| E enjte, 16.01.2025, 08:27 PM |
NJË PËRKUJTIM PERSONAL ME RASTIN E 50-VJETORIT TË SHKUARJES NË AMSHIM TË ERNEST KOLIQIT
Lidhjet
e tij me komunitetin shqiptaro-amerikan dhe mërgatën në përgjithsi
Nga
Frank Shkreli
50-vjet më parë, me 15 Janar 1975 ka
ndërruar jetë shkrimtari dhe poeti dhe ndër të tjera edhe ministër i arsimit
(1941-42) gjatë të cilës periudhë dërgon në Kosovë dhe në vise të tjera
shqiptare nën ish-Jugosllavi. Me atë rast u hapën një numër i madh shkollash
fillore dhe të disa të mesme, anë e mbanë trojeve shqiptare. “Ishin këto
shkolla që do bëheshin baza me rëndësi për zhvillimin e përparimin e gjërë dhe
të shumëanshëm të arsimit dhe të kulturës shqiptare në ish-Jugosllavi”, do
shkruante më vonë Dr Rexhep Krasniqi, Kryetari i “Komitetit Shqipnia e Lirë” në
Nju Jork, njëri ndër mësuesit që shkoi në Kosovë dhe njëri prej bashkpuntorëve
të Koliqit. Frank Shkreli: Thirrje për
njohjen e rolit të Ernest Koliqit në përhapjen e arsimimit kombëtar (1941-1944)
anë e mbanë trojeve të robëruara shqiptare | Gazeta Telegraf
“Qe pishtari kryesor dhe frymëzuesi i
vendosur i mësimit të gjuhës shqipe në Kosovë. Në atë krahinë deri në 1941,
shkrimi i gjuhës shqipe ishte privilegj i një pakice mikroskopike”, ka shkruar
Dr Hamdi Oruçi për kontributin e Koliqit në përhapjen e mësimit të gjuhës
shqipe në trojet shqiptare nën Jugosllavinë asaj kohe. “Ai rekrutoi miqë e
dashamirë të gjuhës shqipe dhe i dërgoi në Kosovë. Sot kjo krahinë është bërë prap
një shesh përparimesh e studimesh letrare, është ringjallë fryma e poetënve dhe
e shkrimtarëve, fryma e Imzotve Mazrreku, Bogdani e Kazazi, e të tjerë aapostuj
të gjuhës shqipe. E si konsekuencë e asaj aradhe mësuesish të Ministrisë së Arsimit
në Tiranë me 1941, sot nderohet Shtëpia
ku u mblodh Lidhja e prizrenit dhe sot kuptohet rendësia e Kongresit të
Manastirit që caktoi alfabetin e sotëm shqqip në ato krahina shqiptare”, do të
kujtonte doktori i nderuar shqiptaro-amerikan, Dr Hamdi Oruçi me rastin e
kalimit në amshim të bashkvendasit të tij Shkodran, Ernest Koliqit, me 15
Janar, 1975.
Duke marrë parasysh përjashtimin e tij
nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, i akuzuar si “bashkpuntor i fashizmit”, i
anashkaluar dhe zyrtarisht, i kritikuar madje edhe në periudhën post-komuniste
të “demokracisë” shqiptare, Frank Shkreli: Fletërrufeja
kundër Ernest Koliqit dhe Martin Camajt | Gazeta Telegraf. Me
kënaqësi vura re se një ent zyrtar më rendësi, siç është Biblioteka Kombëtare
në Tiranë, njoftoi një, “Ekspozitë me rastin e 50-vjetorit të ndarjes nga jeta
të shkrimtarit shqiptar Ernest Koliqi. Në këtë 50-vjetor të ndarjes nga jeta të
shkrimtarit, studiuesit, kritikut e përkthyesit Ernest Koliqi, Biblioteka
Kombëtare e Shqipërisë çel një ekspozitë e cila risjell në vëmendje
krijimtarinë artistike, publicistike dhe përkthimet më të mira të Koliqit, për
të përkujtuar kështu një figurë që jo vetëm i dha letërsisë dhe kulturës
shqipe, por arriti të shndërrohej në një nga përfaqësuesit më të mëdhenj të
zenitit të shkrimtarëve të viteve ’20-’30 të shekullit të kaluar.
Ekspozita ka në fokus botimet e para të
shkrimtarit, përkthime, ese, publicistikë, përzgjedhje poetike, si dhe shkrime
nga revista periodike "Shêjzat".
“T’rrzuemin due t’a çoj nga balta;
due m’u ngjit’ mbi maje t’nalta
me shtegtar’ qi kërkojn’ Dritën…”*
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për
publikun në Katin I të BKSH-së, thuhet mëtej në njoftimin e Bibliotekës
Kombëtare. Është ky një lajm inkurajues
që tregon se ndoshta diçka po ndryshon në Shqipëri, 35-vjet pas shembjes së
komunizmit zrytar në atë vend – trajtimi pra më i drejtë i të figurave të
Kombit dhe kontributit të tyre historik, siç është Ernest Koliqi.
Një shënim personal përkujtimor nga ana
ime, në këtë 50-vjetor të kalimit në amshim të Ernest Koliqit. Në atë kohë, unë
kisha filluar punën në Zërin e Amerikës.
Më kujtohet si të ishe dje, kur i përndershmi Dom Prenk Ndrevashaj më ka
telefonuar nga Detroiti ku i shërbente komunitetit katolik shqiptar atje
dhe më dha lajmin e keq se miku i ynë i përbashkët, por edhe i mbarë komunitetit
shqiptaro-amerikan dhe më gjerë, shkrimtari dhe poeti i njohur Profesor Ernest
Koliqi, kishte ndërruar jetë në Romë, në mërgimin e pa dëshiruar, siç thonte
shpesh ai vet. Më kujtohet se humbja e Profesor Koliqit dhe zbrazëtia që ai la
pas -- si shkrimtar, poet e politikan -- por mbi të gjitha si një atdhetar dhe
njeri i thjesht dhe i ndershëm për të gjithë ata me të cilët ai erdhi në
kontakt, u ndie për së tepërmi në radhët e komunitetit shqiptaro-amerikan. Ai
la pas një mungesë e boshllëk të madh në radhët e komunitetit
shqiptaro-amerikan, të cilin ai e vizitonte, nga hera në here, nga Roma ku
ishte vendosur që prej mbarimit të Luftës së Dytë Botërore.
Ernest Koliqi kishte vizituar disa Shtetet
e Bashkuara. Komuniteti shqiptaro-amerikan e kujton ende Ernest Koliqin,
sidomos, për rolin e tij në shënimin e dy përvjetorëve me rëndësi për historinë
e shqiptarëve në shekullin e kaluar: 500-vjetori i vdekjes së Gjergj Kastriotit
(në vitin 1968) dhe 60-vjetori i gazetës Dielli (1969). Profesor Koliqi
si kryeorganizatori i festimeve kastriotiane të 500-vjetorit të Fatosit të Madh
Kombëtar, ishte kujdesur që festimet në Romë me atë rast të ishin
gjithëpërfshirëse dhe mbarëkombëtare, për aq sa ishte mundësia dhe mesa lejonin
rrethanat politike të kohës. Ishin të ftuar Arbëreshët dhe shqiptarët nga të
gjitha trevat. Por për arsye që dihen, ishin të pranishëm vetëm shqiptarët nga
diaspora, përfshirë edhe një grup nga komuniteti shqiptaro-amerikan, të
përfaqësuar nga organizata Vatra dhe krerët e saj. Në një artikull në revistën
Shëjzat (4-6, 1968), pjesëmarrjen mbarëshqiptare në ato festime, Profesor
Koliqi shkruan me entuziazëm për “pushtimin” e Romës dhe të Vatikanit nga
shqiptarët mërgimtarë: “Kujt nuk i gufoi gjaku hov krenarie tue pa kah
valviteshin me 24 prill në Sheshin e Sh’Pjterit gjithë ata flamuj kuq e zi? Shqipja
kumbonte në atë Shesh madhnuer, përziheshin ligjirimet e sotëshme të Shqipnisë
me ato të motshëme t’Arbërit, t’asaj cope t’Atdheut që lëshoi rrajë e lulzon në
tokën italiane si degë e trungut të Kombit. Arbëreshët jo vetëm mbajtën
mbrekullisht gjuhën tonë – për ma tepër – e banë me lulzue në vepra letrare
dore së parë, tue dishmue se palci fisnuer i kombit të Skënderbegut levizë
jetsues kudo në botë, dhe rreth nji votre arbnore mbahen doket e të Parvet”. Duke përshkruar festimet madhështore të atij
përvjetori, Profesor Ernest Koliqi shkruante se për herë të parë në
kryeqytetin Italian, “Emni i Shqipnisë e i Kastriotit tingulloi si za burije...tue
u përmend an’e kand emni i Shqipënisë”, duke shtuar se, “Nji të përqethun
mallëngjimi e krenarije na rrëshqiti shtatit e shpirtit kur Ati Shejt (Papa
Pali I VI) përdori në ligjiratën italishte fjalët shqipe, ‘besë’, e ‘burrni’. Këto
vetina dalluese të kombit dhe shprehjen ‘gjaku i shprishur’, që skalitë
shpërndamjen e gjindes s’onë në rrokullinë tokësore”.
Duke shkruar për një pjesë të këtij “gjaku
të shprishur”, i shpërndarë anë e mbanë botës, Profesor Ernest Koliqi
përshkruante kështu pjesëmarrjen e komunitetit shqiptar në Amerikë, në festimet
në Romë me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit: “Prania e vatranëve, ardhë nergut nga Shtetet
e Bashkueme, ia shtoi shkëlqimin kremtimeve. Nji tubë zojash të ndritshme e
zotnijsh të zgjedhun përfaqsoi në rrethe arbëreshe e shqiptare, shoqatën e
mirënjohun Vatrën, që dikur aqë hov i dha përpjekjeve për rilindje të Atdheut
dhe sot mban naltë zanin e Shqipnisë në botën perëndimore. Hijet e madhnueshme
të Nolit e të Konicës na shfaqeshin para syve, tue vërejtë ndër rrjesht tonë
kryesinë e vatranëve, që në këto kohna të turbullta të sotëme, orvatet me
ndjekë gjurmat e mëdhaja të atyne dy Patriotave të paharrueshëm, themeltarë të
Shoqatës. Kishim përshtypjen se drita e agimeve të Rilindjes, atë ditë po
rreshte mbi Bashkimin e Arbreshve me Shqiptarë. E bashkë me atë dritë,
shëndriste edhe rrezja e bekimit të Perendisë”, shkruan Ernest Koliqi në
revistën Shëjzat, për praninë e vatranëve në festimet e 500-vjetorit të
Skënderbeut në kryeqytetin Italian dhe në Vatikan ku u pritën edhe nga Papa
Pali i VI, në vitin 1968.
Një vit më vonë, më 1969 Vatra shënon
60-vjetorin e themelimit të organit të saj Dielli dhe për të marrë pjesë në
këto festime në Amerikë, ftohet ndër të tjerë, edhe Ernest Koliqi dhe një
delegacion përfaqësues arbëresh, gjithsej nja 60 veta nga Italia. Duke shkruar
mbi përshtypjet e tija dhe pritjen madhështore që vatranët i bënë atij dhe
grupit arbëresh në Boston dhe në Nju Jork, Profesor Koliqi e cilëson takimin e
dy diasporave shqiptare si një rast me rëndësi të madhe simbolike, duke theksuar:
“Shqiptarët e Italisë dhe Shqiptarët e Amerikës përtrinë vulosjen e vëllaznimit
shqiptar, pohuen gjallninë e rrajve ethnike të zanafillës dhe u besatuen
heshtazi me pasë përhera në kujdes fatet e dheut të të Parvet. Arbreshët e
Italisë, stërnipa të luftëtarvet që rreth Skënderbegut, në nji varg përleshjesh
titanike, shkruen me gjak në faqet e historisë s’Evropës, se Shqipnia ashtë e
Shqiptarëve, mbas pesë shekujsh, gjatë të cilave ruejtën gjallë gjuhë e doke.
Arbëreshët erdhën në Amerikë me sigurue Vatranët se në veprën e tyne, të
djeshme e të sotëme, njohin vazhdimin e përpjekjes ideale të Jeronim de Radës”.
Profesor Koliqi vazhdon me përshtypjet
nga pritja që vatranët dhe komuniteti shqiptaro-amerikan i bënë atij dhe grupit
të Arbëreshëve në Amerikë, duke komentuar se, “Sot dy gjymtyrët kryesore të
diasporës, ende plot fuqi e vrull veprues, u bashkuen e shkrinë deshirë e
qëllime, me u përpjekë për naltësimin e kombit prej të cilit rrjedhin”,
shkruante profesor Koliqi në Shëjzat, (10-12, 1969).
Në mbresat e tij gjatë asaj vizite në
Katedralen e Shën Gjergjit në Boston, “Në atë Falëtore orëmirë, ku meshoi dhe
predikoi Fan Noli, lutën Perendinë për Shqipni e bijt e saj, shqiptarët e
Bostonit dhe Këshilltarët e Kishës Orthodokse shqiptaro-amerikane… e me ta në
shumicë të madhe Shqiptarë besimesh të tjera. Zemrat mbarë të pranishmëve u
shkrinë në thirrje mëshire që i naltohej Perendisë, i cili ashtë nji për të
gjithë…Shpirtnat vëllaznoheshin në nji flakërim të pastër atdhetarie, mesa
fytyrimi i Nanës Shqipni vizatohej i shëjtë në avullime të thimjanës, që
valvitej erandshëm nepër kishë”.
Për festimet e këtyre dy përvjetorëve,
që shqiptarët e Amerikës dhe Arbëreshët e Italisë bënë së bashku me nismën e
Koliqit, Profesor Ernest Koliqi shkruante me entuziazëm aso kohe se, “Gjaku
arbnuer njofti nji triumf të papritun ato ditë -- Shqiptarë e Arbëreshë -- tue
u përqafue ndienë e kuptuen veten se me një marrveshje vëllaznore mund u
plotësonte porosia që na la Skënderbegu”.
Në shënim personal përkujtimor:
Po të më lejohet në këtë 50-vjetor të kalimit
në amshim të këij gjigandi, një moment kujtimi personal të Profesor Koliqit.
Unë e njoha Profesorin në Romë gjatë qëndrimit tim si refugjat në Itali,
nëpërmjet Dom Prenk Ndrevashajt, i cili kujdesej për refugjatët shqiptarë. Si
rrjedhim, vazhdova të isha në kontakt me Profesor Koliqin, duke shkëmbyer letra
edhe pasi erdha në Amerikë. Në fillim të
1970-ve, unë kisha filluar një nismë tepër modeste për botimin e periodikut,
“Rinia Shqiptare në Mërgim”, për të cilën ai më dha kurajo dhe këshilla dhe për
të cilën pat shënuar në revistën e tij, (Shëjzat 1-4 1972) për sa vijon: “Më
kanë ra në dorë dy numrat e parë të periodikut, “Rinia Shqiptare në Mërgim”, që
del në Nju Jork. Ashtë një përpjekje për t’u trimnue e përkrahë. Të rijtë që
qenë të shtërnguem me lanë atdhenë, të kenë nji palestër të veten ku të munden
të shprehin mendime e ndiesi dhe t’ushtrojnë gjuhën e atdheut në shkrim.
Natyrisht, këtyne nisjativave botuese që tregojnë vullnet të mirë dhe shkas idealistik,
do t’u kushtohet kujdes i madh si në zgjedhje të landës ashtu në përpunim
të stilit. Na jemi të sigurtë se botuesat e këtij perjodiku, tue kërkue e
ndjekë këshillat e atyne që kanë përvojë ma të gjatë shtypi, do t’a përmbushin
nevojën e nji pranie të masës së re mërgimtare në jetën mendore të diasporës.
Na, prej anës s’onë u urojmë redaktuesvet të Rinisë Shqiptare në Mërgim”,
veprimtari të mbarë dhe sukses”. Profesor
Koliqi edhe nëpërmjet korrespondencës derisa ndërroi jetë, vazhdonte të
interesohej për periodikun, “Rinia Shqiptare në Mërgim” dhe më jepte zemër e
këshilla që të vazhdoja studimet dhe duke përcjellur një porosi: Në një prej
letrave Koliqi më shkruante:
“I dashtun Fran,
Më ra në dorë si letra ashtu edhe
periodiku Rinia Shqiptare në Mërgim. Gëzohem pikë ma së pari që je mirë, që
pëpiqesh të ndjekish studimet, e në fund për botimin kushtue masës së re që
larg atdheut ka shumë nevojë të ushqehet me shkrime të shëndosha shqipe. Të
lumtë!
“Ashtë një fillesë plotë premtime. Mbaj
mend veç fjalën e moçme: ‘Trimi i mirë, me shokë shumë’! Afro moshatarë sa ma
shumë që të mundesh. Në ashtë se kjo fletore do të merret edhe me letërsi, mos
harro auktorët që regjimi komunist i Tiranës ka përjashtue nga historija e
letërsisë shqipe”.
Ky ishte amaneti i tij, ky ishte Ernest
Koliqi që njoha unë, i gatshëm për të ndihmuar, i gatshëm për të ndarë përvojën
e tij të gjatë e të frytshme me letrat shqipe dhe në gazetari, megjithëse,
fatkeqësisht, e njoha për një kohë tepër të shkurtër, por ama ajo njohuri më la
mbresa të përjetshme dhe të paharrueshme për këtë burrë të madhe të Kombit.
Ky ishte Ernest Koliqi që njohu komuniteti shqiptaro-amerikan, ky ishte Ernest
Koliqi, këshillat e mësipërme të të cilit i kujtoj gjithmonë me mall dhe të
cilat me mundësinë time jam përpjekur, modestsisht, t’i përcjellë gjithë jetën
time sipas mundësive. Ky, pra ishte
Ernest Koliqi, për mua dhe për të gjithë shqiptarët, sidomos mërgimtarët. Ishte
njëri ndër interpretuesit më të spikatur të shpirtit të fisit arbëror dhe të trashëgimisë
stërgjyshore, si dhe mbrojtës i vlerave të shpirtit arbëror dhe të prirjeve
natyrore të tij, gjithmonë si pjesë e thesarit të vlerave kulturore dhe
shpirtërore të njerëzimit, sidomos të vlerave perëndimore.
Në këtë 50-vjetor të kalimit të tij në
amshim, me nderim e mall përkujtojmë Profesor Ernest Koliqin. Ka ndërruar jetë,
papritmas në banesën e tij në Romë me 15 janar, 1975 – ku edhe u varros tre
ditë më vonë. Në Romë janë varrosur gjithashtu edhe prindërit e tij dhe
bashkshortja. Në ceremoninë e varrimit 50-vjet më parë, kanë marrë pjesë personalitete
të ndryshme, kolegë, Shqiptarë e Arbëreshë. Mërgimtarë të ardhur nga Amerika
dhe nga shumë vende të Evropës Perendimore, përfshir nga shumë qytete të
Italisë.
Njoftim i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë për ekspozitën me rastin e 50-vjetorit të ndarjes nga jeta të shkrimtarit, studiuesit, kritikut e përkthyesit Ernest Koliqi-
Nga një prej vizitave të Ernest Koliqit në Amerikë. Marrë nga revista Shëjzat -Numër Përkujtimor