| E marte, 31.12.2024, 07:55 PM |
Koha për lamtumirën e vitit që ikën dhe mirëseardhjen e vitit që vjen
Nga
Albert Vataj
Fundi
i një viti nuk është thjeshtë flakja në kosh e hedhurinave të kalendarit që na
shoqëroi ditë pas dite, por edhe ndarja me e përgjithmonshme me çdo gjë që
erdhi me të dhe largohet njëherash, për t’i lënë vendin të tjera mundësive dhe
projekteve, të tjerë spovash dhe ngulmimesh për të mbërritur përmes synimeve te
qëllimet.
Shpesh
ditët dhe orët e fundvitit karakterizohen jo nga një nxitim për të përmbyllur
diçka, por për ta përfunduar sa më shpejt kohën që shterruan potencialet, thua
se janë ditët ato që vendosin për përmbushjen tuaj.
Viti
i ri, është një nisje prej fillimit, pse jo. Shpesh duke nisur diçka nga
fillimi, kemi një shtysë më të madhe për t’i shkuar në fund. Ndoshta përpiqesh
t’i bësh gjërat ndryshe, duke u përpjekur për të shmangur pengesat që ju
pamundësuan të realizonit diçka, së cilës ju përkushtuat dhe bëtë të pamundur,
duke rezultuar gjithçka si e pamjaftueshme.
Në
këtë moment të kalimit nga një vit në tjetrin, zemrat ndiejnë një përzierje
emocionesh, gëzimi për arritjet, keqardhjeje për dështimet, dhe mbi të gjitha,
një shpresë të heshtur për atë që ende nuk ka ardhur.
Ndonëse
objektivat madhore mund të duken si majat e pamundura, shpesh janë hapat e vegjël
që ndërtojnë urën drejt tyre. Për këtë arsye, fundviti është një ftesë për të
vlerësuar jo vetëm sukseset e mëdha, por edhe momentet e vogla të fitoreve
personale.
Koha
në vetvete është një rrjedhë e pandalshme, por njerëzit kanë gjetur mënyra për
ta ndarë atë në kapituj simbolikë, duke krijuar ndjesinë e një fillimi të ri.
Ky është sekreti i fuqisë së vitit të ri – jo kalendari, por vullneti për të
besuar në mundësitë që ai sjell.
Cilido
qoftë ky vit për ju, kujtoni se çdo fillim është një mundësi për të rindërtuar,
për të mësuar nga e shkuara, dhe për të krijuar një të ardhme që i përgjigjet
aspiratave tuaja.
Krijimi
i një atmosfere kaotike dhe shpesh ekzagjerimi në festimet e fundvitit, pjesë e
të cilëes jemi të gjithë ne, pavarësisht intensitetit emocional të përjetimeve
dhe arsyes për t’u hedhur qoftë edhe për pak ditë në krahët e harrimit, mund të
shihet nga një perspektivë filozofike si një mekanizëm simbolik për të
përballuar rrjedhën e pandalshme të kohës dhe përkohshmërinë e jetës.
Festimet
e fundvitit, me gjithë elementet e tyre të spektaklit dehës, është si një
reagim ndaj ankthit ekzistencial që lind nga ndërgjegjësimi për kalimin e kohës
dhe afërsinë e fundit të pashmangshëm. Duke krijuar një atmosferë gëzimi dhe
harrese, individët përpiqen të largojnë mendimet mbi përkohshmërinë dhe
pakuptimësinë e mundshme të jetës.
Sartre
dhe Heidegger argumentojnë se përballja me kufizimet e ekzistencës sonë shpesh
çon në përpjekje për t'i shmangur ato përmes argëtimit dhe shpërqendrimit.
Festimi
kaotik i fundvitit mund të jetë një përpjekje kolektive për të vendosur një
rregull simbolik në kaosin e rrjedhës së jetës. Kalendari ofron një ndarje të
qartë: një vit përfundon, një tjetër nis, duke krijuar ndjesinë e një cikli që
mbyllet dhe një të reje që fillon.
Mircea
Eliade thekson se njerëzit përdorin ritet dhe festimet për të shuar kaosin dhe
për të ringjallur rregullin, duke përtërirë universin e tyre simbolik.
Festimet
moderne të fundvitit shpesh mbizotërohen nga konsumizmi dhe presioni shoqëror
për të shpenzuar më shumë, për të ngrënë e pirë në tepri, dhe për të krijuar
një iluzion të gëzimit universal. Kjo mund të shihet si një manipulim që
përfiton nga dëshira njerëzore për të shpëtuar nga rutina dhe ankthi.
Adorno
dhe Horkheimer në “Teoria Kritike” argumentojnë se kultura bashkëkohore, përmes
industrive të argëtimit dhe reklamave, manipulojnë individët për të konsumuar
dhe për të pranuar normat e vendosura, duke u larguar nga pyetjet e thella mbi
jetën dhe qëllimin e saj.
Fundviti
shënon një ndarje arbitrare të rrjedhës së kohës, që në të vërtetë është e
pandalshme dhe lineare. Atmosfera e festimeve, në këtë kuptim, është gjithashtu
një mënyrë për të "luajtur" me konceptin e kohës: duke e shndërruar
atë nga një forcë e ftohtë kronometrike në diçka që mund të gëzohet, të
festohet dhe të përvetësohet në mënyrë simbolike.
Niçe
dhe koncepti i përjetshmërisë së kthimit kumtonte se njerëzit, duke festuar
fundin e një viti dhe fillimin e një tjetri, mund të jenë duke imituar ciklet e
natyrës, një përpjekje për të përjetuar ndjesinë e përhershmërisë dhe
vazhdimësisë.
Çdo
vit i ri është një nisje, një start që mund të ndryshojë jetën, një rinisje që
të tregon të tjera shtigje dhe rrugë për të shkuar te vetvetja, përmes së cilës
ne mbërrimë përmbushjen.