| E premte, 27.12.2024, 07:33 PM |
VENDOSJA E KULTURËS SË LIGJIT, KA TË NJËJTËN RENDËSI ME VENDOSJEN E KULTURËS DEMOKRATIKE
Nga
Llesh Ndoj)*
Duke
biseduar me shokë e miq që kanë patur fatin apo edhe hallin të jetojnë jashtë
Shqipërisë, kryesisht në vende me demokraci të zhvilluar dhe ekonomikisht shumë
më lart se vendi ynë, si fjala vjen Gjermania, Franca, Austria, Zvicra e ndonjë
tjetër, shpesh biseda na ka “rrëshqitur” natyrshëm tek përparësitë që të jep
jetesa në ato vende, por edhe tek ndëshkimi ligjorë në rastet e thyerjeve të
ligjit, që është ku e ku më i ashpër se në Shqipëri. Fjala bie, në Zvicër, më
pati treguar dikush, për një paketë boshe cigaresh, hedhur në rrugë pa kujdes,
pas kilometrave të tëra larguar nga “vendngjarja”, shkelësi i ligjit ishte
ndaluar nga policia dhe kishte marrë një gjobë të majme… Një tjetër rast, një i
afërt imi, ishte gjobitur në Gjermani sepse kishte lëvizur me shpejtësi me
makinën e tij në autostradë, shkelje e kontrolluar përmes radarëve dhe fletë
gjoba e majme i vjen në Tiranë, ia gjejnë adresën e saktë edhe në rrëmujën e
organizuar të adresave tona dhe… - Nuk kam shans mos me e pague, - më thotë,
ndryshe nuk mund të lëviz më në asnjë vend të Bashkimit Evropian! Shembuj të
tillë ka plot. Dhe nuk bëhet fjalë për shkelje të tipit ndërtim pa leje, zaptim
rruge apo çdo prone tjetër publike, dëmtim infrastrukture rrugore e
sinjalistike qoftë edhe pa dashje, apo në raste aksidentesh rrugore, vjedhje
uji e energjie elektrike, dëmtim i matësave të tyre, e të tjera shkelje, që
pavarësisht trendit rënës, në vendin tonë janë masive, të zakonshme dhe shumica
të pandëshkueshme
Shkurt,
një vend quhet demokratik vetëm në se sundon kultura e ligjit, ndryshe përmes
anarshisë, amullisë dhe rrëmujës nuk ka e nuk mund të ketë demokraci! Ndokush
me të drejtë mund të më kujtojë sistemin e kaluar ku ligj kishim, ndoshta edhe
më të ashpër se sot, e demokraci jo, por në fakt krahasimi çalon në të gjithë
elementët e saj. Ligji nuk ishte një ligj demokratik dhe në të mirën e
popullit, e ndonëse zbatohej rreptësisht, edhe aty kishte vend politika, e
shkallët e rivendosjes të së drejtës nuk është se funksiononin, ndërkohë që nga
ana tjetër pretendohej edhe një demokraci fallco, që bëhej pjesë e të njëjtës
farsë që vinte përmes ligjit. Kjo dukej si fjala vjen, nga konsultimi publik
për ligjet, apo edhe deri tek paraqitja në gjyqet popullore për shumë gjëra, e
sipas interesave të kohës të klasës në pushtet. Nuk mund të kuPtohen pa njëri -
tjetrIn sundimi i ligjit dhe demokracia. Kush i shkëput këto dy gjëra në
konceptim, apo më keq akoma, në zbatim, nuk mund t’i shërbeje ndërtimit të një
shoqërie të mirëqenë demokratike.
Kalimi
nga sistemi i kaluar në pluralizëm (përsonalisht akoma nuk mund t’a quaj
demokraci!), u shoqërua nga mendime, propogandë e veprime që nuk e përfillin
ligjin dhe kjo u quajt e vazhdon të quhet demokraci. Kjo bëhej në kuadër të
lirisë së individit në mendime, shprehje dhe veprime, ku dominon mendimi se kur
je në demokraci mund të bësh ç’të duash dhe të veprosh si të duash. Kështu nisi
dhe kështu vazhdon edhe sot. Doni shembuj? Të kundërtat janë vështirë të
vërtetueshme me shembuj, ndërsa anarshia e thyerja e disiplinës ligjore të pa
ndëshkuara, është normë sjellje. Kështu nisi në vitet 1991 - 1992, duke
shembur, plaçkitur e vjedhur çdo gjë të vënë si ekonomi e përbashkët nga djersa
e barkuriturve punëtorë e fshatarë që s’morën asgjë prej saj, veç përbuzjes,
vazhdoi e njëjtë me privatizimet klienteliste - partiake në vitet 1992 - 1996,
me shkatërrimet e organizuara të viteve 1997 - 1998 dhe… Në vend të
ndëshkimeve, më aktivët prej tyre u shpërblyen me poste. Në krye të kësaj
zullumahije qëndronte Partia Demokratike e Shqipërisë dhe Sali Berisha, që e
justifikonin këtë masakër me nevojën e dekomunistizimit të vendit, sipas
teorisë së “nivelit zero”. Veprimeve praktike të nxitura prej nevojave
politike, u vihej si kurorë një veshje ideologjike, mbështetur edhe nga
demagogji të tilla si teoria e “Çekut të Bardhë”, apo “të ushqyerit me lugë
floriri”. Thyerja masive e ligjeve të kohës, vinte si një populizëm i tyre, si
një çedukim, nga i cili përfitonin vetëm organizatorët e tyre e anarshistët.
Natyrisht që pa “rrebelim”, nuk mund të ketë përmbysje sistemesh, por këtu e
kam fjalën kryesisht për ato dëmtime e shkatërrime, vjedhje, përvehtësime
masive e plaçkitje, që as kishin, e as kanë të bëjnë me “rrebelimet” e nevojën
për përmbysjen e sistemit politik monopartiak. Më kujtohet një miku im
elektriçist i atyre kohërave, kur unë i paguaja dritat çdo muaj, dhe ai më
thoshte:
-
Unë këtë detyrë kam, por do të falen të gjitha, e unë të them, mos i paguaj!
Ndoshta
dinte diçka më shumë se unë elektricisti, por unë kam qenë e mbetem “frikacak”
i lindur i ligjit dhe i tillë mbetem edhe sot. Në fakt, ashtu ndodhi atëherë. U
falën me ligj të gjitha detyrimet e prapambetura, jo vetëm të energjisë
elektrike e ujit, por edhe dënime të tjera të llojeve dhe masave të ndryshme.
Si gjithnjë, kur ka anarki, humbasin gjithmonë të rregulltit, zbatuesit e
ligjit, demokratët e vërtetë, dhe fitojnë hajdutët, anarshistët, djegësit,
vrasësit e kriminelët gjithfarësh. Format e vjedhjes në vijim erdhën duke u
sofistikuar, ashtu edhe faljet e vetvetes erdhën duke u maskuar. U shpik
legalizimi, një faqe e zezë e masakrimit urban të vendit, i barabartë me ligjin
komunist me nr.7501, “Për Tokën”, veçse tashmë në troje, e jo në toka
bujqësore. Dhe nuk u legalizuan shtëpi banimi 1 - 2 katëshe, por pallate 10
katëshe. Në vend që kjo masakër të mbyllej, socialistët në pushtet e zbatuan
atë dhe ia hapën oreksin më tej edhe në ujë, se në tokë e rërë po e po. Akoma
nuk është gjetur një formulë për zaptimin e pastaj legalizimin e ajrit, por me
këtë sens lëvizjeje edhe ajo shpejt mund të bëhet një realitet.
Le
të kuptohemi: Unë nuk jam kundër amnistive, veçanërisht në momente kthesash
historike kur shkeljet bëhen masive dhe një falje me ligj i shërben edukimit
ligjorë, por “faljet” tona vijnë si falje për shkelje të frymëzuara e të piketuara
për t’u falur, me prapavija politike e elektorale që edhe dreqit i shërbejnë,
veç edukimit ligjorë të shoqërisë e demokracisë në vend jo! Socialistët erdhën
në pushtet me “dorë të hekurt” për të vendosur demokracinë përmes sundimit të
ligjit. Disa rezultate edhe u dukën në horizont. Disa raste të tjera çuan në
ekstremizma të pashoqe e deri në hasmëri, plagosje e vetvrasje. Ndërkohë u
“mbyll njëri sy”, herë pas here, për të lejuar shkelje të reja “për ata të
nënës”, planifikuar për t’u falur prej tyre, e “për ndonjë të njerkës”, për t’i
zënë ata sin ë pusi dhe marrë votën, ashtu si edhe përmes shpërblimeve të
pashoqe me karrike shteti apo poste pa karrike, si n’mall të huaj, që
socialistët e bënë pa asnjë llogari tjetër, veç votës e sipas parimit makiavelist:
Qëllimi e justifikon mjetin!
Tashmë
gjendemi përballë një tjetër faljeje, një tjetër fallciteti elektoral e politik
të dyanshëm. Që është elektorale kjo falje e projektuar, askush nuk e ve në
dyshim pasi tashmë është shpallur data e zgjedhjeve të ardhshme, e balancat
elektorale janë në një lëvizje të çuditshme e të pa parashikuara sa e si duhet,
që është politike dihet se shkelësit më të mëdhenj, që s’kanë paguar (këta
falen!) janë të partisë në pushtet, sipas parimit: i yti mishin t’a han, por
kockën t’a ruan!, ose ata kundërshtarë që me një të shkelur syri e shesin
partinë e tyre (për ideale e bindje nuk bëhet fjalë!), e i japin votën “magjes”
së madhe socialiste. Deri këtu gjithshka sipas “shinave” të shtruara tash 34
vite, por çudia më e madhe qëndron në faktin se falja është e dyanshme. Sali
Berisha e kundërshtoi fillimisht “fuqishëm” projektin, sipas stilit të vet:
luftë dhëmb për dhënb që kundërshtarit, duke e detyruar “të lehë” si ai, do t’i
shpëtoje ndonjë kockë për ta, e tash duke shtuar amandamente projektit të
socialistëve që e tejkalojnë edhe vetë atë, për t’u mbushur mendjen të gjithëve
se shpëtimi i tyre e ka emrin Sali. Është përsëri në sfond një marrëveshje në
distancë mes krerëve pa krye që s’ndodh për herë të parë, as të fundit, që merr
në mbrojtje të keqen, thyerjen e ligjit, anarshinë, thjesht për përfitime
partiako - elektorale. Në se do ishte ndryshe, pse projektligji nuk u kthen
paratë edhe atyre që i kanë paguar? Pse për profesionet e lira u desh vendimi i
Gjykatës Kushtetuese t’u ktheheshin pagesat e bëra atyre më të rregulltëve, kur
vetë ligji kishte rënë?! Nuk është vetëm ky rasti e problemi. Gjithnjë kanë
ndodhur të tilla amnisti (falje), por gjithnjë ato kanë qenë më shumë çedukuese
në raport me ligjin e favorizuese në raport me një shtresë të caktuar që, si
thyerjen e ligjit ashtu edhe mospagesën e dëmit për thyerjen e tij, e kanë
metodë pune. Ndodh kështu me taksat e prapambetura të bizneseve apo individëve,
ndodh me dënimet penale, civile e administrative, ndodh me vetë ligjin. Vetë
paqëndrueshmëria e ligjeve që sjell pasiguri ligjore e edukon këtë vijë
sjelljeje. Edhe në se thyerësit e ligjit nuk janë të lidhur me qarqe e lobime
parlamentare e qeveritare, kjo vijë sjellje me ndryshimin e ligjeve herë pas
here, shpesh pa e provuar as efektivitettin e tyre real, ndëshkimet me “urra” e
selektive, mbyllja e njërit sy para një kategori thyerësish të ligjit e pastaj
falja e “të fortëve” ndaj ligjit, po me ligj, është mënyra më e keqe e
funksionimit të atij që quhet shtet ligjorë…
Të
fortët falen me ligj e pa ligj, ndërsa të drejtët, ata që zbatojnë me
përpikmëri ligjin, ndëshkohen me ligj e pa ligj. Shih në rrugë, po deshe. Kalon
krimineli, deputeti, kryetari, maskarai, pasunari, dhe polici fshihet, ose bën
sikur nuk pashë e s’dëgjova duke shkelir ligjin, e nëse rastësisht e ndalon dhe
e gjobit pa e njohur, shkon me vrap dhe gjobën e paguan vetë, ndërsa njeriu i
thjeshtë gjobitet me ligj e pa ligj dhe nuk falet edhe në se është me një
këmbë, e si i tillë nuk mund të mos e ndalonte mjetin e tij për pak çaste edhe
aty ku nuk lejohet. Kështu ndodh edhe me atë që për arësye halli, kërkon të
zgjerojë banesën ekzistuese dhe i kishte shtue kasolles së tij në tokën e
gjyshërve edhe një dhomë me blloqe betoni sepse kishte martuar djalin, e çifti
s’kishte ku të flinte, i cili gjobitet e burgoset, ndërsa ndërtuesit e
pallateve shumëkatëshe në bregdet, në qytet dhe në zona turistike e të
mbrojtura me ligj, falen. Ky vetëm ligj s’mund të jetë, e falja e atyre që kanë
mbetur pas torturave të pësuara nga fukarenjtë, veç falje nuk është!
Edi
Rama dhe socialistët rilindas për nevoja të një pushteti absolut dhe të
tejzgjatur, nuk shohin rrugë të tjera, veçse të luftojnë kundërshtarin me
metodat e mjetet e tij, apo të blejnë “lojtarët” kundërshtarë siç edhe e kanë
bërë vijimësisht, por druaj se kanë harruar se Sali Berisha e opozita e vjetër
janë kurdoherë një hap përpara në këtë fushë, për shkak të 34 viteve të krimeve
të tyre të pandëshkuara, dhe padyshim se edhe kjo falje e projektuar, çon ujë
më shumë në mullirin e tyre. Populli kërkon demokraci, që nënkupton barazi e
ligj, jo çoka të fortësh, me të cilat nuk mund të shkohet askund, dhe nuk mund
të hidhet asnjë hap përpara!
----------------------------------------
)* poet, intelektual e studjues, Lezhë