| E enjte, 19.12.2024, 07:57 PM |
Çështja “Parashqevi Simaku”, kur teprimi i kalon caqet dhe glorifikimi shndërrohet në anatemë
Nga
Albert Vataj
Kam
shkruar për Parashqevi Simakun, me zellin e një nostalgjie dhe admirimin e një
ikone, atëherë kur askush, as më fanatikët e kësaj doktrine që po u bie
kambanave të kremtes si për mort, nuk e vuri ujin në zjarr, nëse ajo jetonte në
një stacion treni, siç pretendohet, e braktisur nga shëndeti, fati,
bashkëshorti, djali, lavdia, apo e ngjitur në apogje, ku ajo ndodhet sot.
Histeria
kolektive e mëshirës, qajtorja pa orarë dhe ankimtaria pa karar, arsyeja
kokëprerë e një paarsyeje për një dehje të këtyre përmasave, në të vërtetë nisi
si një mjerim mediatik. Vijoi çështja “Parashqevi Simaku” si një dëshpërim
masiv. Gojët e liga mendojnë se ndoshta ajo erdhi për të marrë këtë interesim
edhe si ndonjë qëllimsi dashakeqe, e veshur me petka keqardhjeje dhe mirësie.
Dhe për çudi kjo “gjëmë e madhe” shkrepi si një rrufe në qiell të kthjellët në
këtë fillimdimri. Erdh qyqare kjo lëngatë, si një bimë e tharë, që në të
shuarin e etjes, uji i zë frymën.
Ndoshta
kishte të drejtë, filozofi dhe sociologu italian Umberto Eco, kur tha se:
"Shoqëria moderne shpesh e kthjellon kujtesën kolektive në një spektakël
të ekzagjeruar, ku miti i të shkuarës kthehet në një kult, ndërsa realiteti i
së tashmes harrohet."
Në
kontekstin shqiptar, një fenomen i tillë mund të përshkruhet, si një përzierje
e nostalgjisë me një tendencë për t'u përqendruar në figura ikonike, deri në
atë pikë, sa ato kthehen në simbole të një epoke, duke shkaktuar një
"zombizëm kulturor". Ky zombizëm lidhet me mbingarkimin emocional dhe
shpesh me humbjen e aftësisë, për të ndarë vlerën e vërtetë artistike nga
glorifikimi në përmasat e ekzagjerimit.
Në
këtë rast, vëmendja e tepërt u bë si një shpërqendrim nga analiza reale e
kontributit të Parashqevi Simakut në art, dhe mundi të shërbejë si një
justifikim, për të mos u përballur me sfidat bashkëkohore në kulturë dhe art.
Kjo mundi të nxisë një fenomen të përsëritur të glorifikimit të së kaluarës, në
dëm të të ardhmes, e pse jo edhe anatemimin e atyre, atyre që ndoshta meritojnë
dhe u takojnë më shumë, por pranojnë dinjitetshëm dhe pa u bërë palë
ankimtarie, fatin e tyre si pjesë e jetës, pa e përdorur atë. Kurrsesi jo, për
qëllimin e dikujt apo interesin një logjike të palogjikshme algoritmi, të
zhbëjnë çfarë ata kanë ngritur me mund, sakrifica, pasion dhe përkushtim, dhe
që mbetet jo krejt e tyre, se sa trashëgim i vlerave dhe veprave tona
identitare, si shoqëri dhe komb.
Megjithatë
gjithçka që ishte për t’u bërë u bë, dhe vijon edhe përtej caqeve të së
mundshmes së rrokshme përmes një logjike racionale, duke na bërë të gjithëve
palë dhe duke na ftuar të gjithëve, për të hedhur sekush nga një hedhurinë në
këtë pirg që çdo ditë që kalon, veçse kudëbon.
Nuk
mbeti zeje e shkrimit dhe gojëtarisë ndër ne, pa shpërfaqur virtuozitetin e
gatishmërisë për të rrëmbyer sekush nga pak rrëze nga ky shpërthim i beftë, i
cili siç erdhi për ta nxjerrë në dritë Parashqevi Simakun, ashtu do ta gropos
sërish atë në terr, ndoshta shumë më të thellë se ku ishte, sepse si pa dashje,
asaj ia kujtuam se kush ishte, madje edhe ca si shumë më shumë, e cila do ta
ndjekin atë si fantazmat e dala nga Kutia e Pandorës.
U
fol, u shkrua, dhe me shumë gjasë po mblidhen edhe para, shumë para, humaniteti
dhe rivaliteti, jo për ta rikthyer atë në lavdinë, kur ajo na magjepste në
skenat e këngës, siç nisi të feks hiri i saj me një buzëkuq, as për t’i kthyer
asaj ç’farë fati ia kishte mohuar, se sa për të treguar se ne seç kemi një
nevojë për ta ekzagjeruar, për t’i çuar gjërat në teprim.
Dhe
e gjitha kjo që ngjau dhe do të vijojë ende për Parashqevi Simakun, është jo
tamam mjerimi i saj, tragjizmi ku e ka flakur jeta, se sa varfëria dhe shterimi
i motiveve dhe angazhimeve të çdoditshme, dhe prirja jonë kotësidashëse.
Sa
u morëm me Parashqevin, dhe e sigurt kjo, jo e ekzagjeruam, por e bëmë bajat,
ndoshta do të mund t’i shërbenim disa gjërave më të hajrit, të halleve dhe
derteve ndër shqiptarët e komunitetit të artistëve, shumë prej të cilëve i kemi
flakur tej në mohim, mospërfillje dhe përçmim. E pse jo, në kryeherë të
ftillohemi, t’i thërrasim kujtesës dhe mendjes, logjikës së kritikës dhe arsyes
së artit, dhe ta shihnim figurën e Simakut, në ato përmasa që ajo ishte, dhe
pjesën e mbetur të këtij dielli që potencuam ndaj saj, jo për fajin e saj, se
sa për budallikun tonë, ta hedhim e t’u shkrijmë eshtrat e tharë të atyre
fatkeqëve artistë me “A” të madhe, që fatmirësisht jeta po i shpërblen me ca
vite më shumë, ndopak fat dhe mirënjohje nga e jona.
O
Popull, dikush duhet të dalë mbi këtë rrjedhë, që na ka vënë përpara, dhe të
thotë mjaft më me Parashqevi Simakun, se edhe teprimi ka një kufi. Sepse me
shumë gjasë, po i tregojmë asaj, atë që është e huaj dhe e panjohur për të sa
ç’është edhe për ne një diçka me shumë paqartësi dhe shumë, shumë
hiperbolizime. Me fjalë të tjera, ne po i veshim asaj një lëkurë lavdie që po i
zë frymën. Po e ngremë atë aq lart, sa nuk do të mund askush nga ne, ta presi
kur ajo të bjerë sërish poshtë, ndoshta më thellë se nga ku e nxorëm.
Gjithpoaq,
Simaku u shndërrua në një fenomen, u bë një simbol i një tendence, për të
përdorur nostalgjinë apo mëshirën, si mekanizëm për të krijuar emocione të
momentit, por jo për të adresuar realisht problematika apo vlera më të thella.
Në këto momente thatësire, idesh dhe mendimi, dritëshkurtësie dhe çoroditjeje,
turravrap dhe ndërkrymjeje, po trazojmë tabanin e një burimi, duke turbulluar
ujin ku po pimë, pa mundur ta pastrojmë atë më parë.
Ajo
e cila nuk duhet që një ditë do të na zënë në befasi, dhe të na hedhin në
pendim, është se e njëjta valë që e ngriti Simakun në sipërfaqe, duke e nxjerrë
nga thellësia e zezonës së fatit të saj, për të cilën nuk kemi pse të ndjejmë
asnjëri përgjegjësi, e sigurt që do të fashitet shumë më shpejt, se sa çdo
hamendësim futurist përfytyron, dhe do ta kthejë atë sërish në harresë, në një
të tillë shumë më të thellë madje dhe shkatërruese, se ku ajo ishte dhe
bashkëjetonte në harmoni, para se dikush, për një qëllim apo për një arsye, u
kujtua për të dhe e solli në skenë si një zbulesë, duke na bërë të gjithëve
fajtor dhe budallallepsur jo më pak, për se si ju qas jeta një këngëtareje,
pavarësisht sa lart e ngjiti adhurimi ynë dhe sa vërtetë ajo qëndroi në
panteonin shqiptar të këngës.
Ekzagjerimi,
siç edhe çdokujt i ra në sy, i këtyre fenomeneve, duhet të ndërgjegjësohemi, se
është shenjë e një shoqërie që ndoshta ka humbur lidhjen me angazhime më
produktive dhe më të dobishme, dhe duhej të vinte një kotësi e kotë se kjo, me
të cilën ata të mbushin boshllëkun e tyre, dhe, media, ajo që orkestron gjithë
këtë lojë, të pretendojë se ju kthye obligimit detyrues të informimit publik.
Është
e qartë që nevojitet një ndryshim paradigme. Vëmendja dhe energjia duhet të
kanalizohen drejt projekteve që kanë vlerë dhe që kontribuojnë në mënyrë
konkrete në përmirësimin e shoqërisë. Në vend që të "mblidhen para",
për një fushatë sensacionale, ato mund të përdoren për të ndihmuar artistët, në
krijimin e veprave të reja ose në dokumentimin e trashëgimisë së tyre, dhe jo
për të dehur njerëzit, se sa para u mblodhën, se kush dhuroi këtë, dhe cili
pati mirësinë të ofrojë këtë gjënë tjetër, për të na shfajësuar si shoqëri nga
ky “gjynah”.
Nëse
ka interes për figurat e së kaluarës, dhe nëse gjithë ky merak për Parashqevi
Simakun është real dhe jo virtual, është zgjim në ndërgjegje i një shoqërie,
dhe jo histeri kolektive për hiçmosgjë, kjo kohë e investuar dhe kjo energji
potenciale, e orientuar drejt asgjëje konkrete, nëse, lavdi Zotit kjo bëhet
kulturë e reflektimit shoqëror, e reagimit energjik, ky gjenerim mund të
shoqërohet me një përpjekje për të edukuar brezin e ri, për vlerat e tyre artistike
dhe kulturore. E pse jo, futjen e kujtesës nën kujdesin e institucioneve,
krijimin e kapitaleve njerëzore dhe financiare në vlerësimin dhe konsiderimin
me mirënjohje të denjë, për ata, të gjithë, që kontribuuan në rritjen dhe
formësimin cilësorë të traditave, me të cilat përfaqësohemi dhe nderohemi si
komb.
Megjithatë
në një vëzhgim tërësorë të situatës na lind e drejta të pyesim: A është kjo
valë e momentit një pasqyrë e një vakumi të thellë emocional e kulturor në
shoqërinë tonë? Dhe nëse po, si mund të ndërtojmë një kulturë që i jep vlerë
figurave të saj, pa i konsumuar ato në mënyrë sipërfaqësore, dhe pa i
denigruar, përjashtuar apo fyer ata, që vuajnë nën peshën e këtij mali, “që u
mbars për të pjellë një mi”?
Vëmendja
e tepruar ndaj disa figurave, ndonjëherë pa një arsye të qartë artistike apo
kulturore, shpesh pasqyron dinamikat e sipërfaqësisë dhe sensacionit që
dominojnë komunikimin publik në ditët e sotme. Nga ana tjetër, është ironike që
e njëjta shoqëri shpesh anashkalon, harron ose nuk i jep vlerësimin e duhur,
figurave që kanë pasur një ndikim më të madh dhe më të qëndrueshëm në kulturën
shqiptare. Po, bëhet fjalë për ato artistë, me të cilët shkëmbehemi në rrugë, u
lëshojmë vendin në autobus, i ndihmojmë të ngrihen nga ndenjësja në një shërbim
shëndetësor shtetëror. E kam fjalën, pikërisht për ata që bën një art të madh
nën diktaturë, nën represion dhe nën mizori, dhe u duhet që sot në të mbaruar
të viteve të pështyhen në fytyrë, për çfarë ata nuk mund të jenë, që të
përfitojnë nga kjo maskë e shëmtuar altruizmi dhe idiotësie, që stolis
krenarinë tonë të mburrjes dhe kapardisjes së këqardhjes.
Në
një epokë të fokusuar në momentin e tanishëm, figura që ngjallin ndjesi
nostalgjike ose që bëjnë "zë" në mediat sociale marrin vëmendje
disproporcionale, dhe ky nuk është vetëm fakt por është edhe faj, për të cilin
askush nuk merr përgjegjësi.
Vëmendje
miq të ububushmërisë së rrjeteve sociale, le të kthjellohemi dhe të kuptojmë se
ç’po ndodh dhe si mund të dalim nga kjo mesele. Artistët që nuk janë të
pranishëm në këto platforma, ose që nuk ndjekin këtë mënyrë të promovimit,
mbeten jashtë radarit, ose të kyccur në një burg mizor harrimi, derikur vdekja
të trokasë për t’i ccuar ata në përjetësi dhe ne për të na treguar se edhe ky
ishte. E pse? Sepse ne shpesh priremi të bëjmë atë që bëjnë të tjerët, pa e
ditur se ku i shpie kjo ata dhe ku na degdis ne.
Po,
është paradoksale që artistë dhe intelektualë të nivelit të lartë, të cilët
kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për artin dhe kulturën shqiptare,
mbeten në hijen e harresës, jetojnë në mjerim dhe largohen tinëzisht pa
nderimet që u kemi borxh dhe pa respektin që na fyen. Ky është një tregues i
prioriteteve të çrregulluara të diskursit publik, ku ndonjëherë vlerësimi për
cilësinë artistike zë vendin e dytë ndaj sensacionit. Jo sepse kjo është koha,
dhe kështu orvaten gjërat nën një valë presioni viraliteti, dhe përfshihesh pa
u kuptuar se ku të merr dhe ku të plas. Jo, sepse vetja, por më shumë se vetja,
përgjegjësia dhe integriteti, por më shumë, mundësitë, të kanë armatosur me një
dritëpamësi të tillë që verbërinë nuk ta toleron. Gjithnjë je në kohë për të
ndaluar, për të t’i thënë vetes, thirri mendjes!
Edhe
pse çudia më e madhe, zakonshmit tre ditë zgjat, kësaj here do ti duhen 33
ditë, çudisë Parashqevi Sipaku të na hiqet qafe, t’i lërë radhë të tjera
kotësive, me të cilat të mbushim kohën me boshllëk shumë më plotë se ky.