| E enjte, 02.01.2025, 07:50 PM |
MBËRTHYE KTHETRAVE T’DASHNISË
Ose
puthje t’mungueme
Asja
Mulgeci, “NGAT TEJE“, lirika, edituar nga ”Botimet Jozef“, Durrës 2024, faqe
140. ISBN 978-9928-940-10-0
Shkruan:
Shefqet DIBRANI
Sa “vështirë asht me dijtë me dashtë/
Oh, sa vshtirë/ me dijtë me m’dashtë mue”, (faqe 3). Ideja e lirikave në
librin “NGAT TEJE” të poeteshës Asja Mulgeci, ngacmon ndërgjegjen e studiuesit,
veçmas për aspektin veriak të të shprehurit artistik, me tendencë imponuese në
kulturën e saj gjuhësore, që mundet si “dashnia të ankorohet njaty: përjetë”,
(faqe 4). Të gjitha poezië janë parë nga këndvështrimi lirik, me disa rrëshqitje
të herëpasherëshme në vargun erotik, por e mbuluar jo me vello, por me mënyrën
eliptike të frazologjisë gjuhësore. “Ajo, din veç me dashtë/ e s’i përngjet
askujt, as Ty!”, (faqe 6), është shprehur e sigurt ajo.
Vërtetë sa herë ndodh kështu, krijohet
bindja se poetesha ka arritur një profilizim substancial në të qenit poeteshë me
synim dhe qëllim pozitiv, tamam si një “zjarmi që na përvëlonte shpirtin”,
(faqe 15). Pra, synimi i saj ka qëllim në imponimin e shprehjes moderne, larg
dogmave dhe klisheve gjykuese, dogma paragjykuese që e ka shoqëruar poezinë
shqipe për gjysmë shekulli, prandaj as kjo prurje e Asja Mulgecit nuk është
thyerje e konvencave të një kohe a të një diktature, pasi ajo kohë, sidomos për
letërsinë, tashmë është e kaluar, veçmas për brezin e poeteshës, e cila është,
ose e ka zbuluar vetën si poeteshë, në kohën e transformimev të mëdha të
shoqërisë shqiptare, ku do të “ndodhë m’u ba përvëlimi yt,/ në t’gushtit
zagushi/ rueju mos lyp m’u flladitë fundgushës,/ as mes gjinjve t’mi”, (faqe
19).
Edhe lirikat e Mulgecit janë
transformime të dukshme, gjithëherë emocionale, dhe me provokimin të dukshëm të
ndjenjës shpirtërore duke zbuluar përshkrime rrallë të përjetuara, por edhe aso
elemente të përafërta me përjetimet e secilit individ, veçse parë nga
këndvështrimi i një poeteshe veriake me të gjitha dallimet shprehëse e fizike, po
më shumë në aspektin e përjetimit shpirtëror të saj, dhe me interpretime tejet
karakteristike të vargut dhe poezisë si përbërje më e zgjeruar: “Oh, kjo
stinë kurr’ mes nesh ftohtë/ s’ka me stinue/ veç tue pranverue...”, (faqe
20), dhe mesazhi përfundimtar është drejtuar “eh, lum ti për vedi mor
djalë,/ kshtu ka me t’gjetë,/ n’u dashurofsh në mue!”, (po aty, faqe 20).
Ndjenja e përjetimeve që lexohen nëpër
këto lirika, duket se janë rrjedhë e vetvetishme, një fluiditet yndyror që ka
afinitet të depërtojë në secilën pore të trupit, edhe lirika e saj ka afintet
depërtues në ndjenjën dhe përjetimin artistik të mënyrës shprehëse dhe
gjuhësore, sepse ajo “etshëm shuen etjen e digjet si qirì”, (faqe 89).
Lirikat e tilla nuk njohin korniza etike
aq më tepër të aspektit patetik, në të kundërten lirikat e saj do të vuanin nga
skematizmi dhe improvizimi, gjë që do të binin ndesh me karakterin njerëzor të
poeteshës, e cila edhe kur flet është goxha e drejtpërdrejt, pa hipoteka dhe
paragjykime, siç shihet edhe nga vargjet: “me çilë sytë, mbrenda syve/
zemrës, me i dhanë zemër/ me m’dashtë dashurisht, si un të due!”, (faqe 88).
Andaj edhe lirikat e këtij libri, përveç se rrinë “Ngat/Afër”, janë të çliruara
nga krijimi i vargut të mbyllur dhe atij meditativ dhe si lirikë është varg krejt
i veçanta dhe tejet provokuese në kuptimin ma pozitiv të kësaj shprehje letrare,
pasi edhe vetë e thotë se “Aktore ndjenjash s’u bana kurrë”, (po aty, faqe
89).
Në këto raste, lirikat e Asja Mulgecit i
kanë këputur vargojtë e patetizmit dhe ka dal e çiltër, e pastër, ashtu siç duket
të jetë edhe natyra e saj njerëzore, sepse poezia buron nga shpirti i
individit, andaj edhe ky libër dhe këto lirika janë mjaftë të përkryera, pa
patur nevojë të mistifikohet ndryshe, dhe kjo prirje shihet qysh në poezinë e
parë me një titull sinjifikativ që lajmëron mënyrën e vështirë të të shkruarit
dhe për vështirësit e mundshme të mendimit erotik të cilin e ka si dekor
ilustrativ nëpër lirikat e saj.
SA VËSHTIRË...
Membranën u gërvish qiejve
plasaris koren e tokës
tue thirrmue ambël: Të due!
Nektarin e shpirtit m'duhet m'e yshtë
me lajka t'flliqta, s'ban me ngatrrue
vshtirë asht me dijtë me dashtë
Oh, sa e vshtirë
me dijtë me m'dashtë mue!
Faqe 3.
Në vargun “Mbërthye kthetrave
t’dashnisë”, (faqe 131), duket sikur poetesha ka eksploruar qëllimisht me
ndjenjën e të përjetuarit, kurse në gjysëm vargun tjetër “puthje t’mungueme”,
(faqe 129), shprehet një mungesë e theksuar e dashurisë së munguar, jo vetëm si
akt i puthjes, ose i aktit më të thellë, por dashuria në vargun lirik ka të
bëjë edhe me afrinë dhe respektin e munguar ndërmejt një shoqërie, pse jo edhe
në mes të dy gjinive të kundërta. Andaj poetesha sugjeron lexuesin e poezisë së
saj “të mos vdes, pa ia dhuruar vetës mjaltin e ëmbël”, që në vargun e
saj transformohet si element i shprehje e lokalizmit veriak si “helmambël”,
andaj shprehet ajo “mos vdis pa lëngue i dashuruem”, vargje që lexohen
te poezia “MOS VDIS”, të cilën për vlerat artistike që ka, po e risjellë
krejtësisht të plotë.
MOS VDIS...
Mos vdis, pa ia dhanë helmamblin vedit,
kët "helm" pa shijue
se veç njashtu i jepet kuptimi jetës,
veç njat herë e kupton se vërtet ke
jetue!
Mos vdis pa lëngue i dashuruem
shtratit t' vërtetës!
Pa vujt i dashuruem, mos jep frymë
ksisoj, edhe njasaj bote t'akullt
do ndihesh gjallë, paçka se gjakngrimë
ngat teje, veç engjej do t'rrinë!
Faqe 11.
E një natyre të ngjashme është edhe poezia “AROM’S TYNE RUEJNË DASHNINË”, (faqe 35), me një
profil të realizuar në planin artistik. Siç shihet Asja Mulgeci, poezinë e shkruan
si ndjenjë e përjetuar në vete, “Kanga, - thuhet – asht vaji i burrit”,
por “zemrën thërrmon dhimbja e dashnisë”, madje as guri s’ka forcë me
duruar, “ani pse ksaj vuajtje t’mjaltë/ zemrat ndihen bekue”, (faqe 66).
Dhe ky parim i saj duket i saktë, pasi çdo gjë niset nga vetvetja për t’iu
përshtatur edhe të tjerëve, madje edhe lexuesve të saj, siç din të shprehet
poetesha, “tue u kacafytë idhët me fatin,/ që pamshirshëm ma ftofi shtratin”,
(faqe 69). Siç shihet një tog i tërë nga vargjet e poezive janë ngacmuar nga
realiteti i përjetuar, pastaj janë përpunuar dhe trilluar artistikisht nga
mendja e saj, dhe duke pasur afinitet të shkruaj i ka bërë poezi që lexohen dhe
përjetohen mirë. “Ani n’dashtë, pse ka guxue/ dashninë me ma shiblue”,
(faqe 63). Nga kjo që thash, duket se poetesha, kundrejt artit poetik është
shumë e vëmendshme, mbledh secilën ndjenje, secilin pasion dhe pastaj gjykon me
mënyrën dhe stilin e saj, me ato mjete artistike që i posedon, i ka sëndertuar
edhe këto lirika të cilat qëndroj mjaftë mirë, si4 qëndron edhe vargu i saj,
ato “mbesin tue u dashtë mes vuajtjesh/ tue shijue ndjenjën mes xhelozive!”,
(faqe 55). Tamam, ashtu siç veprojnë edhe të tjerat, në poezi ajo pasqyron
veten, shqetësimet e saj, emocionin e përjetimit, trishtimin lemeritës,
krenarinë tej bjeshkëve, ngritjen dhe gëzimet, si dhe thyerjen e shpirtit, si
dhe përshkruan edhe vetminë e madhe, duron përçmimin, jeton për ta shijuar dashurinë,
andaj gjithnjë e kërkon atë nëpër rrjedhoen e kohës duke i kthyer në lirika të
kësaj natyre.
TA SHOF SHPIRTIN
M'u poshtë synit ta pres lotin
e ta prek me buzté e mia,
i hap sytë e ta shof shpirtin,
bash njaty, ku lind dashnia.
K'ta lot janë bash si musht zemre,
n'rrokllime t'gotës pi me fund,
dehesh ndjenjash, sillesh botës
kthehesh shtriqesh prap te unë!
Faqe 71.
Lirikat e Asja Mulgecit, janë trokëllima e takave, hapat
e saj nëpër trotuar, sikurse edhe ngjarjet përrth që i bëjnë përshtypje. Po aq
edhe shikimet e të tjerëve, të atyre syve që nuk dinë se çfarë kërkojnë. Në netët
e gjata shtrëngon në gji vetmin, mungesen e dashurisë, por falë afinitetit
krijues ajo nuk ndjehet kurrë e vetmuar, sepse ka dhunti për të shkruar vargje
që e bëjnë të lumtur. Poezia është mister në vete, herë - herë pa shtegdalje,
solide në përmbajtje, e qëndrueshme në ndërtimin e saj, dhe koncize
strukturalisht. “Edhe n'se lindin njizet diej”, përseri nuk zbehet forma poetike e saj,
mesazhi “me ndriçue errsinën e natës teme”, atëherë kur “dita s'vjen kurrsesi, po s'erdhe ti
i dashtun”, për t’i dhënë “zemër ksaj zemre!”, (nga poezia “PA
TITULL”, faqe 95).
Në disa lirika të gjata, mund të
nxjerren dy e ma shumë poezi, në raste të tjera vetëm një strofë është poezi më
vetet e ralizuar si krijim artistik, një poezi të tillë e
sajova, për të parë se si poezia e shkurtër kryen funksionin identik të të
njëjtës poezi me disa strofa të stërzgjatura. E kjo mënyrë jep mundësi për të
ndërtuar poezinë e sajuar si një lëndë krejtsisht e vetme, p.sh.:
FTESË
Eja i dashtun
mos m'len ngarkue n'mall e lot,
eja, kurrë s'të kam pritë,
ma shumë se sot!
Faqe 102.
Poezitë e Asja Mulgecit janë vargje të “lazdrueme si manare”, ato vazhdojnë psionin
e vet njëra pas tjetrës dhe krijojnë identitet e individualitet artistik ku
idet e caktuara lihen përgjysëm për të vazhduar në lirikën tjetër, sa shpesh
krijohet përshtypja se kemi një vazhdimësi deri në poezinë e fundit. Andaj
gjykoj se ideja e këtyre lirikave tregon se poetesha i ka realizuar mjaftë
vlera të qëndrueshme artistike.
A MUNDESH...?
N'se vij shtriqun
e lazdrueme si manare,
a mundesh shpirtit me ia ndalë dalldinë;
a mbyllesh dot mbrenda vedit
trupin m'e ngujue n'dry;
a mundesh mos me m'kqyrë
e sytë me i lanë pa sy;
zemrën a mundesh m'e ndalë me punue,
dejesh gjakun a mundesh m'e ç'ngiyrue;
a mundesh me ba sikur s'je gjallë
n'se je me mue,
a mundesh,
a thue?!
Faqe 125.
Vëllimi me lirika ”NGAT TEJE”, mjaftë mirë do të
qëndronte edhe sikur të titullohej “AFËR TEJE”, sepse edhe “bota, femën
asht,/ ndaj dhe shton çdo ditë nurë,/ dhe pse fytyrën ndrron saka,/ sa të tilla
ka virania,/ s’kem për me e msue kurrë”, (poezia “ZOTI N’GJUNJ SI GRUE
M’ULET”, faqe 134), dhe padyshim edhe titulli dhe poezitë e letrarizuara vetëm sa
do të fitonin në vlerë, tama siç mund të parafrazohej sipas vargjeve të saj: “Jo,
mr mur d’krahasohesh,/ ani pse, kam t’njajtën gjini,/ ti rreth meje, vdes e
ngjallesh,/ zgurit tand un ngjizi jetën,/ ah pa mue, je krejt e vogël,/ lëngon
fishkun n’shtërpni”, (po aty, faqe 134). Pavarësisht kësaj, si tërësi
tematike, kjo poezi është përplotë me ide, përplot me mënyra shprehëse, kurse
me mjetet artistike të futura në funksion, është sajuar kjo lirikë kaq e mirë.
MOS NDODHTË KURRË
Oh ç'diell pervlues nxjerr kryet
mbas resh njashtu përngut,
mos m'i thaj buztë njomë n'riga shiu,
përziem me lotin poshtë syve
mos i zgjat gishtat lastar si dashnor
hileqar
se malli m'asht ba mur...
gur bedenash t'shpirtit jam ba gur
qysh kur s'jem puth sysh
e njani-tjetrit s'i kem hy nën lkurë
malli zgjatet korsive t'zemrës,
mes botëve m'u ba urë
dashnia q'i m'përvlon krahnorit
ftyrës ka me m'shtue veç nur...
Mos ardhtë kurrë njajo ditë
mbrenda vedit m'u fikë
pritjes me i thanë: Mjaft ke pritë...!
Mos ndodhtë kurrë!
Faqe 133.
E gjitha, poetesha Asja Mulgeci, ka treguar pjekuri
artistike me ndërtimin e profilizimit të saj artistik, kurse në dy vargjet e
fundit është shprehur se “Fryms teme rrekem m’ia mbushë bronket,/ e kot po
mundohem me t’ngi!”, (poezia “MBRAMJES PERENDUAM NË T’NJAJTIN SY”, faqe
135), vargje këto përtej modestisë njerëzore, por realisht prekin ndjenjën e
brendshme, zjarrminë e poeteshës, që lexohet me pasion, duke lënë mbresa për botën
femrore, që ka lirika e poeteshës Asja Mulgeci.
St.
Gallen, janar 2025.