| E merkure, 05.02.2025, 07:58 PM |
DËSHMI PËR KRIMET ÇNJERËZORE SERBE
Përurimi
i librit “Femra shqiptare- roli dhe sakrifica për atdhe” i autores Ymrije
Beqiri
Nga
Bedri Tahiri
Ymrije
Beqiri tashmë ka ber emër në botën e letrave shqipe. E ka nisur me shkrimet për
fëmijë, e ka vazhduar me shkrimet për të
rritur, pastaj me tema nga historia jonë kombëtare, deri në nivelin e
monografive për luftëtarë dëshmorë.
Mirëpo,
së fundmi, iu ka rrekur edhe temave të “rënda” për trajtim, atyre të luftës
sonë çlirimtare 1998-1999, dhe ia ka dalë mban me sukses. Vitin që shkoi na
solli librin monografik “77 LULËKUQE LIRIE”, një Lapidar përjetësie për 77
fëmijët e vrarë nga serbët gjatë luftës në Kosovë 1997-1999, në Vushtrri me
rrethinë. Ndërkaq, sot na vjen me një vepër të veçantë, një libër specifik, në
formë e në përmbajtje, me librin “Femra shqiptare- roli dhe sakrifica për
atdhe”, kushtuar 99 femrave shqiptare të komunës së Vushtrrisë, të vrara e të
masakruara nga barbaria serbe.
Historia
jonë është përplot data dhe ngjarje, në të cilat, krahas burrave, morën pjesë
edhe femrat shqiptare. Ato me forcën dhe fuqinë e vet, kur kërkohej mbrojtja e
atdheut, nuk i përfillnin zakonet e vjetra dhe kanunet e mykura, por dilnin
maleve, përkrah vëllait, burrit apo djalit dhe luftonin për lirinë dhe
pavarësinë e vendit. Pjesëmarrja e tyre në beteja tregon se luftërat tona ishin
të drejta dhe çlirimtare. Këtë e vërteton edhe thënia e Sami Frashërit: “Në
cilën anë të luftës sheh se gratë kanë rrokur armët, mos dysho në të drejtën që
ka ajo anë, sepse gruaja nuk i kap armët pa qenë gjendja e padurueshme”.
Në
historinë tonë më të re, në luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të
Kosovës, udhëhequr nga komandanti legjendar Adem Jashari, ky fenomen
shumëfishohet. Këtu, femrën tonë e
gjejmë me armë në dorë, në fronte e në beteja, e gjejmë në përballje me sfidat
e jetës hileqare, duke gatuar e mbajtur gjallë familjen dhe çlirimtarët, e
gjejmë sypatrembur mes jetës dhe vdekjes, mes sakrificës dhe mbijetesës. Forcat
serbe, në pamundësi të zhdukjes së çlirimtarëve tanë, mllefin e tyre e shfrenin
mbi të pambrojturit, veçan mbi femrat shqiptare. Kështu sot kemi shumë heroina,
por kemi edhe shumë viktima, shumë të zhdukura, shumë të dhunuara (mbi 20
mijë), shumë të vrara (1.721).
Kjo
dramë e pafund e femrës sonë ka cytur mendjet e shumë krijuesve dhe njerëzve të
dijes. Këtë tragjikë më shumë se kushdo e përjeton shpirti i një nëne, zemra e
ndjeshme e një femre, që vetë i ka përjetuar e
parë nga afër, siç është autorja e librit “Femra shqiptare- roli dhe
sakrifica për atdhe”, z. Ymrije Beqiri.
Dhe,
kur një femër merret me fatin e këtyre femrave, që me gjakun e tyre ujitën
rrënjët e Lirisë së shumëpritur, është për tu admiruar. Një lëndë e vështirë
dhe shumë e rëndë për trajtim. Madje, dorën në zemër, e mundimshme dhe e
sikletshme edhe për komentim e për lexim. 99 femra (foshnjë, fëmijë, vajza,
nuse, gra, plaka) si 99 flakadanë të pashuar lirie, që për jetë e mot do të
shndrisin në qiellin e Kosovës dhe do të shërbejnë si udhërrëfyes për brezat e
ardhmërisë.
Këto
bija, motra, nëna e gjyshe, janë të moshave të ndryshme, që nga foshnja
njëmuajsh (Fikrije B. Klinaku) deri të plaka 86 vjeçare (Zymrite Saraçi) dhe
vijnë nga vende të ndryshme.
Edhe
vrasjet e tyre janë të ndryshme: me plumb, me therje, me mbytje të dhunshme, me
hedhje në puset e vdekjes, me tortura. Shfrimi i egërsisë serbe ua kalon edhe
egërsive shtazarake.
Këto
99 femra të vrara, edhe pse i përkasin komunës së Vushtrrisë, në fakt vijnë
edhe nga vendbanime jashtë Vushtrrisë. Gjeografia e vendbanimeve të tyre
shtrihet gjithandej ku ka pasur luftime e persekutime...Këtë e vërtetojnë
listat që autorja i ka marrë nga Shoqata “Martirët e lirisë” në Vushtrri, ku,
përjashto ndonjë lajthitje e paqëllimtë pasaktësie, japin një pasqyrë të plotë
statistikore, me datën dhe vendin e lindjes, me datën e vendin e rënies etj.
Megjithatë,
shpërfaqja e kësaj dhimbjeje të madhe
kombëtare, është një domosdoshmëri e kohës, një obligim moral e kombëtar, një
amanet brezash për një dëshmi të kohës zezonë. Të mos harrojmë se roli i femrës
shqiptare, në të gjitha luftërat, veçan në këtë të fundit, qe i
pazëvendësueshëm, andaj, babai i Elaboratit shkombëtarizues e shfarosës ndaj
shqiptarëve- Vaso Çubrilloviqi, pak para vdekjes, pati thënë: “megjithatë
luftën në Kosovë e fitoi nëna shqiptare” .
Një
argument i vlefshëm edhe për Hagë, ku padrejtësisht po mbahen ata më meritorët
për lirinë që sot po e gëzojmë, prijatarët të luftës sonë të drejtë, luftës së
lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nismëtar i së cilës qe i madhi
komandanti legjendar, Adem Jashari!
Një
punë e madhe dhe shumë e vlefshme e Ymrije Beqirit, që duhet përkrahur e
falënderuar! Fatkeqësisht, shpeshherë, atë që nuk po e bëjnë institucionet tona
përkatëse shtetërore, po e bëjnë individët, por e bëjnë krijuesit me vullnetin
e tyre të pathyeshëm.
Në
të përfunduar, librit “Femra shqiptare- roli dhe sakrifica për atdhe”, i
dëshirojmë pritje të mirë nga lexuesit, ndërkaq autores Ymrije Beqiri suksese
të reja në fushën e krijimtarisë!
Vushtrri, më 5 shkurt
2024