| E enjte, 02.01.2025, 07:53 PM |
Në vend të parathënies
FARSA
TRAGJIKOMIKE E REALITETIT
(Kalosh
Çeliku: Kopeja me zgjebe ndjek Autorin – dhjetë drama groteske, Botim i Autorit – Shkup, 2024)
NGA
PREND BUZHALA
Shtatë dramat e vëllimit “Imzot, lehin qentë“ të Kalosh Çelikut
(“Imzot, lehin qentë“, “Ndihma e shpejtë“, “Zorra qorre“, “Kopeja me zgjebe
ndjek Autorin“, “Lamtumirë bërllok”, “Kali i Trojës na polli në Bit-Pazar”, “Repriza e vëllazërim - bashkimit“, si dhe
tri monodramat “Një vit frikë“, “Pabesia” dhe “Disidenti i Unionit të viçave“
përbëjnë një strukturë përmbajtësore - tematike, një tërësi stilistike e
satirike. Është koha e thyerjeve sistemore - politike, kur po zhvisheshin
kultet e totalitarizmit dhe kur në skenën e ndërruar të historisë, aktorët e së
djeshmes shndërrohen në aktantë komikë e tragjikomikë edhe të së sotmes.
Prandaj, çështjet që trajtohen në këtë vëllim, janë probleme të mëdha të kohës.
Këto tekste kanë një kumtim të përbashkët
idesh, vizionesh çmaskuese, pa ndërlikime mitemash e semantemash të
dramaturgjisë postmoderniste. Nëse ngjizet fryma e tillë post/moderne, atëherë
ato i nënshtrohen filozofisë estetike të autorit mbi satirën e tragjikomiken.
Tekstet dramatike të Çelikut përshkohen nga
pleksja e çuditshme e elementeve tragjike me ato të groteskës dhe të ironisë me
realitetin. Ka në këto tekste farsë tragjike, humor ngapak vulgar, personazhe
të bërë me karikaturë letrare, dhe, posi tek Jonesko, ka edhe intrigë të
realizuar e të endëzuar mbi mosmarrëveshjet.
TEKNIKA DISKURZIVE DRAMATURGJIKE
Teknika diskurzive-dramaturgjike e Kaloshit
është e qartë dhe e dukshme në shumë nivele: si në atë të syzheut, ashtu edhe
në atë kompozicional; me ndodhi krejt të rëndomta jetësore. Autori i përdor me
mjeshtri diskursin e burokracisë së kaluar partiake-shtetërore, të
shpërndërruar tashmë në trajta të reja të hipokrizisë së ngritur në institucion
shtetëror. Hipokrizia, demagogjia e cinizmi, së këndejmi, janë mjete dhe leva
që i shërbejnë pushtetit. Të mësuar se çfarë profiti sjell “diskursi i
disidencës” dhe “diskursi patriotik” kundër komunizmit; të metamorfozuarit e
Kalosh Çelikut, në “kushtet e demokracisë” i përdorin këto diskurse
“antikomuniste” në nivele të ndryshme të hipokrizisë, tek e zëvendëson
fantazmën e “pushtetit absolut” të “sistemit monist” me pushtetin absolut të
diskurseve të larttheksuara.
Shkrimtari i vë në pah me shkathtësi
antonimitë e përmasave të kësaj hipokrizie: në mes të ideologjisë pushtetore të
së tashmes dhe biografive të tyre të djeshme; në mes të demokratëve të
përtashëm dhe ish komunistëve vetëqeverisës të vëllazërim-bashkimit të djeshëm;
në mes të atyre, të cilët sot atë që e shqiptojnë fuqimisht, nesër e mohojnë me
të njëjtën forcë. Më në fund, e shquan temën e madhe e jashtëzakonisht komplekse
të konfliktit në mes politikës dhe moralit.
Aparati pushtetor i këtyre horrave, sikur e ka
shpallur kodin e pashkruar të mënjanimit të sinqeritetit nga jeta e përditshme
dhe e ka promovuar dyfytyrësinë.
Pra, “tipar” i botës së këtyre personazheve
është mosmbajtja e fjalës, luhatja në qëndrime, mosrespektimi i marrëveshjeve
etj. Së këndejmi replika satirike e Kaloshit përplaset në mes të thënies dhe
dëshmisë; do të thoshim, në mes të hipokrizisë dhe të vërtetës, sepse
“kriteret” e mësipërme janë mjete për “marrëveshje” në mes të strukturave
shoqërore të përtashme.
Hipokrizia e demagogjia tashmë janë bërë
mënyrat e vetme të sjelljes shoqërore. Kurse shkrimtari Çeliku veç sa e tregon
me gisht skenën e hapur të jetës, në të cilën të pushtetshmit ngrejnë frone
mashtrimesh. Shqiptarët, këta burra që shquheshin për krenari, dinjitet e
trimëri, tashmë shquhen për shqiptimin e gënjeshtrës, kërcënimit, përhapjes së
frikës, kurse skalpeli letrar i Çelikut nuk resht t’ua bëjë autopsinë qelbësirave
apo kohës-bërllok; apo për ta shqiptuar të vërtetën për njëmijë të këqija e
fatkobe që i sjellin shoqërisë këta kobashë.
Veçse shkrimtarit i dhemb shumë edhe
indiferenca apo frika nga gjendja e tillë, prandaj ia shqipton patogjenezën e
tij letrare-satirike shoqërisë së tillë. E pra, siç do të thoshte Habermas,
shenjë/ sinjaturë e shoqërisë moderne, është “kriza e vazhdueshme”.
TEOFRASTIADA E KALOSHIT: ANATOMIA E APOLOGJETËVE TË
SË KEQES
Kalosh Çelikut nuk i dalin fisnikë, po të çoroditur,
si politikanë, ashtu edhe gazetarë, shkrimtarë të oborrit, politikanë të
metamorfozuar, ministra, krerë partish, njerëz të kulturës, redaktorë,
regjisorë, intelektualë të rrejshëm, hafije të djeshme, gra të përdala,
gazetarë, njerëz kukulla, servilë palaçosh, lugetër me surrat njeriu, madje
edhe klerikë e besimtarë.
Dhe, personazhi i rebeluar e i pavërejtshëm i
Çelikut, qoftë ai me emrin e vetë autorit, apo që identifikohen me të bukurën e
revoltën si poeti, Selvia e bukur, I padëshiruari, Rebel Rrapi, Edon Kaçaku
etj; s’ka se si të mos gjendet në një hapësirë të zbrazët a në vakuum politik,
kulturor, shoqëror e madje, edhe religjioz! Ata nuk kanë se si ta shquajnë
shpresën për ardhmërinë, mbasi të pushtetshmit nuk zgjedhin mjete për ta mohuar,
asgjësuar e luftuar rivalin a kundërshtarin e tij “politik” a “kulturor” më zi
se në “komunizëm”. Vetëm pse njerëzit e tillë, të mveshur me
pushtet, imagjinojnë se e vërteta ua luhat pozitën e
forcës iluzioniste, absolute e pushtetore. Kurse teofrastiada e Çelikut me
kobashë, servilë e lalashë të tillë, është e pasur. Të tillë janë Dr. Madhi,
Pijaneci i Rrejshëm, Zonja me gjel - te drama “Imzot, lehin qentë”; apo
Rrumbaduci, E përdredhura, Autori i disa librave, Dumdumi, Intelektuali i
Rrejshëm, Gazetari me Gërshërë, Komunisti i Arratisur, Gafurri, Gazetarja e
Hijshme, Nanaçi etj, te drama “Ndihma e shpejtë”; apo Kukulla Femër, Palaçoja i
Oborrit, Haxhi Kritiku, Orrospia mashkull, Hava e “Bit - Pazarit”, Dr Lugati,
Honxhobonxho, Xhuxhmaxhuxhi, Yllkuqi i shtrydhur etj. te drama e quajtur
antikomedi “Zorra qorre; apo Cufë Dilinxhiu, Tata e Madhe, Doktorziu, Klienti i
Doktorziut, Hadum Somuni, Faqekuqi, Këlyshi i Llagut, Këlyshi me zgjebe etj. te
satira groteske “me tri beteja”, që mban titullin “Kopeja me zgjebe ndjek
Autorin”; kurse në fund, në finalen e këtyre dramave, paraqitet Poeti që me
fshesën simbolike në dorë e pastron bërllokun në hapësirat etnike shqiptare
(drama “Lamtumirë, bërllok”). Aty vjen, në botimin e ri, edhe “Repriza e
vëllazërim-bashkimit“, një “groteskë idilike”, si e përkufizon lirshëm autori
zhanrin e tij dramaturgjik te ky tekst dramaturgjik. Aty, teofrastiada e
Kaloshit, pasurohet edhe me kobashë të tjerë, të cilët, me mimikrinë e
realitetit, s’arrijnë gjë tjetër, përveçse nostalgjinë e sëmurë të së djeshmes ideologjike ta
përthyejnë në trajta të reja të çoroditjes njerëzore.
Speciet njerëzore teofrastiane me bollëk i
shumëzon edhe koha jonë. Nuk i lë të shuhen. Teofrasti, i cili ka jetuar afro
katër shekuj para Epokës së Re, në veprën e tij “Karakteret” i paraqet tipat
nga më të ndryshmit e tiparet njerëzore nga më të ndryshmet, sikundër janë
dyfytyrësia, llafazania dhe tipat e llomotitësve, pafytyrësia dhe inatçorët,
kokëtrashët, intrigat e intrigantët, besëtytët, sqimatarët e mburravecët, etj.
etj. Po thuaj se, të gjithë studiuesit e veprës së Teofrastit antik,
pohojnë se karakteri i njeriut fare nuk ka ndryshuar, për sa i përket tipareve
negative; ai ka mbetur i tillë edhe në kohët moderne, si në ato antike, si në
ato të monizmit komunist, si në “kohët e demokracisë.” Kalosh Çeliku na
dëshmon, përmes penës së tij satirike-dramatike, se edhe sot mund ta takojmë në
radhët e partisë politike apo në rrugë e në kafene, si në shekullin e katërt të
para erës sonë, aq të njohurin Njeriun Poltron, Njeriun Dilenxhi apo Njeriun
Autoritar.
Dhe, kështu, Trasta e Teofrastit vjen e
shpaloset edhe në veprën e Çelikut, e pasuruar aq e aq shumë me laryshinë e
këtyre karaktereve negative. Dhe, ndër këto specie, Çeliku
ndesh e i vë përballë protagonistët e antagonistët pushtetorë në
tregun e shpirtshitjes a në “Bit – Pazar” (një mes ku
ziejnë intrigat e tregtia më e ndyrë). Epoka jonë tashmë ka zënë të quhet Epokë
e Globalizmit, Epokë e Ekonomisë së Tregut e të Pluralizmit Politik; dhe kjo
epokë i ka, pra, protagonistët e antagonistët e saj të shquar: aty ku bëhet
tregti, aty është Ai. Domethënë: treg mallrash është edhe Ulësja në Pushtet, e
quajtur Karrige, Gazeta e Partisë, Libri i shkruar me porosi, artikulli a
fjalimi i shkruar me porosi politike; janë Partia, Pushteti i dhuruar në emër
të votës së lirë, Banka, Raporti, Tenderi, Oferta, Licenca, me një fjalë, aty
ku shitet Shpirti mbi pushtetin e keqpërdorur barbarisht dhe aty ku gjenden
Paraja, Falsifikimi, Privilegjet dhe Mashtrimi. Meqenëse patosin kryesor e
përbën shtresa satirike, autori nuk lë pa i nënvizuar tematikisht dramat
njerëzore të përndjekjeve e ndjekjeve që i pësojnë personazhet protagonistë,
siç është vetë autori, apo Poeti, I padëshiruari, Plaku i Marrë etj. Pikërisht
aty ku zë fill qenia e tyre e vetëdijshme dhe e pavetëdijshme, aty shkrimtari
edhe arrin ta bëjë anatominë politike, morale, kulturore e shoqërore të këtyre
apologjetëve të së keqes, të cilët nuk janë të paktë në numër, kurse lëvizjet
shoqërore kthehen prapa, drejt barbarisë, plaçkitjes dhe shkatërrimit. Drejt
vërshimit të antivlerave njerëzore e krijuese.
MASKA RETORIKE
Invektiva dramaturgjike komike-satirike e
autorit tashmë na e nënvizon faktin që të tillët janë mësuar të vënë maska të
reja në fytyrë: ata janë mësuar kështu që nga fëmijëria, kur luanin lojën
kukafshehthi apo lojëra kukullash “me bark” me maska kafshësh e përbindëshash
të kallëzimeve përrallore, për t’u servilosur më vonë. Te e fundit, vetë jeta i
manifeston shfaqjet e komikes e të seriozes, të absurdit kundruall logjikës
jetësore apo të vlerës kundruall antivlerës. Fantazma e Trojës shfaqet si
paralojë që kërkon arketipat e saj në lashtësi e që ndërlidhet me dhunën e
regjimet shtypëse. Vërtetë, a kanë njerëzit një bindje të veten, kur aderojnë
në një parti politike? Të tillë, që dje mburrnin Titon, vëllazërim-bashkimin,
mandej “partinë demokratike” në pushtet, kurse tani “krahun e luftës”, janë të
panumërt, posi kameleonët e të gjitha kohëve dhe mjediseve. Palaçot e tillë
dinë “t’i ndajnë rolet” posi tek drama “Zorra qorre”. “E po, kështu e ka
politika, kështu duhet të veprohet sipas rrethanave”, arsyetohen ata. Maska
politike, për të tillët, bëhet shëmbëlltyrë e karakterit, vend i fshehjes, i
strehimit e i vetë-azilit politik në Atdhe! Bëhet mjet i “politikës së
ndryshimeve”, pa marrë parasysh se për çka ka apo nuk ka të drejtë. Ata e duan
maskën në vend të fytyrës, sepse fytyrë as që kanë pasur ndonjëherë. Vetëm kështu
e ndiejnë veten të sigurt: vetëm kështu e ndiejnë se maskat e tilla retorike,
me pamje serioze, me sy-gjysmë-të-mbyllur “meditativë”… është shenjë e
identitetit të tyre politik. Nuk është e çuditshme, prandaj, pse nuk vlen fare
mekanizmi i vullnetit politik, mbasi ata dinë të marrin fare mirë vendime mbas
shpinës a maskës rituale të “listave të mbyllura” në zgjedhje. Dhe kështu e
promovojnë, në të vërtetë, banditizmin politik e jo vlerat demokratike; dhe
kështu i promovojnë e i rehabilitojnë do kohë-maskash të vjetërsuara, të
zhubrosura, kundëratdhetare e kundërnjerëzore si kohët që i lanë pas; maska
plastike si kohët-llastik për t’u metamorfozuar… Një reprizë e nostalgjisë së
sëmurë të së djeshmes; që pëlcet nga gazi tragjikomik i Kaloshit. Til Ojlenspigel
thotë: "Ai që e drejton një betejë a një luftë nën maskën e lirisë së
mendimit, të fjalës, të humanizmit dhe të dinjitetit, do ta shohë në pasqyrë
fytyrën e tij të vërtetë.” Dhe pasqyra groteske, tragjikomike apo dramaturgjike
që ua vë përpara shkrimtari Çeliku kësaj hordhie e kohorte personazhesh, e
tregon turinin a surratin e tyre të vërtetë moral, grimasën a ngërdheshjen e
tyre prapa kësaj maske.
Dhe, së fundi, le ta falin Idealistin e marrë
a Njeriun Jopartiak e që nuk di t’i përshtatet politikës; dhe të cilit i ka
mbetur vetëm revolta si vlera më e lartë e shpirtit kundër fytyrave me maska e
fytyrës pa maskë, kundër maskës pa fytyrë e maskës me fytyrë. Personazhe të
tillë rezistues, revoltues a idealistë, kanë të gjitha dramat e Kalosh Çelikut.
Nëse për këta personazhe “jopraktikë”,
“jopragmatikë” tashmë është ngritur mendësia pushtetore e ajo e çarshisë së “Bit-Pazareve”
shqiptare se “nuk ka gjë prej tyre”; atëherë autori, me mjete të veçanta
artistike, e përqesh këtë tezë, gjithnjë simbas asaj që ka thënë Niçe: “Nëse
Platonin, si të syrgjynosur lufte, e kanë ekspozuar në tregun e skllevërve për
t’u shitur - atëherë çka i duhen njerëzimit filozofët? Pra, a mos do të duhej
ta zbulonim se çka i duhet njerëzimit e vërteta?” Dhe retorika e Politikanit
Unik e Të Suksesshëm vazhdon më tutje, gjithnjë me “kërkesat e një demokracie
të theksuar” dhe të “shoqërisë së përparuar”. Aty gjenden edhe Njerëzit e
oborrit!
Shkrimtarët e gazetarët e oborrit! Janë ata
njerëz pa kurriz, që i ngritin lumturinë e privilegjet e tyre pranë Mbretit,
Prijësit, Diktatorit, Presidentit a Pushtetit, duke qenë njerëz servilë; tek i
thurin lëvdata, elozhe, apologji regjimit në
fuqi apo veprimeve irracionale të Mbretit, Diktatorit,
Presidentit. Këtë temë e trajton në shumë dimensione shkrimtari ynë, Kasëm
Trebeshina: këta lakej të demokracisë e të regjimeve diktatoriale i quan
shkrimtarë të oborrtarrshëm e njerëz të oborrtarrshëm.
Dhe në këtë turr kaq tragjik të realitetit
tonë, në Kosovë, Maqedoni a Shqipëri, njësoj; dihet, kanë përvojë të bollshme
ish fansat komunistë e ish “titovcat”: sepse kështu dje i largonin nga puna, i
burgosnin a i përndiqnin; ua shkatërronin jetën, familjen dhe shëndetin atyre
që mendonin ndryshe, a që kishin guxim të punonin për lirinë shqiptare. Të
tillët, mjerisht, të dehur me sukseset e djeshme politike dhe të dehur me
sukseset e mbështetjet e sotme e të paprincipta politike; sipas retorikës së
re, do të dinë si t’i bëjnë edhe diferencimet e reja “ideopolitike” dhe
përndjekjet e reja politike; si t’i organizojnë fushatat e sulmeve e të
shpifjeve; do t’i dinë si t’i sjellin tragjedi të reja qytetarit shqiptar në të
gjitha hapësirat etnike, me anë të demagogjisë së re e të shpëlarë.
Me një fjalë, do të dinë si të përfitojnë mbi
kurrizin e tjetrit, aty ku përdhosen vlerat në emër të vlerave. Aty ku shkelet
gjithçka në emër të angazhimit “për mirëqenien sociale, ekonomike, politike,
kulturore, arsimore dhe kombëtare”, gjithsesi, duke menduar vetëm në aso mirëqenieje
ku vetvetja dhe rrethi i
afërm është “në qendër të vëmendjes”;
dhe, natyrisht, aty ku përfitohet shumë edhe në emër të programit politik për
“të drejtat dhe liritë individuale të qytetarit, pa dallime fetare, racore,
përkatësie politike, sociale, apo gjuhësore”, pa çka se këto të drejta
përdhosen barbarisht. Ndërkohë, do idealistë tjerë “të marrë” (monodramat e
drama e fundit të Çelikut) punojnë në të veten, për ta çuar përpara edhe një
utopi; ashtu si autori i këtyre teksteve. Në realizimin e poetikës
dramaturgjike autori i përdor me mjeshtëri ato mjete artistike tradicionale,
si: dukjen e jashtme që e maskon konservatorizmin e të kalburën, përqeshjen e
tezave dhe formën mashtruese (terme të Jakup Matos) ku spikatet: kontradikta në
mes mendimit të lartë që kanë personazhet për rolin e tyre e mungesës së
vlerave të tilla”, qëndrimet e dyzuara, alogjizmat, alegorizmin ezopik etj.
DRAMATURGJIA GROTESKE
Do theksuar që veprimi i këtyre teksteve
dramaturgjike zhvillohet në përmasa të një kohëhapësire të caktuar, të
procedimorit të njëkohësisë: atë të tranzicionit. Së këndejmi, projeksioni
dramaturgjik i Kaloshit është i qartë: ky është mjedisi i caktuar dhe koha e
caktuar. Kjo rrudhje e përmasave të kohës e të hapësirës në një periudhë ndryshimesh
e thyerjesh shoqërore, politike, nacionale e sistemore, kryesisht në mjedisin
ku jeton autori; ashtu sikundër edhe intriga, situatat dramatike, tensioni
dramatik, problematika tematike-dramaturgjike a shthurja dramaturgjike e
tekstit; e bëjnë këtë vepër për të qenë unike, e njësishme, më vete, po assesi
e njëtrajtshme. Dramaturgu Çeliku dëshiron të na thotë se të këqijat etike,
morale, në mjedisin shoqëror, familjar a intim, gjithmonë ndërlidhen me
politikën e me interesat kriminale të atyre që e prodhojnë këtë gjendje.
Prandaj, si të tilla, këto nëntë tekste dramatike kanë edhe kontekstin e ri të
gjerë shoqëror.
Sado që veprimi dramatik ndodh në situata të
pazakonta, për të mos thënë të pagjasa e të habitshme, në trajtën e një farse
groteske përplot kthesa e situata të pamundshme; megjithatë autori mjeshtërisht
iu jep trajtë dialogut, monologut, në të cilët ai përdor fjalësin aktual, qoftë
ky fjalës (leksik) i botës së politikës mafioze apo botës së tregut, i botës së
interesave apo i asaj të nëntokës.
Përkufizimet zhanrore, si “dramë në tri pamje”
(“IMZOT, LEHIN QENTË”), “antikomedi” (“ZORRA QORRE”), “satirë groteske në tri
beteja”, “KOPEJA ME ZGJEBE NDJEK AUTORIN”), “monodramë“ (“NJË VIT FRIKË”,
“PABESIA” dhe “DISIDENTI” I UNIONIT TË VIÇAVE”) - “E vërteta në tri fytyra “
(“LAMTUMIRË BËRLLOK”) dhe “Groteskë idilike” (“REPRIZA E “VËLLAZËRIM –
BASHKIMIT”), bëhen në frymën e stilit të Dyrenmatit (shkrimtar zviceran), për
t’i shënjuar pamjet, ngatërresat e kokolepsjet tona.
Nga libri në libër, nga zhanri i poezisë në
atë të tesktit dramatik, shtegtojnë ide të ngjashme, motive, arkipersonazhi,
figura e procedimorë. Një “dreq nuseje me pashterkë”, Mikja, boemë e poetë që
dashurojnë, që pinë apo që e mbajnë gotën me verë në dorë e që frymëzimi i lë
pagjumë; kore, grigja e turma të pafundme korbash, sorrash qensh, zgjebesh, të
marrësh, një Zonjë me Gjel, Hava e “Bit Pazarit”, Rrapi, Zonja vdekje në
shoqëri me poetin, xhinde etj; i bëhen obsesion letrar poetik e dramaturgjik.
Ndërkaq, në procedimorin dramaturgjik të Kaloshit, grotesku ka një shtrirje të
gjerë me shtresime të shumta. Pothuajse, groteskun ai e ngre në universin e tij
letrar. Grotesku prek frazën, dialogun, replikën, tekstet diskurzive, madje,
gjithë tekstin. Madje, në këtë drejtim autori vë në veprim larmi mjetesh
artistike, ndër të cilat po përmendim një skatologji personale estetike që
përsëritet nëpër shumë krijime e nëpër të gjitha zhanret e tij letrare. Kund e
kund e aktivizon parodizimine stilit të përtalljes të “kohës së tranzicionit”
për t’i shënjuar dukuritë e përçudshme të kësaj kohe apo tiparet
karakterologjike të këtyre personazheve.
Duke e shtrirë parodizimin e përtalljen në
sistem të vetin letrar për t’i hyjnizuar aureolat e rrejshme të këtyre
personazheve; duke e realizuar teknikën dramaturgjike nëpërmes hiperbolizimit
të dukurive qesharake apo të frikshme, të së tmerrshmes apo shëmtimit
(personazhet kanë një cen a një përcaktues që e hyjnizon kundruall të
madhërishmes si kategori estetike); duke e përdorë kund e kund fantastiken për
të fluturuar imagjinativisht në zona të ndryshme të botës së personazheve; duke
e shtrirë kudo e kudo maskën letrare, si një trajtë të posaçme artistike për
t’i mishëruar shfaqjet e dukuritë e ndryshme të jetës e të shoqërisë, me
mimikën, mimikrinë, grimasën, karikaturën letrare, figurën e tjetërsimit,
burleskën etj etj, sikur të gjitha këto së bashku e japin një
“realizëm grotesk” (Mihal Bahtin) a një dramaturgji groteske. Prapa çdo mjeti
të tillë artistik e estetik, Kalosh Çeliku zbulon realitetin e së përditshmes e
labirintet e tij.