| E premte, 20.12.2024, 07:56 PM |
"Nderi i Kombit" Tinka Kurti mbushi 92-vjeç
-Margarita
Xhepa, "Nderi i Kombit: Tinka është dhe do mbetet një artiste ikonë
Luftar
Paja "Artist i Popullit"; Tinka Kurti është dhe do mbetet një
personalitet në historinë e aktrimit shqiptar.
-Tinka
Kurti: Krahas nënë Pashakos, në filmin "Yjet e netëve të gjata", doja
të realizoja rolin e Trina Smaljas.
–
Të gjitha vlerat kombëtare si polifoninë, lahutën, festivalet teatrore duhet
t'i ruajmë dhe pasurojmë.
Intervistoi:
Albert Z. ZHOLI
Këtë 17 dhjetor, ajo mbush 92-vjeç. Afro një shekull. Shkova ta
takoja por nuk munda. E telefonova si çdo vit kur ka ditlindjen. Dhe ja, dje
ajo ju afrua shekullt edhe si artiste. Tinka Kurti (lindur në Thani; Sarajevë,
17 dhjetor 1932) është një nga aktoret më të njohura shqiptare. Puna e saj, që
përfshin 65 vjet, përfshin më shumë se 60 filma artistikë dhe 150 shfaqje
teatrore. U ngjit për herë të parë në skenë kur ishte vetëm 16 vjeç. Për disa
vjet u aktivizua në teatrin amator në Shkodër. Më 1947 u përjashtua nga Liceu
Artistik i Tiranës dhe nuk mori asnjëherë ndonjë diplomë shkolle, por kjo nuk e
pengoi të bëhet një aktore e madhe dhe shumë e kulturuar. Që nga viti 1949 e
deri sa doli në pension ishte aktore e Teatrit "Migjeni" të Shkodrës,
ku interpretoi rreth 120 role. Veçanërisht e suksesshme në rolet e forta
dramatike të nënave, por po kaq e suksesshme në komedi. Shkëlqen me role
protagoniste në "Gjaku i Arbrit", "Histori Irkutase",
", "Fisheku në pajë" apo "Fejesa e Çehovit". Kurti ka
interpretuar edhe në kinema, në rreth 35 filma artistikë, duke filluar me
filmin e parë shqiptar të metrazhit të gjatë, "Tana", më 1958. Ndër
vepra të tjera janë Nënë Pashako tek "Yjet e netëve të gjata" (1972),
nëna tek "Çifti i lumtur" (1975), Sinjorina Mançini tek "Vajzat
me kordele të kuqe" (1978), Gjyshja tek "Zemra e nënës". Tinka
Kurti ka marrë çmime të shumta, si në festivalet kombëtare të filmit, ashtu
edhe në ato të teatrit. Këtyre çmimeve u shtohen edhe vlerësime të tjera të
rëndësishme, si medalja "Mjeshtër i Madh i Punës", akorduar nga
Presidenti i Republikës. Dy kinema, një në Tiranë dhe një në Durrës mbajnë
emrin e saj. Gjithashtu, emrin e Tinka Kurtit e mban edhe një shkollë në
fshatin Lekbibaj në Shqipëri. Në vitin 2003, regjisori shqiptar Esat Teliti
realizoi një dokumentar të titulluar thjesht "Tinka" kushtuar jetës
së saj. Ajo është aktive edhe në ditët e sotme. Një nga shprehjet e saj është:
"Nuk e kam frikë plakjen e as vdekjen, por kam frikë nga plakja e trurit,
dhe në qoftë se ky moment vjen në jetën time, mendoj se do të isha dy herë e
vdekur. Për këtë arsye dua të vazhdoj të punoj. Me artisten e madhe kam
zhvilluar disa intervista dhe në këtë 92-vjetor po
përcjell disa nga pjesët më kryesore të intervistave që kam zhvilluar
ndër vite.
-Mbi 65 vjet në shesh të
xhirimit dhe në skenat e teatrit. Si arriti Tinka Kurti, që në trupën e teatrit
"Migjeni" të Shkodrës të shndërrohej në një aktore e preferuar nga
publiku mbarë shqiptar?
Arti ka rrugën e vet. Është
e vërtetë se kolektivi i teatrit "Migjeni" ka qenë i vogël në numër
në fillim, po kështu është mëse e vërtetë që në gjirin e këtij grupi ka patur
edhe ka aktorë tepër të talentuar, ku unë së bashku me partnerë të ndryshëm,
kam arritur të krijoj figura të bukura në skena shqiptare dhe ato kosovare. Kur
punon e jeton me artistë të talentuar, padyshim do të kesh sukses.
Znj,
Tinka, ju jeni Presidente Nderi e shoqatës "Nikaj-Mërturi". Çfarë ju
lidh me këtë zonë?
Po e deklaroj sërishmi. Unë
jam me origjinë nga kjo zonë, nga ky fshat. Babai im është lindur në këtë vend
të bukur që e ka bekuar perëndia. Ai ka zbritur në Shkodër pikërisht nga kjo
zonë. Më vjen shumë keq kur disa kanë nënën nga Shkodra, apo Korça dhe
deklarojnë se jemi nga Korça apo Shkodra. Pra, kudo thuhet se origjina e
njeriut është andej nga është babai. Ky deklarim është i lashtë sa dhe koha.
Edhe unë kam lindur në Shkodër, por them me plot gojën se me origjinë jam nga
Nikaj-Mërturi.
A keni shkuar ndonjëherë në Nikaj-Mërturi?
Po kam shkuar. Bile disa
herë. Është një vend i bekuar, i mrekulllueshëm. Aty kam parë shtëpinë e të
parëve të mi. Male të lartë sa duket se kap me duar qiellin. Pyje, shtëpi
karakteristike, burime, pemë, dhe poshtë lumenj. Aty magjepsesh. Aty
relaksohesh. Aty qetësohesh. Sa herë kam shkuar, më duket se shkoj për herë të
parë. Janë vende që të ngelen fort në kujtesë.
Çfarë ka marrë Tinka nga
vendlindja e babait, nga ky vend i bukur siç e quani ju?
Kam marrë shumë gjëra.
Shumë. Pra të trashëguara nga im atë. Nga këto kam marrë epizmin. Me këtë dua
të them se në shumë role që kam luajtur, apo në shumë role që kam kërkuar, kam
dashur të jenë role dramatike, role me epizëm. M'i kërkonte një ndjenjë e
brendshme, vetiu, në mënyrë organike. Kjo zonë ka rrit gra të fuqishme, trime,
të papërkulura, që pikërisht në këtë luftë, betejë, që ne sot përkujtojmë kanë
bërë histori, kanë luftuar me burrat dhe kanë qenë prapavija më e sigurt e tyre.
Si jeni
ndjerë kur ju kanë shpallur Presidente Nderi e shoqatës
"Nikaj-Mërturi"?
Këto raste janë të rralla
në jetë. Janë raste të jashtzakonshme. Janë vlerësime që njeriut rrallë i vijnë
në jetë dhe që shprehin respekt, dashuri, vlerësim. Kur ndjehesh e vlerësuar
kryesisht nga zona nga ke origjinën, njeriu ndihet i plotësuar.
Çfarë vlerësimesh të tjera ke marrë nga zona nga ju keni
origjinën?
(Loton). Po , kam marrë
shumë vlerësime. Në komunën Lekbibaj, para disa vitesh, kryetari i Komunës vjen
në Tiranë dhe më fton për kafe. Shkova. Pas fjalëve të rastit ai më thotë se
kishte dëshirë që shkollës së mesme në Lekbibaj t'i vinte emrin tim. U
befasova. Se prisja kurrë këtë nder. Ishte një nder i madh. U emocionova. Kjo
kërkesë vinte direkt nga njerëzit e zonës nga ku kam origjinën. Ishte një
shkollë e ristrukturuar. Kjo shkollë ishte hapur para 90 vjetësh nga Luigj
Gurakuqi (si shkollë fillore), tashmë u shtua dhe me gjimnaz.
Kur u
inagurua kjo shkollë dhe mori emrin tuaj, ju keni qenë prezente?
Po! Isha. Me të vërtetë
ndjeva emocione sikundër pata kur dola për herë të parë në skenë. Ishte moment
që s'di si ta përshkruaj (loton). Për vënien e emrit të shkollës janë bërë disa
ceremoni: një në TOB, një tjetër në sallën e Pallatit të Kongreseve dhe tjetra
në Lekbibaj. Organizimi në Lekbibaj ishte i jashtzakonshëm. Një këngëtar
popullor me lahut këndoi dhe një këngë që më ka ngel në mendje. Ishin momente
shumë të veçanta.
Ju
përmendët lahutën, mos vallë veglat muzikore të malsisë janë më të dashura për
Tinkën se veglat e tjera muzikore?
Jo vetëm veglat muzikore të
malsisë, por pëlqej të gjitha veglat muzikore të popullit tonë, që zakonisht
përdoren në gjithë gjeografinë mbarëshqiptare. Janë vegla muzikore të veçanta,
melodioze, tipike, që i dallojnë nga vendet e tjera. Unë pëlqej dhe operat, apo
baletin, por kurrë nuk më joshin kitarat e mëdha apo tropat përpara veglave
muzikore të popullit tonë. Unë rrjedh nga familje që është marrë me muzikë
klasike, por ajo lahutë, çifteli, ai fyell tipik shqiptar për mua janë vetë
mrekullia.
Në një aktivitet ku ju
ishit pjesë para shumë vitesh u shfaq dhe një film dokumentar për 100-vjetorin
e njërës nga ballafaqimet më të mëdha kryengritëse e luftarake kundër
pushtuesve osmanë, e cilësuar si Beteja e Kodër Palçit. Në këtë luftë ndihmesë
të madhe dhanë dhe gratë. A do kishit dëshirë
të luanit rolin e një luftëtareje të kësaj kryengritjeje?
Shumë, shumë. E kam si peng
ta luaj një rol të tillë. Një rol ku do jem gruaja e kësaj zone nga ku jam. Pra
do të isha plotësisht vetvetja. E pashë filmin dhe kam ngelur e kënaqur, por
dhe e befasuar. Një histori gati e pabesueshme. Një luftë e pabarabartë. Një
luftë kundër një perandorie e armatosur me armët më moderne të kohës. Filmi
dokumentar i Ilir Buçpapajt i solli të gjalla ato ngjarje, por sidomos ato
vende që të mahnitin. Aty thuhej dhe për rolin e madh të grave në këtë luftë.
Do kisha shumë dëshirë të luaja në teatër figurën e një gruaje të tillë. Kur
ishte gjallë bisedova me Lazër Filipin që të bëj ndonjë dramë me këtë ngjarje.
Bisedova dhe me zonjën Mira Marku, që s'është nga kjo zonë dhe ka ndihmuar në
realizimin e filmit. Ajo mund të bashkpunonte me Lazrin për të realizuar një
dramë të veçantë. E kam shumë për zemër një rol të tillë. I thashë Mirës të
gjej fabulën, pastaj Lazri e çon më tej. Pra ka shumë ngjarje për të bërë një
dramë të tillë. Unë kam luajtur Dranen tek "Mic Sokoli", por dua të
luaj një rol të veçantë për gruan Nikaj-Mërturi. E kam peng dhe pse kam luajtur
shumë role malësoresh.
Çështë
arti për ju dhe mendimi juaj për vlerat kombëtare për polifoninë, veshjet
kombëtare, lahutën, Festivali teatror i Butrintit ?
Është ushqimi im.
Oksigjeni. Duhet të dish se unë kam mësuar shumë nga mësuesit e mi, nga
paraardhësit e mi. Arti është kolektiv, nuk është individual. Është autori i
dramës, komedisë, është regjisori, aktorët, skenografi, grimi, kostumografi,
muzika etj...Pra në çdo dramë suksesi nuk është individual, por kolektiv. Sot
del për detyrë që këto histori si kjo e sotmja të dalin në pah, por të vihen
dhe në skenë. Arti edhe këtu duhet të thotë fjalën e tij. Të gjitha vlerat
kombëtare si polifoninë, lahutën, festivalet teatrore duhet t'i ruajmë dhe
pasurojmë.
Mendimi
juaj për gruan e sotme shqiptare?
Për çdo ditë punon, emancipohet,
studion, përballet, përparon. Shihet se për çdo ditë fiton terren...
Tashmë më
shumë pranë ekranit të vogël të televizorit. Çfarë bën konkretisht "Nder i
Kombit'' Tinka Kurti kur pas shumë kohësh ndjek në televizion filmat ku ajo ka
interpretuar?
Sa herë shoh filmat e mi
bëj bilancin. I shikoj me vëmendje dhe njëkohësisht falenderoj drejtuesit e
këtyre televizioneve, që përherë po japin filma të zhytur në pluhurin e
harresës. Unë shkoj dhe mbyll ekranin. Unë aty shoh dhe gabimet e mia, e
ndërkohë grindem me veten dhe rolin, duke thënë: Ah, sikur...! Pra kjo do të
thotë, sipas fjalës së popullit, se: "Të bëhem dhe një herë nuse, pa di
unë si të nusëroj". (Qesh).
Njiheni si
aktorja e filmit të parë shqiptar dhe ndoshta dhe aktorja e filmit të fundit
shqiptar.
Fati më ndihmoi të merrja
pjesë në filmin e parë shqiptar "Tana". Gjithësesi them se gjithçka
kam arritur është bërë e mundur vetëm me përkushtim e netë të tëra të pagjumë.
Dëgjo, do të them se për koefidencë unë jam dhe aktorja e filmit të
fundit "Dasma e Sakos", pasi kohët e fundit në Shqipëri nuk po
shfaqen filma shqiptarë.
Një jetë
plot ngjarje. Ju keni luajtur mëse 150 role në skenë dhe 70 e ca role në
kinematografi dhe përsëri nuk po ju kuptojmë se për cilën prej këtyre dy
gjinive ndjeheni më e suksesshme, pasi për të dyja këto flisni me pasion e
dashuri?
Janë të dyja këto gjini
vërtetë shumë të bukura. Aqsa dua teatrin, dua edhe filmin. Nuk ka dyshim se në
teatër emocioni dhe suksesi te çdo artist janë më të pranishëm se sa në film.
Emocione të pashlyera unë nuk kam shijuar në Shkodër apo në Tiranë, por edhe në
qytete të tjera, në mbarë vendin, ku do të veçoja Fierin, ku me dramën
"Gjaku i Arbërit" kemi dhënë shtatëmbëdhjetë shfaqje me radhë.
Jeta ecën
dalin artistë të rinj, filma të rinj...Përse disa artistë, madje të respektuar
në gjithë vendin, kanë mbetur disi në hije? Është kjo harresë e regjisorëve,
mosha, apo...?
Do të thosha se për
artistin nuk ka moshë. Florenc Oliveri luajti në skenë deri në ditën e fundit,
të vdekjes. Të bisedosh me mjaft artistë, do të thonë se vetëm vdekja i ndan
nga skena. Të njëjtën përgjigje do të merrje edhe nga unë. A duhen lënë në stol
artistet e mëdha shqiptare Margarita Xhepa etj? Kurrsesi, jo. Ne nuk jemi
sportistë ku duhet përgatitja fizike e mosha e rinisë. Ne jemi artistë dhe
zemra jonë është skena.
-Çdo aktor
ka një peng. Po e madhja Tinka a e ka një peng në mes kaq shumë roleve?
Duke mos qenë aspak
lokaliste, edhe unë them se brenda shpirtit tim, vazhdon të qëndrojë gjallë
figura madhore e Trina Smaljas, një burrë më shumë se çdo burrë tjetër. Pra ajo
historikisht u kthye në një emër legjendë. Ndoshta një ditë kjo figurë do të
bëhet e pranishme edhe tek unë. Shpresoj. Ju them sinqerisht se sa herë shoh
rolin tim për nënë Pashakon, në filmin "Yjet e netëve të gjata",
vetja më duket shumë e vogël para figurës monumentale të kësaj nëne burrneshë.
Për mua nuk ka rëndësi nëse Trina Smaljas është nga Shpati i Elbasanit,
Myzeqeja e Fierit apo Labëria e Vlorës. E rëndësishme është që këtë figurë ta
realizoj me vërtetësi e origjinalitet, ashtu siç njihet ajo në piedestalin e
historisë shqiptare.
Margarita
Xhepa "Nderi i Kombit":
Dje "Nderi
i Kombit" Tinka Kurti mbushi 92-vjeç. I uroj ditë të bardha. Këto ditë
ka qenë pak e pamundur dhe bisedat me të më mungojnë. Ajo mbetet mikja
ime si brez artistësh, por edhe si mike dhe shoqe. Me të jemi lidhur shumë
sidomos tashmë në demokraci! Na lidh jeta e filmit, teatrit, bisedat për të
rejat filmike për rolet, aktorët e rinj, filmat e rinj etj. Jemi shumë të afërta, shumë shoqe,
dhe kemi bashkëpunuar, në shumë festivale filmash. Të dyja ne që në sistemin
monist e kemi filluar artin në moshë shumë të re. Shumë më të re se
artistët e sotëm. Kemi punuar një jetë të tërë, në filma në teatër
komedi, por edhe në aktivitete të ndryshme. Nuk mund t'i numërojmë
aktivitetet...! Por jeta ka ciklin e saj dhe Tinka me jetën e saj ka bërë
shumë si artiste për artin shqiptar
**
Luftar
Paja "Artist i Popullit";
Tinka Kurti është dhe do mbetet një personalitet në
historinë e aktrimit shqiptar. Ajo ka qenë në sheshet e xhirimit dhe
skenat e teatrove shqiptare afërisht 6 dekada. Rolet e saj janë të veçanta dhe
plot jetë. Ka aq shumë role që të gjithë kanë të veçantat e tyre. Tinka ka
patur talent të lindur por ajo njëkohësisht ishte një punëtore e madhe.
Ajo për çdo rol sillte një plastikë ndryshe, një atmosferë tjetër. Aktore
si Tinka bëjnë diferencën në rolet e vështirë. Ajo dhe një apo dy
vjet më parë ka realizuar role të bukura. I uroj jetë të gjatë dhe pse
ndonjë rol tjetër.