| E premte, 07.02.2025, 07:57 PM |
NJË
VETMI E BUKUR
Nga
Timo Mërkuri
I-Të
shkruash për vetminë në kohën e sotme është gjeja më e zakonëshme edhe për
arsyen se tashmë ajo është bërë një karakteristikë e jetës, shkaktuar nga
prishja e strukturës sociale të jetesës në vend si pasojë e emigracionit masiv.
Këndohet për vetminë e prindërve pleq, të mbetur vetëm në fshat e qytet, për
vetminë e nuseve të reja me burrat në emigrim, vetminë e vajzave të pamartuara
duke shfaqur jo vetëm statusin social-shoqëror por edhe dhimbjen karakteristike.
Mirëpo kjo poezi e Alma Brajës ka një veçori (moderne) sepse vetmia nuk i
atribuohet një individi me identitet të qartë gjinor. Kjo mungesë e
specifikimit gjinor evidenton karakteristikën universal të poezisë, ajo
nënkupton se vetmia nuk është e kufizuar nga përkatësia individuale, por është
një gjendje ekzistenciale që mund të përjetohet nga kushdo. Në vend që të fokusohet
te një subjekt i caktuar,prind,vajzë,djalë, poezia përqendro-het në përmasën
shpirtërore të vetmisë, duke e kthyer atë në një përvojë universale njerëzore.
Gjithashtu
kjo munges e statusit gjinor e bën poezinë më abstrakte dhe më të hapur për
interpretime të shumta, pse vetmia këtu nuk është thjeshtë një ndjenjë e lidhur
me përvojën e një gruaje apo një burri, por një dimension i qenies që e
përfshin çdo individ në mënyrë të barabartë.
II-
Tipike është se poezia "Kështu vetmi" e Alma Brajës e trajton vetminë
si përvojë të brendshme, që nuk përkufizohet nga një izolim i jashtëm, nga një
mbetje e vetmuar e heroinës psh, por nga një zhytje në territoret e errëta të
vetvetes. Nuk është një vetmi pasive, por ndryshe nga përvojat e para nëpër
ambientet rurale, kjo është një vetmi dinamike, një lëvizje e heshtur përmes
hapësirave të brendshme të heroinës. Përmes një ndërtimi poetik të imazheve të
errësirës, dritës që verbon dhe pasqyrave të padukshme, poezia jep një qasje të
veçantë mbi mënyrën se si vetmia transformon përjetimin e realitetit.
1.Vetmia
nuk përjetohet si një ndarje nga bota, por si një proces i brendshëm ,si një
depërtim në ekzistencë gjë që duket te vargu:"Kështu u fute netëve heshtur në vena / I hape si hapen dyert e një
korridori të errët..." ku shohim vetminë si një hyrje në një errësirë
jo të jashtme, por brenda qenies njerëzore, brenda botës shpirtërore të
heroinës. Akti i "hyrjes në vena"
sugjeron se vetmia depërton në thelbin e individit, duke u bërë pjesë e tij.
2.
Zakonisht, drita simbolizon ndriçimin dhe njohjen, por këtu ajo ka një funksion
të kundërt, ajo nuk ndriçon, por verbon:"...
e drita nga jashtë të verbon." pse në vend që të ndihmojë subjektin të
shohë më qartë, drita bëhet një pengesë. Këtë dukuri e kemi ndjerë shpesh herë,
psh gjatë qëndrimit në një ambient të mbyllur dhe befas dalim në dritën e
diellit, e cila na vërbon sytë dhe detyrohemi ti pulitim qepallat ose ti
mbyllim fare sa të normalizohet shikimi. Kjo dukuri ndodh edhe në botën e
brendëshme shpirtërore pse ndonjëherë, edhe kur ndriçimi i jashtëm ekziston, ai
nuk arrin të largojë errësirën e brendshme. Përkundrazi, mund ta bëjë atë
errësirë edhe më të fortë, duke e theksuar humbjen e orientimit. A e kini venë
re, një njeri i palexuar dhe i paditur ndjehet akoma më i paditur në një
ambient të diturish.
3.Ndonëse
subjekti ndjehet i burgosur në vetminë e tij, ai përjetohet si një qenie që
lëviz në mënyrë të pakuptueshme: "Lëvizje
përbrenda e lidhur me frymën që hynte e dilte / dhe jepje përshtypjen e
fluturimit.", pra vetmia nuk është vetëm statike, por ka edhe një
dinamikë të brendshme. Megjithatë, kjo lëvizje nuk është e vërtetë, reale ajo
është thjeshtë një perceptim, një "përshtypje
e fluturimit," duke e thelluar kështu ndjesinë e iluzionit dhe
mungesës së përmbushjes.
4.A
e kenui venë re, në vetmi, njeriu përjeton një pasqyrim të deformuar të vetes,
një identitet që nuk mund të kapet plotësisht, ndjehet mw i pa aftw, i pazoti
etj, dukuri të cilin poetja e paraqet me elegancë: "Si të shihje veten pasqyrave thuaj të padukshme të territ / Dhe
shëmbëlltyra kaq e pamjaftueshme." ku pasqyrat e padukshme
simbolizojnë përpjekjen për vetënjohje, por kjo rezulton si një përpjekje e
destinuar për të dështuar. Vetmia asnjëherë nuk e ndihmon subjektin të njohë më
mirë veten, por përkundrazi, i lë atij ndjesinë e pamjaftueshmërisë dhe të
zbrazëtisë. Vetmia është shumë e rrezikëshme, ajo mund të çojë njeriun në
lëndime ekstreme të vetes.
5.Poezia
përmbyllet me një varg të vetëm:"Kështu vetmi..." e cila e shndron
poezinë në një dialog të heroinës me vetminë, pavarësisht se flet vetëm
heroina. Këtë dialog e dëshmon pikërisht ky varg i cili ka formën e një
pyetjeje, të cilës jo rastësisht poetja nuk i ka vënë pikpyetje në fund me
qëllim që të zgjerojë gamën e interpretimit. Psh kjo thjeshtësi e shprehjes
mund të hamendësojë një një pranim të heshtur të vetmisë si realitet të
pashmangshëm. Nuk ka asnjë përpjekje për ta luftuar apo kapërcyer atë; vetmia
thjesht ekziston dhe vazhdon të jetë pjesë e qenies, ku vetmia nuk është
thjesht boshllëk, por një hapësirë e mbushur me perceptime të dyshimta dhe të
paplota.
Sinqerisht
është një vetmi e bukur poetikisht që ja vlen ta lexosh me vëmëndje dhe nuk i
reziston dot dëshirës për ta komentuar.
Sarandë, më 05.02.2025
VETMI
Kështu
u fute netëve heshtur në vena
I
hape si hapen dyert
e
një korridori të errët
e
drita nga jashtë të verbon.
Nuk
kishe krahë ëndrre.
Lëvizje
përbrenda
e
lidhur me frymën që hynte e dilte
dhe
jepje përshtypjen e fluturimit.
Kështu
u fute netëve heshtur...
Si
të shihje veten
pasqyrave
thuaj të padukshme të territ
Dhe
shëmbëlltyra kaq e pamjaftueshme.
Kështu
u fute netëve
Në
shëmbëlltyrë të pamjaftueshme.
Kështu
vetmi...