| E premte, 24.01.2025, 07:51 PM |
ZARFI ME POEZI TË POETIT VISAR ZHITI
Nga
Skënder Karaçica - gazetar, Çikago
Regjimi
serb i Slobodan Millosheviq përmes projektit shfarosës deri në substancën
kombëtare dhe në shkallë të gjenocidit, në vitet e ’90 i pati mbyllur mjetëne
informimit dhe fjalën e lajmit shqip në Kosovë, që, shqiptarët të mbesin në
terrin informativ. Regjimi serb me yryshet antishqiptare kishte për qëllim, që,
lajmin shqip të varrosë në errësirën pushtuese dhe, siç thoshte një gazetar
anglez(…), një popull i pa informuar mund të vdesë shpejt…!
Në
këtë kohë të errësirës së lajmit shqip, në Prishtinë një grup intelektualësh
kishin vendosur që të botojnë Revistën e pavarur të kohës “Fjala e Jonë”, që
botohej dy herë në muaj. Në redaksinë e kësaj reviste informative në gjuhën
shqipe që regjimi serb i kishte vënë vijat antishqiptare të ndalimit, të
denigrimit, të përbuzjes dhe të fyerjes në rrafshin kombëtar, mora detyrën e
redaktorit në faqet e kulturës.
Revista
e përdyjavshme “Fjala Jonë” në Prishtinë nisi të dërgojë lajmin dhe të botojë
tema të nduarnduarta politike të kohës së pushtimit serb si dhe ato të rrafsheve
ekonomike, historike, gjuhësore, letrare dhe sportive… Në faqet e revistës
botoheshin temat aktuale të autorëve nga bota shkencore: dr. Hakif Bajrami, dr.
Muhamet Pirraku, Akad. Esad Stavileci, Mahmut Bakalli, Mr. Ukshin Hoti, dr.
Ibrahim Gashi dhe shumë të tjerë.
Një
ditë në tovolinën time si redaktor i kulturës, më vjen një zarfë dorë më dorë,
që kishte kaluar kufirin shqiptaro-shqiptar me gjemba dhe, posa e hapa aty
ishin një tufë me poezi të poetit Visa Zhiti. Zemra m’u bë mal dhe mezi prisja që
t’i botoja në këndin e poetëve të poezisë së sotme bashkëkohore. Për poetin
Visar Zhiti kisha lexuar dhe isha në dijeni për kalvarin e jetës së poetit
përmes orës kujdestare të regjimit komunist dhe të jetës së tij brenda grillave
të burgut politik në Shqipëri.
Posa
i lexova tufëm me poezi, që kishin ardhur dorë më dorë dhe duke kaluar
vargmalet shqiptare, në Prishtinë porosia poetike e poetit Visar Zhiti erdhi me
shpirtin e tij ashtu siç dijnë me e dashtë atdheun dhe kombin e vet poetët
përmes artit poetik. Poetët e kanë thënë më të drejtë në kritikën letrare të
përbotshme, janë ligjvënësit më të mirë të kohës…! Këtu, në rrafshin letrar
poeti Visar Zhiti ishte më shumë se një klithmë para botës shqiptare dhe në
trajtat në kërkim të lirisë së njeriut për bindjen e tij të lirë në udhët e
jetës…!
Posa
doli nga shtypi Revista “Fjala Jonë”, në rubrikën e kulturës poeti Visar Zhiti
në kohën më të rëndë sheksperiane “të jeshë apo mos të jeshë”, përmes artit të
poezisë nisi mesazhin për shqiptrët dhe Kosovën se nuk ka kush që ua zë diellin
e lirisë…!
Me
poetin Visar Zhiti dhe zarfi me një tufë të poezive që erdhën nga Shqipëria në
Prishtinë, ishte ditë gëzimi dhe përjetimi me trajtat poetike të artit të
poezisë që di të krijojë drejtpeshimin e shpirtit kombëtar të shqiptarëve para
orës së rëndë të historisë së Kosovës!
Zarfi
me peozi të poetit Visar Zhiti, hyri me poetikën e tij në Kosovë dhe mbeti hise
e tokës shqiptare me poezinë e tij që nis mesazhe për popullin e vet. Poetët
janë metaforat e pavdekshme të kombit!