| E diele, 09.02.2025, 07:54 PM |
Më 27 shtator 2024, në Kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit
Referat,
shkruan Neshat Mehmedi
Jungjatjeta
vëllezër e motra të pranishëm këtu në Sheshin historik të Lidhjes Shqiptare të
Prizrenit, në Prizren të Republikës së Kosovës. Më lejoni, që në emër të
anëtarëve të shoqatës Kulturore “Karnavalet Ilire” nga katundi Bozovcë, komuna
e Tetovës, këshillit organizativ dhe në emrin tim personal të përshëndes
Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, shkëlqesinë e tij z. Hajrulla Çeku,
Kryetarin e komunës së Prizrenit shkëlqesinë e tij z. Shaqir Tota, Përshëndes
Humanistin e përmasave kombëtare dhe biznesmenin e përmasave ndërkombëtare z.
Lazim Destanin (edhe pse s’është i pranishëm). Përshëndes, drejtor
institucionesh, drejtor të shkollave, profesor e profesoresha, mësues e
mësuese, mjek e mjeke, inxhinier e inxhiniere, punëtorë e punëtore, miq e
mikesha, student e nxënës, qytetarë e qytetare të Prizrenit, të katundeve
përreth e më gjerë nga Republika e Kosovës, Republika e Shqipërisë, Republika e
Maqedonisë së Veriut, shoqatat kulturore që janë përkrahëse të manifestimit,
gjithashtu përshëndes mediumet që po bëjnë punë të shkëlqyer, po i bëjnë
publicitet të jashtëzakonshëm kulturës në përgjithësi e në veçanti Manifestimit
Kulturor shumë të lashtë Karnavalet Ilire. Gjithashtu përshëndes kryetarët e
shoqatave me të cilat kemi nënshkruar memorandum bashkëpunimi, Përparim Laçin
dhe Klajdi Lulollarin nga Shqipëria, z.
Frrok Kristaj dhe Remzije Berisha nga Republika e Kosovës. Ju kërkoj ndjesë të
gjithë miqve e mikeshave që janë të shumtë këtu në Republikën e Kosovës, për
shkak të kohës, s’kam mundësi me i përmendur të gjithë me emra e mbiemra.
Sot
këtu, në Sheshin Historik të Lidhjes së Prizrenit, Ne, na bëjnë bashkë, për tu
bashkuar për gjithmonë: gjuha shqipe, flamuri i Skënderbeut, i Ismail Qemalit,
i Adem Jasharit, pra 28 Nëntori, 10 qershori, 22 nëntori, Kongresi i
Manastirit, 7 Marsi, 17 Shkurti dhe ky manifestim madhështor kulturore
“Karnavalet Ilire”.
Të
dashur të pranishëm, kultura është armë shumë e fuqishme e bashkimit
shpirtëror, dhe identitetit kombëtar dhe pasuri shumë me vlerë të madhe
kombëtare, sepse sot këtu jemi të bashkuar si çdoherë në vlerë kombëtare,
kështu si e donë populli dhe kështu s’i nuk na duan armiqtë të na shohin grusht
të fortë e kështu të bashkuar.
Ne
e kemi për detyrë të takohemi si sot, bile edhe sa më shumë nëpër manifestime
të ndryshme kulturore e sportive, arsimore e shkencore, ku do qofshin ato, në
trojet tona, të mbushen sheshet, sallat, sallat sportive plotë e përplot,
kështu më të fortë do të bëhemi, më shumë do ta duam njëri tjetrin “si thoi
mishin”, më mirë do të njohim vlerat tona të përbashkëta e të lashta, atëherë
do t’i duam më shumë dhe nuk do t’i mohojmë për të huaja, pra, lidhjet tona
shpirtërore do i ngjallim duke shkuar te njëri tjetri, kështu sa më shumë do ta
forcojmë kujtesën e do ta duam të kaluarën tonë dhe do të luftojmë harresën. Të
dashur të pranishëm, harresa është armiku më i madhi i jonë kombëtar, i
ndarjeve, përçarjeve, konflikteve të panevojshme, çfarë do qofshin ato, në baza
partiake apo fetare, që janë shumë të dëmshme e shumë të turpshme për kombin
tonë shqiptarë.
Harresa
është prodhim i mos shkollimit dhe leximit, që ka një qëllim shumë të
rrezikshëm, shpëlarjen e trurit, mohimin e origjinës, të gjuhës, flamurit,
datave historike, historisë tonë të lashtë, heronjve tonë kombëtarë, kulturës,
të trashëgimisë, traditave, zakoneve, adeteve, përshëndetjeve, të pagëzimit të
fëmijëve, veshmbathjeve dhe e keqja më e madhe të identitetit kombëtar, siç po
ndodh me vëllezërit tanë të fesë ortodokse të Rekës së Epërme, e me vëllezërit
tanë të fesë islame të Sanxhakut, të parët e quajnë veten sllavë e të dytët
veten boshnjak.
Qëllimi
i armiqve botërisht dihet, për këtë Milan Kundera thotë: “Hapi i parë në
likuidimin e një populli është të fshini kujtesën e tij. Shkatërroni librat e
tij, kulturën e tij, historinë e tij. Atëherë vini dikë të shkruajë libra të
rinj, të krijojë një kulturë të re, të shpikë një histori të re. Para se të
kalojë shumë kohë kombi do të harrojë se çfarë është dhe çfarë qe!”
Sot
duhet të na bëhet zemra mal, vetëm në Maqedoninë e Veriut kemi tre
Universitete, po sa të tjerë në trojet tona etnike, ku vërshojnë me mijëra
studentë e studente, si rezultat i tyre janë: mësues e mësuese, profesorë e
profesoresha, mjek e mjeke, inxhinier e inxhiniere, artist, aktorë, piktorë e
të tjerë. Pra, femra shqiptare sot i ngjanë pranverës, na bënë të ndjehemi
krenar me të arriturat dhe sukseset e tyre nëpër institucione në vend e në
arenën ndërkombëtare e më të suksesshmet në Botë: Majlinda Kelmendin, Nora
Gjakovën, Distria Krasniqi, Rita Orën e Dua Lipën e sa e sa të tjera janë, por,
për shkak të kohës s’mund t`i përmendim të gjitha me emra. E mos të flasim për
të arriturat e gjinisë mashkullore.
Të
dashur të pranishëm të gjitha këta arritje s’janë të kollajshme ku do qofshin
ato, duan mund, tolerancë, durim, guxim, vendosmëri, sakrificë dhe luftë të
pakompromis për mes shkollimit e jo inatit e injorancës. Profesor doktor Fadil
Sulejmani, themeluesi i Universitetit të Tetovës, ka thënë: “Shkollimi është si
drita, ajri dhe uji”!. Kurse humanisti dhe biznesmeni Lazim Destani thotë: “Ta
doni shkollimin, ta doni punë dhe të krijoni besim në veten tuaj për të ecur
përpara”!
Të
dashur të pranishëm, edhe ky manifestim është pasuri kulturore e shpirtërore e
jona kombëtare, se kemi marr u ha, por na e sollën të parët tanë:
stërgjyshërit, gjyshërit, prindërit, vëllezërit tanë nga lashtësia
mijëravjeçare e të parëve tanë, deri në ditët tona, ndërsa sot e prezantojnë
rinia jonë nga Tetova, Prizreni dhe Tirana, këtu në Sheshin e Lidhjes Shqiptare
të Prizrenit.
Për
Ne sot, është një ngjarje jashtëzakonisht e madhe dhe historike, sepse për herë
të parë Karnavalet Ilire të Malësisë së Sharrit të Tetovës, zbresin nga
Bozovca, në qytetin historik të lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Për këtë
manifestim kulturor shumë të veçantë, falënderojmë Ministrinë e Kulturës,
Rinisë dhe Sportit, të Republikës së Kosovës, që e financoi këtë manifestim
shumë të lashtë mijëravjeçar, që i mbijetoi kohës atje lartë në thellësi të
Malësisë së Sharrit, dhe z. Lazim Destani, që e ndihmon këtë manifestim përherë
kur e lyp nevoja.
Po
ashtu falënderojmë edhe Institucionet e komunës së Prizrenit dhe të gjithë
atyre miqve që ndihmuan në forma të ndryshme.
Do
mundohem në pika të shkurta të ju sqarojmë aktivitetin dhe brendinë e këtyre
karnavaleve: manifestim kulturor Karnavalet Ilire është shumë i moçëm, është
festë pagane ashtu si ishin edhe paraardhësit tanë ilirët, as kush nuk e din se
kur e kanë fillimin në këto vendbanime. Rregullisht është festuar në katundet e
Malësisë së Sharrit të Tetovës: në Bozovcë, Veshallë, Brodec, Vicë, Sellcë,
Shipkovicë, Lisec, Gajre, katundeve rrëzë malit Sharr, andej nga Korabi e
Krahina e Lumës, këndej nga katundet e Krahinës së Opojës, katundet e Vrinit e
të Prizrenit e rreth e përqark e më gjerë, por, me emra të ndryshëm:
“Vasalicat” në Malësinë e Sharrit, në Opojë “Gogolët” në Vrin “Plakzat”, dhe në
Jug të Shqipërisë “Llazore”. Më së voni ky manifestim ka gjallëruar vetëm në
katundin Bozovcë, për të fundit herë është mbajtur më 03 janar 1980.
Me
fillimin e demonstratave në Kosovë, çdo aktivitet kulturor, sportiv të
trashëgimisë tonë u ndërprenë me ligj nga regjimet e atëhershme sllave dhe i
etiketuan me lloj-lloj emërtimesh, si: “Nacionaliste, irredentiste”.
Në
vitin 2009 i riorganizuam përherë të parë në katundin Bozovcë, pra pas 28
vitesh ndërprerjesh, Nga viti në vit filloi të rritet e të marrë përmasa më të
gjera. Në mars të vitit 2016 krahas manifestimit organizohet edhe tryeza
shkencore për Karnavalet Ilire në katundin Bozovcë. Më 10 mars 2018 në Tetovë
organizuam tryezën e dytë shkencore për Karnavalet Ilire, sepse ishte viti
jubilar i këtij manifestimi, pra dhjetëvjetori i Krnavaleve.
Këto
karnavale se kanë një ditë të caktuar të organizimit, por kanë një periudhë ku
mund të organizohen. Pra, mund të organizohen nga 25 dhjetori, pra kur fillon
të zgjatet dita e deri më 14 mars, e më së voni deri më 21 mars.
Të
rinjtë dy a tre ditë përpara janë grumbulluar për të caktuar datën dhe vendin e
nisjes dhe ndarjen e roleve, sepse këta janë institucion në vete; Cili do të
bëhet plaku e plaka, cilët ndihmësit e plakut, vëzhguesit e grupit, cilët do të
luajnë rolin e nuseve, vajzave e cilët do të ngjyrosin fytyrën me pluhurin e
gacave e cilët do të maskohen me maska nga lëkura e bagëtive e cilët do të
vishen me gëzofa, ferexhe, lurka e cilët do të jenë kombëtarët dhe si duhet të
sillen me fëmijët, pleqtë e plakat dhe mysafirët e rastit. Numri më i vogël i
karnavalistëve mund të jetë deri në pesëmbëdhjetë anëtarë, e numri më i madh
mund të kalojë numrin e tridhjetë anëtarëve, që simbolizojnë familjet tona patriarkale.
Si zakon ka qenë anëtarët e karnavalistëve patjetër të jenë të përfshirë nga të
gjitha lagjet e katundit. Nëse ka ndodhur që në një lagjen s’kanë ftuar ndonjë
anëtarë, atëherë karnavalistët janë penguar të futen në këtë lagje.
Karnavalistët
me vete kanë strajcën të mbushur me hi dhe shkopin, pra dy armë të lashta
luftarake, po ashtu kanë edhe një kalë të bardhë të cilin e kanë zëvendësuar me
gomar. Kali ka shërbyer si ndihmë për grabitjen e vajzës për nuse dhe për
bartjen e dhuratave të ndryshme që ju dhurojnë zonjat e shtëpive, kurse hiri
dhe shkopi kanë shërbyer për vetëmbrojtje të grupit. Më parë kundërshtarëve,
atyre të cilët kanë tentuar me e grabitur vajzën për nuse, ju kanë hedhur hirin
syve, pastaj e kanë sulmuar me anë të shkopinjve. Pra grabitja e vajzës për
nuse është traditë e jona shumë e moçme, pra e lashtë qysh nga koha e
paraardhësve tanë Ilirët. Ai djalë që është martuar me të grabitme të vajzës,
është llogaritur djalë shumë i zot trim dhe i dinjitetshëm.
Manifestimi
gjithmonë ka nisur herët në mëngjes, sa fillon të zbardh dita. Karnavalistët
kanë rregullat e ecjes. Të parat me defa në duar ecin vajzat, pas tyre, plaka,
pas plakës nuset e pas nuseve plaku e kështu me radhë, pra një traditë tipike
shqiptare. Gjatë rrugës karnavalistët sa më shumë lëvizin për me u dëgjuar sa
më fuqishëm kumbonat për të lajmëruar se e përcollëm, pra e dëbojmë dimrin
stinën e kaosit dhe lajmërimin se erdh pranvera. Pra Pranvera është stinë e
përtëritjes, stinë e pjellorisë, stinë e gjallërisë. Pra dëbimin e të keqes,
dëbimin e shpirtrave të këqij, dhe hapje rrugë për të mirën, të një jete të re,
ku gjallëron populli e natyra, bilbilat kudo këndojnë, buqit lërojnë e mbjellin
të lashtat, shpezët shtegtare kthehen në folet e të parëve, që është një mesazh
i fuqishëm edhe për diasporën tonë, e të tjera.
Karnavalistët
janë futur në çdo shtëpi apo lëmë të çdo shtëpie dhe aty kanë kënduar djalin e
fejuar, që e kanë në kurbet, ushtar dhe këngë beqarie e të tjera. Kurse zonjat
e shtëpisë për këtë ditë kanë treguar një solidaritet të jashtëzakonshëm, kanë
ndarë kafshatën e fëmijëve që të mos dalin duar bosh karnavalistët nga pragu i
shtëpisë, ato ju dhurojnë: mish, pastërma, fasule, miell, vezë, tëlyen, sheqer
e shumë rrallë para. Pra një traditë e moçme e jona. Me këto produkte ushqimore
për në mbrëmje kanë përgatitur në një shtëpi ushqim, ku kanë hëngër bukë, kanë
kënduar dhe ushqimin që ka tepruar, jua kanë ndarë atyre anëtarëve që kanë
pasur nevojë më shumë, ose ju kanë dhuruar te disa familje më në nevojë. Pikërisht,
nëpërmjet këtij manifestimi të Karnavaleve Ilire gjejmë të gjitha këto elemente
të lartpërmendura: Bashkëpunimin, tolerancën, solidarizimin, dinjitetin dhe
sakrificën, virtyt të popullit tonë shqiptarë.
Frutë
i këtij karnavali jeni Ju sot këtu, janë ata që do na ndjekin nëpërmjet
mediumeve, janë këta të rinjtë e këta të reja që prezantojnë e na sjellin
copëza jete nga rrënjët tona Iliro-Pellazge dhe se jemi autokton në këto troje.
Të
dashur vëllezër e motra, këto maska të ndryshme, të cilat i shihni sot në
fytyrat e këtyre djemve të rinj, e vajzave të reja s’ janë importim, apo
huazuar nga popujt e tjerë, s’janë as të rrezikshme e të dëmshme për askënd, as
nuk i bëjnë keq askujt, as popujve të tjerë e aq më pak fesë, pra nuk nxitin
urrejtje ndër fetare, e as ndërnacionale, sepse janë maska e veshmbathje nga e
kaluara jonë dhe veshmbathjet tona kombëtare dhe, nëpërmjet tyre, shpalosim
kulturën tonë, lashtësinë tonë, humorin dhe ritet tona, që sot e kësaj dite i
gjen gjithandej trojeve tona, pikërisht nëpër dasma e ahengje e në veçanti
natën e kënasë – vajzat që përgatiten për nusëri: Pra, ca vajza vishen dhe
maskohen për të imituar vjehrrin, vjehrrën, kunetërit, hallat apo tezet e
vajzës që shkon nuse.
Këta
nuse e këta vajza të gjinisë femërore që i shihni në këtë karnaval, kurrë
s’kanë qenë traditë e këtij manifestimi, por ne këto i kemi futur qëllimisht si
pjesë e këtij manifestimi nga viti 2016, me këtë arsyetim: telehisja e nuseve
si një traditë dhe pasuri e jona e trashëgimisë shpirtërore e kulturore edhe
pse është praktikuar deri në fund të shekullit XX dhe më s’praktikohet, për mos
me u zhdukur e me i kaluar harresës, qëllimisht e kemi futur si pjesë e këtij
manifestimi.
Këta
festa rezistuan me shumë vështirësi pa u mposhtur plotësisht nga pushtuesit e
pamëshirshëm dhe propagandës së tyre për t’ju dhënë karakter fetar e përçarës,
që edhe sot e kësaj dite s’pushojnë.
Të
duam traditat kulturore si ajrin, ta duam gjuhën si dritën e syve, ta duam
shkollimin si dritën e diellit, ta duam kombin dhe atdheun si zemra gjakun!
Nga
ky Shesh i lidhjes së Prizrenit, ju bëjmë thirrje Qeverisë të Republikës së
Shqipërisë, Qeverisë të Republikës së Kosovës dhe Shqiptarëve në qeverinë e
Republikës së Maqedonisë së Veriut këtë manifestim ta shpallin festë kombëtare.
Një vit të mbahet në Shqipëri, një vit në Kosovë dhe një vit në Maqedoninë
Veriore.
Ju
faleminderit që më dëgjuat!
Momente
të këndshme ju dëshirojmë!
27 shtator 2024