| E enjte, 23.01.2025, 07:52 PM |
Dëgjoni profesionistët…!
-
Veç i zoti e di, se ku i pikon çatia -
Nga
LLESH NDOJ*
Thuajse
të gjithë e njohin. Shumë e duan dhe i kërkojnë me ngulm shërbimet e tij, një
pakicë edhe pse nuk e “duan” e vlerësojnë për saktësinë, zhdërvjelltësinë e
ligjësinë e shërbimeve që jep. Ndopak edhe e urrejnë, mbase thjesht se është i
zoti... Por, thënë këtë, në rast se nuk do të ekzistonte kjo “pakica”, zor se
do të qëndronin ato që thashë më lart apo që do të sjell në vijim të këtij
shkrimi - opinion.
Ndërkohë
që shkruaj këto fjalë, në mendje më vjen një ngjarje e treguar, ndoshta thjesht
si histori, ndoshta si fabul për të përcjell një mësim jete, ndoshta të dyja
bashkë: Një djalë i vetëm do të shkonte ushtarë. Shërbimi ushtarak i djemve
atëherë përjetohej dyfish: edhe si gëzim, sepse djali zyrtarisht “varte pushkën
krahut” e burrërohej, edhe si mërzitje sepse ai, në të shumtën e rasteve,
largohej për herë të parë nga vatra familjare drejt një jete ndryshe. Gjyshi,
një burrë nga i cili merrnin mësime thuajse i gjithë fshati, e porositi gjërë e
gjatë nipin përpara se t’a përcillte në degën ushtarake për t’u mobilizuar nën
armë. Pas pak kohësh, ndoshta rreth 5 - 6 muajsh, djali vjen me leje pranë
familjes. U gëzuan të gjithë. U gëzua edhe gjyshi plak.
-
Hë, more bir, pa thuaj gjyshit, si je, si ja kalon, a ke zënë ndonjë shok?, e
një mori pyetjesh të tjera, si me breshëri. Djali, pasi i tregoi se ishte mirë,
se s’kishte probleme as me shëndetin, as me shërbimin, si për t’a gëzuar
gjyshin, e përmbyll përgjigjen e tij:
-
I kam të gjithë shokë! Më duan dhe i dua të gjithë si vëllezër! Gjyshi, në vend
që të gëzohej, u vrejt në fytyrë. - Ehe!, - mërmëriti plaku nëpër dhëmbë, duke
e shfaqur hapur pakënaqësinë e tij.
Pas
ndoshta një viti, djali rikthehet përseri me leje dhe plaku i bën të njejtat
pyetje, të cilat do t’i konkludonte me përgjigjen:
-
Gjysmën i kam shokë, një pjesë as shokë e as kundërshtarë, e disa janë që nuk
më duan!
-
Mirë qënke bir!, - ia ktheu ai, - por përpiqu të jesh edhe më mirë!
Kur
shkoi për herë të tretë me leje, djali i thotë gjyshit se kishte një grusht
shokësh që linin kryet për njëri - tjetrin, të shumtët ishin thjesht shokë
shërbimi e një pjesë tjetër nuk e donin fare.
-
Të pastë gjyshi, tash je në udhën e duhur!, e mbylli plaku bisedën e çastit.
Personi
që po sjell si personazh dhe që i shkon për shtat ky përcaktim është noteri i
njohur Vasil Martini. I shkolluar në dy fakultete, inxhinieri dhe drejtësi, me
më shumë se 25 vite përvojë pune si noter. Ai e ka shndërruar zyrën e tij të
noterisë në Lezhë, në një institucion publik plotësisht të besueshëm, e ku
shumë njerëz drejtohen jo vetëm për të marr ato shërbime që ai i jep në
përputhje me funksionin që kryen, por edhe për të marr një konsulencë juridike
të çfarëdoshme. Bisedat me të janë kurdoherë për jurispudencën në përgjithësi e
në veçanti për noterinë, profesionin me të cilin është dashuruar pa kushte.
Duke patur lidhje shoqërore, por edhe bashkëpunime me interes reciprok në punët
që bëjmë secili në detyrën e vet, bisedat me të janë kurdoherë të këndshme, por
nganjëherë edhe të “bezdisshme”. Të bezdisshme sepse atë gjithnjë e gërryen
meraku i një shërbimi noterial pararojë edhe për rajonin, i krahasueshëm me atë
të vendeve më të përparuara të Evropës, të cilat i ka vizituar jo thjesht si
soditës, por si një eksplorues i mirëfilltë, por me merakun që për çdo gjë të
mirë të tyre të vinte shpejt dita, që t’i shihte të zbatuara edhe në sistemin
noterial shqiptar. Ai është këmbëngulësi dhe njëri nga hartuesit e detyrës së
projektimit dhe ndjekësi hap pas hapi i realizimit të digjitalizimit të
shërbimit të noterisë, shërbim që aktualisht është i krahasueshëm me më të
përparuarit e vendeve të zhvilluara, e në ndonjë aspekt edhe i tejkalon ato.
-
Kështu, - thotë ai, - sistemi ynë ka përparësi sepse e ka të integruar edhe
pjesën financiare dhe atë të fiskalizimit, menaxhimit dhe kontrollit ekonomik
të punës sonë. Ky process na lehtëson ne, standartizon shërbimin, ul
informalitetin e shkon në favor të shtetit çfarë i takon atij dhe mbi të gjitha,
i shërbehet shpejt, saktë, me standart e pa kosto të fshehura qytetarit, - e
mbyll ai rrëfimin e tij. Por noter Vasili kurrë nuk kënaqet me pak. Një arritje
ai e sheh si bazë për më tej, e jo si tullën e fundit të ngrehinës. E shqetëson
fakti se akoma ka burokraci, se akoma shumë letra fizike janë në përdorim, se
akoma arkivat e noterisë nuk ruhen e përdoren si duhet, se ka akoma shtigje
abuzimi etj. Dhe ai ka gjithnjë ide të
reja! - Ja, për shembull, - thotë noter Vasili, - pse duhet të prodhohet më
shumë se në një kopje akti noterial, në vend që ai t’u shkoje automatikisht në
llogarinë e tyre personale në e - albania palëve dhe nga arkivi elektronik i
noterit mund t’i bëhen atij, sa herë kërkohen, kopje të njësuara.
Ka
kohë që të flet me shumë pasion e kompetencë profesionale, juridike, ekonomike
e teknike për projektin e pullës digjitale. Noterët janë përdorues të
përhershëm të pullës fiskale, por ata i blejnë pullat nga Posta Shqiptare, i
vendosin manualisht në çdo akt, megjithse disa edhe jo korrektësisht, e duke
abuzuar me detyrimin ndaj financave të shtetit, por edhe duke harxhuar kohën e
tyre fizike. Ai mendon se procesi mund të digjitalizohet krejt thjeshtë, duke
eleminuar abuzimin e mundshëm, duke hequr kostot e prodhimit të pullës fizike e
duke rritur ndjeshëm të ardhurat në buxhetin e shtetit, me zero kosto. Nuk
mungon t’ua bëjë të ditur këtë e shumë ide të tjera novatore, lehtësisht të
realizueshme dhe pa asnjë kosto monetare, edhe Dhomës Kombëtare të Noterisë,
Ministrisë së Drejtësisë, Kryeministrisë e kolegëve të tij, me pasion e
dëshirë, a thua gjithshka do të shkonte në funksion të financave e shërbimeve
të tij!
Ja
pra! Ata që e shohin me xhelozi, apo edhe e “urrejnë” e mundohem t’i krijojnë
edhe ndonjë pengesë, kuptohen lehtësisht pse, por ajo që s’ka si kuptohet është
qëndrimi i Dhomës Kombëtare të Noterisë, Ministrisë së Drejtësisë dhe shtetit
në tërësi, ndaj nevojës urgjente që shërbimet publike t’i besohen gjithnjë e më
shumë “ftohtësisë” së teknikës e teknologjisë digitale, duke i bërë të largëta
e të panevojshme kontaktet mes atij që ka detyrë të jap shërbimin dhe atij që e
kërkon atë, kontakte që ose zgjidhen miqësisht duke shkelur të drejtat e të
tjerëve, ose zgjidhen në rrugë korruptive duke i zhvatur kërkuesit të shërbimit
edhe qindarkat e fundit. Kjo nevojë, e ky kontekst më bëri t’a vë në qendër të
kësaj analize horizontin, këmbënguljen dhe përpjekjet e këtij noteri, si
shembull për t’u marr në të gjitha fushat, jo reklama ndaj tij, pasi ai as që
ndjen nevojë për këtë. - Fshati që duket s’ka nevojë për kallauz!, - thotë
populli.
Në
se duam t’a luftojmë korrupsionin me të vërtetë dhe duam t’a kontrollojmë
lehtësisht dhënien korrekte të shërbimit nga administrata e shtetit për
shtetasit e vet, kjo është jo vetëm e vetmja rrugë e sigurtë, por edhe e vetmja
zgjidhje me përfitime reciproke, qeveritar - të qeverisur. Shteti ka mundësi
t’a shkurtojë administratën e tij akoma shumë të fryrë, me kompetenca e detyra
të kufizuara, me paaftësi e korrupsion gjenerik, të ushtrojë pa vështirësi e cilësisht
funksionet e veta të kontrollit, e të mbledhë të ardhurat që i takojnë me ligj,
ndërsa qytetari t’a marrë saktë, shpejt, dhe vetëm me shpenzimet e parashikuara
nga aktet ligjore e nënligjore shërbimin e kërkuar, e mbi të gjitha të ketë
sigurinë se ajo çfarë prek e sheh ai, ndodhet e aksesueshme prej tij e organeve
kompetente shtetërore pa vështirësi. Por për të arritur në zgjidhje funksionale
e të qëndrueshme, nuk mjaftojnë vetëm programues të zotët, specialistë të IT -
s e para. Ata mund të realizojnë praktikisht çdo skemë, por detyrën e
projektimit duhet t’a hartojnë specialistët apo operatorët e sistemeve, në një
bashkëpunim institucional e të shumëanshëm të disa sektorëve, ndërsa
vendimmarrja t’u japë udhë masave për realizimin e tyre konkret, larg
burokracive tipike që e shoqërojnë atë së shumti. Se nuk thonë kot: - Vetëm i
zoti e di ku i pikon çatia!
E
- albania, sistemi aktual i fiskalizimit, sistemet e reja të punës në Kadastrën
Shtetërore, sistemi i pagesave online e reduktimi i përdorimit të parasë cash
në ekonomi etj, ndonëse akoma jo të përsosura, janë hapa bazë e premtues për më
tej. Problemi qëndron tek nevoja për një hop cilësorë, të qëndrueshëm dhe të
realizuar në kohë të shpejtë. Mundësitë janë, kapacitetet intelektuale
ekzistojnë, por mungon vullneti për t’i njohur e kanalizuar ato në kohën,
vendin e drejtimin e duhur. Kjo është urgjente, pasi koha të le pas, tashmë me
shpejtësinë e internetit, jo si deri dje, me shpejtësinë e erës. Në fund të
viteve të nëntëdhjeta, për të shpëtuar fytyrën e vet, sistemi i kaluar bëri
“lëshimin” e madh: Filloi që të vinte në krye të punëve, ndonëse në pozicione e
përmasa që akoma t’i kishte gjërat nën kontroll, specialistë të lartë e me
mundësi ndryshimi, por ishte vonë dhe mendësia e vjetër nuk lëshonte udhë. Më
kujtohet një takim i madh dhe i rëndësishëm në shkallë rrethi ku merrnin pjesë
specialistë të lartë e drejtues ekonomie. Diskutohej një çeshtje teknike për të
cilën drejtuesit nuk po i pranonin mendimet e specialistëve. Vetë i pari i
rrethit kërkoi mendimin e një specialisti të ri që kishte mbaruar fakultetin me
nota dhjeta, të cilin as që e njihte fare, përveçse përmes nomenklaturës së
emërtesës. As argumentimi i tij shkencor nuk i pëlqeu kreut partiak të kohës,
ndaj shfryu: - Na qitët fare ju me njëzet magjarë shkollë!
Edhe
sot, dukshëm ka një “konflikt” mes niveleve drejtuese të administratës së
shtetit, që nga qefi apo nga belaja, mbeten stoik në qeverisjen tradicionale
burokratike e korruptive dhe nevojave e mundësive për kapërcime epokale teknologjike.
Pak ose aspak këta drejtues të çdo niveli afrojnë pranë vetes dhe u besojnë
kapaciteteve të mëdha të kapitalit tonë njerëzorë, i mbajnë ata më shumë si
“stoli” kundra syut të keq dheër më tepër i keqpaguajnë, ndaj truri i kombit
emigron e punët tona stonojnë keq. Noter Vasili ishte një shembull, e shembuj
të tillë ka në çdo zonë e për çdo fushë e profesion, por kush i pyet ata?
Kryeministri
Rama duket i dashuruar me idetë novatore e përparimet teknologjike drejt të
ashtuquajturës “qeverisje digitale”, të paktën në qasjet e ligjërimet e tij
publike, por akoma ose nuk e ka kuptuar nevojën urgjente të shpalljes së saj
emergjencë kombëtare, ose e ka deleguar atë në duar e mendje të paafta që t’a
shohin këtë si një çeshtje integrale e urgjente kombëtare. Të gjithë kemi parë
se si zvarriten njerëzit pa zgjidhje nga administrata shtetërore, e cila në
pjesën dërmuese ka më problem se si të shtyjë ditët nga paga në page, e jo të
kryejë ndonjë punë konkrete, ndërsa hallexhinjtë sorollaten sa në një derë në tjetrën,
paçka se mund të kenë humbur shumë ditë dhe mund të kenë bërë disa orë rrugë,
për të kërkuar një sherbim të tillë. Nuk i japin pensionin pensionistit
nëntëdhjetvjeçarë për shembull, se ai duhet të paraqitet nëpër sportele e t’u
vërtetoje “kompetentëve” se është akoma gjallë, i hiqet tjetrit pensioni se
figuron në listat e të punësuarëve në askund e “askush nuk mund t’a
çrregjistrojë” atë, ndonëse ka vite që s’merr page, nuk çrregjistrohet i
vdekuri se gjuha italiane në të cilën është lëshuar akti i vdekjes “nuk e ka e
nuk e shkruan shkronjën “ç”, vonon dalja e pensionit se arkivat janë akoma të
pa sistemuara e të padigjitalizuara edhe pas 35 vitesh, e sigurimet shoqërore
nuk kanë siguruar akses të plotë ndaj tyre, paguan një gjobë apo faturë të paqenë
“elektronike”, shpesh pa asnjë lidhje me ty, por heq të zitë e ullirit për t’u
ankuar e për t’a zgjidhur hallin, aqsa pagesa të duket më e drejtë se ankesa
dhe pse është rënduese, e paligjshme e fyese, ti marrin paratë si tatim i
padrejtë me shpejtësinë e erës e t’i kthejnë (në se t’i kthejnë) me hapin e
breshkës… e mjaft problem të tjera, vetëm për paaftësi të administrates
shtetërore.
Kështu
s’mund të ecet gjatë, në se duam të ecim përpara dhe të mos xhirojmë në llucë
apo më keq, të bëjmë hapa pas. Mendjet e ndritura le të paguhen e t’u jepet
akses për zhvillime cilësore e hope të rëndësishme teknike e teknologjike,
gradat le t’i mbajë kush të dojë, pasi as teknicientët, as populli nuk vuajnë
për grada, por duan punë, shpërblime e shërbime cilësore.
---------------------------------
* jurist, studjues e
krijues