| E marte, 31.12.2024, 07:55 PM |
Gëzuar, me këmbë të mbarë në vitin 2025
Shkruan: Florim Zeqa
Çdo fund vit bëhemi gati t'iu dërgojmë
urimet më të sinqerta miqve dhe familjarëve me dëshirat më të mira për vitin që
po vjen, por edhe duke i projektuar planet për të ardhmen në Vitin e Ri. Secili
prej nesh, në mënyrën e vet i analizon të arriturat dhe sukseset, fitoret dhe
humbjet gjatë vitit që po e lëmë pas.
Ndërrimi
i motmoteve, ripërtëritje e dashurisë vëllazërore
Viti
2024, që e lamë pas fillojë mbarë për shqiptarët e Kosovës me liberalizim të
vizave, të kësaj pengese të vënë padrejtësisht nga bashkësia ndërkombëtare.
Heqja e vizave për lëvizje të lirë, ishte një mundësi e mirë për qytetarët
kosovar për të vizituar familjarët e tyre në emigrim dhe jo vetëm. Ishte dhe
mbetet një mundësi e mirë e shqyrtimit të mundësive dhe e krijimit të lidhjeve
biznesore të afaristëve shqiptarë dhe e marrjes së përvojave e të bërit biznes
sipas standardeve evropiane.
Përderisa deri më 1 Janar 2024, lëvizja e
lirë ishte vetëm ëndërr e shqiptarëve, ajo që deri dje ishte e pamundur për
shqiptarët u bë realitet dhe e prekshme nga secili që i kishte mundësitë
financiare për të dalë jashtë shtetit.
Tani, pasi na e hoqën pengesën kolektive,
atyre që ishin të privuar nga e drejta universale e lëvizjes së lirë ju duket
sikur jetojnë në një botë tjetër e cila deri dje ju dukej si ëndër e bukur, por
e pa arritshme.
Të
urojmë njëri-tjetrin për Vitin e Ri?
Të
urojmë sepse besojmë në të nesërmën më të mirë. Edhe pse e mira qëndron e
fshehur, ajo jeton në shpirtin e njeriut. Urimi simbolizon shpresë dhe dashuri
njerëzore, krijion besim dhe shpresë për një fillim të ri e të mbarë për
secilin, që ta realizojë atë që i ka munguar deri më tani.
Urimi për Vitin e Ri e shpërfaqë ndjenjen
e dashurisë dhe besimit në Zot dhe Atdhe, urimi është ndjenjë dhe reflektim
sublim i shpirtit të njeriut për shpresë dhe mirëqenje të përbashkët në këtë
botë gjithnjë e më të trazuar.
Kur urimin e bëjmë me zemër dhe shpirtë
për njëri-tjetrin, ai na kthehet në mision që ia ngarkojmë vetes për realizim
të përditshëm të objektivave tona përgjatë 365 ditëve të vitit kalendarit dhe
përtej tij.
Urimi për shëndet dhe mirëqenje është më
shumë sesa një dëshirë personale, është një lutje e thellë shpirtërore për
paqe, harmoni dhe begati familjare.
Pas çdo urimi qëndron një dëshirë
personale dhe një ndjenjë e thellë shpirtërore të cilën synojmë ta realizojmë
brenda 365 ditëve të vitit kalendarik, që t'na bëjë të lumtur dhe të barabart
me të tjerët.
Urimet tona në natën e Vitit të Ri janë
shprehje e dëshirave, janë pasqyrë e shpirtit tonë, janë lutje personale dhe
kolektive, që kalon përtej kufijve familjarë dhe përtej kuhfijve shtetërorë nga
do që i kemi më të dashurit tonë.
Po
e lëmë pas edhe një vit të mbrapsht
Edhe
optimistët më të mëdhenjë nuk mund ta ndjejnë vetën mirë në këtë fundvit,
shkaku i dështimeve të mëdha të politikës dhe katandisjes së shtetit për shkak
të politikanëve të papërgjegjshëm!
Njerëzit e veshur me pushtet dhe ata që
qëndrojnë afër tyre edhe më tutje do të mbushin xhepat me paratë e
taksapaguesve të varfër të Kosovës, ndërsa në anën tjetër mijëra shtetas
kosovar të shtyer nga varfëria dhe denigrimi social do ta braktisin Kosovën,
ndoshta për të mos u kthyer më asnjëherë vendlindjet e tyre!
Mbështetja nga mërgata e partive të
dështuara politike dhe angazhimi parcial i mërgatës në politikë, jo vetëm që
nuk e ndihmon ndryshimin, do t'u ndihmojë vetëm politikanëve të korruptuar për
ta shfrytëzuar si alibi mbështetjen e mërgatës e cila do të bëhet objekt
kalkulimi i votave të partive të mëdha në dy proceset e ardhshme zgjedhore.
Vëllezër dhe mota, qytetar të dashur të
vendit tim dhe bashkatdhetarë në botën mbarë, përmes shkrimit të mësipërm po e
perfundojë edhe këtë vit kalendarik, duke ndarë me ju mendimet dhe opinionet,
analizat dhe kolumnet politike.
Me këtë rast ju falenderoj të gjithëve
për kontributin e dhënë në mbështetjen dhe kritikat e shëndosha në funksion të
ndryshimeve pozitive për të mirën e shtetit dhe qytetarëve.
Pasqyrimi i realitetit është obligim
qytetar i secilit prej nesh, e aq më tepër i një analisti dhe gazetari në
përmbushjen e misionit fisnik ndaj shtetit dhe qytetarëve të vendit në
përgjithësi.
Sikurse deri më tani, edhe në vitin 2025
do të jemi së bashku në shërbim të vendit dhe qytetarëve, pa u dorëzuar
asnjëherë përballë sulmeve dhe kërcënimeve të hijenave partiake, klaneve dhe
grupeve të interesit.
Përfundimisht kemi arsye të ngremë dolli
e të festojmë, sepse po e lëmë pas një nga vitet më të mbrapshta dhe më të
shëmtuara politike, për të vazhduar rrugëtimin tonë drejt ndryshimit pozitiv
dhe shtigjeve të ardhmërisë në Republikën e Kosovës.
Gëzuar,
me këmbë të mbarë në vitin 2025, qoftë ky një vit i mbarë dhe i suksesshëm për
të gjithë shqiptarët në trojet etnike dhe diasporë, gëzuar!
Florim Zeqa,
29 Dhjetor 2024