| E enjte, 19.12.2024, 07:51 PM |
Kush ka përparësi - Shtetësia e Kosovës apo simbolet kombëtare?
Nga
Enver Bytyçi
Të
shtunën e shkuar emri i madh i futbollit shqiptar, Lorik Cana, ishte mysafir te
Besim Dina në emisionin “Oksigjen”! E pashë lajmin në rrjetet sociale dhe u
bëra kureshtar ta ndiqja ish-futbollistin dhe kapitenin e Kombëtares së
Shqipërisë në rrëfimet e tij në këtë emision. Gjithçka mirë, gjithçka e
pranueshme e madje motivuese. Besim Dina di se si t’i tërheqë mysafirët e tij
në rrjetën e vet të mendimit.
Lorik
Cana dha disa mesazhe edhe për idetë e tij kombëtare, për identitetin,
kulturën, gjuhën, flamurin, shqiponjën e shumë simbole të tjera të shqiptarëve.
Shpalosi se këto vlera të bashkimit kombëtar duhen ruajtur derisa Kosova të
bëhet shtet e më pastaj të vendosim se çfarë të bëjmë, duke aluduar që të
bashkojmë trojet shqiptar me një flamur, pra në një shtet. Tha se ne jemi dy
shtete, por jemi një komb. Unë e di se zoti Cana nuk është ekspert i çështjeve
për të cilat ai foli dhe nuk e gjykoj, as e paragjykoj për mendimet e tij
publike, mendime të cilat i mbështeti plotësisht edhe moderatori Dina. As unë
nuk e mbaj veten për ndonjë ekspert të madh, por për sa kam mësuar, më duhet që
të shpreh qëndrimin tim rreth këtij lloj diskursi:
Së
pari, duhet ditur se në teorinë e kombeve dhe shteteve, nuk ka komb pa shtet
dhe nuk ka shtet pa komb. Që do të thotë se nuk mund të ketë dy shtete dhe një
komb. Çdo komb i korespondon një shteti dhe çdo shtet përfaqëson një komb.
Emërtimi që ka shteti është edhe emërtimi i vetë kombit. Kombi dhe shteti mund
të jenë të një etnie, ose shumetnik, pra qytetar. Shembuj ka plot në këtë
arsyetim. Kosova, përsa kohë është shtet, do të duhet të jetë shtet-kombëtar.
Ndryshe vihet në pikëpyetje ekzistenca e shtetit. Kush vlen më shumë për
interesin tonë kombëtar? Ekzistenca dhe forcimi i shtetit-komb të Kosovës, apo
simbolet e origjinës së shqiptarëve?! Nëse zgjedh simbolet e trashëguara e të
origjinës, atëherë do të detyrohesh të heqësh dorë nga shteti i Kosovës!
Prandaj Kosova duhet të pajtohet me statusin e pavarësisë dhe shtetësisë!
Shtetësia e Kosovës është sfida jonë kombëtare. Nuk janë përpjekjet për të
rikthyer simbolet kuq e zi të trashëguara. Ato duhen ruajtur e respektuar te
shoqëria shqiptare, por nuk mund të jenë simbole të dy shteteve njëkohësisht.
Së
dyti, Kosova e kishte mundësinë ta ruante edhe trashëgiminë e simboleve në një
formë ndryshe nga ato që ka Shqipëria. Por ato u kundërshtuan nga ithtarët e
“bashkimit kombëtar” për shkak se ishin simbole të promovuara nga Ibrahim
Rugova. Dhe këta idhtarë të “bashkimit kombëtar” pranuan simbole globalizmi të
shtetit. Tani janë sërishmi këta “patriotë” (nuk e kam fjalën për Lorik Canën)
që predikojnë simbolet shqiptare kombëtare. Por të flasësh për simbolet
kombëtare shqiptare në Kosovë në dëm të shtetësisë, do të thotë të shkallmosh
të dyja këta elementë. Duhet mbrojtur me fanatizëm ajo çfarë është e
sanksionuar tashmë në Kushtetutën e Kosovës. Çdo përpjekje për ta paraqit të
përkohshme këtë kushtetutë është përpjekje për të eliminuar shtetësinë e Kosovës.
Nëse shqiptarët nuk e pranojnë shtetësinë bashkë me simbolet e tij, atëherë si
do t’i tërheqin serbët ta njohin atë?!
Së
treti, i madhi Lorik Cana dhe i famshmi Besim Dina e anashkaluan
domosdoshmërinë e forcimit të Kombëtares së Futbollit të Kosovës, si mjet për
forcimin e shtetësisë së saj. Folën për kontributet për pranimin e Kosovës në
FIFA dhe UEFA, por nuk guxuan ta emërtojnë atë si Kombëtare. Sepse me të
drejtën e tyre ata shohin një kombëtare dhe jo dy. Mirëpo kjo dilemë nuk i ka
lejuar shumë futbollistë të kalibrit europian e botëror me origjinë nga Kosova
që t’i bashkohen Kombëtares së Kosovës. Ka prej tyre që dalin e mbështesin
subjekte të caktuara politike të Kosovës në fushatat elektorale, por nuk
pranojnë të bëhen pjesë e Kombëtares së Kosovës. Ky është skandal dhe dëmton
interesin kombëtar.
Vetë
Lorik Cana nuk e ka ngrit zërin për këtë. Ai e tha hapur se më shumë e tërheq
simboli i flamurit kuq e zi, sesa nevoja e jashtëzakonshme për ta parë një
Kosovë dinjitoze në kampionatet evropiane e botërore të futbollit. Kakofonia
dhe dilema si kjo, janë të dëmshme për Kosovën. Në çdo rast kur synohet një
objektiv ka shumë rëndësi të hiqen mëdyshjet. Kjo bën që të merren vendimet e
duhura. E di se intriga Rama-Duka i ka mbajtur shumë futbollistë nga Kosova dhe
Maqedonia e Veriut te Kombëtarja e Shqipërisë. Por Cana duhej ta shihte më mirë
rrugën e suksesit në Kosovë. Sepse Kosova ka sot nevojë për Canën dhe gjithë
djemtë e saj futbollistë, kudo që ndodhen.
Këtë
prisja ta dëgjoja, por nuk e pashë, as e dëgjova të shtunën e shkuar në
emisionin “Oksigjen” të Besim Dinës! E në fakt nga Gjakova dalin gjithmonë
mendime të kthjellta, jo të turbullta!