| E merkure, 22.01.2025, 07:53 PM |
Paradoks
Nga
Edison Ypi
Sa
herë vjen fjala te arratisja dhe të arratisurit e Diktaturës, komunistat e
sotëm, bashkë me aleatët e tyre të përhershëm, hordhinë e budallenjve të
kudondodhur, hapur ose nënkuptuar, nuk e lënë pa shprehur një përbuzje cinike
për "të pandjeshmit", që nuk pyetën për familje e farefis që i
degdisën nëpër internime, por bënë si u desh qefi i vet".
E
ka një spjegim.
Marrja
e vendimit nëse do arratiseshe vetëm, me një, a, e shumta dy, shokë a miq, se
me më tepër ishte si t'i thoje burgut byrum, ishte faza e parë, themeli i
planit për tu ndarë me skëterrën me çdo çmim. Çfarë mbetej pas atij vendimi,
dukeshin detaje, çikërrima, teknikalitete.
Jashtë
bodrumit ku ishullarët projektonin arratisjen, klithnin gazetat, librat,
filmat, mbledhjet e kolektivit, që dënonin me rreptësi dhe pa mëshirë duke
treguar me shembuj konkretë, emra armiqsh, data, katunde, kufitarë, pionierë me
shall të kuq në qafë që kishin denoncuar dhe u kishin çjerrë maskën
armiqve që kishin guxuar tu afroheshin
telave me gjëmba, ishin kapur nga rojat, dhe shqyer nga qëntë. Ulurimat e
propaganës kërcënuese ishin përgjigja për pyetjen inekzitente: Ju që tentoni,
dhe me siguri do kapeni, a keni menduar se si do i vejë filli familjes dhe
farefisit tuaj ?!
Trimat
që e kishin ndarë mendjen, s'kishin asnjë pyetje. Vazhdonin përgatitjet. Bënin
plane. Pyesnin, lexonin, bisedonin, si ta çanin ferrën. Në eventualitetin e
arratisjes nga ndonjë fshat kufitar, pyesnin për përbërjen klasore të atij
fshati. Numurin e kulakëve, ballistave, të pakënaqurve me reformat,
kooperativizimin etj, dhe nxirrnin përfundimin nëse duke u aventuruar nga ai
fshat, do gjenim lirinë apo belanë. Por kurrë dhe askush nuk mendoi, dhe as
mendja i vajti, te familjarët, internimet, puna e detyruar, baltrat etj.
Varianti
me u arratis nga deti me trap ishte më i thjeshtë. Katër dërrasa, një fuçi bosh
në mes, një rrotë djathi, dy bukë të zeza, një bidon ujë, një radio Fatosi, dy
bateri rezervë, katër paketa Partizani, çarçaf i bardhë për tu pajtuar me
ndonjë Jack Sparrow që do kalonte andejpari, dhe tafti-bafti në mes të
Adriatikut në pritje të ndonjë peshkarexhe ose jahti, ose anije pasagjerësh,
pesë llafe italisht, tre anglisht, dhe u kry. Por kurrë dhe askujt nuk i vajti
mendja te fati i të afërmëve. Aq të tmerruar ishin nga shteti i luftës
vllavrasëse të klasave, dhuna proletare, pisllëku katundar.
Varianti
i ikjes nga Liqeri i nositave, duke qënë më i afërm dhe më poetik, ishte dhe më
tundues. S'kërkonte më tepër se lyerjen e trupit me dhjamë derri, futjen e
kokës brenda një sharqiu ose kungulli bosh, një komerdare e fryrë mirë me ca
hekura rrotull të mos e kafshonin pashqit, një busull për të mos ngatërruar
Shën Naumin me Udënishtin ose Pojskën, dhe voilaaaa, për nja dy a tre orë në
Ohër a Strugë. Ku, si u muar vesh më vonë, në breg të gjolit të prisnin
krahëhapur Noc Rroku i Sigurimit dhe dashnorja e tij UDB-a e Titos, që të
kthenin brenda ditës në Qaf Thanë me Gazin 69 të Degës së Pogradecit brenda në
një kuti kartoni lidhur me ngjitëse dhe me ca vrima që të mos ngordhje nga
asfiksia. Por edhe në këtë rast, askujt nuk i shkonte mendja për fatin e zi të
familjarëve në ndonjë kamp internimi rrëzë ndonjë mali andej nga jugu apo veriu
duke ngrënë një copë bukë misri me krimba lyer me bojë të zezë këpucësh gjoja
marmalatë.
S'kishin
të ndalur buçimat e radios dhe klithmat e filmave me diversanta me thikë ndër
dhëmbë, dollaro nëpër xhepa, qën kufiri, tel me gjëmba, kufitarë të uritur por
sypatrembur që të servirnin përgjigjen pa pyetje. Krejt e kotë. Kujt kishte
bërë në men me u arratis, përgjigja pa pyetje, nga njëri vesh i hynte, nga
tjetri i dilte. Për atë që kishte vendos me ik, ajo pyetje nuk ekzistonte.
Sa
më tepër propagandë, rrahje, tortura, internime, burgosje, zvarritje me traktor
mbytur në gjak, aq më tepër pyetja inekzistente i largohej përgjigjes
shtazarake.
Nëse
dikush, pa të pyetur, insistonte me të vu në dijeni për fatin e skëterrshëm të
familjes për shkak të arratisjes tënde, po flisje me spiunin. Duhet të lije
mënjanë fantazitë me rrota djathi, krahë fluturues si të Ikarit, paketat
Partizani, dhjamin e derrit, sharqinin bosh, dhe të gjeje ndonjë rrugëdaje nga
hukubeti me llafe, hile, kërcënime, me spiunin.
Një
ishullar solli në vëmendje quotën "Jo çdo pyetje meriton përgjigje".
E panë me dyshim. E përbuzën. Nuk ja varën.
Kush
kishte ndërment të ikte, s'kishte nge' të bënte pyetje, as të priste përgjigje,
thjesht ikte. Përgjigje paradoksake për pyetje inekzistente kishin vetëm
spiunat dhe propaganda.
U
ndërrua shekulli. Iku mileniumi. Kaluan dhjetra vite. Kush mbeti gjallë nga
kafshimi i qënit, sharrimi i kalashnikovit, pionieri me shall, katundari spiun,
mes arratisjes së vet dhe fatit makabër të familjes, nuk bën asnjë lidhje.