| E premte, 27.12.2024, 07:57 PM |
NË KËRKIM TË HARMONISË
(Gani
S. Pllana: “Në peshoren e zemrës”, poezi, 2024)
NGA
PREND N. BUZHALA
Libri me poezi i Gani S. Pllanës
përshkohet nga tipi i poezisë së deklaratës, d.m.th. nga paraqitja e
drejtpërdrejtë e shprehjes artistike, pasi shumë nga vargjet përmbajnë
deklarata dhe mendime të formuluara qartë rreth temave e motiveve të ndryshme,
si atdheu, kultura, rinia, mërgimi, aktualiteti apo liria. Poezia me karakter
deklarativ është ajo që shpreh një mendim të qartë, të drejtpërdrejtë dhe
sadopak të argumentuar. Poeti përdor një
gjuhë të thjeshtë, të kuptueshme, pa shumë figura apo imazhe të ndërlikuara.
1. Shprehja e drejtpërdrejtë, mesazhet etike dhe morale
Gani Pllana i komunikon mendimet e tij
personale, ndjenjat dhe bindjet në një formë që është shumë e hapur dhe e qartë
për lexuesin. Ky tip shkrimi është më argumentues dhe informativ, duke synuar
të trajtojë një mesazh të fortë. Për shembull, kur poeti thotë: “Rinia rilind
këngën gëzimplotë”, ky varg
është një deklaratë e drejtpërdrejtë që thekson ringjalljen dhe fuqinë e rinisë
që sjell energji pozitive dhe të përparuar. Ajo është një frymëzim dhe thirrje
për veprim. Ose: “për lirinë u flijuan
breza" –është një deklaratë e qartë për vlerën e lirisë, duke kujtuar
sakrificat e të kaluarës. Kësisoj, shprehen bindjet personale dhe reflektimet
mbi jetën: "Mërgimi djeg, mërgimi dhemb", është një përjetim e këndim
i qartë dhe i drejtpërdrejtë mbi
ndikimin e mërgimit, duke e shpjeguar atë si një përvojë që sjell dhimbje dhe humbje.
Mesazhin "Mos ia kthe shpinën
atdheut" e shfaq drejtpërdrejt për të rinjtë, duke i paralajmëruar ata të
mos e harrojnë atdheun e tyre dhe të qëndrojnë të lidhur me rrënjët e tyre, me
ruajtën e lidhjes me kulturën dhe
traditat kombëtare. Vazhdon më tutje: "Ruaj fjalën, si flakë të
shenjtë" , ku thekson rëndësinë e ruajtjes së besës dhe të fjalës. Ky
është një mendim i shqiptuar e i afishuar haptas që i jep vlerë etike dhe morale përmbajtjes
së fjalës dhe besimit. Poeti e do atë poezi që ngjall dashuri dhe shpresë e që
e shpreh rolin e poezisë si mjet frymëzimi dhe forcimi të lidhjeve shpirtërore.
"Loti trand gurët në bjeshkë"
është një varg që përdor metaforën për t’i përshkruar emocionet e forta. Edhe
mesazhet mbi rëndësinë e punës dhe angazhimit shprehen po me këtë gjuhë:
"Ngrihu herët bir-puna është nder" e që është një këshillë e thjeshtë
dhe shumë e kuptueshme për rëndësinë e punës dhe angazhimit në jetën e
përditshme.
Ky stil është i qartë dhe i
drejtpërdrejtë, duke mos e fshehur apo mbështjellë mesazhin pas figurave
poetike të ndërlikuara, por duke i bërë ato të dukshme dhe të kuptueshme që nga
vargu i parë. Edhe kur poeti përsiat mbi realitetin e kaluar dhe të tashëm: "Rreth sofrave të bashkuar, vëlla me
vëlla e miqësisht", ai shpreh një mendim të hapur për ndryshimin e
ndodhive dhe marrëdhënieve mes njerëzve, duke e theksuar humbjen e unitetit dhe
solidaritetit që dikur ishte i dukshëm. Ky është një reflektim personal dhe
mendim që i drejtohet lexuesit për t’i kuptuar pasojat e ndryshimeve sociale
dhe kulturore.
Gjatë shekujve poetët i kanë përdorur
vargjet e tyre për të shprehur dhe përçuar mesazhe etike dhe morale, si një lloj udhëzuesi për jetën e përditshme.
Poetët, përmes vargjeve të tyre, i drejtohen publikut për përhapjen e mësimeve
mbi vlerat më të rëndësishme që formojnë një shoqëri të shëndetshme. Kështu
shpreheshin romantikët tanë dikur, si Naim Frashëri që përpiqej të përhapte idetë iluministe ndër
ne, kundruall obskurantizmit osman. Ajo që ndodhi me poezinë shqiptare dhe
poetët tanë, siç janë rilindësit apo poetët e periudhave të mëvonshme, qëndron
te fakti se ata e përdorën poezinë për të theksuar ide dhe parime që kishin të
bënin me lirinë, atdheun dhe nderin.
Në poezitë e këtij libri mesazhet etike dhe morale janë të shumta dhe
të ndryshme dhe ndriçojnë aspektet më të rëndësishme të jetës njerëzore, siç
janë dashuria për atdheun, përgjegjësia për brezat që vijnë, si dhe nderimi për
vlerat njerëzore.
Në poezinë "Mos ia kthe shpinën
atdheut", poeti shpreh bindjen e fortë se atdheu është burimi i
identitetit dhe i nderit, dhe kjo është një temë që mbështetet në ndjenjat dhe
përvojat personale të autorit.
Kështu, karakteri deklarativ i poezisë
është tipar i orientuar drejt komunikimit të një mesazhi të qartë dhe të
kuptueshëm, me qëllime morale, etike apo filozofike. Në këso rastesh, poeti
përdor formën imperative dhe pohuese të vargut, për ta frymëzuar veprimin dhe që
t’i shprehë mendimet e tij në mënyrë të sigurt dhe të vendosur. Shprehje e
drejtpërdrejtë nuk ka figuracione të pasura lirike apo metafora, simbole apo
krahasime të ndërlikuara. Ajo ka një qëllim të qartë: përçimin e mesazhit pa
pasur nevojë për ndërtim poetik të ndërlikuar.
2. Metafora e peshores:
pasuria e lashtë dhe realiteti i sotëm
Çfarë dëshiron të vërë në peshojë
poeti:
Kur në poezinë e parë me titull "Vlerat njerëzore" shkruan:
A thua vlerat pellazgjike
Po vihen në peshojë historike
Si vlerat njerëzore në peshore
Ai dëshiron të na sugjerojë se motivi
pellazgjik vë në peshojë një seri idesh, vlerash dhe dimensionesh historike,
kulturore dhe etike. Poeti, nëpërmjet këtij motivi, kërkon të vërë në veprim
refleksione mbi të kaluarën e kombit dhe për vlerat e tij, me përpjekjen ta
mbajë drejtpeshoren mes të kaluarës dhe të tashmes. Gjithsesi është edhe një
dëshirë që në këtë peshore t'i ndërlidhë vlerat dhe trashëgiminë kulturore
pellazgjike, me natyrën, nderin dhe identitetin kombëtar, si dhe me ndryshimet
e kohës moderne, si zhvillimet sociale, politike dhe kulturore që e kërcënojnë
ruajtjen e këtyre vlerave. Nënvizohet rëndësia e vlerave njerëzore dhe
kombëtare, që janë të trashëguara nga paraardhësit e brezave të kaluar. Fjala
dhe veprat e mençura kanë peshë të madhe.
Poeti krahason pasurinë kulturore të
lashtë me atë të sotme. Thekson se si këto vlera janë mbajtur gjallë dhe janë
rrezikuar nga ndryshimet shoqërore dhe botërore. Vlera të tilla si guximi,
nderi, dashuria për atdheun dhe mbrojtja e tokës, janë të lidhura me moralin
dhe zhvillimin shoqëror. Kjo mbijetesë kulture dhe e identitetit kombëtar,
përballë sfidave të ndryshme historike, si pushtimet, emigrimi dhe ndryshimet
sociale, shpreh shqetësimin për humbjen e këtyre vlerave dhe bën një thirrje
për t'i ruajtur rrënjët e lashta, për ta ndihmuar kombin të mbetet i fortë dhe
i bashkuar. Poeti këtu i lidh vlerat pellazgjike me vlerat njerëzore
universale, të cilat përfaqësojnë principet dhe normat morale që formojnë jetën
e shoqërive (Vargu "Si vlerat
njerëzore në peshore”). Peshorja
është simbol i drejtësisë dhe barazisë,
dhe përdorimi i saj në këtë kontekst do të thotë që vlerat pellazgjike dhe ato
njerëzore duhen matur dhe vlerësuar me kujdes, për ta kuptuar ndikimin e tyre sot.
Motivi pellazgjik është tregues i rëndësishëm në poezinë dhe letërsinë
shqiptare, që nga De Rada, autorët e
poetët tjerë arbëreshë e deri më sot. Në letërsinë shqiptare, ky motiv ka një
përmasë simbolike që lidhet me idenë e kulturës së lashtë, guximit, lavdisë
historike, si dhe idesë së rrënjëve të një kombi. Trajtimi i këtij motivi në
poezi përshkohet nga një nostalgji dhe ndjenjë krenarie për origjinën dhe
pasurinë e kulturës që ka kaluar brez pas brezi.
Kështu, këto ide e motive poeti i nis
që me poezinë e parë të librit, me titullin "Hora arbëreshe", në të cilën poeti spikat traditën e
"horës", me vallëzimet dhe këngët tradicionale arbëreshe që dëftojnë
forcën dhe unitetin e këtij etnikumi të dëbuar dhunshëm nga gjenocidi osman: "Yll në dhe të huaj.” Pra, edhe pse
arbëreshët jetojnë jashtë Shqipërisë, ata i mbajnë gjallë identitetin e tyre
dhe rrënjët kulturore. Ky mall për atdheun dhe identitetin arbëresh është i
përbotshëm, i cili nuk mund të shuhet as nga koha, as nga largësia. Fakti që
arbëreshët flasin "me gjuhën e zemrës", thekson se gjuha është komunikimi, por ajo më shumë është një pjesë
e qenies së tyre. Edhe kostumet e festave të identitetit arbëresh që ruhen me
krenari, edhe historia e vuajtjet nëpër periudha të turbullta, shpirti arbëreshë
mbeti i pathyeshëm, me lidhjet për atdheun e të parëve. Arbërishtja, gjuha e
lashtë e arbëreshëve, flitet ende në familjet e tyre dhe është pjesë e
rëndësishme e qenies së tyre:
Arbëreshët këndojnë
gjuhën e zemrës mal
në rrënjët e saj
Arbëria s’ka të ndalë
3. Reminishencat tjera poetike
Një varg poezish tjera kujtojnë ngjarje
dhe përjetime nga e kaluara. Këto janë reminishenca poetike që përjetësojnë
momente, ndjesi ose periudha të shkuara, që përmes fjalëve dhe vargjeve, poeti
përpiqet të sjellë në jetë një pamje më të qartë dhe më emocionale të asaj që
ka kaluar, por që ruan ende një peshë të rëndësishme për poetin dhe lexuesin.
Te këto poezi reminishenca ka karakter reflektues dhe nostalgjik, që lidhet me
kthimin pas në kohë, për ta ripohuar ose rishikuar një periudhë të historisë
dhe ngjarjeve.
Te poezia "Reminiscencë" (pranë obeliskut të nënës sime), poeti e
fillon me një përkujtim për nënën dhe ngritjen e një obelisku në nder të saj.
Ky obelisk është simbol i respektit dhe nderimit të kujtimit të nënës, i
përjetësuar në gurë graniti, duke i dhënë një pasuri të qëndrueshme kujtimit
përgjithmonë. Rrëfimi është emocional dhe prekës, pasi autori bisedon me nënën,
e cila është e ndarë nga kjo botë, por kujtimi dhe dashuria për të janë ende të
pranishme. Autori jep një monolog në
natyrë, pranë lumit Ibër, ku ai përqafon dhe përkëdhel gurin, duke e ndjerë
nënën si diçka të gjallë, edhe pse ajo është larg.
Kjo poezi është vetëm “një hyrje” tek
të tjerat, siç është poezia "Dy pika lot në Stamboll", një motiv si
te Dritëro Agolli, ku trajtohet komunikimi
e forca e gjuhës shqipe, e cila mbetet një lidhëse e fortë për
shqiptarët, pavarësisht ku ndodhen ata. Ky takim me një burrë në Stamboll është
përvojë që shpalos një ngjarje të thjeshtë, por shumë domethënëse për ata që
ndihen të lidhur me gjuhën dhe identitetin e tyre, edhe në vendet më të
largëta. Pika e lotit në fytyrën e burrit është simbol i dhimbjes dhe
nostalgjisë, një ndjenjë që shqiptarët e përjetojnë kur takohen me bashkëkombës
të tjerë pas periudhave të gjata tragjike të ndarjeve. Por, siç na dëfton
poezia, gjuha shqipe ka mbijetuar, dhe, ndonëse otomanët mundën të ndikojnë
shumë, ata nuk e zhdukën kurrë identitetin shqiptar. Ky segment e paraqet
shpirtin luftarak të shqiptarëve dhe forcën për t’i mbajtur të gjalla gjuhën
dhe traditat.
Kjo kujtesë tragjike na vjen edhe te
poezia "Dëbimi nga Molla e Kuqe" ku poeti trajton dëbimin e
shqiptarëve nga trojet e tyre gjatë periudhës 1877-1981 nga Toplica, Vranja e
viset tjera, kur u shpërngulën për shkak të dhunës dhe gjenocidit serb. Detaje të
tmerrshme të vuajtjes dhe tragjedisë si dhunimi i grave, vdekja e fëmijëve dhe
dëbimi masiv, janë përshkruar me një gjuhë të thjeshtë, por të fuqishme, që
tregon se këto janë plagë të përjetshme që do të mbesin të regjistruara përherë
në kujtesën e popullit shqiptar. Poezia shfaqet si reflektim i dhimbjes dhe
pasojave të një periudhe tragjike të historisë shqiptare, ku gjithçka që kishte
të bënte me identitetin shqiptar është rrezikuar të zhduket përmes forcës
brutale dhe përpjekjeve për ta shkatërruar popullin shqiptar.
4. Atdhedashuria, tonet elegjiake dhe mërgimi
Po e sotmja?
E sotmja si te poezitë "Kosova zemërgjerë" dhe "Ikje
nga Kosova" na ligjëron për realitete të tjera. Këto dy poezi janë një
homazh për Kosovën që ka përjetuar shumë vështirësi dhe dëbime gjatë historisë,
por që gjithmonë ka mbetur zemërgjerë, duke strehuar mijëra të dëbuar dhe që e
ka ruajtur frymën e atdhetarizmit dhe përpjekjeve për t’i kthyer të drejtat e
humbura. Poezia thekson lidhjen e thellë të shqiptarëve me Tokën e shenjtë,
Arbërinë, dhe tokat e tjera iliro-shqiptare, duke e pasqyruar Kosovën si simbol
të qëndresës dhe vazhdimësisë së identitetit shqiptar, edhe pas luftërave dhe
tragjedive që kanë përjetuar. Në vazhdim, poezia tjetër flet gjithashtu për
ikjen e rinisë shqiptare. Ky fenomen i mërgimit është dhimbje e thellë për
poetin dhe për çdo prind që sheh se fëmijët e tij duhet të largohen nga vendi,
për t'u përballur me një të ardhme të pasigurt. Mirëpo, pasojat janë tragjike.
Kështu, te poezia "Rënkim nëne" paraqet një nënë që përjeton vetminë
dhe trishtimin e thellë nga largimi i fëmijëve. Ajo flet për mërgimin si një
dukuri të zakonshme, që është bërë pjesë e përditshmërisë për shumë familje
shqiptare, sidomos në fshatra e qytete ku rinia largohet për një jetë më të
mirë jashtë vendit. Nënës i bie "Terr
sysh" një shprehje që tregon trishtimin e thellë dhe zhgënjimin. Edhe
te "Boshatisja e Kosovës" poeti sheh boshatisjen e vendit dhe
shkatërrimin e strukturave familjare dhe shoqërore për shkak të mërgimit. Poeti
paraqet pamjen e një atdheu të
braktisur, ku shumë shtëpi janë mbyllur, pleqtë dhe të rinjtë janë të vetmuar,
duke pritur një kthim që nuk vjen. Poezia flet për një mohim të identitetit
kolektiv që vjen me boshllëkun e krijuar nga largimi i të rinjve, si dhe për
përpjekjet e pleqve që mundohen t’i mbajnë lidhjet e familjes. Kjo është një
panoramë trishtimi dhe pasigurie, që i prek të gjithë dhe që pasqyron humnerën
e shpirtit të atyre që mbeten prapa.
Me këso tonesh vijnë edhe dy poezitë
tjera: "Larg vendlindjes" dhe "I riu kurbetçar", ku malli
dhe dhimbja e të larguarit, kumton një dialog të brendshëm mes nënës dhe
fëmijës, por fëmija është tashmë kurbetçar, duke u shprehur për pagjumësinë dhe
vuajtjet që ndien në mërgim; apo kur poeti përshkruan humbjen e fëmijërisë dhe
përjetimin e një bote që duket krejtësisht tjetër nga ajo që ata kanë njohur,
përtej kufijve të vendit të tyre.
Reflektime të tilla çmeritëse hasim te
poezitë "Obobo ç’u bë kjo gropë", "Vallë do ndalemi diku",
"Të vetmuar" etj., ku tmerri dhe zhgënjimi i thellë lënë një boshllëk
të madh pas; ku shfaqet dyshimi që shoqëron çdo vendim të rëndësishëm në jetën
e një mërgimtari; dhe, ku poeti shpreh humbjen e lidhjeve të familjes dhe të
afërmve që janë larguar. Vetmia e gjyshërve dhe mosha e vjetër përbëjnë një
pamje të pasigurisë dhe të dhimbjes që ndjehet kur të rinjtë largohen.
Përpos motiveve të tilla, vijnë katër
poezi tjera me tone elegjiake që i kushtohen bashkëshortes që ka shkuar në
përjetësi. Poezitë vijnë si një
përkujtim për bashkëshorten e humbur, Sadeten, një grua që ka lënë gjurmë të
thella dhe të pashlyeshme në jetën e poetit dhe të të gjithë atyre që e
njihnin. Ajo portretizohet si një engjëllushë e bekuar, e cila ka dhënë shumë
për të tjerët, ka qenë një udhërrëfyese për studentët dhe një grua e dashur për
familjen e saj. Te poezia "Pas ikjes tënde..." (Sadetes -
bashkëshortes sime), folësi lirik
reflekton dhimbjen e thellë që ndjehet kur një person i dashur largohet,
dhe përpjekjen për ta përballuar humbjen, duke kërkuar ngushëllim në fjalët e
studentëve dhe kujtimet që ajo la pas. Kështu edhe te poezia "Kujtimet për
Ty" (Sadetes - bashkëshortes sime) është një vazhdim i reflektimeve për
Sadeten. Kujtimet për të janë të shumta dhe të paharrueshme. Poezia thekson
momentet e jetës së përbashkët, rëndësinë e veprave dhe mësimeve të saj dhe
gjurmët e thella që ajo la në jetën e të gjithë atyre që e njihnin. Ajo ishte
jo vetëm bashkëshorte dhe nënë, por edhe pedagoge dhe mentore, e cila ndikoi në
jetën e shumë studentëve. Poezia është
një tribut i përjetshëm për Sadeten. Te "Para obeliskut", ky
përkujtim vjen nëpërmes obeliskut, si simbol i kujtimit dhe respektit për të.
Dy poezi tjera, "Doktori martir i
lirisë" dhe "Nëna e martirit të kombit", na e këndojnë figurën e
nënës së martirit Dr. Fahredin Hoti, dhe këtij mjeku, një figurë e rëndësishme
e luftës dhe mjekësisë dhe martir i lirisë. Ai ishte mjek i shquar, por
gjithashtu luftëtar i UÇK-së, i cili ia përkushtoi jetën lirisë së Kosovës.
Poezia përshkruan heroizmin dhe sakrificat e tij gjatë Luftës së Kosovës, ku
Fahredini, bashkë me djalin e tij 14-vjeçar, ra në luftë për atdheun: “Për atdheun ranë dëshmorë / Për liri-fanarë!”
është një thirrje e fuqishme për të nderuar ata që kanë rënë për lirinë e
Kosovës, dhe një nderim për sakrificën e pafundme që ata bënë për të siguruar
një të ardhme më të mirë për popullin e tyre. Te "Nëna e martirit të
kombit" dhimbja e nënës së martirit, Nasibe Hoti, që humbi të birin dhe
nipin në luftë, jepet me tone të thekshme, me vazhdimin e jetës me krenari dhe
fisnikëri. Poeti përfundon me një ton të theksuar kombëtar dhe historik: kjo
nënë ishte simbol i malësorëve të Kosovës dhe nënë krenare e Lirisë.
Në poezinë "Te Kulla e Isa
Boletinit" paraqet ngjarjen e gjetjes dhe kthimit të eshtrave të Isa
Boletinit, një figure të rëndësishme kombëtare që luftoi për liri dhe pavarësi.
Ky akt i gjetjes së eshtrave është një moment triumfi për popullin e Boletinit
dhe Shalën heroike, por është gjithashtu simbol i ruajtjes dhe nderimit të
trashëgimisë kombëtare. Tone atdhedashurie shqiptohen edhe te poezia
"Dardania nëpër shekuj", ku historia e Dardanisë dhe lufta e
vazhdueshme e këtij populli për ta mbrojtur atdheun nga pushtuesit e ndryshëm
që kanë kaluar nëpër këto troje, ka edhe përmasën tjetër, bukurinë dhe vlerat
historike, qëndresën dhe krenarinë për
trashëgiminë e saj.
5. Tonet kritike
Tonet kritike mbi gjendjen e arsimit
dhe kulturës në Kosovë dhe më gjerë, trajtohen te disa poezi tjera. Te
"Gocat tona", këto goca janë të bukura, por të hutuara dhe pa shpresë
për të ardhme; ato shihen si figura të përpjekjeve të dështuara që ta kenë një
vizion të qartë të jetës. Megjithëse ato kanë mundësi arsimimi dhe shkollimi,
mungesa e një vizioni të qartë dhe mungesa e mundësive ekonomike i bëjnë ato të
ndihen të humbura. Largimi i djemve për në Perëndim shton edhe më shumë
ndjesinë e përçarjes dhe humbjes, ku rinia ballafaqohet me peshën e rëndë
shpirtërore dhe me plagë të thella për të ardhmen. Te "Mësuesit fanarë
etnikë" vlerëson kontributin e mësuesve, veçanërisht gjatë periudhës së
luftës dhe krizës. Kurse te "Vatrat e diturisë" trajton evoluimin e
arsimit në Kosovë, duke përmendur periudhën kur Kosova kishte një universitet
të fortë dhe të respektuar. Evokon periudhat e
vështira, kurse në kohën e pasluftës është arritur një zhvillim i
rëndësishëm me universitete dhe mundësi arsimimi më të mëdha. Megjithatë,
shfaqet hapur një kritikë ndaj shoqërisë dhe edukimit të sotëm, ku shkollat dhe
universitetet janë më të shumta, por mungon një thelb dhe përmbajtje e thellë
në arsim.
Te "Etja për dituri"
përshkruan një etje të madhe për dituri, që ka karakterizuar brezat e kaluar.
Arsimimi, shkollimi dhe edukimi kanë qenë të pamundur për shumë njerëz, për
shkak të sundimit të pushtuesve dhe kufizimeve të imponuara nga regjimet e
ndryshme. Ky evokim vjen edhe te "Shtëpitë shkolla" në kushtet e
luftës dhe të vështirësive, ku shumë familje dhe mësues hapën derën e shtëpive
të tyre për të mundësuar arsimimin. Poeti
nderon ata atdhetarë dhe mësues që nuk i trembeshin as vështirësive të
luftës, por vazhdonin të punonin për të mbajtur gjallë dritën e dijes.
Ndryshe ndodh te "Shkollat tona
sot" ku përshkruan gjendjen e arsimit të sotëm në Kosovë. Autori kritikon
gjendjen aktuale, duke theksuar ndryshimet e mëdha në mënyrën e mësimdhënies
dhe mungesën e angazhimit të thellë të nxënësve dhe mësuesve. "Shkollat tona jo si duam ne" është
një vërejtje për mungesën e përkushtimit dhe të thellësisë në procesin arsimor.
Poezia përmend teknologjinë e re, siç është përdorimi i telefonave
inteligjentë, se si kanë ndikuar në ndryshimin e përqendrimit dhe interesit të
nxënësve për mësim. Poezia ngre pyetje të mëdha për drejtimin e arsimit, ku
poeti është i shqetësuar me klithmën:
"Dardaninë tonë ç’e
gjeti".
Tone të theksuara kritike dhe
refleksive kanë edhe poezitë tjera, të cilat prekin shumë aspekte të jetës
shoqërore dhe arsimore të Kosovës, si dhe të përvojës kolektive të popullit
shqiptar, duke ngritur pyetje mbi vlerat e humbura, rrugën e humbur të rinisë
dhe shkatërrimin e trashëgimisë kombëtare. Poezia ndërthur pjesë të
ndjeshmërisë dhe shqetësimit për gjendjen aktuale të shoqërisë dhe arsimit, me
reflektime historike dhe kritika ndaj traditës dhe mosmirënjohjes.
Së këndejmi na vjen “Urtësia e
penës" që vlerëson fuqinë dhe rëndësinë e penës si mjet i shkrimit dhe
dijes. Urtësia e penës është ajo që mban gjallë historinë, kurse dija është një
dhuratë që nuk duhet harruar. Në këto kohë sfiduese ka edhe njerëz të mirë
(poezia "Njeriu i mirë"), ku portretizohet njeriu i virtytshëm dhe i
drejtë, që njihet nga veprimet e tij dhe jo nga pamja fizike; ai është njeri i urtë dhe i nderuar, që ka vlera
të thella dhe është i nderuar nga familja dhe shoqëria.
Poezia "Lutje për paqe" na
fton për paqe dhe dashuri universale. Ai e nderon figurën e Nënës Tereze, që
shërbeu si simbol i mirësisë dhe dhembshurisë, që i dha shpresë dhe dashuri
botës dhe që udhëhoqi veprimet e saj nëpërmjet shërbimit dhe lutjes për paqe.
Një homazh i bukur për lirinë lexohet te poezia "Çmimi i lirisë" ku
këndohet fryma e jetës, që është më e çmuar se çdo pasuri tjetër. Liria është
një dhuratë e shenjtë, që është paguar me gjak dhe sakrifica nga brezat e
kaluar, dhe duhet mbajtur me çdo çmim. Në fund, poeti porosit: "Edhe këtu
jetohet mirë". Është një thirrje për t’i vlerësuar ato që kemi, dhe për
t’i ruajtur lidhjet me familjen dhe shoqërinë, duke jetuar në dashuri dhe
mirëkuptim. Edhe te "Ku më bukur" ligjëron për bukurinë dhe pasurinë
e natyrës shqiptare, ku poetët rilindës të shekullit XIX e shihnin tokën si një
burim të pasur të jetës dhe identitetit.
6. Në përfundim
Si e vërejmë, poeti nuk synon artin me
çdo kusht, por përcjelljen e mesazheve, ideve dhe evokimeve, lartësimit të
virtyteve dhe qëndrimit kritik ndaj të metave të shoqërisë së sotme. Është
kërkimi i të vërtetës si parim krijues. Kështu, te poezia "E
vërteta..." shfaq një këshillë të urtë për të rinjtë: e vërteta gjithmonë
del në shesh, pa marrë parasysh përpjekjet për ta fshehur. Poeti kërkon ta
shohim jetën drejt në sy ("Shihe jetën në sy"), me një thirrje për të
jetuar në harmoni me veten dhe botën përreth, duke vënë në dukje se dashuria
dhe jetesa e ndershme janë thelbësore për një jetë të lumtur.
Poeti është në kërkim të harmonisë.
Kërkimi i harmonisë është një motiv i rëndësishëm që shfaqet në poezi, por
përgjithësisht shfaqet edhe në filozofinë njerëzore. Ai lidhet ngushtësisht me
përpjekjen për të arritur një peshore dhe një bashkëveprim midis elementeve të
ndryshme të jetës – si shpirtërore, fizike, mendore, sociale dhe natyrore. Në
kontekstin e poezisë, kërkimi i harmonisë është përpjekja për ta gjetur një
pikë ekuilibri mes individit dhe botës që e rrethon, mes dashurisë dhe
dhimbjes, mes të kaluarës dhe të tashmes, mes natyrës dhe shoqërisë.
Dhjetor, 2024