| E premte, 27.12.2024, 07:49 PM |
Festë fundviti e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë
Nga
Hamdi Hysuka
Nata e ndërrimit të viteve festohet në
mbarë botën. Për këtë festë gëzojmë të gjithë, sidomos fëmijët dhe të rinjtë. Po
për shkak të profesionit, gazetarët janë ata që vitin e ri e presin para kohe.
Kështu ndodhi me Unionin e Gazetarëve të Qarkut Elbasan, drejtuar nga Besim Dybeli, i cili më 21
dhjetor 2024, në bashkëpunim
me Unionin e Gazetarëve Shqiptarë me qendër
në Tiranë, Shoqatën
Res-Egnatia dhe nën kujdesin e veçantë e personal të kryetarit të Bashkisë, z.
Andis Salla, festën e fundvitit e organizoi në
qytetin e Cërrikut. Të pranishëm ishin kryetari i UGSh, Aleksander Çipa;
Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku; analistët Frrok Çupi,
Henri Çili, Mentor Kikia, Anila Hoxha etj.
Para bisedës informuese me
kryebashkiakun Andis Salla, e mori fjalë gazetari i njohur, Besim Dybeli, i
cili falenderoi pjesëmarrësit dhe bashkinë mikëpritëse që, për nga profesionalizmi dhe cilësia e
punës, i ka dhënë Shqipërisë dhjetra emra të shquar në
të gjitha fushat e jetës.
-Po e nis me një toponim, -u shpreh kryetari i Unionit të Gazetarëve të
Qarkut Elbasan, -i cili ka qënë “Cërr, cërr dhe ik!”, shprehje kjo e ardhur
para shumë viteve të largëta, kur kjo zonë kishte vetëm ferra e driza. Disa
gjahtarë, në vend të lepujve, po gjuanin zogj. Gjuanin me çifte dhe asgjë nuk
vranë. Zogjtë bënin cërr, cërr dhe iknin.
Gjatë fjalës së tij përshëndetëse kryetari Dybeli tha se Cërriku është
qytet i viteve ’50, i shekullit të
kaluar, i projektuar nga rusët në pjesën fundore të fushës naftëmbajtëse, e
cila shkon deri në Kuçovë. Ishin rusët që hapën puset dhe po ato, pas prishjes
së marrëdhënieve tona me lidershipin sovjetik, i mbyllën për të mos u hapur
kurrë.
Aktualisht qyteti i Cërrikut ka 15.000 banorë. Njësi Administrative të tij janë Cërriku, Gostima, Mollasi,
Shalësi e Klosi. Është një zonë që prodhon gjithçka, qytet bujqësor dhe industrial.
Dikur këtu kishte rafineri nafte, në të cilën punësoheshin 700 punëtorë, teknikë
dhe inxhinierë. Nafta merrej nga Kuçova. Ishte një uzinë që ka specializuar
qindar kuadro të mesëm e të lartë në profesionin e naftëtarit, të mekanikut dhe
inxhinierit. SMT-ja e Cërrikut, siç theksoi kryetar Dybeli, ka qënë më e mira
në vendin tonë, me të gjitha pajisjet. Ka patur të punësuar rreth 300 punonjës.
Këtu kishte institut duhani, që përgatiste duhan për eksport dhe rriste
cilësinë e duhanit botror. Cërriku, me zonat fushore e kodrinore që e
rrethojnë, prodhon gjithçka: grurë, misër e më shumë perime, fruta dhe ullinj.
Si zonë mund ta quajmë “Hambari i Elbasanit”. Për fat të mirë, fermerët i janë
kthyer tokës. Të gjitha rrugët e lagjeve të qytetit janë me ndriçim dhe të
asfaltuara.
Gjatë bisedës informuese, kryetari i Bashkisë, Andis Salla,
shprehu falenderime për organizimin dhe pjesëmarrjen e gazetarëve.
-Për çdo vit, -tha ai, -festojmë së bashku, bashkëbisedojmë me një pjesë
të stafit të gazetarisë së Elbasanit e të Qarqeve të tjera. Kënaqësi që mes
nesh sonte kemi dhe miq nga Kosova e Presheva. Në raport me 32 bashki të tjera
të vendit, për nga numri i popullsisë, ne jemi në vendin e parë.
-Një pjesë të mirë të problematikave të terrenit, -theksoi kryetari, -ju
i takoni nga afër çdo ditë. Me ju gazetarët, për të mirën e qytetarëve, ne kemi
një raport shumë të mirë. Por, siç e dini, të bësh një lajm është punë e
vështirë, qoftë lajm i mirë dhe jo i mirë, sepse normalisht jo të gjitha lajmet
janë pozitive. Së bashku punojmë për një marrëdhënie të mirë institucion-gazetarì, sepse në raport me qytetarët dhe institucionet në
sherbim të komunitetit, roli i medias në demokraci është pushtet i katërt.
Mes atmosferës festive, kryetari i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, z.
Aleksandër Çipa, theksoi se kënaqësia e kësaj feste bëhet edhe më e madhe,
meqenëse në mesin tonë kemi kolegë, të cilët nuk mungojnë në aktivitetet e
Unionit të Gazetarëve Shqiptarë. Ata vijnë nga Kosova dhe Lugina e Preshevës,
miq e partnerë të përhershëm, kolegë që zotërojnë influencë mbi mediat përkatëse.
Disa kolegë të Luginës na kanë dhënë mundësinë që të njohim rrethanat, trevat,
mënyrën se si jetojnë shqiptarët e atjeshëm, si janë organizuar etj, etj. Së bashku
jemi në raportime shumë më intensive.
Në këtë takim, falë kryetarit të Bashkisë, Andis Salla, kthejmë
vemendjen tonë si gazetarë, se dashur padashur
përmes komunikimit me ju marrim një informacion për problematikat
sociale, për çeshtjen e kapaciteteve të burimeve njerëzore e sociale, për
kategoritë e margjinalizuara të popullsisë, për nevojat kulturore, për ofertat
turistike etj.
Ndër të pranishmit, analisti Henri Çili simpatizoi punën e Unionit të
Gazetarëve. Sipas tij, Cërriku i dikurshëm industrial është në kryqëzim të të
gjitha rrugëve të sotme.
Ndërsa Ministri i Shtetit për Pushtetin vendor, Arbjan Mazniku, me profesion gazetar, i nivelit Master për
Komunikim Publik, theksoi se nga ky takim festiv ne marrim nga ju mendime,
sugjerime, apo problematika që lindin gjatë punës së përbashkët.
-Ju jeni pjesë shumë e mirë e terrenit, -theksoi ministri, -se zbatoni
detyrat dhe punët, të cilat bashkërisht na rrethojnë. Me këtë rast secilit nga
ju dua t’i uroj: “Gëzuar festat e fundvitit, bashkë me familjarët!”
Roli i gazetarit, sipas tij, mbetet i pandryshuar, pavarësisht
ndryshimit që mund të bëjnë gazetat, televizionet, radiot, apo portalet e rrjeteve
sociale. Pra, mjetet mund të ndryshojnë, ndërsa gazetaria jo. Unë nuk besoj te
gazetaria e paanshme, por i besoj gazetarisë profesionale. Siç theksoi ministri
Mazniku, gazetari profesionist organizon, vlerëson dhe raporton ashtu siç ia kërkon
detyra.
Pas këtyre bisedave të drejtpërdrejta, përshëndetjeve të ngrohta,
këmbimit të adresave dhe fotove të shumta, aktiviteti
tradicional i fundvitit i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë u zhvendos 5 km në
Jug të qytetit, për darkë pune në Resortin "Ura e Sulovës".