| E marte, 07.01.2025, 07:31 PM |
Gani S. Pllana
URNË E TRETUR
1.
Ty,
Të njoha rastësisht...
Lëpiheshe, shtiheshe i ditur;
Duke rrotulluar sytë,
Dhe...ike nga unë.
Ty,
Të diktova e të lexova,
Atë mendje të shterur...
Boshllëkun tënd shpirtëror.
Ndjenjat e tua tinëzare,
Si telat e vjetër të një kitare,
Këmbëkryq ulur edhe te të tjerët.
Po unë, mos isha urnë e tretur!?
Ty,
Të ngisnin, si parvaz, disa të gjorë.
Krijove një shoqëri të rrejshme,
Gjuhën e ëmbël shqipe
Shpesh e bastardoje.
2.
U ngjite shkallëve vertikale,
Dole në fron të rrejshëm,
Harrove çdo gjë,
Thuajse, je sheik.
Gënjeve, gënjeve,
Harxhove pa masë
Djersën e këtij populli,
Për shtet e LIRI!
Ti, o njeri i pa shpirt,
U ende si fije e vjetruar
qilimi!
Afrove rreth vetes ca të pastreha,
Të njoma, bonjake,
Duke i lyer për çdo natë me parfume.
I bëre për vetën,
I vure në narkozë,
Për popull krijove-apoteozë!?...
3.
Ti, harxhove pa kufi,
Paratë e fituara me djersë,
Nga minatorët e nëntokës.
Por ..., e punëtorë e fshatarë,
Nga të gjithë ne (për ty)-prrallarët.
Ti, që nuk meriton biçikletë
as kuletë,
Ti, udhëtove në çdo cep të botës,
Kinse, për të mirën e Atdheut!
Mburreshe me intervista-blofe,
Me të vërteta-boshe;
Disa naivë edhe të besonin,
Madje, edhe të glorifikonin!
Ti, e more në qafë këtë popull,
Kudo krijove gverr e skëterrë,
Në vend dhe metropoleve të Evropës,
Vizatove harta të reja,
Në dëm të Atdheut (shtetit),
Për zezonën e Arbtokës!
4.
Këtë truall të Pellazgisë,
Këtë tokë të Ilirisë...,
E kishte marrë malli
Të marrë frymë lirshëm:
Të dëgjojë shqip,
Të këndojë shqip,
Të bërtasë shqip,
Të ngrohet shqip,
Të shohë shqip,
Të shkollohet shqip,
Të zhvillohet shqip;
E jo në robëri (mjerim) e tertip?!...
Ndaj, ty populli të besoi,
Të dha votën, të përparoi...!
Por, ti popullin e zhgënjeve,
Nder e besë shkele e theve!
5.
Ti, u vure në piedestal,
Nëpër glamur, xixa e strall,
Kinse, për të ndërtuar vendin,
Prishe log-kuvend-trendin.
U korruptove,
Çdo gjë e vure mbrapsht-hata,
Edhe lirinë edhe drejtësinë,
Edhe kriteret edhe mbarësinë...
Pa kuptim e standarde,
Vetëm sa për të mbuluar,
Me ca letra, punën e pavlerë!
6.
O, i pashpirt,
O, mjeran!
Tani të doli duqi,
Po mundohesh për të ikur,
Për ku, këtë s’na e the?...
Natyra do të hakmerret,
Tradhti i bëre Atdheut,
Shpejt do të vet digjesh.
Urna jote do të tretet
Në ndonjë shpellë të largët,
Larg nga Arbëria.