| E shtune, 25.01.2025, 07:54 PM |
Robër të telefonave celularë thuaja janë bërë të gjithë
(Letër
imagjinare mikut tim, shkrimtarit të ndjerë, Zejnullah Halili)
Nga
Hamza Halabaku
I
dashuri Zejnullah,
Sa
e sa herë po të shkruaj për gjërat që ndodhin në Kosovë e rreth Kosovës, ndërsa
kam harruar të të shkruaj për një gjë që e ka kapluar tërë globin, e jo vetëm
ne në Kosovë. Fjalën e kam për telefonat celularë, kështu po u thonë vëllezërit
tanë në Shqipëri telefonave të dorës. Janë telefona dore. Të vegjël dhe i merr
me vete kudo të shkosh, e me tre ose katër euro, je “i lidhur” me tërë botën.
Edhe telefona të mençur po u thonë!
Fëmijët
vijnë brenda dhe përshëndeten me prindërit
me një “tung”. Tung, babi, ose tung, mami dhe vazhdojnë me celularët në
dorë. Të merr malli të flasësh e të bësh një bisedë për çfarëdo qoftë! Nuk ke
me kë bisedon as për motin e ditës që jemi, e le më për diçka tjetër!
Të merr malli të ulesh rreth sofrës për
ta filluar së bashku me tërë familjen drekën ose darkën dhe, pasi të çohet
sofra, për ta shtruar bisedën me njëri-tjetrin për tema të ndryshme. Si në
familje më! Të merr malli të bisedosh edhe me më të afërmit.
Kur
vijnë fëmijët për vizitë, secili e mban celularin e vet në dorë. Askush me
askënd nuk flet drejtpërdrejt. Flet me telefon, jo me ne që jemi të pranishëm
në dhomë, por me ata, të afërmit, miqtë e shokët ose shoqet, që janë në
largësi. Dikush dëgjon muzikë, dikush me dikë këmben fjalë e fotografi. Mund të
këmbejnë, po, edhe i këmbejnë edhe video-regjistrime, që i filmojnë vetë me
telefonat e dorës.
*
Kur
ecën rrugës, sheh njerëz që flasin pa pasur askënd në afërsi! Ose më mirë të
thuash, që flasin, o Zot, s’di si të të them?! Fiton përshtypjen se ai është i
çmendur dhe flet me vetveten. Jo, ai është duke biseduar me dikë në largësi,
përmes celularit, ose me dikë në një qytet tjetër, kjo s’ka rëndësi. Kufjet në
veshë e telefonin në një xhep të xhaketës ose të mantelit dhe fol, djalë, me kë
të duash. Nuk kushton shumë! Këso rastesh ka përditë e më shumë. Edhe ata që
nuk kanë, ose më mirë të them nuk punojnë as për bukën e gojës, e s’kanë as për
të ngrënë, e që për ta kujdeset shteti e organizatat humanitare, edhe ata kanë
celularë. Bile të shtrenjtë! Që flasin dhe mund ta shohin edhe fotografinë,
qoftë në qytetet e largëta ose edhe përtej Atlantikut! Ndoshta është e çuditshme,
por është e vërtetë!
*
Robër
të telefonave celularë thuaja janë bërë të gjithë. Bile edhe ministrat e
zëvendësministrat. Edhe kur janë në mbledhje qeverie apo kudo të jenë... Edhe
deputetët në mbledhjet plenare të parlamentit, kudo, në Tiranë, në Prishtinë,
në Shkup e në Preshevë... Natyrisht, fjala është për tërë globin. Të paktën,
atë që po e shoh unë...
Telefonatat nuk të lënë të qetë madje
as gjatë varrimeve. Më ka rastisur, kur kam marrë pjesë në ndonjë varrim të
ndonjë të njohuri, në Prishtinë ose në fshatin tim të lindjes, jo vetëm të
dëgjoj cingërima telefonash, por edhe biseda jo të shkurtra. S’ka lidhje që
dikush është duke lexuar nekrologun për të vdekurin. Edhe hoxha ose prifti nëse
është duke bërë lutjen për të vdekurin, pronarit të celularit nuk ia ndien dhe
flet me celular. Edhe në të pame, për ngushëllime, pra, nuk ka shans të mos
ndihen cingërima celulari. Tani pritjet për ngushëllime rëndom po i organizojnë
tri ditë, në ndonjë çadër të madhe ku i zë më shumë se tridhjetë apo pesëdhjetë
veta dhe rastis që më shumë të dëgjohen ata që bisedojnë me telefon sesa ata që
shprehin ngushëllime.
*
Teknika
ka ecur shumë shpejt dhe ka arritur shumë larg! Falënderoj të madhin Zot që na
janë krijuar këso kushtesh për të komunikuar me kë të duam, pa marrë parasysh
largësinë fizike! Jo vetëm telefonat, po
edhe televizioni ka ecur shumë larg përpara. Me një antenë satelitore
mund t’i shohësh mijëra programe televizive. Në Kosovë tanimë ke disa kompani
që ofrojnë lidhje interneti dhe lidhje kabllore me qindra studio televizive.
Auuuu, secili fshat, gati, ka bërë studio televizive dhe transmeton programe
nga aty e ti, kudo të jesh, mund ta ndjekësh cilindo program televiziv. A ke
çka të shohësh të mirë aty, do të më pyesësh ti? Shumë pak ose aspak!
E tash, unë që jetoj në Gjermani, shoqja ime, shikon ca programe TV, e
unë jam para kompjuterit. Ajo është “bos” i televizorit. Kur unë kërkoj të
shoh ndonjë emision, ajo “nuk më lejon me dëshirë”. E ka uzurpuar televizorin
dhe nuk ka bir nëne që ia merr teledirigjuesin e televizorit. Edhe bijat e mia
janë, natyrisht, në anën e mamit. Më thonë, babi, mos e nga nënën. Lëre, le të
shikojë çka të dojë ajo!
*
Më
irritojnë shumë jo vetëm shkuarjet nëpër dreka e darka në restorantet më të
njohura në vend e jashtë vendit, por edhe publikimi i fotografive dhe
videoregjistrimeve duke konsumuar ushqime e pije shumë të shtrenjta, kuptohet
me para të buxhetit të vendit. Qytetarët i paguajnë taksat e ata (zyrtarët) i
hanë dhe i pinë!
Këtë letër po e lë me kaq.
Dritë paç, o miku im i
mirë!
(Nuremberg,
20 shkurt 2018)