| E hene, 27.01.2025, 07:53 PM |
Në Gllaviçicë të Pejës u promovua libri "Don Marjan Ukë Uka – misionar i denjë i fesë dhe i kombit" i bashkëautorëve don Jeton Thaqi dhe Mikel Gojani
Shkruan:
Lekë Mrijaj
Në
ambientin e ngrohtë të sallës së Kishës Katolike "Lartësimi i Kryqit të
Shenjtë" në Gllaviçicë, u mbajt promovimi i librit "Don Marjan Ukë
Uka – misionar i denjë i fesë dhe i kombit," një vepër monografike e
bashkautorëve don Jeton Thaqi dhe Mikel Gojani.
Ky
botim monografik i kushtohet jetës dhe veprimtarisë së dom Marjan Ukë Ukës, një
figurë të shquar të Kishës Katolike, i cili për më shumë se pesë dekada ka qenë
burim frymëzimi shpirtëror dhe kombëtar për grigjën e tij dhe shoqërinë shqiptare
në përgjithësi.
Ngjarja
kulturore mblodhi një audiencë të gjerë, përfshirë imzot Dodë Gjergjin,
ipeshkëv i Ipeshkvisë së Kosovës, klerikë, intelektualë, studiues, miq dhe
besimtarë nga SHBA, Tirana, Lezha, Shkodra, Gjakova, Rahoveci, Klina e Lugut të
Drinit, Lugu i Baranit, Lugu i Leshanit dhe Peja, të cilët erdhën për të
shprehur mirënjohjen dhe respektin e tyre për jetën dhe veprën e dom Marjanit.
Prania
e kësaj audience të larmishme dëshmoi ndikimin e thellë të dom Marjanit në
jetën fetare, kulturore dhe kombëtare të komunitetit në Dioqezën e Kosovës.
Promovimi
u hap me një fjalë përshëndetëse nga organizatorët, të kryesuar në mënyrë
ekselente nga prof. Mëhill Velaj, i cili me elokuencë falënderoi të pranishmit
për pjesëmarrjen dhe interesimin e treguar për këtë vepër me vlera të
jashtëzakonshme historike dhe fetare. Ai veç tjerash theksoi se libri
përfaqëson një dëshmi të pasur të jetës dhe misionit të dom Marjanit, duke u
shndërruar në një trashëgimi të vyer për brezat e ardhshëm.
Pas
fjalës hyrëse nga imzot Dodë Gjergji, ipeshkëv i Kosovës dhe don Jeton Thaqi
(në cilësinë e bashkëautorit e nikoqirit don Ambroz Demaj, famullitar i
Gllaviçicës); aktiviteti vijoi me prezantimin e kumtesave nga referues të
shquar, të cilët ofruan analiza të thelluara mbi jetën dhe veprimtarinë e dom
Marjan Ukë Uka.
Referuesit
dhe opinionistët ndriçuan aspekte të shumta të përkushtimit të tij ndaj fesë,
edukimit dhe identitetit kombëtar, duke vënë në pah rolin e tij në rritjen
shpirtërore dhe kombëtare të komunitetit katolik.
Në
mesin e referuesve të spikatur që trajtuan figurën e dom Marjanit, u veçuan:
•
Prof. Prend Buzhala, i cili analizoi aspektin letrar dhe analitik të librit:
"Don Marjan Ukë Uka – Misionar i Denjë i Fesë dhe i Kombit".
•
Prof. Pal Canaj, i cili ndriçoi ndikimin e don Marjanit në aspektin shpirtëror,
dhe kulturor dhe ruajtjen e identitetit kombëtar,
•
Publicisti Lekë Mrijaj, i cili vlerësoi përkushtimin dhe kontributin e dom
Marjanit në komunitet.
•
Në emër të p. Ndue Kajtazit kumtesën dedikuar don Marjanit e lexoi prof. Mëhill
Velaj. Me një kumtesë tematike para të pranishmëve u prezantua publicisti i
shquar prof. Gjokë Sokoli etj.
Fjalimet
e referuesve hodhën dritë mbi përkushtimin e palëkundur të dom Marjanit ndaj
besimit, sfidat e tij dhe përpjekjet për të ruajtur grigjën e Krishtit në kohë
të vështira.
Në
vazhdim, bashkëautori tjetër i librit, Mikel Gojani, shprehu mirënjohjen për
bashkëpunëtorët dhe studiuesit që kontribuuan në realizimin e kësaj vepre, duke
e cilësuar atë si një testament të vlerave fetare dhe atdhetare të dom
Marjanit.
Ndërkohë,
protagonisti i librit, dom Marjan Uka-Sheqeri, në fjalën e tij emocionuese,
falënderoi autorët për këtë vepër, që pasqyron jetën dhe përkushtimin e tij në
shërbim të besimit dhe kombit. Ai kujtoi momente kyçe të shërbesës së tij dhe
falënderoi të gjithë ata që e kanë mbështetur në rrugëtimin e tij shpirtëror
dhe kombëtar. Pak para fundit të promovimit me fjalë përgëzimi u paraqitën: don
Fran Sopi, don Nikê Ukgjini , prof. Bekim Kelmendi, prof. Ndue Shabanaj,
mr.sci. Vilson Culaj etj.
Në
përfundim të aktivitetit, pjesëmarrësit shprehën mirënjohjen e tyre për
organizatorët dhe referuesit, duke e vlerësuar këtë promovim si një hap të
rëndësishëm në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë së dom Marjanit.
Promovimi
u përmbyll me shpërndarjen e librave për të pranishmit, të cilët e mirëpritën
këtë botim me entuziazëm, duke e konsideruar atë si një pasuri të çmuar
shpirtërore dhe dokumentare. Atmosfera u karakterizua nga diskutime të frytshme
dhe reflektime të thella mbi mesazhin që përçon kjo vepër, duke krijuar një
moment të veçantë bashkimi dhe frymëzimi për të gjithë të pranishmit.
Ky
promovim shënoi një moment të rëndësishëm në nderimin e një personaliteti të
shquar, i cili i ka dhënë shumë komunitetit katolik dhe trashëgimisë sonë
kombëtare.