Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gjon Keka: Gjergj Kastrioti ia riktheu traditën e Krishtlindjes kombit tonë

| E marte, 24.12.2024, 08:00 PM |


Gjergj Kastrioti ia riktheu traditën e Krishtlindjes kombit tonë

Nga Gjon Keka

Në një grazhd në Betlehem gjatë mbretërimit të perandorit romak Augustit lindi Jezu Krishti, pra hyrja e Zotit në Historinë e Njerëzimit si shpëtimtar, si udha, e vërteta dhe jeta. Rreth historisë së lindjes është e rëndësishme leximi nga Ungjilli tek Luka 2:1-21, për ta kuptuar më mirë domethënien e Krishtlindjes.

Prandaj edhe sot kujtimi i kësaj ngjarjeje të hirshme sillet në mendje nëpërmjet festës së Krishtlindjes. Kjo festë e madhe hyjnore dhe e gëzimit të njeriut është një pasqyrim i Hyjnisë i cili e la vullnetarisht lavdinë e tij dhe se ai si i Përjetshëm ka hyrë në kohë; dhe se ky hir i madh i Perëndisë u është bërë i njohur të gjithë njerëzve, lexo te Filip. 2:6-8.

Në trojet tona kjo festë e madhe gëzimi është festuar në mënyrë tradicionale që nga fillimi i ardhjes së Lajmit të Mirë (Ungjillit) nëpër vetë Apostujt dhe më pas e deri në ditët tona. Ka po ashtu edhe tradita tjera pagane që dëshmohet se festa e Kërshëndellave (Buzmit) është festuar që nga lashtësia, por që rëndësi të madhe ka fituar pas hyrjes së Zotit në historinë e njerëzimit dhe ardhjes së Lajmit të Mirë edhe në trojet Iliro-Dardane, pra tek ne.

Në kohën apo epokën e lavdishme të kryezotit të Arbërisë Gjergj Kastriotit, Festa e Krishtlindjes kishte një rëndësi tepër të madhe. Ai, sikur shkruajnë bashkëkohësit dhe kronistët e ndryshëm europianë, e festonte atë me shumë gëzim dhe me dhurata dhe tryezën plotë me të gjithë dardano-arbërët e tij besnikë. Po ashtu thuhet se në këtë kohë ai bënte armpushim dhe donte ta nderonte sipas traditës dhe me zemër këtë festë të madhe gëzimi hyjnor që hyri edhe në zemrën e njeriut.

Pas një kohe errësire e robërimi nën pushtimin otoman, ku festat e krishtera ishin të ndaluara, Krishtlindjen e parë në shtetin e tij të lirë dhe të pavarur arbërër e organizoi Gjergj Kastrioti menjëherë pasi kishte marrë në nëntor Krujën dhe kishte çliruar pothuajse të gjitha trojet dardano-arbërore.

Kësaj radhe i gjithë populli i festoi Krishtlindjet me gëzim të madh, i pashqetësuar nga ushtarët e pushtuesit otoman (turq). Dhe këtë gëzim e shtoi pagëzimi solemn me të cilin Hamza dhe shumë shokë të tjerë të Gjergj Kastriotit, të cilët ishin detyruar nga turqit të pranonin Islamin, u mirëpritën përsërëi në gjirin e Kishës së krishterë dardano-arbërore të asaj kohe. Sipas zakonit të vjetër, krerët e fiseve i dhuruan mbretit të tyre të ri dhurata të ndryshme për Krishtlindje. Ai vetë e shfrytëzoi kohën që i la pas festa për të ngritur pushtetin shtetëror dhe në këtë u tregua po aq i madh dhe inteligjent sa në fushën e betejës. Besimi u ngrit në të gjithë vendin dhe të gjithë e shikonin mbretin apo udhëheqësin e tyre me dashuri dhe entuziazëm.

Kjo festë e madhe gëzimi vazhdoi pastaj të festohej në vazhdimësi dhe me shumë madhështi e gëzim dhe në një linjë me traditën e shumë popujve të Europës së asaj kohe.

Prandaj mund të thuhet se ishte Gjergj Kastrioti pas rikthimit të tij në Arbëri që ia riktheu trojeve dardano-arbërore fytyrën apo imazhin e traditave dhe festave të përbashkëta të krishtera europiane të asaj kohe edhe në trojet e tij edhe në shtetin e tij. Ai e rilidhi Arbërinë me shpirtin e traditës europiane dhe nuk donte ta ndante vendin nga festat e gëzimit të përbashkët të civilizimit europian. Në fakt donte që edhe Arbëria e tij ta përjetonte gëzimin e Lajmit të Mirë të lindjes së Krishtit Zot ashtu që edhe vendi i tij të ishte pjesë e gëzimit dhe dritës së përbashkët.

Gjatë kohës sa ai mbretëroi, Arbëria e tij ishte e lidhur ngushtë me familjen europiane, festat dhe traditat e kësaj familjeje dhe civilizimi të përbashkët.

Kështu u kremtua festa e Krishtlindjes me gëzim dhe krerët dardano-arbërër të asaj kohe i sollën dhurata atij dhe festuan të bashkuar si vëllezër të një besimi, të një gjaku dhe të një atdheu.

Me këtë shkrim të shkurtër i uroj Krishtlindjen nga zemra të gjithë dardano-arbërërve të mi, dhe miqve europianë e amerikanë, si dhe atyre që janë rikthyer së fundi në rrënjët e veta respektivisht në udhën e Gjergj Kastriotit.