| E hene, 20.01.2025, 07:50 PM |
Poetja e mërgimit që i këndon me zemër Atdheut
Nga
Albert Z. ZHOLI
Libri
me poezi "Malli që më djeg", i poetes Ariti Gjini, vjen pas një kohe
të gjatë të lëvrimit të saj në rrjetet sociale dhe në shtypin e kohës. Autorja ka një veçori në poezi, ajo i hedh vargjet
si i ndjen zemra, me pastërti shpirtërore, me virgjërinë e një fëmije, pa
ndroje, pa mëdyshje. Në këtë vëllim poetik ajo sjell para lexuesit vetë jetën e
saj, atdheun, mërgimin, shoqërinë, familjen, brengat, hallet, suskeset,
dështimet, kurajën, faljet, pengjet, mëdyshjet, të panjohurat, idetë, mendimet,
por mbi të gjitha pastërtinë shpirtërore. Autorja edhe ndaj atyre që e kënë
bërë të vuaj nuk kërkon ndëshkim, por
fal, fal sepse e tillë është ajo, një grua fisnike dhe e ndërgjegjshme për
hapat që hedh në jetë. Në këtë vëllim ka shumë poezi me tematika të ndryshme ku
spikatin ato me probleme sociale, por mbi të gjitha mallin për Atdhenë. Autorja
ka disa vite që jeton në Amerikë, dhe në këto vargje ajo tregon me një dhimbje
të rrallë largimin. Dhe pse ka ikur në vendin e ëndrrave njerëzore në Amerikë,
dhe pse aty jeton shumë mirë ekonomikisht, ajo nuk e harron për asnjë çast
Atdheun. Momentet e ikjes ajo i ka përshkruar me një penë elegante të ngjyer në
lot. Ja si shprehet ajo:
Ika larg!
Po iki larg o vendi im,
Lashë vatan, e lash
shtëpinë,
Lashë baçen me fruta
plot,
Shegë e ftonjë të rënë
në tokë.
Lashë vëlla, e lash dhe
motra,
Pa ta, nuk ka kuptim
bota,
Bashkë na lindën dhe na
rritën,
Me dy prindër dy
fisnikër...
Me
një penë të thjeshtë por me ndjenjë ajo përshkruan si në një roman momentet e
largimit. Si la shtëpinë, kopshtin, të afërmit, vajzën, shoqet, të afërmit, një
ikje mes lotësh. Ajo përshkruan çdo gjë me detaj pasi duket sikur do brengoset
nëse harron diçka dhe do ti ngelet peng. Një përshkrim që mund të bëhet në
romane, ndërsa autorja e bën me disa
vargje poetike, me nënteks ku çdo fjalë
ka një kuptim të veçantë. Ajo kujton prindërit, përgjegjësinë e tyre për
rritjen dhe edukimin. Ka një brengë në vargjet e saj. Një brengë që nuk mundohet ta bëjë present por që e
bluan përbrenda. Kjo lidhet me problemet e kohës dhe me atë që nuk mund të
realizonte si duhej kur ishin prindërit gjallë.
Ja
një poezi tjetër e largimit të përmallshëm:
E mbylla shtëpinë!
I mbylla dyert e
shtëpisë fort kur ika,
E brenda i mbylla, edhe
gëzimet,
Mbylla të qeshurat, që
ma jepte dita,
I mbylla të gjitha, dhe
ëndrrimet.
Sa
të ndjera janë këto vargje. Të fusin në mendime. Të gjithë ata që kanë ikur në
emigracion janë pjesë e këtyre vargjeve, janë pjesë e këtyre detajeve jetësore.
Duket sikur emigracioni s'do të ketë më të qeshura, gëzime, shoqëri, ditlindje mes shoqeve, mbasdite në shtëpitë e
njëra-tjetrës. Duket sikur në emigracion poetes do ti mbyllen dhe ëndrrat. A
mund të mbyllen ëndrrat?! A jeton njeriu pa ëndrra? Emigracioni duket sikur
është një dhomë e errët. Një dhomë jashtë realitetit jetësor. Vetë rrëfimet e
mërgimtarëve tregojnë se në emigracion ka vetëm punë, ka pak gëzim, pak
argëtim, pak lidhje me njerëzit e dashur. Kështu është ndërtuar jeta në
emigracion. Vërtet aty jeton mirë ekonomikisht, por të mungon familja, motrat,
vëllezerit, fëmijët, shoqet, shokët, miqtë, miqësia e punës dhe fqinjët. Në
Shqipëri edhe fqinjët janë pjesë e familjes, ndërsa në emigracion këto lidhje
shkëputen përfundimisht. Ikjes, mërgimit i kanë kënduar poetë të mëdhenj në
botë. Secili ka veçoritë e tij të vargjeve, ndërsa autorja flet në këtë poezi
thjesht, pa figura të shumta letrare,
por me krahasime, dhe përcjell një vërtetësi
të dhimbshme. Ikja ka shumë fjalë malli brenda, po ashtu ka shumë
enigma. Ku do shkoj?! A do përshtatem? A do krijoj miqësi të re? A do e
përballoj vetminë? Kë do takoj në kohën e lirë?! A do realizoj ëndrrat e lëna
përgjysmë? Ka shumë pyetje pa përgjigje ikja e saj. Një ikje me kokën pas.
Ikje, ikje! Ikin për një jetë më të mirë pasi Atdheu i tyre po keqqeveriset, po
shpërdorohet nga baballarët e kombit që mendojnë vetëm për vete. Ikin dhe pse
janë të shkolluar, të ndërgjegjshëm, të pastër, të pa korruptuar! Një vend të
rëndësishëm te poezia e Ariti Gjinit zë dhe familja, prindërit, motrat,
vëllezërir, të afërmit. Ajo kujton me mall kohët e vegjëlisë, kur dashuria për
njeri-tjerin ishte e madhe. Kur mblidheshin në darkë të afrëmit nën flakën e
zjarrit në oxhak. Kujton bisedat e prindërve që me gjithë fukarallëkun të
ngrohnin me fjalën e ëmbël. Kujton me dhimbje që sot ajo dashuri ka ikur, nuk
njihet mes të afërmve. Jeta është bërë
individuale. Pasuria është bërë kryefjala e ditës.
Krijimtaria,
e Aritis valëzon, me karakteristikat e veta, që tregojnë brendinë e shpirtit.
Ajo në këtë libër sjell një sofër të begatë me ushqim shpirtëror përmes vargut
të thjeshtë popullor, ku shpalosen vlerat shpirtërore dhe krijuese. Autorja,
herë pas here i druhet labirintheve të jetës, pasi nuk dëshiron të lëndojë
asnjë dhe pse jeta e saj ka qenë një luftë dhe nuk e ka përkëdhelur. Ka kaluar
një rini të vështirë dhe tani një ekonomi të begatë, ku drithërimet dhe gëzimet
e jetës i ka hedhur plot dritë në këtë vëllim
poetik. Titulli i librit korrespondon bukur me këndimin poetik, sepse,
"Malli" ka kuptim shumëdimensional edhe poetiko-letrar, por edhe
filozofik me nëntekst.