Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Vladimir Shyti: Magjia e dashurisë

| E merkure, 08.01.2025, 06:51 PM |


Vladimir Shyti

MAGJIA E DASHURISE

Kopshti botës s’ka kufi,

Mëndjen të merr si me magji,

Ndërsa futesh thellë brenda,

Do të hasësh edhe në gjemba,

Kërko filizin e zemrës tënde,

Këpute pa u vyshkur ende,

Kujdesu, që të rritet në saksi,

Thithë aromën e saj me dashuri.

Dhe, kur t’i bien petalet,

Mos i thyeni zemrën derisa të hapet,

Rritni fjalët, mos ngrini zërin,

Një fjalë dashurie të largon zemërimin.

Edhe, kur dallgët të kafshojnë me tërbim,

Nis vallen e dashurisë deri në agim,

Jepi puthjen verbuese të diellit,

Të coptohen dallgët nga pesha e harrimit.

Shtoni saksit, thithni aromën e jetës,

Largoni kristalet e akullta të dhimbjes,

Merrni dritën e mirësisë, ngoh shpirtin,

Të përpijë flakët e zjarrta të dëshpërimit.

Dashuria, si pema që shtrin kurorat,

Rritë gjethet, por shpejt fluturojnë nga erërat,

Mos u fshihni nga flokët e erës,

Pregatisni me zellë rikthimin e pranverës!

Ndiq melodinë e gjinkallave, zërin e zogjëve,

Aty gjëndet himni, magjia e të dashuruarve,

Kaltërsinë kthejeni në shkumë të bardhë,

Vraponi mbas puthjes dhe treteni ngadalë.