien për vete edhe përtej se duhet. Mirëpo kjo veti instiktive
që kohët e kalueme ndihmoi shumë për me shpëtue shpirtin, gjuhën, zakonet e
traditat tona, nëse kjé fat i madh asohere, sot, për jetën tonë kombtare mund
të bahet rrezik i parë. Kam pa e shoh përditë shqiptarë edhe me kulturë, të
cilët nuk janë të zotët të çveshen prej vetës së vet, ata e dijnë fare mirë çka
do me thanë jetë e përbashkët e jetë individuale, i kuptojnë kjartë kontrastet
e sakrificat që lypen për me u kapë me jetën e vërtetë shoqnore, megjithëkëte,
hir e pa hir, duen të bajnë të vetën; duen vetëm ata me kenë të mendshëm, ata
gjela që këndojnë. E po gjetën injorantë, trashamanë, hipokritë, servilë,
fanatikë, po edhe njerëz në të mbarë e pa të keq, more t’i shfrytëzojnë pa
dhimbje, pa shpirt, edhe ngrehen kapadainj, udhëheqës, pionjerë a shka po di
unë.
E ja klanet,
partitë prej nga rrjedhin dasitë e kontrastet shoqnore: Hallet shqiptare. Këta
njerëz të besueshëm, mandej, si ta kenë ba një grimë pozicion me taktikë
vërtetë djallëzore, sa herë t’u nevojitet, mjaft ta prekin apo sa ta çekin sustën e besimit, se janë
gati një turmë për t’i ndjekë; e ja, se me njëherë qiti krye çeshtja e besimit
ndër shqiptarë me mëni, me shpifje, me dasi, grindje e luftime.
Ku asht faji?
Sigurisht nuk asht zelli i besimit, por asht zekthi i egoizmit. Unë, së
mbrami, nuk i ve faj fare muhamedanit apo kristjanit pse asht fanatik; ai
nëmose asht i sinqertë; fajin e parë pse shqiptari ka mbetë fanatik e ka
hoxha, prifti a popi, këtyne – po nuk patën vetë aq kulturë njerzore edhe
fetare, sa me u dalë për vete e me ua dhanë të tjerëve – u do hjekë e drejta
të mësojnë. Por fajin pse fetari e ushtron fanatizmin e ka ai liberali
universitar, i cili, që me sa macja e qeni, nuk e beson as Krishtin as Muhamedin,
por formon klane për Dinin si për Fenë e Krishtit, jo pse i intereson Dini a
Feja, por pse me atë formë – gjen kush e ndjek për me kenë ai në krye. Derisa të
mos zbulohen e të mos qiten sheshit këta njerëz të rrezikshëm nuk ka qetësi në
Shqipni!
INTELEKTUALË TË KACAGJELUEM
Prapë fjalën
e kam me gjysmakët, intelektualët e kacagjeluem; Çeshtja e besimit ndër
né nuk studjohet si duhet e sa duhet. Me një lehtësi të pandërgjegjëshme
i bihet nëpër té, merret nëpër kambë, shahët e poshtnohet njeni a tjetri besim.
Nuk do, nuk di ose nuk del kohë me e studjue thëmelisht çeshtjen e besimit, nuk
ké të drejtë me folë, as me dhanë gjykim. Po fole në këte rast, ké qitë tharmin
e shqetësimit, jé atentator i vllaznimit, i rrezikshëm për besimin e për
shtetin; sikurse do t’ ishem unë mizor po të jepja receta baresh vetëm pse diku
kam lexue diçka apo i kam pa ndër reklama fletoresh.
Ambienti,
dispozitat atavike të trashëgueme, shpirti refraktar, botkuptimi i ngushtë,
rritja familjare mbrenda një rrethi plot paragjykime e sa shkaqe të tjera këso
dore bajnë që, përgjithësisht, muhamedani shqiptar disi e ndjen veten ma afër
muhamedanit, ashtu ortodoksi afron ortodoksin, katoliku katolikun; këte e sheh
dhe e njeh ma shumë se të vetin, ndërsa atë tjetrin e mban si të huej. Nuk asht
besimi që ia detyron këte sjellje, por asht shpirti i klanit antishoqnor i
paformuem që e shtyn të rrojë me vllaznit e vet si me të huejtë. Fakti asht se
jemi të formuem kështu; detyra e sejcilit asht të naltohemi mbi vetén e mbi
klanin e rrethit tonë e të kapemi në
jetën e vërtetë shoqnore. Mos të më thotë kush se nuk asht e vërtetë, se unë
jam tue e teprue; shkoni e hyni ndër shtëpia private, ndër rrethe intelektuale
e dita me ditë keni me gjetë se po në ketë mënyrë e me këto dispozita bahen
mbledhje të përzemërta, sajohen klane, vendosen punë edhe me randësi, as nuk po
e çoj ma gjatë për mos me e zbulue të gjithë vobeksinë e shpirtit tonë të
kufizuem.
Mos t’i
lavdohemi shoqi – shoqit për atdhetarizëm, për kulturë e për kontribute, as mos
t’ ua vejmë kandarin mungesave e dobësive të njenit e të tjetrit element, pse
sejcili element ka kontributet e veta e ka edhe dobësitë ndër besimtarët e vet;
mos të lavdohet kush se porsi element asht ma shqiptar se tjetri! Superioriteti
i besimtarëve, edhe në lamën atdhetare – kulturore, do të tregohet me fisnikinë
e ndjesive, me naltësinë e jetës, me zemër të gjanë e me zotësi për ta mundë të
keqen me të mirë. Nuk asht numri as pasunia që e ban superioritetin kulturor e
kombtar, por personalitetet që me cilësitë e nalta morale e me zotësi
ditunore janë ata, që bajnë pikën e gravitetit në një popull. Derisa të
jenë kush që kujton se myslimanët shqiptarë janë Shqipnia, apo se vetëm
kristjanët janë nacionalistët e vërtetë, nuk kemi bashkim kombtar, nuk kemi
jetë vllaznore, na jemi thikë e brisk.
Historia asht
histori, dhe do të mbetet histori! Jeta e Krishtit e vepra e krishtënimit, si
dhe jeta e Muhamedit e vepra e muhamedanizmit janë të dokumentueme botnisht. Na
shqiptarët as nuk mund t’ ua hupim, as nuk mund t’ ua shtojmë dritën, as hijet
dy besimeve. Ashtu edhe historia e ortodoksisë dhe e katoliçizmit nuk ka mbetun
vetëm te né shqiptarët. Prandej,
historia ja mos të prekët aspak, ja nuk ka kush të drejtë t’a falsifikojë e
t’a sajojë vetë, për pa shkaktue zemërime, shqetësime e polemika, që nuk ndërtojnë,
por prishin e rrënojnë.
Mos të rrijmë
tue njehsue e tue theksue shka na dallon, por ma fort të ngrehim për
shka na bashkon: Na bashkë e kemi një Zot në të cilin besojmë, kemi dhjetë
urdhnimet që Ai na ka vue, kemi detyrë morale, shtetnore e kombtare të
perbashkëta, kemi historinë, kemi idé, ndjesi, jetesë, zakone, kangë, festa,
shpresë, shpirt, interesa, gjuhë e të tjera visare e nevojë, nëpër të cilat ne
jemi një në mënyrë të pandashme. Në vend që të shikojmë në çka e ku të
ndeshemi, të shikojshim e të anojshim me
kujdes në ate çka përpiqemi. Shumë puna e mirë pat me u ba, shumë qetësia pat
me u gëzue!
A nuk mund të
përmbahemi pa e vu në veprim atë shpirtin kundërshtar që e kemi në palcë e në
lëkurë? Ta kundërshtojmë terrorizmin, imoralitetin, luksin e alkoolin, vesin, dhunën,
pasuninë e padrejtë etj., e jo, të kapemi për punë feje. Të na mbushet mendja
mirë, se sikurse nuk janë fajtorë myslimanët pse janë shumicë në Shqipni, ashtu
nuk kanë ma pak të drejtë kristianët, vetëm pse numri i tyne asht ma i vogël.
TË HUEJT KURRË NUK E KANË DASHTË BASHKIMIN TONË
Të huejt nuk
e kanë dashtë vërtetë bashkimin e shqiptarëve; ata si njëherë përherë kanë
veprue për të krijue e për të mbajtë në Shqipni një gjendje kaotike, përçamjesh
e dasishë, që të dilnin në përfundim se shqiptarët nuk e kanë ndërgjegjën e
përbashkët të kombësisë e të shtetit, nuk janë një popull, nuk e ndiejnë sa
duhet nevojën e solidarësisë shoqnore! Me mënyra e taktika të ndryshme, për
këte qellim shtinë në punë e përdorën sa herë edhe ndikimet fetare.
Vetëm bindja
intime e tanë popullit shqiptar në një drejtim të vetëm, tue u naltue mbi të gjitha brêngat e vështirësitë tona të
mbrendshme, vetëm ky hap fisnik do të mund ta përballojë mjaftueshëm këte sulm
e këte rrezik.
Këte kontrast
jete ndër né e ushqen fort edhe heterogjeniteti i familjes shqiptare. Derisa
nana vetë të rritet me një mendësi antishoqnore e t’i rrisë fëmijët vetëm për
katër muret e shtëpisë, derisa familja shqiptare mos të shpirtnohet vetë tue
marrë poezinë e madhninë e jetës e grueja mos të ketë formue ndërgjegjen për
misionin e naltë që ka në familje dhe në shoqni, shqiptarët kurrë nuk kanë për
të kenë elementa të aftë për jetën e përbashkët, jo për shkak të besimit, por
pse pa pasë edukatën familjare në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, né nuk mund
të jetojmë si na përket as si person, as si kolektivitet.
Besimtarë, të
çdo feje të jeni, në emën të besimit tuej po ju thom: Shtërngonju, se një
mision i madh u endèt përpara. Ju për detyrë e ndërgjegje e për urdhën të Atij
Zot që besoni, duhet ta shpëtoni Shqipninë, tue u tregue vërtetë vllazën, jo me
forma e për dukë, por me bindje e me ndjesi, me sakrifica e me jetë të shkueme
në themel të përpjekjeve vërtetë vllaznore.
A e duem një
Shqipni me të gjithë Shqiptarët? Të marrin fund njëherë e përgjithmonë fjalët e
frazat: Muhamedanët refraktarë! Katolikët antishqiptarë! Ortodoksët grekomanë! Kemi
pasë, po, mjerisht, muhamedanë, ortodoksë e katolikë të dobët, dhe kemi pasë e
kemi muhamedanë, ortodoksë e katolikë vërtetë shqiptarë, të vërtetë e të
mëdhej, por as muhamedani nuk ka arsye të rrijë sherbez, as kristiani nuk do të
kujtojë veten të marrun nëpër kambë.
Me gjak të vét
e shuguroi Lterin e Atdheut katoliku, ortodoksi e muhamedani: Gjeçovi e
Gurakuqi, Çerçiz Topulli e Bajram Curri, Gërmenji e Negovani nuk kanë ndryshim,
por janë një në mendim e një në vendim, në vepër e në vdekje. Ata e kryen
detyrën e vet, tue e vulosun me gjak atë shka jemi: Vllazën të një gjaku!
Mirditasit e
dukagjinasit, kosovari e dibrani, kurveleshasi e kolonjari, për vjet e vjet hoqën keq me ruejtë të njëjtën
gjuhë, të njëjtin shpirt, të njëjtat zakone shqiptare, ngase ata kjenë një në
sakrificë e në drejtim, në saje të tyne trashëguem visarët tona kombtare.
Me gjak e
ndasi jemi ngopë. Kemi provue edhe se shka asht kthetra e huej. Jemi rysë
tashma me të gjitha provat e egoizmit vetjak e kolektiv të partive, dhe kemi pa
e prekë me dorë se një popull i përçamë me grindje të mbrendshme asht i gjykuem
me mbarue. Rreziku që na rri mbi krye të bjerrim Shqipninë, idealet e interesat
që na rrijnë përpara, gjamët e shpirtit shqiptar e aspiratat e të gjithëve për
gjithshka asht për të mbarë e të mirë, vlerë e nderë për popullin e kombin, për
historinë trashëgim të breznive shqiptare, janë arësye e shkaqe që na imponojnë
të lidhemi e të mbahemi nji ballë i çeliktë pa ndryshim besimi, partie, krahine
a privilegji. Do të ishte një tradhëti e naltë për brezninë tonë që tashti
këtij blloku të çimentuem t’ia ndezim bombën e dasisë me shkëndinë e përçamjeve
fetare.
Prite, Zot,
që populli ynë besnik e fisnik, për shkak të besimit fetar mos ta ketë ma
besimin shoqnor njëni me tjetrin; në vend që të bashkohet më një, të përçahët
trish; jo, mos e thantë Zoti që shqiptarët besimtarë, në vend që t’i afrojë dashunia,
t’i përçajë mënia, e po njata çka duhet të na afrojë, besimi në një Zot të
vërtetë, të na shtijë grindjen e armiqësinë; jo, kurrnjë mos pritshim t’ ia
mërrijmë asaj ditë, kur për shkak të dasive, të shkrihemi porsi krypa në uji e
të zhduket prej fytyrës së dheut Vatra Shqiptare, mos të jehojë ma ndër kombe
zani i Arbnorëve.
TË HEQIM DORË NGA ÇDO NDRYSHK ZEMRE
Sot në këte
krizë të tmerrshme besimtarëve të të tré elementave na përket, për hatër të
Zotit e të Shqipnisë, të heqim çdo ndryshk zemre, t’i japim dorën shoqi –
shoqit e të vllaznohemi në Atë Zot që
besojmë e në Atë Shqipni që e duem me gjithë zemër.
E po e patën
detyrë besimtarët një herë, kleri shqiptar, muhamedan, ortodoks e katolik,
dhjetë herë ma tepër e ka detyrë të shtërngohët doradoras, e pa vonesë të dalë
në lamën e luftimit për t’ ia shpëtue shqiptarit besimin në një Zot, shpresën
në një Shqipni.
A sot, a
kurrë, të mobilizohemi për Fé e Atdhé!
Ja, ky asht
besimi e kjo asht Shqipnia që po na zhduket ndër duer.
Bashkimi i tré
klerëve në ketë drejtim e veprim asht leva ma e fuqishme për të sigurue
bashkimin e shpëtimin. Nuk shpëton, jo, sot as Xhamia pa Kishën, as Kisha pa
Xhaminë, por as njena as tjetra pa Shqipninë.
Të ngrihemi
në kambë! Për një Zot të vërtetë për një Shqipni të lumtun, na jemi vllazën!”
Korçë, Korrik
1944.
*Marrë nga
libri: “Çashtja e elementavet fetarë në Shqipni”, Tiranë, 1944, fq. 5 – 22.
**Shenim nga Fritz
Radovani: Materiali i At Anton Harapit O.F.M., botue në vitin 1944, më asht
dhurue nga Prof. Ndue Zef Toma, i cili e ka
redaktue, pa ndryshue asnjë fjalë nga origjinali.
Nënvizimet janë të
Autorit, simbas origjinalit, për të cilin, Ju lutëm, të mos bani ndryshime.
Melbourne, 7 Shkurt 2024.
AT ANTON HARAPI O.F.M.
(Vepër e piktorit Pjerin Sheldija – bojë vaji)
(5 Janar 1888 – 20 Shkurt 1946)
?“At Anton Harapi ka kenë
antiitalian, prandej u zgodh At Antoni në dergatën e
12 prillit 1939, për me u tregue atyne qendrimin e
klerit katolik.” At Justin Rrota O.F.M.
?At Anton Harapi e pranoi detyren
në Rregjencën Shqiptare (1943) “me kusht: Mos me nënshkrue ASNJË DËNIM ME
VDEKJE!”
?Një parashikim i saktë i Tij:
“SHQIPNIJA U FITUE ME GJAK; ME GJAK , EDHE PO MBAHET E ROBNUEME. DO TË VIJ DITA
E, ME PAQË E DREJTËSI DO TË FITOHET !” (Thanje e At Antonit, para gjyqit
komunist në muejn shkurt 1946, Tiranë)
?At Antoni përfaqsonte për
gjermanët, mendsinë e një inteletuali Perëndimor, europjano qendror, i formuem
në Austrinë e para Luftës së Dytë Botnore, dhe nga ana tjetër, si meshtar
katolik, paraqitej virtualisht i paprekshëm prej korrupsionit tradicional oriental
e prej bizantizmit aziatik.
?Me 4 shkurt 1944 hyni tek Xhafer
Deva, dhe i tha: “Mosni bre kështu, o Xhafer, edhe komunistët janë vllaznit
tonë, po a bahet kështu?!” ...Dhe prani pushka... “Vllaznit” nuk e harruen!
Porsa e pushkatuen, Enver Hoxha njoftoi Titon: “E vrame Patër Antonin!”
?At Antoni refuzoi largimin nga
Shqipnia para vitit 1944, dhe mbas, kur Cafo Beg Ulqini i propozoi të shkonte
në një streh nga Mali i Zi... “Kam punue per Shqipni e ballafaqas.
Nuk pres shpërblim, por as dënimi nuk ka pse më
pret! Bashkatdhetarët e dijnë se kurrë nuk i tradhëtova, me ta vuejta, për ta
punova, me ta qindrova. Me ta edhe do t’ vdes!”
?“Shpirtin Zotit, trupin Tokës”...
Pikrisht asaj Tokë Amtare, për të cilën u ba flij...
Edhe pse i pat të gjitha mundësitë mos me u ra në
dorë komunistëve vllavrasës.
?Drejtë bregut të lumit Lana...
Tiranë, 20 shkurt 1946..: Binte shi. Disa gropa ishin kthye në brraka ujë...
“Frati hidhte hapat me kujdes, duke ngritur herë – herë kindët e zhgunit, për
të mos iu stërpikur nga baltat... Njëni prej ekzekutuesëve e shikoi dhe i tha:
Mos ki dert, o prift, se tek balta ke për të
përfunduar!..Frati vazhdoi rrugën dhe ia këthei:
“Atje tek po shkoj, due të shkoj i panjolla, ashtu
siç kam kenë tanë jeten time!”...
Shkoi pranë gropës, dhe tha: “I bekoi vrasësit e i
fali për aktin që do të kryejnë!”.
?“Ndalnju! Ku véni Burra?!”
??“Ndalnju! Ku véni Burra?!”
???“MOS
HARRONI JU, QË UNË JAM SHQIPTAR !”
Fritz Radovani
?Melbourne, 2014.