Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sevdail Hyseni: Arenë gladiatorësh

| E shtune, 01.02.2025, 06:04 PM |


Sevdail Hyseni

Satirike

Arenë gladiatorësh

Kur vjen fushata, nis maskarada,

Lufta për pushtet, gjuha si lopata.

Vrap në tubime, si shigjeta n’erë,

Me retorikë, e premtime pa vlerë.

Njëri ofron punë, me rrogë të lartë,

Tjetri qeverisja, nuk bëhet pa gratë.

Një tjetër thotë: - Bursa për studentë,

Edhe pensionistët, mos të  kenë dert!

Vazhdon fushata me fjalime t’zjarrta,

Herët fillon dita, e vonë mbaron nata.

Nëpër trotuare, rrugë, shesh dhe qytet,

Shpalosen reklamat, lufta në internet!

Kur premtimet ngecin, nis manipulimi,

Te blerja e votës, mbështet shpëtimi…

Një paketë ndihma – një votë në kuti,

Punësimet me lidhje, nuk njohin kufi!

E kush s’bindet, ka punë me militantë,

Veç kërcënimit edhe nga një shamatë.

Sepse fushatat, nuk bëhen pa skandale,

Pa shantazhe, shpifje e sharje banale!

Pastaj, zgjedhjet mbarojnë, si më parë,

Populli shpreson, duke qeshur dhe qarë.

Në çdo katër vjet, mandate e zhgënjime,

Të njëjtat fytyra, me të njëjtat premtime!