| E marte, 04.02.2025, 07:55 PM |
Dy fjalë rreth botimit të monografisë:
EKZEKUTIMI
I SHQIPTARËVE NGA OZNA DHE UDB-JA JUGOSLLAVE 1944-1990
(Prof.
Dr. Sabile Keçmezi-Basha: “Ekzekutimi i shqiptarëve nga OZNA dhe UDB-ja
jugosllave 1944-1990”, Botoi Instituti i Historisë “Ali Hadri” Prishtinë, 2024,
f. 1179)
Fjala e kryeredaktores
së librit
Prof. Dr. Teuta Shala-
Peli, Drejtore e Institutit të Historisë “Ali Hadri” Prishtinë
Monografia
“Ekzekutimi i shqiptarëve nga OZNA dhe UDB-ja jugosllave 1944-1990” përshkruan
një nga kapitujt më të ndritshëm dhe më të dhimbshëm të historisë së popullit
shqiptar, ku çdo faqe e saj sjell dëshmi të gjalla të përpjekjeve heroike për
liri dhe të sakrificave të panumërta. Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha, një
studiues me përvojë mbi katër dekada në fushën e hulumtimit shkencor, ka fituar
me të drejtë nderin dhe respektin për të marrë përsipër sfidën e ndriçimit të
kësaj periudhe të rëndësishme të historisë kombëtare. Përmes fakteve të
pamohueshme dhe dokumenteve autentike, ajo i sjell lexuesit një pasqyrë të
qartë dhe të saktë të përndjekjeve, burgosjeve, torturimeve dhe ekzekutimeve të
atyre shqiptarëve që me guximin e tyre atdhetar u bënë bartës të flakës së
çlirimit të Kosovës.
Në
çdo rresht, monografia përçon peshën e një tragjedie të thellë kombëtare,
ndërsa përshkruan detajet e organizatave ilegale, kuvendeve dhe lëvizjeve
patriotike që u zhvilluan në Kosovë gjatë periudhës 1945-1990. Studiuesja, me
maturi të madhe dhe një ndjesi të thellë përgjegjësie, ka mbledhur fakte që
zbardhin jo vetëm ngjarjet kryesore, por edhe karakteret e pashembullta të
atdhetarëve që jetuan për idealin e lirisë. Emrat e tyre përmenden me nderim,
ndërsa historia e tyre vjen e gjallë, e shpalosur përmes burimeve të kohës dhe
studimeve të thelluara.
Një
aspekt i veçantë i monografisë është përkushtimi i saj ndaj biografive të
patriotëve që humbën jetën nga dora e egër e OZNA-s dhe UDB-së jugosllave.
Përmes një kronologjie të detajuar, autorja paraqet emrat, vendet dhe vitet e
ekzekutimeve, duke e kthyer librin në një homazh për ata që u flijuan për
Kosovën. Prof. Dr. Keçmezi-Basha i jep jetë kujtimit të tyre përmes një studimi
të thellë dhe rigoroz, që përçon ndjenjën e një tragjedie kolektive, por edhe
të një triumfi të shpirtit të pathyeshëm shqiptar.
Libri
është një vepër monumentale që i shton vlerë trashëgimisë shkencore të
Institutit të Historisë "Ali Hadri", duke pasuruar fondin e botimeve
që trajtojnë fundin e shekullit XX, një periudhë që do të mbetet gjithmonë në
kujtesën e popullit shqiptar. Me botimin e kësaj monografie, autorja jo vetëm
që ka kontribuar në pasurimin e njohurive historike, por edhe ka dhënë një
shembull të guximit intelektual, duke ndriçuar një periudhë të errët dhe
tragjike të historisë sonë.
Kryeredaktore
Prof. Dr. Teuta Shala-Peli
Prishtinë
17 shtator, 2024