| E diele, 22.12.2024, 07:44 PM |
Fushatë
pa etikë shtetërore!
Shkruan: Florim Zeqa
Valvitja e flamujve partiakë në fushatë zgjedhore është
gjëja e parë dhe më normale për secilin subjekt partiak. Edhe intonimi i himnit
kombëtar po ashtu është normal, por injorimi i flamurit dhe himnit shtetëror
nga pretendentët për marrjen e pushtetit dhe kandidatët për deputet në
Parlamentin e shtetit e paraqet aktin më të ulët dhe paradoksal të secilit
qytetar të këtij vendi.
Shtet i vogël i sakrificave të mëdha
Ky shtet që e kemi sot është produkt i shumë gjeneratave, i
sakrificave të panumërta të veprimtarëve, i mundit dhe djersës së mërgimtarëve
dhe i aktit sublim të çlirimtarëve që ranë dëshmorë në luftën e fundit
çlirimtare.
Ky shtet i vogël i
pjesës së ndarë të trungut kombëtar u arrit me penë e me pushkë, me dije dhe
armë, me martirizim dhe vetëflijim, si dhe me ndihmën e miqve ndërkombëtar.
Ky shtet që kemi sot nuk
është ai që e kishin projektuar atdhetarët dhe çlirimtarët, por është shteti i
mundësive tona dhe ndihmës së ndërkombëtarëve, në radhë të parë SHBA-ve dhe
aleancës më të fuqishme ushtarake në botë-NATO-s.
Intervenimi i NATO-s
mbetet njëra ndër ngjarjet më madhore në historinë e shqiptarëve në
përgjithësi, e në mënyrë të veçantë për shqiptarët e Kosovës.
Intervenimi i NATO-s,
për më tepër se intervenim ushtarak, ishte kuptuar si mision humanitar për
shpëtimin e një popullate krejtësisht të pambrojtur, që i kanosej shfarosja dhe
deportimi kolektiv nga trojet e veta. Edhe sot, pas 25 vjetësh, prezenca e
NATO-s në Kosovë është forca kryesore mbrojtëse dhe garantuese të lirisë sonë.
Duajeni partinë, mos e harroni shtetin dhe ata që na sollën
lirinë
Gara e pashembullt e partive politike për të marrë pushtetin
dhe për të kapur shtetin, ka bërë që t'i harrojnë veprimtarët dhe çlirimtarët e
vërtetë.
Në listat zgjedhore të
partive tona politike gjen gjithçka përveç atdhetarëve. Në ato lista ka
UDB-ash, bijë e bija të bashkëpunëtorëve të ish regjimit dhe këtij aktual serb,
ka hajdut dhe kriminel, ka matrapaz të llojeve dhe ngjyrave të ndryshme. Në
listat e partive politike ka emra të politikanëve të dështuar dhe të ricikluar
nga njëra parti tek tjetra për interesa personale, ka VIP-a që u shërbejnë për
shpëlarjen e parave të pista, ka interesgjinjë që shkelin çdo parim dhe
ideologji për t'u ulur nesër në karrigën e pushtetit, qoftë në parlament apo në
qeveri, por ka fare pak atdhetarë dhe idealist që e duan shtetin më shumë se
pushtetin!
Madje, disa subjekte dhe
liderë partiakë kanë filluar të harrojnë luftën, bashkë me këtë edhe ndihmën e
madhe, të pa parë ndonjëherë gjatë historisë sonë shekullore, që na erdhi nga
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe bota e civilizuar e demokratike në
përgjithësi.
Pavarësisht sjelljeve të liderëve të trullosur partiakë pas
pushtetit, populli shqiptar i Kosovës përgjithmonë do t'u jetë mirënjohës
SHBA-së dhe shteteve më të fuqishme të Bashkimit Evropian për ndihmën e
pakursyer në çlirimin e vendit tonë, rindërtimin dhe konsolidimin e shtetit,
ndihmë e cila po vazhdon edhe në ditët e sotme me mbrojtjen e integritetit
territorial dhe sovranitetit të shtetit në veri të vendit tonë.
Florim Zeqa
19.12.2024