| E hene, 27.01.2025, 07:53 PM |
Ka libra që të vënë në gjumë, ka libra që të nxjerrin gjumin!
Intervistë
me shkrimtarin e mirënjohur Viron KONA dhënë gazetës “Nacional”
Nga
Fran Gjoka
Viron Konën, shkrimtar i njohur, veçanërisht për fëmijë
dhe të rinj, e takon me vështirësi, poredhe kur e takon, pavarësisht
mirësjelljes dhe modestisë së tij, e gjen kurdoherë të angazhuar në krijimtarinë
letrare. Është autor i rreth 60 librave, me tregime, novela, romane për fëmijë
dhe për të rritur, autor i disa vëllimeve poetike, librave me epigrame e
fabula, fitues i shumë çmimeve të rëndësishme, mes tyre edhe çmime
ndërkombëtaresi, çmimi UNICEF (Organizata botërore e fëmijëve), fitues i pendës
së artë në festivalin ndërkombëtar të poezisë në Boras të Suedisë, shkrimtar i
përkthyer në gjuhën suedeze, autor i disa librave kushtuar vizitave në Suedi,
Hungari, Turqi, Greqi, Danimarkë... Ndërkaq ka tregime në disa antologji
letrare, tregime të botuara në anglisht e frëngjisht, është autor i qindra
artikujve studimorë e kulturorë,letrarë dhe artistikë në gazeta dhe revista brenda
dhe jashtë vendit, redaktor i gazetës
“Mësuesi”, mësues dhe drejtor në disa shkolla 9-vjeçare dhe gjimnaze të
kryeqytetit, inspektor në ministrinë e arsimit dhe sportit, redaktor dhe
recensentë i dhjetëra librave artistikë, kryeredaktor i revistës “Siguria
rrugore”,i zgjedhur anëtar i këshillit kombëtar të librit, anëtar nderi i
shoqatës së shkrimtarëve shqiptarë të Suedisë etj. etj.
U takuam në një kafe te rruga “Myslym Shyri”, ku ai banon
prej më shumë se 40 vjetësh. Si gjithmonë me mirësjelljetë veçantë e sy të
qeshur ai më shtrëngoi dorën,dhe si këmbyem përshëndetjet e para, e pyeta:
-Si
e kalon kohën tani në moshën e pensionit?
-Kohën?Kohën e kam shumë të çmuar. Ndryshe nga koha kur
isha i ri,tani si i moshuar i numëroj me keqardhje ditët që më ikin. “Iku dhe
një ditë pa shkruar diçka me vlerë!” – qortoj veten,ngaqë s`dua që të më shkoj
kot asnjë ditë,në fakt edhe asnjë natë, sepse unë ngrihem herrët, aty rreth
orës 3.00.Kjo orë është fillimi i punës, gjërat e mira nuk bëhen lehtë.
-Nuk
takohesh me miq të luash tavllë, domino, letra, shah...?
-Lojërat që përmende i mbaj mend nga fëmijëria, atëherë
luanim ndonjëherë ose shikonim më të rriturit sesi luanin, sidomos shah, por
tashmë “jam gjithnjë i zënë, nuk kam kohë të lirë”. Krijimtarinë letrare e
ndiej si detyrë dhe dua që ta çojë gjer në fund, përndryshe do të ishte sikur të
nisesha me njëvarkë në det, të shkoja deri diku dhe të mos vazhdojavozitjen për
të arritur bregun matanë.Besoj tek energjitë e mia krijuese ndaj dhe vazhdoj
vozitjen...
-Ju
tani keni afro 60 libra të botuar,madje disa edhe tëvlerësuar me çmime
ndërkombëtare, si çmimi UNICEF apo fitues i “Pendës së art” në festivalin letrar
të Borasit, Suedi. Je i pakënaqur nga vetja?
-Sigurisht i pakënaqur. Po të vetëkënaqesha e të më hynte
vetja në qejf, atëherëdo ta quaja veten të dështuar. Kur shikoj ato që kamshkruar,
themse kam bërë shumë pak,duhej të përkushtohesha edhe më shumë.Sigurisht që
nuk më detyron askush, por kërkesat ndaj vetes janë energji të brendshme që nxitin
frymëzime, ide dhe mendime të reja.
-Si
e pret familja këtë angazhim për librin, po miqtë e tu?
-Ndonjëherë më “qajnë hallin” dhe u vjen keq që më shohin
duke shkruar pareshtur, sidomos kur shkruaj natën në dritën e laptopit.Disa nga
miqtë më thonë “Pse lodhesh kot, sot nuk lexon njeri!”. Por ka dhe nga ata, që
më nxitin të vijojë të shkruaj.
-Lexohen
librat tani?
-Gjithnjë ka njerëz që lexojnë, libri ka vendin e tij. Kur
është i mirë, libri është si një gur i çmuar dhe i pazëvendësueshëm në “ndërtesën”
e kohës, ai është gjuha dhe “zëri” i historisë... Një kohë pa shkrime e libra
është një kohë “memece”.
-Për
çfarë kohe e ke fjalën?
-Për ne
shqiptarët dokumenti i parë shqip është “Formula e Pagëzimit”, shkruar nga
kryepeshkopi i periudhës së Skënderbeut Pal Engjëlli, më 1462, kurse libri më i
vjetër i zbuluar gjer më sot është “Meshari” i Gjon Buzukut, i shkruar në vitin
1555.Kur duam të dimë për historinë tonë të lashtë para dhe pas Krishtit,ne u
referohemi dijetarëve të huaj të lashtë dhe librave të tyre, pra kemi një
boshllëk të madh.
-Beson se gjuha shqipe është shkruar më parë se “Formula
e pagëzimit” dhe “Meshari” i Gjon Buzukut?
-Besoj që duhet të kemi libra
të shkruar më parë.Ilirët kishin mbretër dhe mbretëri tëmëdha: Bardhyli,Glaukia,Agroni,
Teuta,Genti etj.,sigurisht, kanë pasur elitat e tyre intelektuale, arkivat e
tyre, bibliotekat e tyre, dokumentet dhe vulat e tyre, kanë pasur rreth e qark
njerëz të shkrimeve, të kulturës, të
artit dhe të sportit, me siguri ata kanë pasur edhe gjuhën e tyre të shkruar...
-Atëherë, si e shpjegoni këtë mangësi të gjuhë së shkruar shqipe?
-Them se ky boshllëk ka të bëj me pushtimet
shekullore romake – bizantine, me dyndjet shekulloredhe të egra barbare, me pushtiminosman,
por edhe me pushtimet dhe goditjet e fqinjëve tanë grabitqarë, që shuanin me
dhunë çdo shkëndijë të gjuhës shqipe të shkruar...Milan Shuflai, albanologu kroat, që u sakrifikua për
Shqipërinë, duke folur për Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, mes të tjerash ka
thënë: “Është e kotë të kërkosh dokumente në Shqipëri për Skënderbeun,
përveç atyre që janë shkruar nëpër shkëmbinj, sepse çdo gjë që ishte shkruar, u
dogj nga turku.” Pushtuesit, kushdo qofshin, vrisnin,shkatërronin,digjnin gjithçka, por në
radhë të parë ata “vrisnin” identitetin kombëtar, shkatërronin kulturën, librat,
dokumentet e shkruara,i vinin popujt nën sundim të plotë e barbar dhe,ndërkohë
bënin zhvendosje të mëdha të popullsisë...Sipas një llogaritjeje të thjeshtë,
del se nga viti 1 pas Krishtit e deri më sot, populli ynë, pavarësisht
luftërave të vazhdueshme për çlirim,vetëm rreth135 vjetka arritur të ishte i
lirë dhe pa pushtues në vatër.Me gjithë këtë ne dhe sidomos studiuesit duhet të
kërkojnë më shumë, veçanërisht në arkivat greke, romake, venedikase, osmane,
kudo. “Kush kërkon gjen”, - thotë proverbi.
- Çfarë detyrash mendon se keni ju shkrimtarët për
gjuhën e sotme shqipe?
-Kryesore për shkrimtarët
është që secili nga ne të shkruaj sa mëmirëgjuhën shqipe dhe ta pasurojmë atë sa
më shumë. Sot vazhdojnë të jenë shqetësuese deformimet që i bëhen gjuhës
shqipe, përdorimi dendur i fjalëve të
huaja dhe të panevojshme kur ne kemi fjalët e bukura shqipe...Por edhe ta
propagandojmë më shumë gjuhën tonë të bukur, nisur edhe nga thënia e
shkrimtarit tonë Ismail Kadare:”Shqiptarët janë krijuesit dhe bartësit e një prej gjuhëve
themelore të njerëzimit. Gjuha jonë vazhdon ta ketë vendin e saj të paluajtshëm
midis dhjetë gjuhëve më kryesore të botës.”
-Po shkruan diçka lidhur me këtë temë?
-Po. Në librin “Kampioni
Bubulino”, libër për fëmijë, që del së shpejti nga shtypi,trajtoj artistikisht
mbrojtjen dhe pastërtinë e gjuhës shqipe...
-Thuhet
se shkrimtarët janë shtuar shumë, cili është mendimi yt?
-Le të shtohen. Askush s`mund të vendos barrikada: “Ti
shkruaj!”, “Ti mos shkruaj!”Dikush do që të shkruaj, atëherë le të shkruaj, ajo
është e drejta dhe liria e tij, është një zgjedhje. Me kohë, secili korrigjon
vetveten, pasi koha,në heshtje dhe pa zhurmë,ose të ngre lart, ose të nxjerrë
jashtë “loje”...Shkrimtarët nuk shqetësojnë askënd. Çështja është të mos
shtohen vrasësit, kriminelët, hajdutët, prostitucioni, përçarësit, të
korruptuarit, drogamanët...
-Ç’është
për ty një shkrimtar i vërtetë?
-Për mua një shkrimtar i vërtetë është një luftëtar, fuqitë
dhe energjitë e tij krijuese varen nga talenti, përkushtimi i plotë dhe vendosmëria
për ta çuar punën e nisur gjer në fund. Shkrimtari e krijon gjithçka vet.Me
idetë dhe krijimtarinë e tij të mirë, aie bënë më të begatë shoqërinë.
Imagjinoni se sa e zbetë dhe monotone do të dukej bota pa shkrimtarët,pa librat
e tyre, pa poezitë, novelat, tregimet, romanet, dramat, komeditë, të cilat,
njëherazi janë edhe lënda e parë për
teatrin, kinematografinë, tekstet shkollorë, muzikën operistike...!
-Ndihesh
i frymëzuar?
-Ndihem gjithnjë i mbushur me ide, emocione dhe me energji
për të shkruar.“Fara” krijuesengjizet në mendje dhe, kur vjen koha e “pjekjes”,
troket dhe sikurthotë: “erdha unë, tani mos humb kohë, por nis e më shkruaj,
ndryshe nuk më gjen më!”
-Të
ndodh shpesh herë kjo dukuri?
-Zjarri apo frymëzimi krijues vjen papritmas dhe atje ku të
gjen. Ai s`ka as plan, as program. Mbaj gjithnjë disa fije letre dhe stilolaps
me vete.Madje, disa nga tregimet më të bukura i kam shkruar në autobus,në avion
apo shpesh herë ngrihem befas nga gjumi dhe filloj të shkruaj.
-Ndihesh
i shpërblyer për krijimet letrare?
-Shpërblimet më të mira janë vlerësimet dhe përgëzimet e
lexuesve, një fjalë, një buzëqeshje, tërheqja e librave që shkruaj nga lexuesit,
një artikull vlerësues etj. Ato më shumëfishojnë forcat.
-Po çmimet, titujt, shpërblimet në të holla?
-Ato sigurisht do të më pëlqenin. Po të thosha jo, do ta
bëja si “dhelpra me rrushin”. Për t`i fituar ato, edhe duhet të shërbesh...!
-Kam
qenë i pranishëm në shumë takime që ti z. Vironke zhvilluar me lexuesit. I
mirëpret gjithnjë ato takime?
-Po, janë kënaqësia ime më e madhe. Kam zhvilluar afro
400 takime në Shqipëri, në rrethe të ndryshme, sidomos në Tiranë, në Elbasan,
Durrës, Lezhë, Vlorë, Lushnjë...Kam një
dosje ku kam ruajtur mbi 2 mijë pyetje, diskutime dhe opinione, veçanërisht të lexuesve të vegjël...I lexoj shpesh herë
ato dhe informohem për dëshirat e tyre, si e mendojnë ata jetën dhe të ardhmen,
çfarë dëshirojnë ata më shumë... Kjo më ndihmon që të jem sa më bashkëkohorë
kur shkruaj për ta.
-Çfarë
duhet të bëjnë më shumë shkrimtarët që të jenë të besueshëm te lexuesit?
-Të jenë sa më sinqertëme fjalën e shkruar.
-Kur
je më i suksesshëm?
-Kur i përjetoj edhe vet atoqë shkruaj.
-Me
çfarë do t`i krahasoje krijimet letrare pa mendim?
-Me trenat bosh,që venë e vinë...
-Ç
‘mendon për diktatorët?
-Ata gjithnjë vijnë me gjëmime dhe ikin me mallkime...!
-Shkrimtarii
vërtetë shkruan për pasion, për famë, për lavdi, apopër të fituar para?
-Shkrimtari i vërtetë shkruan se ka talent dhe është i
përkushtuar. Të shkruarit i vjen si një kërkesë e brendshme dhe, ato çaste ai
s`mund të rri dot pa shkruar. Fama, lavdia, paraja vijnë natyrshëm nëse ato i
meriton, duke punuar jashtëzakonisht shumë, madje edhe duke u sakrifikuar. Në
një epigram timin, kam shkruar vargjet:
“Ëndërron të bëhesh i famshëm? /Sekretin, a e di? /Qiriri
bën dritë, /duke djegur veten e tij!”
-Si
e mendon letërsinë didaktike?
-Me anën e letërsisë didaktike, lexuesit mësojnë diçka nga fusha e
shkencës, e gjeografisë, e historisë, e moralit, e artit etj. Në këtë kuptim, do
tëthosha sethuajse çdo libër artistik ka brenda edhe didaktikë,por lexuesi e
merr atë jo si në orën e mësimit në shkollë, por të shkrirë në përmbajtjen
artistike, si një “pikë limon” në një gotë uji të pastër,(por jo shumë se e
tharton ujin), e merr nëpërmjetmesazhit, shprehjeve figurative, figurave
artistike, krahasimeve, metaforave, simboleve, dialogëve...Thuhet se shkrimtares
suedeze SelmaLagerlof, iu dha detyrë që të shkruante njëlibër, që fëmijët suedezë të mësonin
gjeografinë e Suedisë.Ajo nuk shkroi një tekst mësimor, por shkroi “Aventurat e
NilsOlgersonit”, ku personazhi i saj i shndërruar në Gishto, udhëtoi mbi krahët
e patave fluturuese gjatë shtegtimit të tyre nëpër Suedi. Ndërsa patat fluturonin
apo ndalnin për tëkullotur e pushuar, shkrimtarja në bisedat dhe dialogët që
bëheshin, ofronte si pa kuptuar e me
gjuhë artistike edhe “informacione”gjeografike e historike.Zgjedhjet që
bëjnë shkrimtarët janë nga më
befasueset. Zhyl Verni, te libri i tij “20
mijë lega nën det”, “ndërtoi” me fantazinë e tij mjetin lundrues të
nënujshëm, nëndetësen, “Nautilusin”dhe e
gjallëroi atë me një fabul tërheqëse, me personazhe të rrallë e magjepsës si
Nemo, detarët e tjerë misterioz...Kurse në librin “5 javë me balonë” ai i hipi
personazhet e tij në një balon dhe ata fluturuan mbi rajone të panjohura të botës,
duke mësuar kështu si pa kuptuar gjëra që nuk i dinin...
-Po ju, në letërsinë për fëmijë keni raste tëletërsisë
didaktike?
-Në disa
nga librat e mi përpiqem që të ofroj te lexuesi me gjuhë artistike dhe mjete
figurative, me kujdes e pa e tepruar,fakte, shprehje apo “informacione”shoqërore,
gjeografike, historike dhe shkencore. Te libri “Dardi në gadishullin e
vetëtimave”, një ekspeditë fëmijërore lundron rreth e qark gadishullit të
Karaburunit, dhe,atje,gjatë zhvillimit të përmbajtjes dhe aventurave të
personazheve, si pa kuptuar lexuesi merr edhe njohuri për gadishullin. Kështu
dhe për ishullin e Sazanit, kështu edhe gjatë lundrimit në bregdetin e
Adriatikut me anijen “Delfini i dy deteve”, kështu edhe me librin “Një udhëtim
i çuditshëm”, ku ekspedita e drejtuar nga Bubulinoja, fluturon me helikopter mbi Rrugën e Arbrit
dhe ndalon në Gurin e bardhë, në Bulqizë, në Grazhdan (e cila ka 44 kulla dhe
është dy herë më e madhe se Butrinti dhe Bylysi)...Kështu vijojnë udhëtimetaventurore
të ekspeditës për teliqenet e Lurës, për në Llogora;vijojnë vozitjet mes zogjve
të llojllojshëm në lagunat e Nartës, Karavastasë, KuneVainit;kështu vijojnë
aventurat dhe vizitat rreth e qark kalave të Kaninës,të Amantias, Rozafës,
Lezhës, Gjirokastrës, Himarës, Porto Palermos..., kështu dhe në Apoloni, Bylys,
Antigone, Butrint...
-Si
e shpjegoni dëshirën që, kur vizitoni apo shkoni një ndonjë vend të huaj, ju,kur
ktheheni, i kushtoni atij shteti një libër, madje Suedisë i keni kushtuar gjashtë
libra...?
-Pas viteve 90-të, kur Shqipëria u hap me botën, edhe unë
e konsiderova rruzullin tokësor “shtëpi të njerëzimit” dhe, prej asaj kohe kudo
që shkoja thosha se nuk jam “i huaj”askund.Librat
që kam shkruar për vendet e tjera, kanë arsye të veçanta. Librin “Yje mbi
Bosfor”, e shkrova në vitin 1982 kur shkova atje si kryetar i ansamblit
folklorik “Labëria”dhe morëm pjesë në festivalet folklorike të Bursës dhe të
Stambollit. Në vitin 1987, shkova në Budapest për një operacion të rëndë të
pankreasit dhe, kur u ktheva, si shenjë mirënjohjeje për hungarezët, shkrova
librin “Dëgjoma zemrën, Budapest!” Në vitin 1993, shkova refugjatë në Greqi, ku
punova hamall dhe, kur u ktheva shkrova romanin “Drithërimat e yjeve”. Kam shkuar disa herë në Suedi, ku dy libra
të mi janë përkthyer në gjuhën suedeze me nismën e tyre, ndërkohë i kam
kushtuar Suedisë librat: “Bukuri suedeze”(2011), “Për Ju miqtë e mi”(2012), “Zonja
nga Borasi”(2013), “Poleni viking”(2016, me bashkautor),”Miku i mirë, në ditë
të vështirë” (2023), si dhe disa libra monografikë
kushtuar bashkëkombësve tanë shqiptarë në Suedi e Norvegji. Kurse, shumicën e
librave, rreth 50 libra ia kam kushtuar atdheut tim, të cilën nuk do ta
ndërroja me askënd. “Shqipëria - ëndrra dhe shpresa,/ vendlindja e bukurive të
Dheut,/ këtu ndihemi lirë si shqiponja,/ këtu
ndihem i fortë si Anteu”.
-Vlorës,
vendlindjes tënde, i ke kushtuar libra?
-Po, shumë libra me tregime, romane për fëmijë dhe për të
rritur, si dhepoezi. Në Vlorë është vendlindja, aty janë rrënjët, aty janë
thëngjijtë e ndezur të fëmijërisë dhe
rinisë sime.Mjafton të trazoj pakëz hirin e kohës dhe atomë shfaqen...
-Kur
ke qenë për herë të fundit në Vlorë?
-Në vitin 2024. Shkova posaçërisht të shikoja tunelin e
Llogorasë. Një miku im, nga më të mirët, Bujar Agalliu ma plotësoi këtë dëshirë,
shkuam me makinën e tij.
-Ia
vlente hapja e atij tuneli?
-Po,sepse shmangen kthesat e rrezikshme të Llogorasë,
shmanget mundësia e aksidenteve (në kthesat e Llogorasë janë bërëaksidente të
shumta), shkurtohet jashtëzakonisht rruga, 6 minuta nga hyrja e Llogorasë deri
në Dhërmi...
-T`u
duk që Vlora ka ndryshuar?
-Po.Vlora është bërë shumë e bukur. Shumë gjëra janë
prishur e janë zëvendësuar me ndërtime të reja,pra ka shumë ndryshime, vetëm
deti dhe gjiri i Vlorës nuk kanë ndryshuar...
-Ke
kujtime nga Vlora?
-Po, e vetmja pasuri imja në Vlorë janë kujtimet e
fëmijërisë dhe të rinisë.
-Mendon
se vlejnë kujtimet?
-Si shkrimtar më vlejnë shumë. Ato janë si perlat brenda
guaskës.
- Duhet t`u rekomandojnë prindërit
fëmijëve librat që ata duhet të lexojnë?
-Po, duhet t`u rekomandojnë, por jo t`u diktojnë:“merr
këtë libër,se këtë dua unë, ky më pëlqen mua dhe duhet të të pëlqejë edhe ty!”.
Kështu e kthen fëmijën në “robot”, e zhvesh nga natyrshmëria dhe nuk i krijon
mundësinë të tregojë parapëlqimet apo dhuntinë e tij. Kështu fëmija rritet pak
a shumë si bimët në sera, apo si zogjtë në inkubator. Le ta pyesim veten, si do
të donim ne të silleshin prindërit apo të rriturit me ne kur ishim të vegjël?
-Ju
jeni me përvojë dhe i afirmuar në letërsinë bashkëkohore, nëse do t’ia nisje
nga e para çfarë do të rregulloje në krijimtari?
-Asgjë, librat më mirë të jenë ashtusiç janë, sepse çdo
libër mban vulën e kohës kur është shkruar...
-Sipas teje, ku dallojnë librat e mirë
nga librat e këqij?
-Unë do të shprehesha disi ndryshe: Ka libra që të vënë
në gjumë, ka libra që ta nxjerrin gjumin! Libri që të nxjerr gjumin, të bën që
t`i mbash gjatë në mendje përmbajtjen,
mesazhet, personazhet, karakteret, figurat artistike, batutat, dialogët, detajet
dhe shprehjet e rralla. Ti ke dëshirë që të ndash mendimet e tua edhe me të tjerët, me shokët e miqtë, me
familjen...Libri i mirë është një mik i mirë dhe një këshilltar i mirë.
Ju falenderoj për kohën
tuaj të çmuar. Suksese në krijmtarinë tuaj plot vlera, pleqëri të mbarë dhe I nderuar
krenar, si një zë intelektuali të përkushtuar dhe me integritet të lartë njerëzor.