| E marte, 28.01.2025, 07:57 PM |
NJË LIBËR ME PLOTË TË DHËNA SHKENCORE PËR KEQPËRDORIMET DHE DEFORMIMET E UDB-ES NË KOSOVË
(Prof.
Dr. Sabile Keçmezi-Basha “TOP SEKRET: DËSHMI PËR KEQPËRDORIMET DHE DEFORMIMET E
SHËRBIMIT TË SIGURIMIT SHTETËROR JUGOSLLAV NË KOSOVË (1945-1966)”, Botim i
Institutit të Historisë “Ali Hadri”, Prishtinë, 2024)
Nga
Prof. asoc. dr. Skender LUTFIU
Në
veprën e titulluar “Top sekret: dëshmi për keqpërdorimet dhe deformimet e
Shërbimit të Sigurimit Shtetëror jugosllav në Kosovë (1945-1966)”, studiuesja
prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha ofron një analizë të thelluar të abuzimeve dhe
devijimeve brenda shërbimit të sigurimit shtetëror jugosllav në Kosovë gjatë
periudhës 1945-1966. Autorja përdor një qasje metodologjike të avancuar, duke
përfshirë dokumente arkivore dhe intervista me dëshmitarë të ngjarjeve, për të
ndihmuar lexuesin të kuptojë dimensionet e errëta të kësaj periudhe të
historisë së Kosovës. Në aspektin metodologjik, standardet më të larta
shkencore janë respektuar plotësisht.
Vepra
është e strukturuar në shtatë kapituj, përfshirë parathënien dhe hyrjen në
fillim, si dhe përfundimet, burimet, literaturën, shkurtesat dhe indeksin e
emrave në fund.
Në
parathënie, autorja ofron rrëfimin e saj autentik për përpjekjet që bëri për të
njohur problemet e periudhës së studiuar, ndonëse ishte në moshë të re. Ajo
ofron gjithashtu të dhëna të detajuara për masat e dhunshme të regjimit të
Beogradit ndaj shqiptarëve në Kosovë.
Në
hyrje të librit, autorja ofron të dhëna me rëndësi për lexuesit lidhur me
ngjarjet kryesore politike që ndodhën në Kosovë pas përfundimit të Luftës së
Dytë Botërore, siç ishte Kuvendi i Prizrenit. Keçmezi-Basha përshkruan me
precizitet ndryshimet politike dhe shoqërore, duke ndihmuar në
kontekstualizimin e gjendjes së Kosovës nën regjimin jugosllav. Ajo thekson
rëndësinë e dokumenteve arkivore, të cilat zbulojnë veprimet e Byrosë
Informative dhe pasojat e saj për popullsinë shqiptare.
Në
një kapitull të veçantë është trajtuar pozita e Kosovës pas Kuvendit të
Prizrenit (10 korrik 1945). Këtu janë analizuar ndikimet e këtij Kuvendi mbi
politikën e Kosovës, duke theksuar qëndrimin e shqiptarëve ndaj ripushtimit të
Kosovës nga Serbia dhe përballjen e tyre me politikën diskriminuese të
Federatës Jugosllave. Autorja argumenton se ky Kuvend shënoi fillimin e një
periudhe të vështirë për shqiptarët, të cilët përjetuan masat më të rënda të
regjimit jugosllavo-komunist.
Gjatë
kësaj periudhe, regjimi i Beogradit përdori forma dhe metoda të ndryshme për të
shtuar represionin ndaj shqiptarëve, duke i detyruar ata të shpërnguleshin
dhunshëm në Turqi. Një nga masat më të ashpra ishte Aksioni i mbledhjes së
armëve, gjatë të cilit shqiptarët u përballën me tortura dhe keqtrajtime. Në
këtë vepër analizohen tri aksionet e mbledhjes së armëve të organizuara nga
regjimi jugosllav, ku pushteti komunist përdori metodat më brutale të torturës
ndaj popullsisë shqiptare. Janë dhënë përshkrime të detajuara të metodave të
torturës dhe pasojave psikologjike që ato lanë mbi popullsinë shqiptare, të
cilat vazhduan të ndihen edhe më vonë.
Vepra
gjithashtu trajton formimin e UDB-së në Kosovë dhe keqpërdorimet e saj. Autorja
ofron informacione të vlefshme mbi proceset që çuan në ngritjen e kësaj
agjencie dhe rolin e saj në ndjekjen dhe kontrollimin e shqiptarëve, duke
ofruar dëshmi konkrete nga arkivat dhe burime të tjera relevante. Po ashtu,
vepra përfshin deklaratat e udhëheqësve të Shërbimit të Sigurimit të Shtetit,
të cilave autorja u bën një analizë të hollësishme, duke dëshmuar keqpërdorimet
dhe diskriminimin sistematik ndaj shqiptarëve gjatë viteve 1945-1966.
Një
pjesë e madhe e kësaj vepre mbulohet nga dëshmitë dhe raportet e
ish-pjesëtarëve të UDB-së dhe strukturave të tjera të sigurimit. Nëpërmjet
tyre, autorja ka zbuluar keqpërdorimet e fuqisë dhe autoritetit të këtyre
strukturave shtetërore. Ajo thekson se ngjarjet e asaj periudhe ishin të
planifikuara në mënyrë sistematike nga nivelet e larta të pushtetit, me qëllim
mbajtjen nën kontroll të shqiptarëve.
Vlen
të përmenden edhe deklarata e Shaban Kajtazit dhe të tjera të përfshira në
vepër, të cilat ofrojnë të dhëna të rëndësishme. Autorja Keçmezi-Basha paraqet
një analizë të thellë të dëshmive të Kajtazit, duke theksuar mënyrat se si
shqiptarët ndiqeshin dhe kontrolloheshin, si dhe ndikimin që këto veprime
kishin në jetën e tyre të përditshme.
Në
kapitujt pasues, autorja ofron të dhëna të bazuara në dokumente arkivore, që
ndihmojnë në zbardhjen e keqpërdorimeve të Shërbimit të Sigurimit Shtetëror
jugosllav në Kosovë gjatë periudhës së sipërpërmendur.
Në
vend të përfundimit, mund të thuhet se vepra shkencore me titull “Top Sekret:
Dëshmi për Keqpërdorimet dhe Deformimet e Shërbimit të Sigurimit Shtetëror
Jugosllav në Kosovë (1945-1966)” nga prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha paraqet një
kontribut të rëndësishëm për historiografinë shqiptare. Kjo vepër ndriçon një
çështje shumë të ndërlikuar, e cila deri tani nuk është trajtuar në dimensionin
e duhur. Ndërsa veprat e mëparshme kanë hedhur dritë mbi segmente të caktuara,
ato nuk kanë arritur të japin një pasqyrë të plotë të kompleksitetit të
ngjarjeve në dy dekadat e para pas Luftës së Dytë Botërore. Kjo vepër është e
rëndësishme, sepse pasqyron një periudhë të errët të historisë së Kosovës, duke
ftuar historianët të rikthehen për të rishikuar burimet ekzistuese dhe për të
shqyrtuar burime të reja, me qëllim ofrimin e një pasqyrimi sa më realist të
historisë së Kosovës në gjysmën e dytë të shekullit XX.
Autorja,
prof. dr. Sabile Keçmezi Basha, përmes një qasjeje të detajuar dhe të
mbështetur kryesisht në burime arkivore, ofron një kontribut të çmuar për
studimin e historisë së Kosovës dhe të shqiptarëve gjatë periudhës 1945-1966.
Vepra e saj është e domosdoshme për çdo historian dhe studiues që dëshiron të
kuptojë mekanizmat e represionit shtetëror të Federatës Jugosllave, si dhe
historinë komplekse të Kosovës në shekullin XX, veçanërisht në dy dekadat e
para pas Luftës së Dytë Botërore.