| E premte, 03.01.2025, 07:52 PM |
A ËSHTË SHPIRTI MALLIKM?!
Miradije
Maliqi, “TË FLUTUROSH ATJE KU NUK ISHE”, poezi, botoi “LENAgarfic”,
Prishtinë
2024, faqe 110. ISBN 978-9951-29-793-6
Shkruan:
Shefqet DIBRANI
U MËSOVA ME IKJET
U mësova me ikjet
Pa kthyer kokën e të
kthehem
Pastaj t’ua prish
mendjen nëpër ëndrrat tuaja
Si fitore ndaj jetës
Me fjalët e vetme se
pafundësisë i erdhi fundi
Faqe
20.
Trajtimi
i poezisë së Miradije Maliqit, veçmas ky vëllim “TË FLUTUROSH ATJE KU NUK ISHE”,
tash kur poetesha nuk është më në mesin tonë, për mua ishte sfidë jo aq lehtë e
kalueshme. Vet fakti që ne jemi mbledhur këtu dhe ajo mungon e shpjegon atë
ndjenjën që kam përjetuar edhe unë gjatë leximit të poezive, megjithatë
vlerësimi real i krijimtarisë së një poeteshe, ndodhë pikërisht me mungesën e
saj, kurse “Etjen e mungesës e ndez
me (mos)praninë...“
e saj), dhe "i godet
malet kur i thonë ke ikur", (faqe 15), po ashtu dhe në vargun vijues,
"që mos të lëngonte më mungesa", vetkuptohet mungesa e
poeteshës, (faqe 18), sepse "mungesa e ndëshkimit si strehë shiu m’i
gërryen ditët", (faqe 81), është shprehur vet autorja nëpër poezitë e
saj.
Pavarësisht
dhimbjes dhe tragjikës, tash këtu në mesin tonë, Miradije Maliqi vjen e
komunikon me krijimtarinë e saj, dhe automoatikisht një gjë e mirë po ndodh në
këtë mes, sepse ne e dimë se janë me dhjetëra autorë dhe autore që krijimtaria
e tyre e pa botuar, ju mbetet nëpër sirtar duke i mbuluar pluhuri, dhe pastaj mbi
atë pluhur bie edhe harresa e familjes dhe shoqërisë. Në rastin e Miradijes
kemi të kundërten, prandaj nuk mundem të kaloj te vështrimi kritik për poezinë
e saj, pa e përgëzuar poeteshen
Shqipe Bytyçi, si shoqe e mirë, e cila ka bërë një punë të kujdesshme
kulturore, dhe bashk me poetin Dan Ibrahimi, para nesh kanë sjellur këtë
monument kulturor, vëllim ky me poezi jashtëzakonisht mirë i organizuar, por edhe
si koncept lirik, kështu si ka dalë ia rritë vlerën artistike, gjithë asaj poezie
të cilën paraprakisht e ka botuar për të gjallë Miradije Maliqi. Natyrisht
Miradija ka pasur fat të madh që pas vetës ka lënë edhe një familje shembull,
që në saje të saj, botohet ky libër. Përzegjdhses, familjes si dhe stafit
botues vlerësim maksimal!...
NJERËZORJA:
Si shumë të tjerë, edhe unë kam pasur rastin ta njohë dhe
ta takoj disa herë Miradije Maliqin nëpër takime dhe ngjarje letrare. Bile për
shkak të mbiemrit “Dibra”, gjithnjë e kam thirrur “kusherirë dhe shumë
pak në emrin e saj”. Si natyrë njerëzore Miradija ka qenë model i gruas me
kulturë, në sjellje e thjeshtë dhe modeste, dhe nuk besoj se dikush ndonjëherë
ta ket dëgjuar timbrin e zërit të saj të revoltuar. Gjithçka dhe gjithnjë ajo
ka ndrydhur në shpirtin e vet. Paqësore e dashur dhe humane, prandaj edhe Zoti
i dëshiron njerëzit e mirë t’i ketë afër vetës, dhe gjithnjë më duket se
njerëzit me një natyrë dhe mision human dhe të dashurisë siç e njohim
Miradijen, janë ma jetëshkurtër.
POEZIA:
Botimi i poezive të mbetura, është sukses, dhe pa dyshim
këto poezi të përfshira në librin “TË FLUTUROSH ATJE KU NUK ISHE”, e pozicionon
poeteshën si krijuese e vargut të mirëfillt, e cila kurrë nuk iu shkëput vlerës
artistike, por gjithnjë ajo jetojë me vlerën estetike në vargun e përsosur
lirik. Ky nivel kaq artistik shfaqet qysh në poezinë kredo “GRISHJE”. Dhe, jo
vetëm kjo poezi por i tërë libri është një grishje, një ëmbëlsim kulturor që
mbahet gjatë në mendje. Eshtë “vargu (i saj) im i përvuajtur/
Mëngjeseve të uritura”, (faqe 11), që na fton për ta shoqëruar leximin e
poezisë gjerë në vargun e fundit.
Vëllimi poetik “TË FLUTUROSH ATJE KU NUK ISHE”, si tërësi
shpalos botën e brendshme shpirtërore të njeriut tonë, e cila suksesshëm ka
arritur të njëjtësohet brenda vargut, shpeshherë i dhimbshëm po më shumë
përjetues, që si tërësi tematike vëllimi poetik shkrihet brenda metaforave, jo
vetëm të dhimbjes por edhe të mendimit të thellë filozofik, dhe shpeshherë me mesazhe
mjaftë meditative, duke e karakterizuar botëkuptimin e brendëshëm poetik të vet
Miradije Maliqit e cila shprhet se, “Notoj fort mbi tradhtitë e jetës/ Që më
gjunjëzojnë shpesh”, (faqe 12).
NË
MES DHIMBJES DHE REALITETIT:
Brenda vëllimit me poezi, secil prej jush do të gjejë poeteshen
dhe krijuesen elegante duke u përplasur në mes dhimbjes personale dhe hapësirës
së saj, dhe gjenë forcë për ta kundruar poezinë në raport me kohën dhe
rrethanat. Kjo ndjesi shpreht sidomos në ciklin e poezive që ia kushton të
bijes, ku do të shihet një lidhje shpirtërore, “mëmë e bijë”, andaj edhe
Miradija u ngjit lartë pas saj. Citoj: “Të duam edhe atëherë kur mendon/ Se
të gjithë i ke kundër/ Të përkrahim edhe atëherë/ Kur të plagos ndonjë dashuri
e gabuar”, ose vargjet: “Mos kurse ditët përqafoje jetën fort/ Rrëmbeje
para se të të rrëmbejë ajo ty/... / E shtrenjta bijë as qielli nuk është i pa
mundur/ As yjet nuk janë të pamundur/ A na ke ne që t’i ndërtojmë shkallët gjer
në qiell”, (poezia “URATË PËR BIJËN”, faqe 13-14). Prandaj
shpeshherë ndeshim mesazhe të përjetimit dhe dhimbjes personale, por më shumë
mesazhe moralizuese për dukuri a sjellje devijante të cilat dhe mbase në
secilin varg kthehen në mision human me porosi pozitive, pasi s’kishte si të
ndodhte ndryshe, kur jeta e Miradijes është karakterizuar e tillë, humane dhe
paqësore, ta zëmë siç është poezia “KUR MUNGON TI”, “Kur
mungon ti/ Unë bëhem presje e vargjeve patetike/ Ëndërroj kalendarët të kthyer
mbrapsht/ Ndaloj akrepat e korrikut/ Ashtu lehtas të mbështjell në heshtje”, (faqe 22). Po me këtë ndjenjë dhe përkushtim sipëror është
shkruar edhe poezia kushtuar babit:
“E vari shpirtin në
buzëqeshjen time
Kur u shfaqa pas një
ëndrre
Ç’është ky i marrë -
thoshin
Që çmendet pas një cuce
Çdo ditë më quajti me
një emër të ri
Me ëndrra të bardha
mëkate të vogla
Shoqet e mia me kukulla
luanin
Unë ngjitesha nëpër degë
Më e fortë se një djalë
Më e ndjeshme se një
këngë“
Poezia
“BABAI IM“, faqe 19.
METAFORAT ME POROSI UNIVERSALE:
Janë këto arsye pse nuk ngurrojmë të themi se nga një
botë individuale, vargu i saj sa vjen e shndërrohet në mendim universal, i
kapshëm për realitetin shoqëror, për situatën a rastin “Sepse
duke të kërkuar ty e gjeta veten”, (faqe 24), pasi “lotët nuk janë dhimbje por vetëm kripë”,
dhe po në këtë poezi ajo e sheh se “shpirti është mallkim?!”, (faqe 27),
kurse në pjesën tjetër ka një mendim tepër ekzakt: “...duke pritur shumë të
mira/ Shikojmë vetëm të keqen”, (faqe 28). Për t’i veçuar janë edhe
mendimet se: “Të gjithë e adhurojnë dashurinë - Por pak kush e dhuron nga
zemra”; “Të gjithë e duan lumturinë - Pak kush i gëzohet lumturisë
së tjetrit”, dhe “Të gjithë duan gjithçka - Por pak kanë nevojë vetëm
për veten e tyre”, (faqe 27).
Thuaja kryesisht, poetesha vargun e saj e nis nga brendësia
e vetë, andaj e “lut stilolapsin/ që t’ia
kthen shpirtin në lumenjë/ për të zbuluar në bardhësinë e letrës/ gjithçka që
harroi/ dhe fshehu në zemër”, (e përpunuar, faqe 32). Shpeshherë kjo poezi,
më shumë duket se është një shpalosje e brendshme individuale, përveç dhimbjes
së njohur, motivet tjera kryesisht janë pa ndonjë synim dhe personifikim me
individin, me konkreten dhe me individualen, shih poezinë: “GRATË QË DASHUROJNË
DERI NË DHIMBJE”, (faqe 40), që do të thotë të gjitha mesazhet e kësaj poezie i
takojnë një rrethi më të gjerë, përkatësisht i dedikohen shoqërisë dhe
proceseve nëpër të cilat kalon kjo shoqëri, dhe se “Vitete ikin si sapun i harxhuar” edhe “Pronarja është plakur me po atë inatin e saj”, (faqe 35), prandaj siç
duket edhe nga ky vëllim poetik ajo i paska “vjedhur rezervat e fundit të mirësisë së saj”, (faqe 38), dhe
pastaj paska ikur?!
“Ca
vjeshta ishin pranverat më të ngrohta
Që
i humbëm rrugës
Gjersa
pavetëdijshëm thurnim ëndrra
Për
dimrin e huaj”
Poezia “CA VJESHTA”, faqe
23.
TË
FLUTUROSH MBI METAFORA:
“Secila frikë është
e veshur/ Ndryshe kur ngrin nga acari”, (faqe 50), d.m.th. pjesa dërmuese e
këtyre poezive shpalosin dromca mendimesh të çastit e të dhimbjes, të
pozitivitetit e të dashurisë për jetën: “Çfarë
të të them/ Nëse derdhë fjalët para
teje/ Do të jesh në gjendje që t’i mbledhësh/
Çfarë shikimi të të përcjell”, (poezia
“ÇFARË TË TË THEM”, faqe 60), ose poezitë “FJALË TË GURTA”, (faqe 66), dhe poezia
“BËHU RREZE E AGIMIT TIM”, (faqe 71), kanë shplosura afintetin të cilin e
kishte poetesha për t’i dhënë kuptim më përgjithësues dhimbjes personale, të
cilën vetëm ajo arriti ta shndërroj në dhimbje universale, me mesazhin e qartë,
andaj të mos humbasim duke kërkuar dhimbjen “NËPËR SIRTARËT E JETËS”, (faqe 72),
andaj në përgjithësi poezia e saj ka marrë trajta të tilla duke shpalosur atë refrenin
e ndjesisë individuale, të përjetimit a të çastit kur është mbërthyer nga
dhimbja, që me automatizëm i ka përkthyer në frymëzim, si burim i brendëshëm
dhe i pashterrshëm, frymëzues dhe tejet mbresëlënës, siç shihet edhe në vargjet
e poezisë “ME DORËN E FATIT TIM”: “Kush
ngrohtësi kërkon e gjen në krahët e mi/ Me
dorën e fatit tim udhëhiqem/ Pse të
mos jap atë që më është dhënë/ Nuk
kursej atë që më është dhënë/ Lakuriq
para jetës jam/ Vetëm atë copë qiell
kam/ Me të i ngjyrosi ditët e mia”,
(faqe 74).
Së këndejmi edhe vëllimi “TË FLUTUROSH ATJE KU NUK ISHE”,
është i tillë dhe në vazhdën e krijimtarisë së gjertanishme të poeteshës
Miradije Maliqi. Po aq natyrshëm dëshmohet stili i saj dallues, karakteristik
dhe mbase i veçantë, me finesa estetike në varg, duke treguar gjithnjë
ndjeshmëri të hollë, si për njeriun, ashtu edhe për vargun poetik, dhe me një mjeshtëri
elokuente do të lë edhe amanetin trishtues: “Pa dëshirë heq dorë/ Siç hoqa
dorë edhe prej jush/ Më mungon vetëm
pak guxim pak marrëzi/ Të të them se
jam këtu e do të jem gjithnjë/ Të të
rrëfej se si i thura ngjyrat e blerta për ty/ Të ta dhuroja botën time/ Doja
të t’i rrëfej ato gjëra që i heshta”, (poezia “DIKU MES ËNDRRËS DHE
ZGJËNDRRËS”, faqe 75-76).
“ATJE
DO TË SHKOJ”:
Natyrisht
nuk prirem të prek hapësirën e lexuesit, për të nxjerrë secili imazhet e
mendimeve personale, por jam i detyruar t’i theksoj disa nga vargjet e saj, për
të plotësuar më mirë mendimin tim të theksuara më lartë, veçmas janë vargjet
për vendlindjen e saj: “Atje do të shkoj që t’i mbledh/ Të gjitha
thërrimet që më lënduan ashtu sikur ty/ Që të jem sërish vetja dhe e jotja
qyteti im/ Atje ku gurët janë më mëndafsh se mëndafshi/ Atje ku mban aromë
Vardari/ Dhe mali i thatë njëkohësisht/ Atje ku janë yjet më të afërt/ Në netët
verore të kristalta si sytë e fëmijës/ Atje ku mbeta gjithnjë e bija e dikujt/
Atje ku njerëzit janë të ngurtë si guri/ Dhe të butë si pambuku/ Atje ku japin
dorën nga zemra”, (poezia “QËLLIMI”, faqe 44-45), si dhe vargjet në vijm të cilat e
përmbyllin këtë vëllim poetik:
“Rriten
larg të vërtetës së shtrembëruar
Nëpër
plasaritjet e kohës mospërfillëse
Dhe
vijnë të madhërishëm
Me gjurmët e hapave të
vegjël”
Poezia “ME GJURMËT E HAPAVE TË VEGJËL”, faqe 85.
MESAZH PËRMBYLLËS:
Le
të lutemi për shpirtin e çiltër të poeteshës, po ashtu të lutemi që ky libër dhe
krijimtaria e saj të jetë prezenca e përhershme e Miradijes në letrat shqipe, e
jo siç ka thënë ajo, “Vetëm një thërrime
është ky emri im”, pasi “Pran kaq
poemave të pasura/ që ndërtoi mureve të shpirtit”, (faqe 63), jetëgjatësia
e poeteshës, jam i sigurt se do të shkojë përtej jetës fizike të saj.