| E shtune, 25.01.2025, 07:38 PM |
Halim Hasani – thyen rekordin në botimin e librave me aforizma shqiptarë
Përkitazi
me librin aforistik “500 Aforizma”, të autorit Halim Hasani, Shtëpia Botuese “Lenagrafik”, në Prishtinë, 2025
Nga
Sevdail Hyseni
Këto
ditë janari, në periudhën e manifestimeve me rastin e Flakës së Janarit, na
erdhi si një flakadan i ndezur edhe libri me 500 aforizma, të autorit nga
Komuna e Bujanocit, Halim Hasani.
Ky
është libri i katërmbëdhjetë me radhë i botuar me aforizma, numri të cilave
thyen rekordin e botimit të këtij zhanri deficitar të aforistikës shqiptare më
4500 sish, duke e bërë Halim Hasanin, mjeshtër dhe legjendë të krijimit aforizmit, rrugëtim ky i cili synon të
mbërrijë deri në numrin 5000, që për letrat shqipe paraqet një thesar të çmuar
e me rëndësi letrare e kombëtare.
Libri
më i ri i Halim Hasanit, i përbërë nga 500 aforizma, është një dëshmi e fuqisë
dhe thellësisë së mendimit të tij, duke e çuar më tej traditën e rrallë të
aforistikës shqiptare. Përmes këtij libri, autori shfaq një mjeshtëri të lartë
letrare, duke i dhënë jetë mendimeve të përmbledhura në pak fjalë, por me një
peshë të madhe kuptimore dhe artistike.
Në
këtë vepër, Hasani ndërthur me mjeshtëri ironinë, filozofinë dhe urtësinë
popullore, duke krijuar aforizma që jo vetëm argëtojnë lexuesin, por edhe e
nxisin për të reflektuar mbi aspekte të ndryshme të jetës, shoqërisë dhe vetë
natyrës njerëzore. Secili aforizëm është një thesar i vogël, i ngarkuar me
domethënie dhe i ndërtuar me një sintaksë të pastër e elegante, që dëshmon për
një ndjeshmëri të thellë artistike.
Libri
reflekton një stil të veçantë të të shkruarit, ku çdo fjali ka peshën e një
libri të tërë, dhe çdo mendim mund të shërbejë si një udhërrëfyes për lexuesin.
Përmes ironisë së hollë dhe të mprehtë, Hasani i bën një analizë të zgjuar
shoqërisë dhe kohës që jetojmë, duke vënë në pah kontrastet, paradokset dhe
sfidat e saj. Kjo aftësi e tij për të depërtuar në thelbin e realitetit e bën
këtë libër jo vetëm një vepër letrare, por edhe një pasqyrë filozofike dhe
kritike për kohën tonë.
Kritikët
letrarë kanë theksuar se Halim Hasani nuk është vetëm një autor i aforizmave,
por një filozof i kohës moderne, që përmes mendimit të thjeshtë dhe të thellë
arrin të prekë shtresat më të thella të shpirtit njerëzor. Aforizmat e tij janë
të ndërtuara me kujdes, ku fjala dhe kuptimi qëndrojnë në një harmoni të
përkryer, duke e bërë çdo aforizëm të paharrueshëm.
Ky
libër i ri i shtohet me meritë një serie veprash që kanë vendosur themelet e
një zhanri letrar në letërsinë shqiptare. Me këtë arritje, Halim Hasani jo
vetëm që thellon kontributin e tij letrar, por edhe vendos një standard të
lartë për krijuesit e ardhshëm të këtij zhanri. Për lexuesin shqiptar, ky libër
mbetet një ftesë për të medituar, për të qeshur, për t’u sfiduar mendërisht dhe
për të zbuluar thesaret e mendimit të përmbledhur në çdo aforizëm.
Vlen
të ceket se Halim Hasani, nga Lugina e Preshevës, me botimin e aforizmit,
mbetet njëri nga krijuesit më të mëdhenj
të këtij zhanri letrar, i cili deri tani ka publikuar këto libra aforistik:
“Aforizma të kohës” (1993), pastaj libri tjetër “200 Aforizma” (2005), për të
vazhduar me “Aforizma bashkëkohorë” (2008), “Aforizma” (2010), “Fjalë nëpër
kohë” (2012), “1021 Aforizma” (2012), “Fjali me inxhi” (2013), “Fjali pa mahi”
(2014), “2400 Aforizma” (2016), “600
Aforizma” (2018), kompleti "3000 Aforizma” (2019), “500 Aforizma” (2021),
pastaj tjetër “4000 Aforizma (2022) dhe libri i fundi i tij i publikuar këto
ditë mban titullin: “Kokën e jap, tokën s’e jap" me 500 Aforizma"
(2025), pra gjithsej 4500 aforizma.
Me
kaq, nuk përmbyllet rrugëtimi aforistik i Halim Hasanit, i cili vazhdon të
merret edhe matej me krijimin e këtij zhanri letrar,shumë të kërkuar në tregun
e botimit të librave.
Halim
Hasani, vazhdon ta kultivojë dhe ta afirmojë aforizmin shqiptar, këtë gjini
deficitare letrare e cila e ka burimin te urtia popullore, e sajuara nëpër
shekuj, duke u munduar që në aforizmat e tij, të nxjerr një mësim, një porosi,
një këshillë të urtë, si dhe të jap një mesazh të qartë me vlera të mëdha
artistike.