| E marte, 04.02.2025, 07:50 PM |
Peter Sorensen, emisari i BE-së, duhet të trajtojë diskriminimin e krahinës shqiptare në Serbi
Nga
Refik Hasani
Me
rastin e emërimit nga BE-ja të diplomatit danez Peter Sorensen si emisar për
dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, është e rëndësishme që ai të adresojë edhe çështjen
e diskriminimit të krahinës shqiptare në Serbi.
Peter
Sorensen vjen pas një mandati gati pesëvjeçar të Mirosllav Lajçak dhe ka një
përvojë të gjatë diplomatike në strukturat e BE-së, duke shërbyer më parë si
përfaqësues i posaçëm i BE-së për Bosnje dhe Hercegovinën, si dhe shef i Zyrës
së BE-së në Sarajevë. Ai gjithashtu ka mbajtur pozicionin e shefit të
delegacionit të BE-së në Shkup.
Emisari
i BE-së duhet të vizitojë krahinën shqiptare që përfshin Preshevën, Medvegjën
dhe Bujanocin për të trajtuar situatën e rëndë të diskriminimit që përjetojnë
shqiptarët atje. Ish-emisari Mirosllav Lajçak, gjatë mandatit të tij, nuk ka
ushtruar presion mbi Serbinë për zbatimin e Marrëveshjes së Konçulit dhe për
respektimin e Referendumit të 1 dhe 2 marsit 1992, duke mos mbrojtur vullnetin
plebishitar të kësaj krahine. Po ashtu, ai nuk ka kërkuar kthimin e Lapidarit
të UÇPMB-së në Preshevë, një çështje e ndjeshme për shqiptarët e atjeshëm.
Shqiptarët
e mbetur padrejtësisht nën administrimin e Republikës së Serbisë përballen me
diskriminim të vazhdueshëm, përfshirë pasivizimin e adresave, që përbën një
formë të pastrimit etnik dhe dëbimit të heshtur. Mungesa e një universiteti në
gjuhën shqipe, kufizimi i përdorimit të simbolit kombëtar shqiptar dhe mungesa
e përfaqësimit proporcional në nivelet lokale dhe qendrore janë disa nga
problemet kryesore me të cilat përballen shqiptarët e kësaj krahine.
BE-ja
insiston për krijimin e Këshillit Nacional të pakicës serbe në Kosovë, por ka
neglizhuar tërësisht luftën e UÇPMB-së, Marrëveshjen e Konçulit dhe
Referendumin e vitit 1992. Kjo situatë tregon qartë përdorimin e standardeve të
dyfishta: ajo që kërkohet për pakicën serbe në Kosovë u mohohet shqiptarëve në
Serbi.
Peter
Sorensen duhet të sigurojë që në përfundim të bisedimeve mes Beogradit dhe
Prishtinës të mos mbetet e pazgjidhur çështja e krahinës shqiptare në Serbi.
BE-ja, që promovon vullnetin e shumicës, nuk duhet të mbështesë me dy standarde
vetëm pakicën serbe në Kosovë, duke injoruar shqiptarët e Preshevës, Medvegjës
dhe Bujanocit, të cilët organizuan Referendumin e vitit 1992.
Shpresojmë
që njohuritë dhe përvoja e Peter Sorensen si këshilltar në misionin e UNMIK-ut
në Kosovë, si përfaqësues i posaçëm i BE-së në Serbi dhe si pjesë e OSBE-së në
Kroaci do ta ndihmojnë atë të trajtojë me seriozitet çështjen e shqiptarëve në
Serbi. Krahina shqiptare në Serbi është rajoni më i pazhvilluar në gjithë
Evropën, dhe shqiptarëve nuk mund t’u mohohen të drejtat që gëzon pakica serbe
në Kosovë, përfshirë edhe të drejtën për vende të rezervuara në Parlamentin e
Serbisë.
Peter
Sorensen duhet të trajtojë diskriminimin e krahinës shqiptare në Serbi dhe të
mos përsërisë gabimet e paraardhësve të tij duke zbatuar dy standarde për dy
pakica.
Refik Hasani
1 shkurt 2025