| E diele, 26.01.2025, 07:53 PM |
PARTI “TË VOGLA”, PARTI “TË MËDHA” DHE SËMUNDJA E SHIFRAVE
Nga
Llesh NDOJ
Në
se ka një gjë që ne shqiptarët e kemi “me bollëk”, e mund t’u “shesim mend” edhe shteteve më të zhvilluara
në botë, është fakti se ndërsa numri i popullsisë bie me ritme të shpejta,
numri i partive politike sa vjen e shtohet e ndoshta, në raport me numrin e
popullsisë jetuese, jemi vërtetë “në maja”. Kushdo që mendon se di dy gjëra, e
kërkon të zërë një vend në hierarkinë shoqërore, e gjen më të udhës të krijojë
një parti politike, se sa të hapë një biznes apo të përkrahë një alternative
tjetër tek partitë ekzistuese. Popullsia sipas Censusit të vitit 2023 është
rrudhur në rreth 2.402.000 banorë, ndërsa numri i partive të regjistruara është
diku tek 130 të tilla, ose një parti politike për më pak se 20 mijë banorë.
Prej tyre, 11 marrin aktualisht para nga fondet e buxhetit të shtetit, në një
shumë që për vitin 2024 ishte rreth 350 milionë lekë. Nuk përbën problem, sipas
meje, numri i partive në vetvete dhe as numri i mbështetësve të tyre në shifra
absolute, por alternativa që ato paraqesin para zgjedhësve, kauza politike që
ato mbrojnë, përfitimi që ka shoqëria prej tyre, kështu që mendoj se do të
ishte mirë t’i klasifikonim ato, jo në parti “të mëdha” e parti “të vogla”, as
në parti të reja e parti të vjetra, por në parti që kanë një kauzë të tyre, e
parti “paterica” pa asnjë kauzë, në parti që mbrojnë kauza të drejta e të
prekshme për elektoratin dhe në parti që kanë si kauzë të tyre mbijetesën
politike të drejtuesve partiak. Nëse rendim pas numrave pa logjikë, nuk kemi
kuptuar thelbin për të cilin partitë politike i ka thirrur historia në skenë.
Kauzat e mëdha e të prekshme i bëjnë partitë politike vitale, i rritin
numerikisht përkrahësit e tyre, i bëjnë ato të dashura edhe kur s’janë të
votuara për pushtet, i mbajnë ato përherë të reja e i bëjnë të pjekura, ndërsa
“përzierja” e tyre në kazanin e politikës vetëm për llokma pushteti (kocka që
s’i “përtypin” dot partitë e mëdha!), i baltos ato dhe i shndërron në parti -
individ, parti - familje, apo parti – mafie.
Le
të flasim pak më konkretisht, ndonëse pa shifra, jo se ato mungojnë, por se zor
të nxirrnim gjë të hajrit prej tyre. Partia Demokratike e Shqipërisë, lindi në
kohë të vështira e mes sakrificave të mëdha, por përqafoi e bëri të sajën një
kauzë të rendësishme e popullore, etjen e popullit për Liri e Demokraci, ndaj
ajo u rrit, kapi shumë shpejt pushtetin e qëndroi gjatë si forcë në pushtet apo
alternativa e tij. Edhe Partia Socialiste, falë mendjeve të saj të ndritura si
ajo e Agollit, Nanos, Pëllumbit, Meidanit, Ramës e ndonjë tjetri, arriti t’a
transformoje shpejt veten nga një parti që mori urrejtjen e popullit si fajtore
për instalimin e diktaturës rreth gjysëm shekullore, në një forcë të re
politike bashkëkohore, me alternativën e së cilës u lidhën shumica e shpresave
të shqiptarëve, duke e mbajtur atë në pushtet më gjatë se çdo alternativë
tjetër. Bile, mund t’a them me bindje se edhe Partia Demokratike mbijetoi gjatë
si lëvizje gjysmëpopullore, më shumë se si një parti e mirëfilltë, në saj të
spostimit të saj drejt qendrës së majtë, pasi kuptoi ndjeshmëritë e
elektoratit, ashtu siç u spostua drejt qendrës e djathtas Rilindja (Partia
Socialiste e fazës aktuale), për t’i ikur etiketimit “komuniste” e rrëmbyer
pjesë nga shtresa e mesme e popullsisë, normalisht larg të majtës komuniste e
larg të djathtës ekstremiste.
Fatkeqësisht,
Partia Demokratike mbeti në thelb pre e mendësisë komuniste të Sali Berishës,
nuk e përpunoi alternativën e saj më tej se tek antikomunizmi folklorik dhe
erdhi duke “hyrë n’ujë” dita - ditës, sa më shumë tentonte të kalonte nga një
lëvizje demokratike në parti të mirëfilltë e të organizuar rreth “kauzës”, më
shumë se rreth liderit. Lëvizja Socialiste për Integrim, sot Partia e Lirisë,
lindi dhe u rrit si shtojcë e pushtetit, me kauzën e vetme mbijetesën për
interesa familjare, dhe mbeti parti familjare dhe mafioze, e vetmja
përfaqësuese tipike e këtij spektri në Shqipëri. Kjo frymë pa kauzë, solli
pashmangshëm luftën brenda familjes, tkurrjen e rrezikun e shndërrimit të saj
shumë shpejt, në një rudiment të kohës.
Nuk
është qëllimi im të analizoj as PD - n e as PS - n në këtë shkrim, se ata kanë
kapacitete të bollshme intelektuale e organizative t’a bëjnë këtë, por një
skanim i situatës aktuale parazgjedhore ndoshta ia vlen të bëhet. Veç këtyre
partive, ka në skenë edhe plot parti të tjera që të vetmen histori për të
shpalosur para elektoratit kanë marrjen prej tyre të mandateve nga partitë në
pushtet, PS e PD, duke u ngjitur pas tyre si “mu…i pas këpucës” apo si “qen..i
pas kullës”, pa paraqitur kurrfarë alternative apo kauze të veten, që më së
shumti kanë rezultuar bashkime mekanike, aspak ideore e programore, të tilla si
Partia Republikane, Partia Agrare, ajo e të Drejtave të Njeriut, Partia
Demokristiane, Partita Socialdemokrate e ndonjë tjetër, dhe që janë kthyer praktikisht
nga parti politike, në parti kryetarësh e që edhe në këto zgjedhje po luftojnë
thjesht e vetëm për vende të sigurta në listat e Sali Berishës, ndonjë edhe të
PS-s, bashkë me Meta – partinë familjare. Por ka edhe nga ato parti që kanë dal
rishtas në skenë si partia e Lapajt, e Qorrit, e Shehit e ndonjë tjetër, që
janë realisht të dënuara nga Kodi Zgjedhor “konsensual” PD - PS, por të paktën
nëpër ekranet televizive dhe nëpër tubime të ndryshme po “luftojnë” fort që të
mos dalin “pa gjë” nga këto zgjedhje. Nuk i cilësova këto forca politike me
emrin e drejtuesit, sepse nuk ua di emërtimin e tyre zyrtar, por se ato deri më
tash kanë kryetarët e tyre si të vetmin identitet dhe se do t’u duhet kohë e
mund, ndoshta disa procese zgjedhore, që në se janë me fat, t’u mësohet emri i
tyre real, ose do të shuhen udhës si “shu…a e pulës”. Këto forca politike e
dinë se pushtetmbajtëse nuk mund të bëhen, të paktën kaq shpejt, ndaj po
mundohen të rrëmbejnë ç’të munden nga PS kryesisht, me shpresën e arritjes së
rolit të “king make - rit” e nën shembullim e ish - Lëvizjes Socialiste për
Integrim, sot Partia e Lirisë, në fakt Meta - partisë, që nuk artikuloi kurrë
një alternativë reale veç pazareve të pista për pushtet dhe që e kanë
katandisur atë në një parti inekzistente aktualisht, të cilat pretendojnë edhe
në këto zgjedhje të mbijetojnë në xhunglen politike shqiptare. Nuk mund të
parashikoj “fatin” paszgjedhor të partive që vijnë rishtas në arenën zgjedhore
e politike shqiptare, por mund të konstatoj pa frikë se ato nuk kanë artikuluar
akoma një kauzë të tyre, nuk paraqesin një alternativë serioze e të besueshme,
janë duke u paraqitur para votuesit me një amalgamë pikëpamjesh pa identitet,
madje shpesh neokomuniste. Asnjëra prej tyre nuk është e zonja të thotë, hapur
e qartë, se cila është risia apo risitë e saj përkundër pushtetit e
alternatives së tij të derisotme, sillen sikur e kanë të sigurt pushtetin e
janë alternativë qeverisëse, në vend që të bëjnë një analizë realiste e të
thonë se me votën e elektoratit të vet do arrijnë të bëjnë një apo disa gjëra,
qoftë edhe të vogla në dukje, mjafton që t’u japin atyre identitet, duke ia
imponuar ato partisë qeverisëse përmes votës në kuvend e mënyra të tjera
demokratike, jashtë skemave të pazareve të vjetra. Duke identifikuar veten me
një ose dy - tri gjëra të dallueshme e të prekshme, këto parti janë të
“justifikuara” që edhe me 2 - 3 mandate parlamentare t’i imponohen parimisht
shumicës, me apo pa koalicion, duke vënë alternativën, apo kauzën e tyre si
kusht bashkëpunimi dhe jo një karrige për kryetarët e partisë.
Shifrat
janë të rëndësishme në demokraci pasi, në fund të fundit, “çelësi magjik” i
programeve qeverisëse demokratike përkthehet tek shifra 50% plus një, por ato
shpesh janë fallso, fasadë, imazh justifikues dhe një hi syshë për njerëzit.
Për mua, dy partitë alternative të pushtetit 35 vjeçarë postsocializëm, nuk
duhet të mbivlerësojnë kaq shumë votën plus një mbi 50% edhe pse ajo u jep
karrigen e pushtetit, por çdo votë minus nga zgjedhja në zgjedhje, çdo
alternativë pa përkrahje, çdo objektiv të pa realizuar, në mënyrë që të mos
“kalërojnë” hijen e tyre, gjë që i bën të tkurren dita – ditës, sa më shumë
mendjet tona si zgjedhës kthjellohen e ndriçohen, duke u çliruar nga dogmat
ideore e politike, shndërruar më së shumti në “drogëra” elektorale. As komunizmi
dhe as antikomunizmi, të hapur apo të maskuar, nuk mund të jenë më tej
alternativë e për më tepër kalë beteje i tyre.
Plakja
e popullsisë, po e kthen vendin me ritme të shpejta në “azil pleqsh” pa
shërbime, e skemën e pensioneve në rrezikun e një “piramide” të re.
Ç’alternativë afrojnë ato për këtë sëmundje “kanceroze”, që po na gërryen edhe
ashtin? Thuajse asgjë! Duhen stimuluar martesat në moshë të re, lindjet me mbi
tre fëmijë për çift, politikat e strehimit e të punësimit, që e shërojnë këtë
sëmundje në themel, kurse kompensimet me 3 - 4% të inflacionit, bonuset apo
edhe rritjet e pensioneve me hapat e breshkës e të pa studiuara, mbeten thjesht
“aspirina”. Ndërkohë që politikat deklarative për frenimin e shpopullit pa
asnjë masë konkrete, për rritjen e pensionit pa rritjen e punësimit me shifra
fluturuese e ato për Shqipërinë “great again” e katër milionëshe brenda një
mandate qeverisës(!), janë flluska elektorale që do t’i kishte zili edhe
komunizmi. Ekonomia ecën me trend pozitiv e ne mburremi me 3 - 4% rritje (jo që
kjo s’duhet vlerësuar), por askush nuk na thotë se ç’duhet bërë që të
barazohemi të paktën me “botën e tretë” të vendeve evropiane? Thuhet se do të
rikonceptojmë sistemin tonë demokratik që ai të jetë funksional, por askush nuk
guxon të thotë se, a do na duhet të ndërmerret reformë kushtetuese, duke
shkurtuar dukshëm numri i deputetëve në kuvend, duke shpërndarë kompetencat nga
individi tek organet e zgjedhura në menyrë demokratike. Thuhet se do luftojmë
korrupsionin dhe na tregojnë shifrat e SPAK - ut me disa qeli “vip” më shumë me
pushtetarë e ish - pushtetarë, por askush nuk hedh në programet e veta nevojën
për shkurtim drastik të administratës shtetërore që ka kultivuar sistemin
burokratik, askush nuk e pranon se kjo sëmundja e korrupsionit është sëmundje
gjenerike dhe se luftimi i saj nuk bëhet dot me deklarata dhe masa të
pjesëshme, qoftë edhe me shndërrimin e vendit në një “burg të madh” ku s’gjen
dot gardian për t’a rujtur, por vetëm me masa drastike dhe sistemike. Kush e
projekton sot hartën ekonomike të Shqipërisë pas një dekade, apo pas dy a tri
të tilla, e t’a paraqesë atë si kalë beteje për vota, në vend të deklarimit të
numrit të turistëve, shumica “me bukë në çantë”, që kalojnë Rinasin thuajse çdo
ditë? Më tej se kaq, partitë rrinë të fshehura si struci në shkretëtirë, të
numërojnë pjsmarrësit e njëra - tjetrës në mitingjet elektorale, në protesta e
salla ku marrin pjesë liderët e tyre, duke u përpjekur të minimizojnë shifrat e
kundërshtarit e të maksimalizojnë të vetat, por pak analizojnë saktësisht
rënien e votave në kutitë e votimit, indiferentizmin në rritje të zgjedhësve që
shprehet me fenomenin e abstenimit, qoftë përmes mosmarrjes pjesë në procesin e
votimit, qoftë përmes votës “as mish, as peshk”, si dhe të treguesve të tjerë
sinjifikativ që tregojnë plakjen e frikshme të sistemit tonë politik, asnjëherë
aq sa duhet demokratik.
Ja
pra…! Shifrat nuk tregojnë kurdoherë realitetin, e rendja e partive politike
drejt tyre, pa alternativa reale, të besueshme e të realizueshme, më së shumti
i “hedh hi syve” elektoratit dhe e le atë gjatë në agoninë e vet, por as nuk
zgjidh problemet tona, as nuk i bën “të mëdha”, apo “të vogla” partitë
politike. Ndërkohë që kauzat mungojnë tërësisht…
***
Thonë
se një mbret e kishte të domosdoshme të kalonte natën diku, në pamundësi të një
hoteli apo rezidence qeveritare. Shoqëruesit e tij i propozuan t’a dërgonin
madhërinë e tij në një familje të thjeshtë të zonës.
-
Ok!, miratoi ai pa hezitim. - Ku t’a shihni të arësyeshme ju, vetëm mos më qoni
aty ku ka më të mëdhenj se unë! Shoqëruesit u habitën me këtë kërkesë të
Naltmadhërisë së tyre dhe për t’i bërë qefin, e garantuan:
-
S’ka më të madh se Ju në mbretërinë tonë, kështu që rrini pa merak, Naltmadhnia
Juaj!
Mbreti,
pa u menduar fare, iu thotë:
-
Ka edhe më të madh se unë…, por nuk u tregoi më gjatë kush mund të ishte.
Puna
e deshi që mbreti të kalonte natën në një familje të mirë, jo të varfër, por me
shumë fëmijë. Aty pati çdo të mirë që i duhej e komoditet të mjaftueshëm, por
fëmijët s’njihnin as mbret, as mbretëri. Mbretëria e tyre ishte të jetonin
lumturinë e moshës, ndaj për lodrat e tyre “sakrifikonin” edhe mbretin… Të
nesërmen, mbreti u tha shoqëruesve të vet:
-
A u thashë se ka edhe më të mëdhenj se unë?
***
Politikanët
tanë nuk duhet të mjaftohen duke u vetkënaqur me madhështinë e lodrave të tyre
elektorale e shifrat pa thelb, por duhet të mendojnë për vlerat reale të
qeverisjes së tyre, të prekshme e të ndjeshme prej votuesve, akoma pa shkuar në
pikën që ata “s’pyesin as për mbretin!”. Kjo i bën të mëdhenj, edhe nëse kanë
pak numra në mbështetje. Ndryshe…