Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gani Pllana: Doktori Martir i Lirisë

| E premte, 27.12.2024, 07:49 PM |


Gani S. Pllana

DOKTORI MARTIR I LIRISË

(Dr. Fahredin Hotit nga Krusha e Madhe)

Në studimet e larta

që bënim në rini

takimi në Bibliotekën Kombëtare

shpesh krijonte mrekulli

Në Universitetin e Prishtinës

në atë kohë në rini

diskutonim me studentin e mjekësisë:

me Ty!

I dalluari Fahredin Hoti

djalë i zgjuar nga Krusha e Madhe

prore i gatshëm për penë e pushkë

i gjatë i bukur si atlet

për të ardhmen e Kosovës dardane

kuvendonim me pietet

Pas specializimit në mjekësi

doktori shërbeu pa përtesë

në qytete e fshatra

i flet puna me vlerë

si skifter në fluturim përherë

Lufta e vitit ‘98-‘99

e gjeti në zemër të UÇK-së

shëronte plagët

shëronte edhe me fjalë

rresht me të birin 14-vjeçar

Bashkë me rrezen e parë të mëngjesit

majë bjeshke në cep të një shkrepi

babë e bir

i rrëmbeu arma e armikut barbar

për atdheun ranë dëshmorë

për liri-fanarë!

NËNËS SË MARTIRIT TË KOMBIT

(Nasibe Hotit – nënë e Dr. Fahredin Hotit)

Qëndroi nëna e doktor Fahredinit

duke kujtuar të birin e nipin

vitin që shkoi

pleqëria me martirët e bashkoi

zemërmadhe në këtë jetë

iku në amshim fisnike e qetë

Bir e nip i rriti me mundime

dy martirët e lirisë

me punë fushe prore

kjo nënë malësore

Kortezh i gjatë për nënën e madhe

deri te vendi i përjetësisë

për tu mbajtur mend

Kosovë e Shqipëri bashkë

për nënën e madhe e krenare

në atdheun e lashtë

(Krushë e Madhe, 5 shkurt 2023)