| E merkure, 05.02.2025, 07:53 PM |
POEZIA VIZUALE NË “DORËSHKRIMET E FSHEHTA TË BURGUT”
-
Nga Avan Garde e Apollinaire te burgu i Visar Zhitit -
Nga
Qemal Agaj
Ky
shkrim botohet me rastin e shpalljes së 28 Janarit, ‘’DITA E LIRISË’’ nga
qyteti i Çikagos, në përkujtim të ditës së daljes nga burgu të poetit Visar Zhiti , 28 Janar, 1987.
Gjatë
leximit të poezive të burgut të poetit, Visar Zhiti, më tërhoqën vëmendjen disa
poezi, që ashtu si ishin shkruar, krijon imazh, pra, në formën e
Kaligramave. ( CALLIGRAMMES ). Në
pasthënien e librit Dr. Luan Topçiu shkruan: ‘’ E krijuar si një krijesë e
ndaluar, e rrezikshme, kanosëse, e paparashikuesshme, joshëse deri në aventurë,
mikluese deri në mëkat, poezia e Visar Zhitit e krijuar në burg afërmendsh që
nuk ishte një produkt komod profesional, por një përpjekje, një akt guximtar, një
kapërxim, një hop mbi kufijtë e dhënë dhe të njohur.’’
Që
në kohën e shpellave, vizatimet prehistorike na mësojnë, se arti është
perceptim i jetës që na rrethon.
Dhe
fakt është se shoqëria e Apolinerit me artistët përreth tij nxiti fantazinë e
tij për të krijuar një formë të re origjinale për të shprehur poezinë. Në këto
rrethana, në 1914, botoi për herë të parë një grup prej tyre me titullin, ‘’E
t m o i
a u s s i j e s u i s s
a p a i n t r e.’’ (Dhe unë
gjithashtu jam një piktor.) Subjektet e tij, mes të tjerave ishin, Kulla Eifel,
Zonjushë me kapele të modës, Shatërvan etj.
Por
ç’është Kaligrami?
Vetë
termi vjen nga greqishtja: Calli - E bukur, e mirë Gram - Diçka e shkruar.
‘’Calligrammes’’, janë poezi, ku renditja e fjalëve krijon një
imazh, që trasmeton (bart) në një formë vizuale atë për çka poezia flet. Kjo
teknikë është përdorur për herë të parë nga Guliem Apoliner (Guillaume
Apollinaire, 1880 – 1918), që konsiderohet poeti, kritiku i artit më i
shquar i viteve të para të shek. 20-të.
Ngjashmëria
e disa poezive të Apollinaire me ato të Visar Zhitit më habiti. Për të krijuar
një lidhje me mikun tim, Visar Zhiti, përpara se t’a bëja subjekt të një
bisede, i nisa librin e Apolinerit, ‘’CALLIGRAMMES’’, botuar për herë të parë
në 1918.
Instiktivisht
më lindi pyetja: Si ndodh që një poet, në kohë dhe vend tjetër, në rrethana të
ndryshme, (I pari në Paris dhe i dyti në një burg komunist në Shqipëri) pa
asnjë njohuri apo kontakt me poezitë e të parit, të përdorë të njejtën teknikë
poetike?
Guliem
Apoliner u formua si artist në Paris, ku ashtu si Firence në fund të shek.
15-të dhe fillim të shek.16-të, filloi të tërheq një masë artistësh dhe
intelektualësh. Parisi u bë qendra e artistëve më të shquar të shek. 20-të,
duke u bërë kështu sinonim me epokën e shquar të Rilindjes Italiane.
Në
këtë kryeqytet të Kulturës dhe Artit
Modern Europian jetonte Apolineri, i rrethuar nga elita e artistëve më të shquar të kohës, si
Picasso, Raul Dufy, Vlaminck, George Braque,... koleksionistes amerikane,
Gertrude Stein, poetit, Max Jakob. Mik i ngushtë me Faik Konicën, për të cilin
do të shkruante: ‘’Nga njerëzit që kam takuar dhe që unë e kujtoj me admirimin
më të madh, Faik Bej Konica është një nga më të pazakonshmit.’’
Ndërsa
poeti Visar Zhiti u burgos në Shqipërinë e mbyllur, diktatoriale të pas Luftës
së Dytë Botërore, ku në letërsi dhe arte sundonte Realizmi Socialist. E
arrestuan në nëntor, 1979, me akt-akuzë poezitë e tij, të trishtuara dhe
hermetike, kundër regjimit dhe diktaturës. Lexojmë që poezitë pjesërisht i
memorizoi në qelinë e hetuesisë dhe më
pas i shkroi fshehurazi gjatë kohës në burgjet e Spaçit dhe Qafë barit, mes
maleve, rrethuar me tela me gjemba dhe ndën mbikqyrjen e rojeve të armatosura. Jeta ishte më e errët
se vet errësira. Nga galeritë nëntokësore, në fjetoret e ftohta dhe prapë në
galeri... Mall për pak diell.
Burgjet
komuniste nuk ishin një ambjent i lehtë për të shkruar, për të mos thënë i
pamundur, pa momente qetësie, edhe liria e imagjinatës ndalohej. Vetë të
mbijetuarit ishte në rrezik, dëshira për të krijuar duhej të ishte e fundit në
ato kushte violente dhe abuzive.
Në
burgjet komuniste Poeti u përball me të pasigurtën dhe rrezikun, mbikkqyerjen e
rreptë, pamundësinë për të ndarë me bashkë të burgosurit opinione, kështu
lexojmë. Por kjo nuk ndodhi me Visarin dhe shokët e tij. Poezia i shërbeu si
forcë kundërvenëse dhe mbijetese. Dhe çudia, ai krijon dhe aty të bukurën. Dhe
si Apollinaire na ka dhënë disa poezi që vizatojnë, kaligrame.
Njëra
ka formën e gijotinës,’’VIZATOJ NJË GIJOTINË,’’, tjetra të litarit të një
gracke a të ekzekutimit me varje “LITARI I GRACKËS’’, të një tabele, ‘’NDALIM
KALIMI’’ - të germës V shkruar në tre
gjuhë: Victory, Vittoria, Victoire – dhe më e dhimbshme, - do të thosha profetike -
poezia, ‘’HARTA E ATDHEUT TIM‘’ me konturet e Shqipërisë së sotme.
Andrea
Dushi në prezantimin e librit shkruan: ‘’Dorëshkrimi që kisha para syve kalonte
përtej dëshmisë, sepse veçoria e tij nuk rrinte vetëm te autenticiteti, ishte më shumë se aq. Çka së
pari më erdhi në mëndje që këto ishin martire. Duhet të rilindin, për të marrë
vendin që u takon në altarin e shenjtë të
Letërsisë.’’
Dramaturgu
i shquar Irlandes, Shan O’Keisi (Sean O’Casey), mik i ngushtë i fotografit të
famshëm me origjinë shqiptare Gjon Mili, kur ishte fjala për lirinë e të
shkruarit, me zë të fuqishëm ka deklaruar: ‘’Bukuria, zjarri dhe poezia e
dramës po zbehen nga një stuhi realizmi të shtirur. Leri zogjtë të fluturojnë
në qiell, kafshët të enden në xhungël, peshqit të notojnë në det, na lini ne të
kemi Art në Teatër... Kështu në djall me të ashtuquajturin realizëm, sepse nuk
të çon asgjëkundi. Artisti duhet të jetë ku është jeta, jeta aktive, që nuk
gjendet në kullën e fildishtë, as në bunkerin e betonit; Ai duhet të dëgjoj çdo
gjë, duhet të shoh çdo gjë, duhet të analizoj gjithëçka.’’
‘’Vazhdoi
të shkruajë me një çmënduri magjepsëse,’’ kujton e shoqja e Visarit, Eda. ‘’Ato
ruajnë shenja dhe pllanga si gjak i tharë. Ku i fshihte? Vetëm Ai e di, tek
kashta e dyshekut, tek thesi i ushqimeve, tek këpucët? E më saktë e dinë ata të
burgosur, miq të Visarit, që ashtu siç sakrifikonte dhe familja, rrezikonin për
t’i ruajtur, ndokush duke i mësuar përmendësh, siç dëshmojnë. Dhe Visari
vazhdonte të shkruante.’’
Por
qëllimi i këtij shkrimi nuk është të prezantoj librin e Poetit, ai tashmë është
në duart e lexuesit, por të evidentoj të përbashkëtën dhe të veçantën mes dy
poetëve në teknikën poetike, ‘’Calligrames’’, që na rezulton se i dyti, Visari,
nuk ka patur njohje të tyre, të të parit, Apollinaire, pra janë jashtë çdo
influence apo imitimi, ato janë po aq autentike dhe krijime origjinale, se i ka
nxjerrë një mjedis dhe fat i caktuar.
Për
të shpjeguar këtë subjekt, do të thosha intrigues, më vjen në ndihmë një botim
special i TIME, me titull,
THE
SCIENCE OF CREATIVITY
Sipas
Richard Jerome (Editor dhe autor i TIME, Inc.) në
introduksion, ‘’Termi Creativity, mbart
një lloj aurore mistike. Forca e saj
speciale është e mbushur me një nuancë hyjnore. Mbi të gjitha, krijimi është
fjala e parë e Biblës.
‘’
At the begining GOD Created... Dhe prap me gjithë tonet Metafizike dhe
Teologjike, Krijimtaria është gjithashtu cilësia më themelore e
njeriut.’’
Pa
dyshim kjo nuk vihet në diskutim. Ishte shpirti krijues i këtyre dy Poetëve, që
arritën të krijojnë një formë të re të shprehuri, bazuar në rrethanat e këtij
momenti krijues, por në kushte diametralisht të kundërt.
Ja
pse në subjektet e Kaligramave të tyre nuk gjejnë ngjashmëri në përmbajtje, por
ato kanë të përbashkët krijimin origjinal, anën vizuale. Nuk është e habitshme?
‘’Creativity
është në fakt,’’ - shkruan fituesi i Pulitzer Price, biologjisti Edwar O Wilson
në librin e tij, ‘’The Origins of Creativity‘’ - ‘’një shtytje drejt kërkimit
të origjinalitetit, që merr impulse nga
pasioni i njeriut për diçka të re, në zbulimin e realiteteve dhe proceseve të
reja, në zgjidhjen e sfidave të vjetra
dhe kënaqësi për pamje të reja’’
Antropologjisti
i Universitetit Notre Dame, autor i, ‘’How Imagination Made Human’s Exeptional’’, Augustin Fuentes,
e shpjegon fenomenin në këtë mënyrë: ‘’Me pakë fjalë, esenca e krijimit është
të shikosh botën që na rrethon si është dhe përfytyro mundësira të tjera dhe
pastaj të kthesh këto përfytyrime në
realitet.’’
Dhe
më kujtohet kjo thënie e Pikasos: ‘’Ka njerës që shikojnë diçka dhe pyesin;
Ç’është kjo? Ka disa të tjerë, që shohin diçka dhe thonë: Çfarë mund të
bëhet me këtë ?
‘’Novacionet
më tërheqëse në art, shkencë dhe në të tjera fusha, - vazhdon antropologjisti,
nuk lulëzojnë nga një vakum. Të gjithë krijuesit edhe ata më të shquar,
tërhiqen pas punës të të tjerëve, influencohen me ndërgjegje ose jo nga ç’ka
ardhur më parë,’’
‘’Two
painters, two women, two portrets – one fascinating story of artistic
influence,’’ titullohet analiza e portreteve ,’’ Madame Moitessier’’ nga Jean
ingres (1856) dhe ‘’Woman with a Book’’, nga Pablo Picasso (1932), nga Susan
Stamberg.(Gazetare, analiste arti)
Thuhet
se kur janë komentuar ngjashmëritë mes
dy portretev, Pikaso ka thënë: ‘’Lesser artist borrow; great artists Steal’’.
Termi ‘’Vjedhje’’ është më pranë
imitimit apo influencës, shkruan Stamberg. Por po ashtu duke i studjuar
dy portretet, gjenden ngjashmëri dhe diferenca.
Diferencat më saktë qëndrojnë në teknikën e të pikturuarit. ‘’Madame Moitessier’’, u pikturua në 1856 dhe
i mori piktorit 9 vjet të mbaroi portretin, ndërsa, ‘’Woman with a Book’’ në
1932, në kulmin e artit Modern dhe u përfundua në jo më shumë se dy ditë.
Piktori
ilustrues Frances, Serge Bloch, është më
i qartë në fenomenin e influencës dhe imitimit, kur shkruan: ‘’Krijimi është
arti i kombinimit të një ideje të vogël me një tjetër ide të vogël. Ju mund të
keni një tjetër ide të vogël e kështu me rradhë... së fundi ndoshta një ide e
madhe mund të shfaqet.’’
Nëqoftëse
Apolineri u influencua nga arti i piktorëve që e rrethonin dhe deklaroi, ‘’Unë
jam një piktor gjithashtu’’ kjo s’kishte si të ndodhte me poetin Visar Zhiti.
Gjasat ishin të pamundura. Po kaligramat e tij janë. Ç’i nxori ato?
Patjetër
që janë frut i aftësive imagjinative, i fuqisë së penës dhe penës së tij të
fuqishme, ato janë prodhim i kushteve dhe rrethanave në të cilat ai i krijoi.
Ato janë krijime origjinale. Kjo është e veçanta e tyre. Burgu
i Spaçit mes maleve ka qenë si një gijotinë dhe ashtu do të duhej të shkruhej,
që imazhi të jepej. Dhe Visari duhej të
vizatonte me fjalët.
Guillaume APOLLINAIRE dhe influenca
e Tij në
lëvizjen ‘’AVANT GARDE‘’
Guillaume
Apollinaire, pseudonim i Wilhelm Apollinary Kostrowicki, lindi në Romë, në 26
Gusht 1880. Djali ilegjitim i një gruaje aristokrate me origjinë Polake. I jati nuk dihej, por flitej se ishte
një oficeri Italian. Po ashtu kishte
zhurma se i jati ishte një kardinal dhe për këtë Picasso me shaka e
quante bir të Papës. Vet Apolineri kurrë nuk e njohu atin e Tij dhe asnjëherë
nuk e përmendi.
U
rrit dhe u edukua në Monako. Erdhi në Paris në 1897 dhe menjëherë u bë një nga
më të njohur anëtarë në komunitetin artistik në Montmartre dhe Monparnasse. Në
1904 u njoh me Pikason dhe poetin Max Jakob në kafenenë, Closerie des
Lilas. Pikaso, Max Jacob dhe
Apoliner u lidhën në një miqësi që influencoi në artin e secilit.
Takimet e tyre dhe të tjerë artistëve në studion e Picassos në Montmartre ishin
aq të shpeshta, sa Pikaso shkroi në derë, ‘’Vend Takimi i Poetëve.’’
Apolineri
ishte bashkëpunëtor në periodiket si, L’ Europien, Le Mercure de France,
ALBANIA, La Revue Blanche dhe La Plyme. U njoh me Faik Konicën nëpërmjet një
artikulli që ai shkroi dhe u botua në periodiken, ’’L’Europien’’.
Faik
Konica në moshën 22 vjeç, 1897, filloi botimin në Bruksel të gazetës, ALBANIA,
që shpejt u bë organi më i rëndësishëm Shqiptar jashtë Atdheut. Në 1902 Konica
vendoset në Londër dhe vazhdon publikimin nga Londra deri në 1909. Apolineri
qëndroi me Konicën në Londër gjatë viteve 1903–1904. Mardhëniet e tyre u
ndërprenë kur Konica emigroi në USA, në 1909.
Robert
Elsie shkruan në ‘’An Introdukction to Faik Konica’’, që Konica, jo vetëm e priti Apolinerin në
Londër, por duket që ndërmjetësoi në një, ‘’Affair de Coer.’’
Në
1909 botoi përmbledhen e parë poetike, ‘’L’ Enchanteur Pourrissant’’
Në 7 Shtator, 1911 u arrestua dhe u burgos si i dyshuar në vjedhjen e
Mona Lisa në Muzeun e Luvrit, por u lirua pas një jave për mungesë provash.
Vjedhësi i Mona Lisa, Vincenzo Perugia,
u zbulua në 1913 në Firence.
Emri
i Guliem Apolinerit është sinonim i rritjes në fillim të shek. 20-të i
lëvizjes, ‘’Avant Garde’’. I përhershëm në takimet e artistëve në
‘’Parisien Cafe Society’’, u bë shok me me shumë artistë
Bohemian, të së ashtuquajturës, ‘’School of Paris’’. Duke mos qënë piktor, as
dhe i shkolluar në Histori Arti, ai ishte një entusiast i palodhur i
Modernizmit. Me artikujt si kritik arti në revistën e Tij, ‘’Les Soirees de
Paris’’, bëri më shumë se çdo shkrimtar
tjetër i gjeneratës së tij në njohjen dhe stabilizimin e legjendës të disa prej
artistëve më të shquar të shek. 20-të.
Arti
Modern përfaqëson një përmbledhje idesh dhe mendimesh mes një numuri piktorësh
dhe skulptorësh, fotografësh dhe shkrimtarësh – ku secili dhe të gjithë
sëbashku – gjetën një përgjasim në
zhvillimin e Artit. Parisi në mënyrë të veçantë, si Firence në Rilindjen
Italiane (mund të hiqet, duket e përsëritur) ishte epiqendra e kësaj lëvizje.
Ishte
një këndvështrim i ri, ku gjenerata e re e artistëve në Paris u përfshi në valë
entusiazmi. Zhvillimi i shpejtë i industrisë dhe progresi i teknologjisë, vunë
në lëvizje artistët të prezantojnë botën në rrugë dhe mënyra novatore.
Rezultati ishte një art, që mori ngjyra të reja, alternativa dhe eksperimente
në abstraksion. Madhështia kulturore që
rezultoi nga fermenti i ri është e njohur.
Krejt
papritur njeriu modern u duk sikur po jetonte në një kontekst ndryshe nga i
vjetri, nga bota e ngadalshme e shek. 19-të. Aftësia e tij për të përdorur me
shkathtësi ambjentin rrethues dhe kapaciteti për shndrrime të reja ishte rritur
pafundësisht. Tani ai ndihej mjeshtri triumfues i të ardhmes së tij. Nuk ishte
surprizë që ky sensibilitet i ri do të
sillte një ritëm të ri në artet dhe një dëshirë për shndrrime artistike. Të
gjitha lëvizjet e reja provuan se format
artistike të së shkuarës, nuk ishin të mjaftueshme për të shprehur shpirtin e
ri dhe duhej në mënyrë radikale të rinovoheshin.
Por
shumë besojnë se erdhi me një anë të errët po ashtu. Një kaos rrymash
artistikesi, Fovizmi, Kubizmi, Dadaizmi, Surealizmi, Futurizmi...pushtuan
artin. Në këto rrethana kompozitori i shquar me origjinë Ruse, Igor Stravinski
shkroi, ‘’ Arti është e
kundërta e kaosit. Arti
është një kaos
i organizuar.’’
Studjuesit
e Artit e përshkruajnë Apolinerin si më mjeshtri novatori i lëvizjes,
‘’Avant Garde ‘’, jo vetëm se idetë e
Tij ishin më origjinale, por sepse Ai kishte aftësi krijuese të transformoi
konceptet estetike, të krijoj një formë të re arti thellësisht origjinal në
konceptim dhe formë dhe i çliruar nga imitimet.
E
pamohueshne që Apolineri ishte inkurajuar në mendimet e tij nga fragmentarizmi
i pikturës Kubiste, në mënyrë të veçantë nga Pikaso. Çfarë Ai admironte më
shumë në pikturat e Pikasos, ishte imagjinata, guximi i piktorit për t’u
shkëputur nga konceptet e mëparshme në pikturën Perëndimore. Ai e përshkruan
Pikason në , ‘’Les Paintrees Cubistes’’
si një figurë heroike, që guxoi të përçaj rregullin e stabilizuar të Universit
dhe t’a arranxhoi atë si mendonte Ai se duhej. ‘’Revolucioni, që vetëm Ai
arriti, është se bota tani është në imagjinatën e Tij, ‘’ shkruan Ai.
Ishte
Apolineri që e prezantoi George Braque
me Pikason në 1907. Të dy filluan të punojnë sëbashku, bashkëpunim ky, që i dha
drejtim një rrryme të re në art, Kubizmit.
Mbështetja e Apolinerit për Kubizmin i dha Atij reputacionin si kampion
i publikimit të artistëve më të shquar të kohës. Në shumë drejtime Ai u bë një
version i Giorgio Vasarit, që bëri aq shumë në publikimin e Artistëve të
Rilindjes Italiane.
Botimi
në 1914, i përmbledhjes poetike, ‘’ALCOOL’’(Alkol),stabilizoi reputacionin e
Tij si një poet i shquar modern. I çliruar nga çdo rregull i të shkruarit
poezi, theu rregullat e vargëzimit dhe nuk përdori shenja pikësimi. Ato e
dëmtojë poezinë, deklaron Ai. Poetika e tij është konsideruar eksperimentale,
sidomos me të ashtuquajturat, Calligrammes, ku aranxhimi tipografik me
mjeshtëri i fjalëve krijojnë një imazh.
Shkrimtari
Amerikan, Roger Shattuk e përshkruan Apolinerin si: ‘’ Një klloun i suksesshëm,
një i shkolluar, një pijanec, një ngrënës, një dashnor, një kriminel, një
katolik i devotshëm, një endacak, një
ushtar.’’
Ishte
ai që futi termin, SURREALISM në leksikun e Artit Modern kur thotë: ‘’Kur Njeriu vendosi të imitoj
ecjen, ai shpiku rrotën, që nuk duket si këmbë. Duke vepruar kështu, pa e
kuptuar, ai ishte duke praktikuar ‘Surealism’. Por po ashtu Pikaso pretendonte se Surealizmi
e mori emrin nga thënia e tij, ku Ai e quan artin, ‘ Një ngjashmëri më e thellë
dhe më reale se vetë realja, kjo është që formon surealen ( Sur–Real). Surealizmi ishte një
lëvizje në art që përdor fantazinë, mitin dhe përfytyrime imagjinare kur krijon
një vepër arti. Në letërsi mund të identifikohet si një tentativë artistike të
lidh sëbashku realen dhe imagjinaren
Apollinaire
angazhohet në luftën e Parë Botërore dhe në 1916 plagoset rëndë në kokë. I
dobësuar pas plagosjes, ndrroi jetë nga Gripi Spanjoll në 9 Nëntor,1918. Menjëherë
pas vdekjes u botua vëllimi poetik, ‘’CALLIGRAMMES : Poems of
Pace and War ‘’
Në
1941, për të nderuar poetin e shquar në emër të Tij, u acordua çmimi , ‘’French
Poetry Prize’’. I jepet autorit për përmbledhjen më të mirë poetike në Origjinalitet dhe Modernizëm. .
VISAR ZHITI dhe
KALIGRAMAT E BURGUT
‘’Bota
i studion librat, por poezitë e klasit të parë, - poezitë e thella, që dallohen
- janë ato të provuara nga ata që i shkruajnë dhe jeta e tyre. Poezitë dhe
materiali i tyre vjen nga jeta e Poetit. Të gjitha poezitë ose çdo krijim
letrar, që nuk lidhet me jetën aktuale dhe njohuritë e vetë shkrimtarit, janë
gënjeshtra.’’
Walt Witman
(The Great Poet’s Character)
‘’Shkenca
e neurologjisë’’, shkruhet në studimin, ‘’ Inmate Poetry’’ nga Robert Johnson
dhe Nina Çhernof ‘’tregon që mendja e njeriut është e kontrolluar nga konditat
në të cilat ai jeton, por në rastin e poetëve të burgut, ka raste që shihet në
një këndvështrim tjetër. Këto mendje,
nga nevoja për të jetuar momente të çliruara, estektikojnë orët e
errëta të burgut duke i ndriçuar me pjesë poetike që ata krijojnë.’’
Kjo
thënie ka parasysh burgjet, ku i burgosuri nuk është i privuar nga të lexuarit
dhe të shkruarit.
Në
rastin e Zhitit ishte krejt ndryshe. ‘’Në fillim nuk i shkrova ‘’, kujton
Poeti, ‘’por i krijova me mend mes mureve ciklopile të qelisë, në vetmi dhe ankth. I thosha me
vete që të sfidoja absurdin, hetuesin dhe boshin.’’
Në
qeli ai ishte i privuar nga çdo lexim dhe të shkruarit ishte jashtë
imagjinatës. Për Zhitin të poetizuarit u kthye në nevojë për të thyer më të
errëtat ditë të jetës, për të sjell pak magjepsje dhe shplodhje në atë ambjent
skëterrë. Ulur vetëm në errësirë për ditë të pafundme, poezia u kthye në mjet
mbijetese dhe komunikimi me botën jashtë. Në gjithë këtë absurditet rrënqethës,
imagjinata e tij kishte një tjetër hov deri në dhimbje dhe tmerr. Te poezia ai
gjeti fuqi për të mbijetuar, të sfidonte, ‘’...absurditetin, hetuesin dhe
boshln ‘’. Edhe veten.
Studijuesit
e mësipërm vazhdojnë: ‘’Pse përdoret poetika si një dritare në eksperiencën e
burgut? Sepse poetika është një formë e veçantë në krijimin e të shkruarit dhe
komunikimit. Poezia i jep drejtim të shprehurit, e detyron shkrimtarin të
zgjedhë fjalën dhe shprehjen më perfekte, për të përshkruar botën. Poezia e
burgut është një dëshmitare rrethanash të veçanta.’’
Nuk
diskutohet që: ‘’..Poezia e burgut është dëshmitare rrethanash të veçanta’’,
por pyetja është, kur fizikisht dhe psikologjikisht i burgosur, a burgosin mendjen dhe imagjinatën e tyre? Ka
ndonjë veti speciale në këto qënie njerëzore, që i bën ata t’u kundërvihen vuajtjeve? Kur, të jesh i burgosur, do të
thotë të jesh i shkëputur nga jeta shoqërore, nga familja dhe shokët. Kështu,
në këto kondita psikologjike, kur censura ekziston në çdo nivel që mund të
imagjinosh, çfarë e motivon një të burgosur të shkruajë poezi?
Dhe
studjuesit në një pikë janë dakord; ‘’ Të shkruarit poezi në burg është një akt
rezistence.’’
Këtë
konkluzion e provojnë poezitë e Zhitit. Por, po Kaligramat? A nuk flasin ato
për më shumë se ‘’një akt rezistence?’’
Fotografi
Gjon Mili i përshkruan ‘’Vizatimet e Dritës‘’ të Pikasos, fotografuar nga ai
vetë, si: ‘’Vizatimet e Dritës janë çaste të Pikassos. Ato zhduken menjëherë sa
lindin. Ato janë shprehje të qarta të vizionit të Artistit. Ato nxjerrin në pah
lidhjen automatike mes dorës dhe trurit, që është baza e shtytjes krijuese të
Pikasos.’’
Atëherë
në rastin e Zhitit, a ishte një vizioni artistik? Që ka shumë mundësi.
Ishin impulse të çastit, shtytur nga
rrethanat dhe nevoja për t’u shprehur në një formë të re, origjinale? Pa
dyshim.
Kur
Picaso pikturoi tablonë, ‘’ Les Demoiselles de Avignon’’ (1907) ishte një
nxitje për të thyer standarted në art dhe botimi në TIME, - që po i referohem -
shpiegon: ‘’Kur artisti thyen standartet për të gjeneruar diçka të re, është
rezultat i diçkaje të veçantë, që rrjedh në trurin e tij. Truri i njeriut punon
në forma konstante, bazat e kësaj gjendjeje evidentojnë çdo gjë që na rrethon
dhe individ të ndryshëm e shprehin atë në forma të ndryshme.’’
Portretet
e tablosë janë influencë e vizitës së një ekspozite të Artit Afrikan në muzeumin Trocadero. Të tjera burime e lidhin
pikturën me të tjera influenca, si skulpturat spanjolle, nga tabloja ‘’Great
Bathers’’ të Cesanne, ‘’The Turkish Bath’’ të Jean- Dominique Ingres, (1892).
Tabloja
u prit me skepticizëm nga shokët e Tij, inkluduar Matisse, Braque dhe vetë
Apolineri, që më pas u bë mbrojtësi më i zjarrtë i artit të Pikassos, më saktë,
Kubizmit. Komentet shkuan aq larg sa të shkruhej: ‘’Arti tradicional është
përmbysur dhe kthyer në tallje, vlerat antike dhe moderne janë shkërmoqur
menjëherë dhe goditur për vdekje para syve tanë.’’(Art of the 20-th Century.)
Por
një person shprehu optimizëm për tablonë, koleksionistja amerikane, Gertrude Stein, kur shkruan: ‘’ Çdo kryevepër arti ka
ardhur në botë me një dozë kërcënimi brenda saj. Ky kërcënim është një shenjë
që krijuesi është duke thën diçka të re, në një mënyrë të re’’.
Ishte
mbi të gjitha ky reagim, që Pikaso e
mbështolli tablonë dhe e hodhi në një cep të studios. Do të kalonin 9 vjetë
(1916), që tabloja të bëhej publike për herë të parë në ekspozitën, ‘’L’art
Modern en France’’ dhe 21 vjet të tjera (1937),
pasi u ekspozua në New York në ekspozitën, ‘’ 20 Years in the Evolution
of Picasso, 1903-1923’’. Në këtë vit,
(1937) Muzeu i Artit Modern, New York (MOMA) e bleu tablonë. Kështu tabloja
fitoi statusin si një nga kryeveprat e Artit Modern.
‘’Studioja
e një artisti duhet të jetë një hapësirë e vogël, sepse një dhomë e vogël e disiplinon mendjen
e krijuesit dhe një e madhe e shpërndanë vëmendjen,’’ ka thënë Leonardo da
Vinçi.
‘’Është
vështirë’’, - shkruan Richard Jerome, editori i TIME në artikullin, ‘’INSIDE
THE CREATIVE SPACE’’ - të hysh në debat
me gjeniun e madh të Rilindjes... por Historikisht’, - vazhdon ai, ‘hapësira
krijuese ka variuar në akord me okupantët e saj, personalitetit të veçantë të
artistit dhe karakteristikat mentale ose
morale që i përkasin një individi të shquar.’’
Unë
do të thosha se është vështirë të hysh në diskutim me Editorin e TIME, (J.R.),
sepse rasti i Pikassos dhe poetit Zhiti, vërtet janë Karakteristë mentale dhe krijuese individësh
të shquar, por ajo që ndanë Poetin nga Piktori
janë RRETHANAT dhe STUDIOJA
ku ato u krijuan.
STUDIOJA...
Çfarë ironie! Ja si e përshkruan vetë
Poeti në librin e tij studimor ‘’ KARTELA
TË REALIZMIT TË
DËNUAR’’:
‘’
Në burg nuk lejohej të jetoje, vetëm të gjalloje si kafshë pune nga kafshët më
të forta se ne, ato me kthetra dhe uniformë polici dhe oficerash, me brirë e
gojë të hapura çapulishëm...Ndryshe nga studiot e shkrimtarëve dhe artistëve,
ato janë tërësisht e kundërta. Studiot e
të burgosurëve ishin fjetoret, të zhveshura dhe të ftohta, me tre radhë
shtretërish të drunjtë njëri mbi tjetrin, ku flinin 50 veta, edhe të sëmurë,
ngjeshur si mos më keq, që i numëronin dhe në gjumë duke goditur me shkop gome
mbi bataniet e kalbura, për të kuptuar në kishte poshtë tyre të burgosur, në
fund të këmbëve ishin leckat që do të vishnin për të shkuar në punë, në galeri,
të (u)shqyer keq, në një si tjetër oxhak (studio)në minerë, ku kishte ca gryka
që quheshin furnele, jo furnella, ku digjeshin nga puna rraskapitëse, diku në
temperaturat 45 gradë C. edhe plus 50-të e diku apo jashtë në borë ishin dhe
minus15-të apo 20-të gradë C.
Janice
Mathie – Heck në introduksionin e botimit në anglisht të vëllimit poetik të
Zhitit, ‘’THE CONDEMNET APPLE’’, shkruan:
‘’Pishtarët
e mitit janë filozofët dhe poetët. Intelekti vetëm nuk mund të ushqej shpirtin.
Intuita ndjenja dhe imaginata mundet... Zhiti çuditërisht mundi të memorizojë
mbi 100 poezi gjatë 5 muajve në izolim! Kjo ishte një mënyrë të përqëndrojë
energjitë e tij, të mbaj mendimet dhe
veten të kthjellët...Me poezitë, emocionet u bën pjesë përbërëse e atij vetë
dhe ishin ndën kontrollin dhe zotërimin e tij. Në këtë mënyrë Ai ishte në
gjendje të duroj realitetin e hidhur të burgut dhe ishte në një sens, i zoti
të krijoj realitetin e vet. Ai e pa
veten si, më shumë se një numur.’’
Por
le të kthehemi te Kaligramat. Për Zhitin
të shkruarit poezi ishte pasion. Por çeshtja është se ç’lloj poezie? Në çfarë
rrethanash psikologjike krijoi ai një mënyrë origjinale të të shprehurit?
Gërshetimin e vargjeve me forma vizuale. Pse? Vetëm Poeti e di.
Në
qoftë se Apolineri u influencua nga piktorët që e rrethonin – që është e
vërtetë – A pati Zhiti iinfluencë nga piktorë në burg dhe cilët ishin ata?
Përgjigja është e thjeshtë - s’ka asnjë lidhje. Në fakt është një lidhje, ajo
me piktorin, që dalin si personazhe në burgologjitë e tij “Rugët e ferrit” dhe
“Ferri i çarë”, Maks Velo e Edison Gjergo në burgun e Spacit dhe Valer Durzi Tarasov në burgun e Qafë-Barit,
por pyetja qëndron: Sa influencuese ishte? Vetëm Visari e di. Në burgun
shqiptar, na zbulohet, se të pikturuarit ishte i ndaluar, i pamundur, mungonin
ngjyrat me të gjitha kuptimet.
Bashkëvuajtësi
i Visarit Maks Rakipaj kujton: ‘’...Poezitë e botuara në ‘Hedh një kafkë të
këmbët tuaja’, i kam me autografin e autorit. Janë krijime të Spaçit dhe Qafë
Barit. Unë i pata lexuar në ca dorëshkrime nëpër fletë të zhubravitura, me
pluhur miniere dhe të njomura me djersë. Por, që, larg qoftë, mund edhe të
ishin njomur me gjak, me gjak të fisëm poeti, me gjak të fisëm Prometeu të
vërtetë...’’
Këto poezi kështu janë dhe imazh, kanë një performancë tronditëse, ndërsa vetë i gjithë botimi anastatik i përmbledhjes “Dorëshkrime të fshehta të burgut” është kaligramë e madhe, unike dhe mahnitëse.