| E enjte, 19.12.2024, 07:55 PM |
Parashqevi
Ypi
Nga
Edison Ypi
Parashqevi
Simaku nuk tutet, nuk fshihet, nuk bishtnon, nuk frigohet. Nga asnjë
kompliment apo mallkim, nga asnjë
rrethanë e favorshme ose e pafavorshme, praktikisht nga asgjë.
Mjaft
ta shohësh e dëgjosh pak minuta Parashqevi Simakun dhe bindesh se Ajo kurrë
s'ka bërë asnjë dallim mes Tiranës dhe New Yorkut, Shqipërisë dhe
Amerikës, stacionit të trenit dhe
Sheratonit. Madje, po ta vështrosh thellë, konstaton se Parashqevi Simaku
ndjehet më rehat ta kalojë natën gjysëm e uritur mbuluar me kartona dhe rrecka
në një qoshe betoni te stacioni i trenit, se me jorganë e jastëkë të butë e të
ngrohtë në ndonjë hotel luksoz.
Për
Parashqevi Simakun rrethanat materiale nuk kanë rëndësi. S'lypset të jesh
psikolog apo psikiatër të kuptosh se delirantja e pashërueshme Parashqevi
Simaku kurrë nuk ndodhet "këtu" dhe "tani", por gjithmonë
në trans, gjithmonë në delir, gjithmonë në një vend tjetër dhe në një kohë
tjetër në lëvizje të pandalshme brenda dhe jashtë Universit.
Parashqevi
Simaku këndon dhe sillet si Monalisa. Në atë mënyrë që gjithsecilit t'i
fanepset si ja ka ënda. Për ata që e duan komuniste, Parashqevi Simaku është
komuniste. Për ata që e duan fashiste, është fashiste. Për ata që e duan
mbretërore, është mbretërore.
Parashqevi
Simaku s'e ka problem ta mbështjellësh me çdo aureolë që ta ka qefi. Parashqevi
Simaku është gjithmonë e rrethuar me të gjitha aureolat e të gjithë adhuruesve.
Por vetë Parashqevi Simaku nuk i ka qef aureolat. Si spjegohet kjo ?
Po
thonë se Parashqevi Simaku u çmend në Amerikë. Shihe mirë të plaçin sytë.
Parashqevi Simaku ka qënë në Shqipëri më e çmendur se në Amerikë.
Spontane
dhe konvencionale, racionale dhe kontraverse, rrebele dhe konformiste,
Parashqevi Simaku ka qënë, është, dhe do jetë, çdo përkufizim, etiketim,
klishè, dhe asnjë prej tyre. Po pse ? Po për ç'arsye ?
Kqyre
si të duash Parashqevi Simakuin, me një ose dy, ose asnjë sy të hapur.
Fotografoje nga çdo kënd, filmoje në çdo ambient, pikturoje me ose pa ngjyra,
gdhende në mermer ose në bronx, nënështroja dhe inteligjencës artificiale po
deshe. Parashqevi Simakun nuk e kap asnjë kamera. Nuk e rrok asnjë ngjyrë. Nuk
e deskripton asnjë inteligjencë.
Parashqevi
Simaku nuk është e kushtëzuar nga asgjë. Parashqevi Simaku është e lirë, jeton
e lirë zhytur në një oqean lirie.
Nga
i vijnë vallë Parashqevi Simakut këto dallgë deliri, kjo çartallosje, kjo Liri
? Çdo pasojë ka një shkak.
Cila
shkollë ja mësoi Parashqevi Simakut Lirinë ? Cili inginier ja menaxhoi
energjinë, vrullin, guximin, i dha krahë të fluturojë, i tregoi algoritmin e
duhur ?
Asokohe
në Kavajë jetonte Musa Ypi.
Musa
Ypi ishte mësues i Gjuhës dhe Letërsisë.
Mos
u lodh ta marrësh me mend si ishte Musa Ypi. Nuk e gjen dot edhe po të
mendohesh një mijë vjet rrjesht.
Më
i ndritur, më i ditur, më madhështor, se krejt Casanovat dhe Don Giovannat e
botës, Musa Ypi nuk ishte njeri. Musa Ypi ishte një zjarr që ecën, një vullkan
që lëviz. Shenjtorët si Musa Ypi bota i ka nëpër ëndërra, nëpër mite, nëpër
legjenda. Kavaja e kishte të gjallë.
S'kanë
fund thagmat e Musa Ypit. Mes moshtarëve të Musa Ypit atë kohë luhej loja
"A e ke lexuar këtë libër ? Këtë lojë e fitonte gjithmonë ai që i kishte
lexuar të gjitha librat, kolonjari Musa Ypi. Ishte e pamundur Musa Ypi të mos e
kishte lexuar X apo Y roman. Nëse kjo, gjithsesi, ndodhte, Musa Ypi ikte i
çakërrdisur, e gjente dhe e lexonte për gjith natën.
Për
Musa Ypin librat nuk ishin të mirë apo të këqinj. Për Musa Ypin librat ishin
dhe janë të domosdoshëm si ajri, si uji.
Ylli
Musa Ypi ishte i pari yll që kometa Parashqevi Simaku preku sapo nisi rrugën e
Jetës. Kavaja e di. Kavaja pa me syt e vet gjithçka.
Parashqevi
Simaku e gjeti Musa Ypin si dallga bregun, si benzina zjarrin.
Musa
Ypi e gjeti Parashqevi Simakun si Dante Beatricen, si çekani hekurin e skuqur
mbi kudhër.
Musa
Ypi dhe Parashqevi Simaku u nakatosën me njëritjetrin, u bënë kasht e koqe. Dhe
Bota mori zjarr.
Musa
Ypi i hoqi Parashqevi Simakut të gjitha tepricat, rëndesat, prangat, zinxhirët,
e bëri të vrapojë zbathur mbi kalldrëmet e shtruar me yjet e ndezur të Rrugës
së Qumështit, e bëri të lirë.
Ku
ndodhet sot Musa Ypi ?
Musa
Ypi, pasi piu tonelata raki, i fali Parashqevi Simakut zjarrin si Prometeu dhe
u shemb si Maratonomaku, ndodhet atje ku prehen poetët, gjenialët, dashurorët,
shenjtorët, në varr.