| E merkure, 18.12.2024, 07:53 PM |
PULA E MIR? E B?N VEZ?N N’SHPI T’VET, E GLAC?N N? KOJSHI…
-
Persiatje mendimesh rreth votës së emigrantëve -
Nga
Llesh Ndoj*
Këtë
shprehje, të strukturuar në formatin si në titullin e këtij shkrimi, nuk e
kisha dëgjuar më parë, ndonëse mbaj mend se nëna ua këpuste kryet gjithnjë
pulave që nuk e bënin vezën në furrikun e vet. Njëjtë vepronte edhe ndaj
ndonjërës që niste me këndue si gjel. Kur e pyesja pse, ajo do t’më thoshte, në
esencë, se pulën për vezë e mbajmë, se për pleh (glaca) mbajmë lopën, e për
kangë mbajmë gjelin. M’a rikujtoi këtë shprehje një vlla domgjonas i Kosovës me
të cilin ndajmë shpesh mendime, sa rreth traditës e zakoneve tona të mira, duke
vënë në dukje edhe diferencat e vogla të krijuara në dy anët e kufirit
shqiptaro – shqiptarë, aq edhe për aktualitetet politike në vendet përkatëse,
Shqipëri e Kosovë, (sa shumë dëshirë do të kisha të ishte “një”, vendi - shteti
ynë!), megjithëse as unë e as ai nuk jemi politikanë, ose të paktën,
kontribuojmë në politikë me aq sa mundemi, por nuk kakarisim fort, thjeshtë që
dikujt t’i bie në vesh kënga jonë.
Pula
e mirë e bën vezën tek shpia e vet e glacën n’kojshi, kurse pula e keqe bën
vezën n’kojshi e glacën në shtëpi të vet, si shprehje e si fenomen, më ka
ngacmuar gjithnjë, sa herë që njerëz të cilët nuk jetojnë përditshmërinë tonë,
me të mirat e të këqijat e saj, qoftë në Shqipëri qoftë në Kosovë (me aq sa e
njoh atdheun e dytë të shqiptarëve), na mbajnë leksione malli e dashurie për
atdheun dhe nuk na lenë gjë pa thënë ne që, nga halli apo qejfi, jetojmë në
trojet tona, duke na “udhëzuar” si duhet të veprojmë. Natyrisht që çdo
shqiptarë edhe emigrant, i ri apo i vjetër, emigrant si person, apo familje
emigrante, ka të njejtën pjesë dhe të njejtën të drejtë si unë t’a dashurojë
atdheun e të shqetësohet për këtë vend, sepse atdheu nuk mund të privatizohet e
parcelizohet prej askujt, pasi ai është frymë, dashuri dhe dhimbje shpirti, por
fjala është për ata që çdo kontribut në jetën e tyre e kanë derdhur jashtë
trojeve shqiptare, e po t’u thuash ejani e investoni këtu, do të presin me një
lumë fyerjesh, por po t’u thuash ejani e bëhuni deputet, ministër apo
kryeministër, janë të gatshëm, gjithnjë në se karriken ua garantojmë ne “që s’e
njohim jetën perëndimore”, që votojmë njerëz pa integritet e epitete të tjera,
të thëna e të nënkuptuara prej disave.
Diaspora
kosovare përgjithësisht, ka një të drejtë plus në këtë aspekt, pasi pavarësisht
se rrethanat ekonomike e politike atje kanë qenë ku e ku më të rënda se në
Shqipërinë shtetërore, ata kurrë se kanë harruar vendin e vet. Aty kanë mbajtur
familjet, kanë investuar aq sa kanë mundur në shtëpi e mjete jetese, kanë
organizuar për shumë vite shtetin paralel dhe e kanë financuar atë, kanë
financuar arsimin e gjuhën shqipe dhe së fundmi edhe luftën çlirimtare të
Kosovës, janë rikthyer me investime pas saj e kontribuojnë përgjithësisht për
zhvillimin e atdhet të tyre. Natyrisht që emigrantë të tillë që i kanë
investuar aksionet e veta kryesisht në vendin e tyre, kanë gjithë të drejtën e
Zotit të kërkojnë të ndikojnë edhe në jetën politike në të gjitha nivelet. Por,
ndonëse nuk kam njohje të plotë rreth emigracionit kosovarë, më duket se më së
shumti “kakarisin” ata që “vezët” e tyre i kanë investuar jashtë, dhe tash pas
kaq vitesh liri duan edhe ndonjë karrike deputeti a ndoshta edhe më shumë.
Po
në Shqipëri?
Emigrantët
e hershëm, kryesisht politikë, për shkak të regjimit represiv që ishte në
Shqipëri, deri në nëntëdhjetën s’kishin si të kontribuonin, pasi as ndihmat e
vogla ekonomike për familjarët e tyre nuk u lejoheshin dhe në vend që t’i
ndihmonin, i shtinin në telashe edhe ata. Pas nëntëdhjetës, ndërsa politikisht
rrethanat nuk u hapën sa e si duhet për të zgjedhur e për t’u zgjedhur, ata
zgjodhën (me ndonjë përjashtim), të qëndronin indiferentë ekonomikisht, ndonjë
tip matrapazi të kontribuonte negativisht për të zhvatur edhe ndopak ekonomi
vendase, por nuk munguan të bëjnë leksione politike e atdhedashurie kryesisht
me flamuj e veshje kombëtare e sponsorizime të vizitave të drejtuesve tanë
aspak demokratë jashtë vendit. Disa eksponentë të njohur, nga rehatia e tyre,
nuk mungojnë t’na uzurpojnë edhe hapësirat televizive, e prej atyre t’na japin
mend të gjithëve, ndërkohë që kur ishin këtu, maksimalisht shfrytëzuan
mundësitë e krijuara nga pushteti për të “rruar” ndonjë lek, si të përndjekur
politikë. Tashmë që ligji ka krijuar hapësira politike për t’u zgjedhë, janë të
gatshëm disa prej tyre t’a “rrëmbejnë” një karrike deputeti, duke shijuar
ekonominë e demokracinë e vendeve ku jetojnë e duke dëshiruar spaletat e të
qënit i zgjedhur në Shqipëri. Edhe në Kosovë, ky grupim nuk është se paraqet
ndryshime thelbësore.
Emigrantët
e pas nëntëdhjetës kanë mbajtur gjallë ekonomikisht, përmes remitancave,
familjet në Shqipëri, e në këtë aspekt meritojnë nderim të përjetshëm. Por tash
kanë kaluar rreth tri dekada e gjysëm e shumë prej tyre kanë ndërtuar
përfundimisht jetesën e tyre jashtë Shqipërisë, jo pak kanë hequr dorë edhe nga
shtetësia shqiptare, numërohen me gishta ata që kanë investuar në Shqipëri
djersën e tyre duke ngritur ekonominë familjare e punësuar edhe të tjerë, me
shumë sakrifica. Të gjithë “këndojnë” shqip e boll mirë bëjnë, por kënga e tyre
politikisht nuk mund të dëgjohet njësoj… Atyre që janë rikthyer e kontribuojnë
në ringritjen ekonomike të vendit, u dëgjohet me kënaqësi “kënga” patriotike e
u duhet dhënë me shumë respekt edhe vota politike. Të tjerët…
“Qofte
ke daja nuk ka!”, më kujtohet kjo shprehje, që vinte në përgjigje ndaj atyre që
i donin gjërat të gatshme. Qoftet duhen përgatit që të shijohen. Jo për ndonjë
gjë, por elementë të tillë nga diaspora jonë, duke u përzie në qullin e
politikës ekzistuese, zor se mund të pjekin “bukë” të ndryshme nga ajo që
pjekin këta horra (jo të gjithë) që e kanë mbajtur vendin një hap përpara e tre
mbrapa tash tridhjetë e katër vite, thjesht që të ruanin pozitat e tyre.
Shembujt janë të shumtë… Lulëzim Basha është njëri prej tyre që u katapultua
nga Berisha, duke i dhënë gjithë mundësinë të bëhej dikushi, por me njërën
këmbë në Shqipëri e tjetrën në Hollandë, zor se mund të bësh diçka për të qenë.
Ka edhe të tjerë, majtas e djathtas, por nuk kam qëllim analizën e emrave në
këtë shkrim, pasi më intereson fenomeni dhe më shqetëson veprimi, sidomos në
këtë prag zgjedhjesh ku ata (emigrantët) do të kontribuojnë për herë të parë me
votën e tyre nga vendet ku jetojnë. Jo se këta “vendalitë” e pashkulur e kanë
ndrit! Edhe nga këta ka plotë të tillë që “vezët” i bëjnë në kojshi e glacat
këtu, në vendin e tyre, por shpresoj fort se diçka ka nisur të lëvizë nga
drejtësia dhe nuk do t’i gëzojnë ato privilegje, duke i dekurajuar kështu edhe
elementët karagjozë, pa din e iman, pa Krisht e Muhamed, pa mend e veç me
plëndës, t’i hyjnë detit të politikës me këmbë. Drejtësia e re, uroj e shpresoj
të ndjek “vezët”, në furriqet e tyre e t’ia kthejë popullit, sepse vetëm kështu
bën që monstra të tilla, që e duan “kryet” ke nana e “by…ën” tek partneri, t’i
rrinë larg politikës. Emigrantët e çdo brezi, në se duan të kontribuojnë
seriozisht, le të organizihen politikisht, të shpallin platformat e tyre, të
kërkojnë votën si të tillë, që ne t’i shohim si shpresë reale, por edhe t’u
kërkojmë llogari për realizimin e premtimeve të tyre. Duke u angazhuar në
partitë politike ekzistuese shqiptare, jam i bindur se zëri i tyre do të
humbasë “si shurra e pulës”, e furriku i vezëve po se po!
Jo
vetëm situatës me emigrantët u përket fabula e “vezës dhe glacës”, por edhe
brenda vendit, ajo e shfaq ironinë e paradoksin e situatës politike në të
gjithë dimensionin e saj. Sikur të mos mjaftonte fakti që disa prej
pushtetarëve tanë, të djeshëm e aktualë, i ushtrojnë funksionet e tyre duke i
bërë “vezët” politike në furriqet e qarqeve antishqiptare të shteteve fqinjë
ose jo, disa prej tyre, tashmë është e njohur botërisht e disa edhe nën hetim,
edhe i venë ato “të çelin zogj” jashtë trojeve, duke i investuar apo ruajtur në
banka e kompani të ndryshme, kryesisht ofshore. Nga ana tjetër, “deshët e
kumonës” në pozitë e opozitë, përtej luftës në dukje të pakompromis mes tyre,
ja kanë dalë deri tash të merren vesh mes veti për bukuri, duke mbajtur një
sistem politik praktikisht të pandryshueshëm, përmes kodit zgjedhorë. Edhe
lejimi i votës së emigrantëve, ardhur si një zhvillim gjysmak, ka gjasa mos t’i
shfaqë efektet e duhura, sa kohë që vota e tyre do të shpërndahet në qarqe e
nuk ka mundësi të sjellë një produkt ndryshe.
Ruajtja
e monopolit të drejtuesve politikë mbi përbërjen e listave, bën që fabula e
“vezës e glacës” të mbetet në fuqi. Formalisht çdo qark ka listat e veta, por
në zonat më të sigurta të tyre kryetarët fuqiplotë sjellin jesmenë nga Tirana,
shumica e të cilëve vijnë thjeshtë për “glacën” në zona, nënkupto me i shtue
halle halleve e zjarr benzinës së ngatërresave, kurse “vezën” e bëjnë për
partitë në qendër. Jo vetëm deputetët, por edhe kryebashkiakët janë të njejtët.
Jetojnë (jo të gjithë) larg e shkojnë për t’i “shpëtue” bashkitë, duke ua marrë
edhe atë karrike me pak rëndësi që e kanë. Unë jam për vendas, për njerëz që
jetojnë me hallet tona të përditshme, ose një sistem zgjedhorë politik
proporcional kombëtar me lista totalisht të hapura, ku secili sheh sa i vlen
lëkura. Kryet në bashki e “by…ët” në Tiranë, njëjtë nuk vlen si në rastin e
emigrantëve.
Lexova
këto ditë një libër të bukur kushtuar At Ambroz Marlaskaj, me autor Ndoc
Frroku. Autori, përmes figurës së lartë kishtare, intelektuale e atdhetare të
At Ambrozit, veç vlerave të tjera të pamohueshme, kishte ndriçuar bukur një
periudhë historike të panjohur sa e si duhet. Më bënë shumë përshtypje kërkesat
e deputetit Marlaskaj e përkujdesja e tij, duke nisur nga hallet më të vogla të
zgjedhësve të vet, deri tek demokracia parlamentare e qeverisja ekonomike e
vendit. “…Jena tue e humbë burrninë, ndjesinë e përgjegjesisë e randësinë para
popullit.” -theksonte ai me shqetësim, duke iu referuar Asamblesë së vitit 1924
dhe rendiste me shqetësim se burrninë po e humbim, se “…Vetëm kalamajt kur t’i
kenë paditun shokët e vet ia qesin njani -tjetrit të zezat për fushë e zihen
njashtu si asht fillue ndër ne.”, … se po e humbim ndjesinë e përgjëgjësisë,
pasi “…Populli shqiptar sod asht dathë e deshë, pa bukë në shtëpi, pa rrugë, pa
urë, pa mjete udhëtimi, prej ma të mbrames pikë gjaku që i ka mbet, i paguan
Asamblesë më tepër se 40 mijë fr. Ar në muej…”, dhe se e bjerrim randësinë
“…Kur populli të shofë se yndyra e kombit bjerret ndër çashtje aq të vogla,…”.
Gjendja edhe sot, plot pas njëqind viteve, mbetet plotësisht e njëjta, sidomos
sa i takon elementëve të burrnisë, ndjenjës së përgjegjësisë e të rëndësisë
para popullit të përfaqësuesve të vet (në fakt s’janë të tillë!). Në kontrast
me këto problem që ngrinte 100 vjet më parë At Ambroz Marlaskaj, deputetët
aktualë as duan t’ia dinë për hallet e njerëzve, as nuk duan t’ia dinë e nuk
kanë kapacitete intelektuale të dinë për demokraci parlamentare, për qeverisje
ekonomike, për zhvillim të qëndrueshëm e të tjerë terma të “huaja” për shumë
prej tyre. Mjafton të njohin e t’i përkulen vetëm kryetarëve fuqiplotë!
Parlamenti ynë është i madh në numra e fort i vogël në raport me ato që citova
më lart nga At Ambrozi, me shumë privilegje të rezervuara ndaj vetes e kastës së
lartë, krejt disproporcionale me gjendjen e popullit, ai është jo përfaqësues,
jo model demokracie, por model dhune, e qeverisja e prejardhur prej tij shumë e
ngarkuar, shumë burokratike, e pandjeshme ndaj halleve të njerëzve dhe e paaftë
të ofrojë alternativa të qarta zhvillimi.
Deri
kur kështu…?
Deri
atëherë kur në krye të shtetit të vijnë njerëz me “kokë të madhe”, me “gjoks të
madh” e “plendës të vogël”…
------------------------------------------
* Poet e studjues, Lezhë