Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Blerim Latifi: Mjerim intelektual e kulturor ishte Perandoria Osmane

| E hene, 06.01.2025, 07:59 PM |


Prof. Blerim Latifi:

Nga leximet e këtyre ditëve pushimi

Prej viteve ’40 të shekullit 19 Perandoria Osmane po përpiqej që të modernizohej, në mënyrë që të mund të mbijetonte në gjeopolitikën e shteteve moderne europiane. Pjesë e këtyre përpjekjeve ishte edhe dërgimi i të rinjve për t’u shkolluar në universitetet perëndimore. Në mesin e tyre ishte edhe shqiptari Hasan Tahsini. Ai u dërgua në Paris për t’u arsimuar në shkencat e natyrës. Për 12 vjet sa do të qëndronte në Paris, Tahsini do të njihte dhe përvetësonte dituritë më moderne të shkencave të natyrës, por edhe shumë dituri nga shkencat sociale.

Pas 12 vitesh ai kthehet në Stamboll dhe vendoset në krye të Universitetit perandorak, i cili kishte filluar punën një vit më parë. I mësuar me klimën intelektuale dhe shkencore të Parisit, ai vendos të krijoj një laborator fizike në universitet. Një eksperiment i tij për të konkretizuar nocionin e vakumit në fizikë, shkakton një reagim të tmerrshëm të krerëve fetarë të Stambollit. Totalisht injorantë në fushën e shkencës së fizikës, ata mendojnë se Tahsini po bën magji dhe e akuzojnë për magjistar. Presioni mbi autoritetet qeveritare është aq i madh, saqë Tahsini pushohet nga puna dhe universiteti mbyllet.( Burimi : THE GENESIS OF YOUNG OTTOMAN THOUGHT, A Study in the Modernization of Turkish Political Ideas. By Sherif  Mardin. Princeton University Press, 1962, fq. 223-223)

Kjo e dhënë mjafton për të kuptuar se në çfarë mjerimi intelektual e kulturor ishte Perandoria osmane në kohën kur zbulimet shkencore po e transformonin rrënjësisht Perëndimin. Dhe ky mjerim vinte eksluzivisht nga kasta e pushtetshme e ulemave, ora e të cilëve kishte ngelur në mesjetë. Kjo kastë i kundërvihehej ashpër çdo përpjekje modernizuese të shtetit osman dhe kjo gjë do të kthehej në njërin ndër shkaktarët kryesorë të rënies së këtij shteti.

Në anën tjetër, rilindasit shqiptarë do të përvetësonin shumë nga dituritë shkencore të e Hasan Tahsinit dhe mbi bazën e tyre do të ngrinin një program iluminizmi për kombin e tyre. Ata po bëheshin gati që kur të trokiste ora e fundit për të “Sëmurin e Bosforit”, kombi shqiptar të mos merrte fund bashkë me të. Sot ka komb shqiptar falë vizionit të tyre largpamës.

______________

Na kanë bombardu këto ditë me "lajme" qysh Prishtina është bërë një ndër tre-katër kryeqytetet më të ndotura në botë. Rregullisht kjo përsëritet sa herë që në Kosovë ka krizë të energjisë elektrike dhe mediat e publiku zënë e flasin për mafian energjetike. Pra duhet që mileti të tmerrohet nga ndotja e shkaktuar prej termolektranave të Obiliqit, që pazaret kriminale që ndodhin në importin e energjisë të mos problematizohen.

______________

Askush ma nuk ia ka nevojën, por ai vazhdon të rrjedh. Për t'u bashkuar më poshtë me prroin e moçëm, e ashtu të bashkuar të rrjedhin tutje drejt lumenjve, që rrjedhin drejt detrave, për t'u bashkuar në fund të gjithë në anonimitetin e Ujit të Madh.

Njerëzit kanë ikur dhe ma nuk ia kanë nevojën, por ai sikur s'do t'ia dijë për ta. Rrjedh pa ndalë, natën e ditën, mes acarit të dimrit dhe zhegut të verës. Si vetë koha, që në rrjedhën e saj të pandalshme na merr me vete, për të na bashkuar në fund të gjithëve në oqeanin e harresës kozmike. Atë që fetë na e zbukurojnë duke e quajtur paqe e pasosun.

______________

"Çdo brez mendon se është i përcaktuar që ta rikrijojë botën. Por brezi im e di se nuk do ta bëjë një gjë të till?. Por, ndoshta detyra e tij është akoma edhe më e madhe. Ai duhet të mos lejojë që bota të shpërbëhet".

Të shkruara para 68 viteve, këto fjalë tingëllojnë si shprehje për gjendjen e sotme të botës. Njësoj si edhe shkaqet e këtij rreziku shpërbërjeje, që i renditë autori i këyre fjalëve: revolucionet e dështuara, teknologjitë e çmendura, ideologjitë e rraskapitura, pushtetet mediokre, që nuk bindin askënd, por mund të shkatërrojnë gjithçka, dituritë e vëna në shërbim të shtypjes dhe urrejtjes...

Këto janë pak fjali të shkëputura nga njëri prej fjalimeve më të fuqishme të mbajtura në Akademinë e Çmimit Nobel.

Si sot, 65 vjet më parë, autori i tyre do të humbte jetën në një aksident fatal. Në kulmin e krijimtarisë së tij letrare e filozofike. I madhi Albert Kamy.

______________

Vetëm në pesë ditët e para të vitit: 430 aksidente në rrugët e Kosovës. Dy të vdekur dhe 160 të plagosur. Pothuajse bilanc lufte. Kjo është një nga shumë simptomat e një fakti të dhimbshëm: iracionaliteti e ka mbërthyer keq kët' shoqëri në çdo segment e sferë të saj.

______________

Sirianët duke festuar në Damask, pasi nuk i përfillën këshillat nga Tetova e Kabuli për ta bojkotuar festën e Vitit të Ri.