Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gani Pllana: Në kampin e huaj, tmerr e rrëmujë

| E marte, 28.01.2025, 07:49 PM |


Gani S. Pllana

FSHEHTËSI KOHE

Në këtë kohë,

Ka shumë pyetje, o njerëz:

Pse gjithë kjo nisje,

Për tokën “e premtuar”?

Dimër, ftohtë,

Shpresën e çuditshme

Na e sollën

Korbat e zi, natën...!

Me sytë e mbyllur,

Shtrëngohen duar;

Nuk ka vetëbesim,

Krenaria ishte dikur…

Shoferi i krisur…

I bie borisë me nxitim:

“Nisemi!”…

“Për ku?”,

Pyesin disa,

Unë nuk kam përgjigje…!

Larg realitetit,

Një kaos i vërtetë;

Çdo njeri i strukur

Në heshtje ,

Përgjigjen e di vetë!

Dikush thotë:

“Kaosi u krijua, pasi ata ikën!”

Zemra të thyera,

Zbrazje,

Zymti,

Njerëz të hutuar...

Unë,

Nuk di të përgjigjem!?

NË KAMPIN E HUAJ

-TMERR E RRËMUJË

O terr, o ferr! O qetësi, o dreq!

Pse erdha në (H) un(ë) ng(a)ri?

Kurbeti nuk qenka për mua,

Këtu shpirti po më kallet,

Zemra më ndalet.

Në këtë stallë të boshatisur,

Pak bukë e ujë,

Rreth e rrotull-rrëmujë.

Katastrofë e neveri,

Tani e kam kuptuar,

Çfarë do të thotë LIRI.

Larg meje, familja ime:

Nëna, baba e fisi...

Më mungon çdo gjë nga Kosova:

Edhe ajri, blerimi, sharkia e plisi!

Ndaj, mallkuar qoftë,

kush merr këtë rrugë;

Mallkuar qoftë,

Eksodin kush e nisi!