Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sevdail Hyseni: Shefi – (s)ka të drejtë!

| E hene, 23.12.2024, 12:44 PM |


Sevdail Hyseni

Satirike

Shefi – (s)ka të drejtë!

Shefi kur hyn në zyrë, plot peshë e krenari,

Qeshin të gjithë, por qeshjet nuk janë mahi.

-Unë kam gjithmonë të drejtë!- thotë pa turp,

Edhe kur gabon, fajin ia hedh tavolinës trup.

E punëtori i gjorë, nuk guxon të mendojë,

-Askujt mos t’i shkoj mendja se unë gaboj?

Pastaj kthen kokën me një shikim të sertë,

- Këtu në krye të Qeverisë, jam Zoti vetë!

Flet për misione, për vizione me strategji,

Por, kur vjen paga, humb si hije në shtëpi.

- Puna është nder! Ngre zërin si kaposh,

Xhepat i mbush vetë, të tjerët i lë bosh.

Fajin e kanë punëtorët, me britma klith

Kur diçka dështon, fajtorë janë të gjithë.

Shpërthen me fjalë nga një stres i kapur,

Punëtorët e shikojnë, me gojën e hapur.

Në mbledhje thërret dhe për dialog flet,

Dhe fjala e tij është ligj, që vret e pret.

- Unë jam drejtësia e bardhë dhe e zezë,

Për ata që s’bindet dera është pa dorezë.

Vjen dita kur Shefi, ky mbreti mbi fron,

Do të përfundojë pa kolltuk, pa telefon.

Sepse humori i hidhur dhe me pak zarar,

Zbret pingul nga qielli çdo shef trutharë!