| E enjte, 23.01.2025, 07:38 PM |
Politikanët lypsarë, të pasur dhe milionerë!
Shkruan: Florim Zeqa
Politikanët
në fushatë zgjedhore u gjasojnë lypsarëve të rrugëve, të cilët i përulen çdo
qytetari për lëmoshë! Dallimi mes lypsarit të rrugës dhe politikanit lypsar
është tek mënyra e falenderimit. Përderisa lypsari i rrugës të falenderon nga
thellësia e shpirtit me fjalët "Zoti të dhashtë", politikani lypsarë
në vend të falenderimit për voten e dhënë, të harron dhe injoron deri në
zgjedhjet e radhës!
Lypsarët
do të kthehen në milionerë, votuesit do të ikin në emigrim
Sikurse
në të kaluarën, edhe pas këtyre zgjedhjeve pushtetarët do t'i harrojnë
votuesit, bashkë me ta edhe zotimet dhe premtimet e dhëna elektorale!
Sikurse nga zgjedhjet e kaluara, edhe nga
këto zgjedhje do ta kemi një fitues dhe disa humbës, por, për dallim nga
zgjedhjet paraprake nuk do të kemi fitues apsolut por humbës apsolut që do të
mbesin jashtë dyerve të Parlamentit!
Koalicioni paszgjedhor do të jetë befasi
e (pa)këndshme dhe e paparë deri më tani në skenën politike kosovare!
Sikurse nga zgjedhjet paraprake, edhe pas
këtyre zgjedhjeve do të ikin nga kjo botë edhe shumë njerëz pa i shijuar
"mrekullitë" e premtuara zgjedhore, por do të vjen edhe një gjeneratë
e re e cila do të mashtrohet përseri nga premtimet joshëse të politikanëve të
dashur në fushatë zgjedhore, të cilët, nuk e kanë fare problem që e marrin
rolin e lypsarit mashtrues, pas të cilit qëndron një milionerë që e qet në
rrugë!
Politikanët lypsarë, e urtë dhe të dashur
në fushatë zgjedhore, pas marrjes së pushtetit do të kthehen në kapriçioz që
këmba e tyre për katër vite nuk do të shkelë në zonat rurale (fshatra) e lagje
periferike të qyteteve tona!
Me të përvëtësuar pushtetin do t'i
harrojnë votuesit dhe qytetarët anë e kënd Kosovës! Deputetët e rinjë e të
vjetër bashkë, për katër vjet do të thirren në emër të popullit pa e bërë asnjë
të mirë për qytetarët e vendit.
Parlamenti përseri do të shndërrohet në
cirk dhe "koleseum" njëkohësisht ku do të përplasen para qytetarëve
të vendit pozita dhe opozita deri në fundin e mandatit politik.
Përseri në Parlament do të dëgjojmë
sharje dhe fyerje, do të shikojmë kacafytje dhe shkulje mikrofonash për të
"mirën" e qytetarëve dhe të "ardhmen" e shtetit, praktika
këto të përseritura nga njëra legjislaturë tek tjetra!
Lypsarët e sotëm të votës së qytetarëve
nuk do të zbresin më në popull për t'u ballafaquar me hallet dhe problemet e
shumta të përditshmërisë që prodhon koha, por do t'i adresohen popullit përmes
rrjeteve sociale.
Cili
do të jetë epilogu i këtyre zgjedhjeve?!
Lypsarët
e sotëm shumë shpejtë, me voten tuaj do të bëhen të pasur dhe milionerë në
Parlament dhe Qeveri, kurse votuesit do të ikin në emigrim në kërkim të një
jete më të mirë. Mos harroni, pas katër vitesh, kudo që ndodheni lypsarët do
t'iu gjejnë përseri!
Florim Zeqa, 20 Janar
2025